Sot, në bibliotekën “Hivzi Sulejmani“, në kuadër të manifestmit tradicional kulturor – shkencor ”Drita e Gonxhës “ u promovuan katër botime kushtuar Shën Nënë Terezës, si dhe është hapur ekspozita me fotografi nga rrugëtimi i saj jetësor.
Librat e promvuar sot janë: “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne”, e autorit Dom Lish Gjergji, ”Gjon Antoni, një margaritar kujtese për Shkupin e rinisë” e autorëve Skender Asani , Emin Azemi, Albert Ramaj, “Si dhe pse lindi Departamenti për studimne trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze”, e autorëve Anton Nikë Berisha dhe Skender Asani si dhe numri i tretë i revistës “Drita e Gonxhës”.
Drejtoresha e bibliotekës Naime Beqiraj, duke ju drejtuar të pranishmëve foli për frymëzimtarinë e figurës së Nënës Tereze.
Kurse, drejtoresha për Kulturë e Komunës së Prishtinës Sibel Halimi u ndal te forca e dashurisë dhe sa e rëndësishme është empatia për njeriun.
“Në një kohë, kur bota po zë n’thua dhe po e humbë arsyen, mendimi për Nënën Terezë na rikthen në rrugën e paqes dhe të drejtës si vlerat më sublime të shoqërisë sonë. Ajo ishte një luftëtare e vërtetë për njerëzit e braktisur nga atdhetë, fetë dhe kombet e tyre. Me punën dhe veprën e saj, frymëzoi miliona njerëz në mbarë botën”, ka thënë drejtoresha Halimi.
Për librat që u promovuan folën Don Lush Gjergji dhe Emin Azemi.
“E veçanta e këtyre titujve, është sepse secili prej tyre ngërthen nga një fabulë dhe përmbajtje të veçantë, me ngjarje e protagonistë gjithashtu të veçantë. Ndërkaq e përbashkëta e këtyre botimeve është sepse të gjitha kanë një kryepersonazh në qendër, Gonxhe Bojaxhiun – Nënën Tereze, e cila ka intriguar vëmendjen e autorëve, me famën dhe bëmat e saj”.
Kryeredaktori i revistës “Drita e Gonxhës”, publicisti Emin Azemiu u ndal tek rëndësia e kësaj reviste me shkoqitjen tematike e përmbajtësore të saj. Në vazhdim ai paraqiti edhe disa vlerësime edhe për librin “Si dhe pse lindi Departamenti për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze”.
Kurse Dom Lush Gjergji i cili foli në cilësinë e autorit të librit “Porositë e Shën Nënë Terezës për ne”. Ai elaboroi telegrafikisht tërësinë përmbajtësore të këtij libri dhe u angazhua që figura e Nënës Tereze të jetë vazhdimisht e pranishme në jetën tonë publike e kulturore.
Në tribunë diskutuan edhe të ftuar e të pranishëm të tjerë me ç’rast, secili prej tyre shprehu vlerën e patjetërsueshme të nobelistes shqiptare duke përfshirë edhe Gjon Antonin – familjar Nënës Terezë nga të dy prindërit duke sjellë para të pranishmëve kujtesë nga takimet me Nënën Tereze ku i fundit ishte në Romë – tre muaj para se të ndërronte jetë nobelistja shqiptare.
Gjithashtu, në ambientet e Bibliotekës “Hivzi Sulejmani” u hap ekspozita me fotografi nga rrugtimi jetësor i Nënës Tereze e cila do të qëndrojë e hapur 10 ditë./ KultPlus.com