Porti i ri i Durrësit, Balluku: Dy porte të thata të ndërlidhura me linjë hekurudhore

Në Shkodër u prezantua sot studimi i fizibilitetit të hekurudhës Durrës- Prishtinë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, njëherësh zëvendëskryeministre, gjatë fjalës së saj bëri të ditur se projekti për portin e ri të Durrësit ka hyrë në një fazë vendimtare.

Sipas Ballukut tashmë është përmbyllur faza e parë e projektit, faza e aplikimit të ofertave dhe vlerësimit teknik të tyre. “Jemi gati për të nisur fazën e dytë dhe më përfundimin e kësaj faze do të fillojë ndërtimi i portit të ri të Durrësit”, tha ajo..

Balluku theksoi se porti i ri do të ndërlidhet me dy porte të thata, në Prishtinë dhe Shkup, përmes linjave hekurudhore. Balluku tha njëra linjë nis nga Vora dhe kalon përmes Shkodrës drejt Kosovës, ndërsa linja tjetër, e lidhur me aksin Rrogozhinë-Pogradec, për të kaluar në Maqedoninë e Veriut.

“Porti i Durrësit nuk do t’i shërbejë vetëm Shqipërisë, por porti i Durrësit është dizenjuar për t’i shërbyer të dy vendeve Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe Maqedonisë së Veriut, duke qenë se porti i Durrësit ndërlidhet me dy porte të thata, atë të Prishtinës dhe atë të Shkupit, që të dyja këto porte të thata të ndërlidhura me linjën hekurudhore, njëra me linjën hekurudhore që nis nga Vora dhe vjen deri në pikëlidhje, pra në Shkodër, për të vazhduar më pas në Prishtinë dhe tjetra që fillon nga Durrësi, e kemi lidhur kontratën dhe marrëveshjen për financimin e aksit të parë i cili shkon deri në Rrogozhinë dhe do të vijojmë me aksin Rrogozhinë-Pogradec, për të bërë daljen në urën e Bushtricës dhe për të kaluar në Maqedoninë e Veriut”, tha Balluku.

Balluku tha se ky zhvillim është pjesë e një vizioni më të gjerë për përgatitjen e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Të gjitha këto janë zhvillime shumë të rëndësishme. Janë zhvillime të rëndësishme infrastrukturore dhe politike për trevat shqiptare. Janë zhvillime të cilat përgatisin vendin tonë, Shqipërinë, por pa dyshim edhe Kosovën për një kapitull të ri. Për një faqe të re të historisë tonë, e cila tashmë përmbyll të gjithë pjesën e tranzicionit dhe jemi gati për të kapërcyer atë prag shumë të pritur, pragun e Bashkimit Evropian. Kur tashmë ndodhemi të ulur në tryezën e negociatave, kur të gjitha sinjalet të ardhura nga komisionerët europianë, veçanërisht nga komisionerja Marta Kos tregojnë se ndoshta vetëm në dy vitet e ardhshme ne do të arrijmë që të përmbyllim gjithë fazën e negociatave, sigurisht Shqipëria, por dhe Kosova duhet të jenë gati për këtë fazë me të gjithë komponentët dhe një nga komponentët më të rëndësishëm, siç është energjia, është infrastruktura.

“Ne mund të përmbushim të gjitha detyrat e shtëpisë përsa i përket reformave ligjore, apo reformave administrative, por në rast se ne nuk do të kemi të njëjtat parametra në infrastrukturë apo në energji, nuk do të ishim gati për Europën. Kështu që me të vërtetë unë e shikoj gjithmonë atë tabelën e fundit të projekteve, ku ekspertët me shumë të drejtë vendosin afatet dhe afatet i kanë të mirëstudjuara dhe zakonisht i lënë dhe njëçik më të gjera nga ç’duhet, por i dashur përfaqësues i konsorciumit, ne këtu në Shqipëri kemi filluar ti mbarojmë punët para afatit”, tha Balluku.

Balluku shtoi se nuk kemi kohë për të humbur duke shtuar se nuk do të duhen 10 vite për të ndërtuar hekurudhën Durrës-Prishtinë.

