Robert ELSIE, Fiset shqiptare
Pozita e territorit të fisit
Rajoni i fisit të Hotit ndodhet në qarkun e Malësisë së Madhe, në veri të Shqipërisë. Ai shtrihet në verilindje përpjetë luginës që fillon në fund të pjesës lindore të liqenit të Shkodrës, afër kalimit të kufirit shqiptaro-malazez të Hanit të Hotit dhe vazhdon të shtrihet përpjetë maleve që kalojnë pranë Brigjës deri te maja e fshatit Rapshë-Starje. Rruga nga bregu kah territori i Kelmendit dhe i Vermoshit ,në fillim shpie në këtë luginë, që shkon paralel me kufirin shqiptaro-malazez. Territori i Hotit shtrihet edhe përgjatë liqenit, në Malin e Zi, dhe vazhdon nëpër gjirin e Humit, duke u ngjitur deri në luginën e parë të Helmes dhe Traboinit, në anën veriore të Malit Bukoviq. Hoti kufizohet me rajonet tradicionale të fisit të Grudës në veri të Malit të Zi, në verilindje me Kelmendin dhe me Kastratin në jug.
Ngulimet kryesore të Hotit janë: Rapsha e Hotit në Shqipëri dhe Arza, Helmesi dhe Traboini në Mai të Zi.
Popullsia
Termi Hoti është shënuar si një emër personal më 1330. Më 1474, rajoni quhej montanee octorum, montanea attanorum (Malet e Hotit). Trajta e termit hoti përmendet në raportin dërguar Romës, në shtatorin e vitit 1621, nga peshkopi shqiptar i Sap-ës dhe i Sardë-s, Pjetër Budi dhe në raportin kishtar të Pietro Stefano Gasparit, më 1671. Hoti gjithashtu shfaqet në raportin e Gjorgjo Stampaneos, aty kah viti 1685 dhe në hartën e vitit 1689, të hartografit italian Gjakomo Kantelli da Vinjola.
Më 1614, shkrimtari venedikas, Mariano Bolizza nga Kotori i përmend 212 shtëpi të Hotit nën zotërimin e një farë Marash Papës, me 600 burra të armatosur.66 Më 1838, doktori austro-hungarez , Jozef Myller, ishte informuar nga At Deda i Vuklit se në Hot kishte 1500 banorë.67 Pothuajse në të njëjtën kohë (1841), në “Një informatë e shkurtër mbi fiset e Malësisë së Shqipërisë së veriut, në veçanti mbi malet e pavarura”, Nikolla, Princi i Vasojeviqve, pohon se popullata e Hotit përbëhej prej 2400 banorëve, prej të cilëve 600 ishin të armatosur. Në saje të regjistrimit të vitit 1854, diplomati francez, Hajsinth Hekardë, ka cekur se Hoti ka 450 familje.
Një diplomat tjetër francez, Emil Vjetë, konsulli francez në Shkodër, ka cekur se Hoti kishte 400 shtëpi që përfshinin 2442 katolikë, plus pesë shtëpi të tjera myslimane në trevën e quajtur Sunci.70 Autorë të tjerë të fimdit të shekullit nëntëmbëdhjetë përmendin gjithashtu 400 dhe 500 familje. Nga këto të dhëna, mund ta kemi të qartë se popullata e Hotit ka pasur rreth 400 banorë në atë kohë. Edith Durhami i referohet Hotit në dekadën e parë të shekullit njëzet si një bajrak i përbërë prej 500 shtëpive.
Hoti, tradicionalisht, ka qenë fis katolik. Mbrojtësi i shenjtë i fisit është Gjoni i Pagëzuar, dita e të cilit (Shënjoni i Hotit) kremtohet për çdo vit, më 29 gusht. Kisha e famullisë së Brigjës, e ndërtuar më 1699, i është kushtuar Shën Gjonit Pagëzues. Vetëm disa gurë dhe një varrezë e vjetër kanë mbetur nga kisha. Ky fis e ka edhe festën dimërore të Shën Nikollës, e cila kremtohet tërë javën. Kisha në Hot i është dedikuar Shën Venerandës. Kisha në Rapshë të Hotit është ndërtuar në vitin 1699 nga françeskanët, të cilët pas një kohe të shkurtër qenë të detyruar të largoheshin prej saj. Një shtëpi e famullitarit u ngrit aty më 1907, e financuar nga Austro-Hungaria. Në Traboin ka qenë një famulli katolike që nga viti 1648, megjithëse shpesh braktisej.
Disa familje në Hot, gjatë periudhës së sundimit Osman u konvertuan dhe kaluan në fenë islame. Megjithatë, ndasitë fetare nuk duket të kenë shkaktuar probleme të mëdha brenda fisit. Dhjetë familje në Rapshë, bie ijala, kaluan në fenë islame më 1800 dhe nga Pasha fituan të drejtën që të kenë Bylykbashin ose (Vojvodën e vet); këtë post e pati vazhdimisht familja e Hasan Agës./ KultPlus.com