Posta e Kosovës lëshon në qarkullim emisionin e ri të pullave postare “Antropomorfet”

Posta e Kosovës ka lëshuar sot në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare “Antropomorfet”. Ky emision përmban tri pulla që paraqesin figura me formë njerëzore, të krijuara nga dora e njeriut, të cilat datojnë nga periudha parahistorike.

Gërmimet arkeologjike në Republikën e Kosovës kanë zbuluar artefakte të shumta nga epoka të ndryshme, përfshirë epokën e neolitit, të metaleve dhe të antikitetit. Ndër zbulimet më të njohura janë figurinat antropomorfe, të gjetura në lokalitete si Bardhoshi (rreth 5000 vjet p.e.s.), Barileva, Tjerrtorja – Prishtinë, Fafos – Mitrovicë dhe shumë vende të tjera. Këto figura dëshmojnë për kulturën dhe besimet e lashta të shoqërive që kanë banuar këto troje dhe janë pasuri e veçantë e trashëgimisë kulturore të Kosovës.

Përmes këtyre pullave postare, Posta e Kosovës jo vetëm që dokumenton dhe ruan këtë trashëgimi të çmuar, por njëkohësisht promovon Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ftojmë qytetarët, koleksionistët dhe bizneset që të bëhen pjesë e kësaj përvoje të rrallë duke blerë këto pulla, të cilat pasqyrojnë rrënjët e lashta dhe historinë e pasur të Kosovës, duke e bërë atë të njohur në mbarë botën./KultPlus.com

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullat postare “Pyjet dhe rudinat”

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot emisionin e ri të pullave postare me temën “Pyjet dhe rudinat”. Ky emision përbëhet nga dy pulla postare dhe një bllok filatelik, duke sjellë në vëmendje bukurinë e mahnitshme të resurseve pyjore dhe minerale të Kosovës. Kjo iniciativë është një përpjekje për të nderuar dhe promovuar pasurinë natyrore të vendit, e cila ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm.

Sipas të dhënave të Agjencisë Pyjore të Kosovës, vendi ynë mbulon rreth 481 mijë hektarë pyje, ose 44.7% të territorit të përgjithshëm. Shumica e këtyre pyjeve ndodhen në jugperëndim të Kosovës, veçanërisht në rajonet e Maleve të Sharrit dhe Bjeshkëve të Nemuna. Këto zona janë të njohura për peizazhet e tyre të bukura dhe diversitetin e larmishëm të florës dhe faunës.

Resurset pyjore të Kosovës kanë rëndësi të madhe, jo vetëm për ekonominë e vendit, por edhe për përmirësimin e cilësisë së ajrit, prodhimin e oksigjenit dhe sekuestrimin e karbonit. Ato ndihmojnë në mbrojtjen e tokës nga erozioni dhe në sigurimin e ujit të pijshëm për popullatën. Po ashtu, këto pyje janë të rëndësishme për biodiversitetin e Ballkanit, pasi Kosova është shtëpi e një spektri të gjerë të florës dhe faunës, shumë prej të cilave janë të rrezikuara ose endemike.

Ky emision i pullave postare është realizuar me mbështetje të Agjencisë Pyjore të Kosovës dhe është një hap për të rritur vetëdijen për ruajtjen e mjedisit dhe pasurive natyrore. Pullat do të mbeten në qarkullim deri në konsumimin e plotë të stokut, duke u ofruar të apasionuarve pas filatelisë dhe natyrës mundësinë për të kontribuar në promovimin e kësaj çështjeje të rëndësishme. Kjo iniciativë është një shembull i angazhimit për ruajtjen e natyrës dhe burimeve natyrore, duke e theksuar rëndësinë e tyre për brezat e ardhshëm./KultPlus.com

Posta e Kosovës nderon periudhën e artë të pop-rokut kosovar të viteve ’80-ta

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim një emision të ri të pullave postare kushtuar periudhës së artë të muzikës pop-rok në Kosovë gjatë viteve të ’80-ta, për të nderuar grupet dhe artistët që kanë kontribuar në formimin e skenës muzikore të asaj periudhe.

