Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shtyrjen e afatit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në 11 komuna deri me datën 24 maj 2024, njofton Klankosova.tv.
Vendimi vjen pas zhvillimit të një mbledhje elektronike që u mbajt me kërkesë të komunës së Dragashit, Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Fushë Kosovës, Skenderajt, Obiliqit, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Gjakovës.
Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës i cili do të mbulojë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare që për çfarëdo arsye nuk mund të regjistroheshin më herët.
Ndërkaq, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, regjistrimi i diasporës, përmes portalit eDiaspora shtyhet deri më datën 31 gusht 2024.