“Pasi kemi humbur shumë kohë 50 vite të gjata dhe më pas 33 vite tranzicion dhe nuk kemi më kohë për të humbur. Ne kemi gjithçka. Ne kemi diellin, kemi detin, kemi malet, kemi fushat, kemi bujqësinë, turizmin. E vetmja gjë që mungon në këtë vend është koha. Nuk kemi më kohë për të humbur, ndaj unë jam e sigurtë që nuk do të na duhen 10 vite për ta ndërtuar atë hekurudhë, sepse edhe për tunelin e Llogarasë ishte parashikuar që duhet të ishte 48 muaj, por u mbarua vetëm në 22 muaj. Edhe për aeroportin e Vlorës janë parashikuar 48 muaj, por përfundon këtë verë. Kështu që ne duhet të rendim, sigurisht përmes projekteve të sigurta, sigurisht duke respektuar të gjitha rregullat dhe masat e ndërtimit të këtyre kryeveprave të infrastrukturës, por ama duke rendur”, tha ministrja.

Ministrja tha se Shqipëria ka të gjithë vëmendjen e tregut financiar, për sa i përket financimeve të ndryshme apo për sa i përket dhe investitorëve të huaj.

“Kështu që unë jam e sigurtë që në fund të mandatit të katërt qeveria Rama padyshim do jetë në gjendje që të flasë për disa përqind ecuri të projektit dhe jo për nisjen e tij”, u shpreh Balluku. /atsh/ KultPlus.com

Fluks udhëtarësh në Portin e Vlorës, mbi 18 mijë vetëm në korrik

Në portin e Vlorës, i dyti më i madh në vend, në muajin korrik të këtij viti ka pasur një fluks të lartë udhëtarësh.

Drejtori i portit të Vlorës, Ilir Banushi, tha sot për ATSH-në se “vazhdon të jetë i lartë numri i udhëtarëve që zgjedhin të udhëtojnë nëpërmjet Portit të Vlorës. Në port gjatë muajit korrik kanë hyrë 18.231 udhëtarë, 1396 më shumë se viti 2022 ose 8 % më shumë”.

“Vetura kanë hyrë 3858 ose 841 me shumë se viti 2022. Në përqindje janë 28 % më shumë. Rreth 75 % e hyrjeve janë të javës së fundit të korrikut”, tha Banushi.

Banushi vuri në dukje se “si total hyrjet dhe daljet janë 3534 udhëtarë  më shumë se korriku i vitit 2022 ose 15 % me shumë dhe vetura janë 1600 më shumë ose 37 % më shumë”.

Sipas tij, hyrjet janë rreth 50 % me 50 % shtetas shqiptarë e të huaj.

“Për sa i përket mjeteve të përpunuara 85 % e tyre janë automjete të huaja”, shtoi ai.

Banushi u shpreh se vetëm gjatë fundjavës që lamë pas në Portin e Vlorës kanë mbërritur me 3 tragete të linjës Vlorë-Brindizi 4585 pasagjerë nga të cilët 2075 janë shtetas të huaj, si dhe 1061 automjete”.

Autoritetet portuale kanë punuar me intensitet të lartë për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve, ndërsa kanë marrë të gjitha masat për t’i shërbyer sa më mirë fluksit të pasagjerëve sidomos gjatë sezonit turistik.

Vlora gjithnjë e më shumë gjatë sezonit turistik kthehet në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operojnë edhe anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit./atsh/KultPlus.com

“Qyteza lundruese” ku lejohet hyrja vetëm për personat mbi 18 vjeç

Një anije gjigante luksoze, më e madhe se sa aeroplanmbajtësen e Marinës Mbretërore, u ankorua të hënën në portin e Portsmuthit, duke mahnitur vendasit me madhështinë e saj. Anija turistike, në pronësi të miliarderit Richard Branson, quhet “Scarlet Lady” – “Zonja e Kuqërremtë”, dhe peshon 110 mijë tonë.

Me një kapacitet prej 2770 pasagjerësh dhe 1160 pjesëtarë të ekuipazhit, anija 27-metra e gjatë është më e madhja që është ankoruar ndonjëherë në portin e Portsmuthit, i cili duket si një port varkash të vogla krahasuar me tragetin luksoz.

Për të kaluar një natë në këtë “qytezë lundruese” duhet të paguash mbi 1500 euro dhe mund të shijosh 20 restorante, pishina, qendra fitnesi dhe spa.

Hyrja është e lejuar vetëm për personat mbi 18 vjeç. Kompania njoftoi se së shpejti do të nisin edhe udhëtimet jashtë Mbretërisë së Bashkuar, që ishin pezulluar deri më tani për shkak të pandemisë. / Gazeta Express / KultPlus.com