Gjatë viteve të ’80-ta, në Kosovë u formuan disa grupe muzikore të njohura, si: “Gjurmët”, “Ilirët”, “403”, “Telex”, “Minatori”, “Fisnikët”, “Seleksioni 039”, “Menkis” dhe “Babilon”. Këto grupe krijuan këngë që vazhdojnë të jenë të dashura për publikun. Disa prej tyre përmes këngës kanë shprehur revoltin ndaj gjendjes sociale, censurës dhe situatës politike të kohës.

Përveç ritmeve të muzikës folklorike dhe këngës së vjetër qytetare që ishin frymëzim për këto grupe, periudha e viteve të ’80-ta është e njohur edhe për baladat e paharrueshme të muzikës rok. Këto ritme dhe ndikime kanë kontribuar në krijimin e një trashëgimie të pasur muzikore në rajon.

Posta e Kosovës është e nderuar të përjetësojë këtë periudhë të artë të pop-rokut kosovar me imazhin e dy pullave postare, duke ofruar edhe një mundësi të shkëlqyer për koleksionistët, bizneset dhe adhuruesit e muzikës për të ruajtur këtë trashëgimi të çmuar./ KultPlus.com

Posta e Kosovës lëshon në qarkullim pullën postare me figurën arkeologjike “Cjapi i bronztë”

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj nga sot ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e pullave postare “Cjapi i bronztë”.

“Tema e trajtuar në emisionin e ri të pullës postare i përket trashëgimisë sonë arkeologjike, që dëshmon kulturën dhe nivelin zhvillimor ekonomik të të parëve tanë”, thuhet në njoftim.

Pulla postare nga emisioni “Cjapi i bronztë”, në motivin e saj bartë pamjen e cjapit të ulur dhe paraqet një gjetje arkeologjike të rrallë dhe të veçantë.

Figura e bronztë e cjapit të ulur që i takon shek. VI p.e.s. bazuar në të dhëna të shkruara, është zbuluar rastësisht në vitin 1939, diku në Jaglenicë, lagje periferike e Prizrenit.

Kjo figurinë ka gjatësi prej 6,5 cm dhe gjerësi rreth 3 cm, ndërsa peshon 380 gramë./KultPlus.com

Image

Posta e Kosovës lanson pullat postare kushtuar mbrojtjes së ambientit

Posta e Kosovës, gjatë ditës së sotme ka lansuar pullat postare kushtuar mbrojtjes së ambientit.

Sipas njoftimit, ky emision i pullave postare bartë mesazhet për rëndësinë e ambientit të pastër, rrezikun e ndotjes nga qeset plastike dhe formën edukative të përdorimit të materialeve të reciklueshme.

Pjesë përbërëse e këtij emisioni është edhe Zarfi i Ditës së Parë, i cili do të qëndrojë në qarkullim postar deri në konsumimin e plotë.

Posta e Kosovës, përmer Filatelisë së saj, vazhdon me përkrahjen e iniciativave për të mirën e qytetarëve, si dhe për promovimin e shtetit të Kosovës nëpër botë./KultPlus.com

Lëshohet në qarkullim emisioni i pullave postare “Evropa 2023-Paqe”

Me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës nga sot lëshoi në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare të titulluar “Evropa 2023 – Paqe”.

Thirrja për paqe padyshim i referohet krizave të shumta globale që kanë shkaktuar viktima, shkatërrim dhe migrim të miliona individëve në mbarë globin si rezultat i luftës, persekutimit dhe shkeljes së të drejtave themelore të njeriut.

Prandaj, jo rastësisht, Europa Cept, si temë e përbashkët për vitin 2023, ka përcaktuar temën “Paqe”.

Përcjellja e mesazhit të paqes këtë herë nga artistët kosovarë bëhet përmes krijimit të formave artistike me palosje letre, origami.

Shfaqja e pëllumbit të paqes, që kërkon lirinë nga konfliktet dhe kaosi, por edhe mbështetjen për njëri-tjetrin, pasqyrojnë çelësin e botës në të cilën duam të jetojmë.

Emetimi i pullave postare përbëhet nga pulla postare, blloku filatelik dhe zarfi i ditës së parë që do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë. / KultPlus.com