Në kalanë e Tiranës është çelur për publikun artdashës ekspozita “Hapësira që ne na rrethon”, një projekt i kuruar nga artisti Artan Shabani.
Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare artisti Shabani tregon të veçantat e këtyre krijimeve, sesi janë realizuar ato si dhe mesazhet që ato përcjellin për publikun, përcjell KultPlus.
“Këto punime janë kryer nga disa artistë të ndryshëm të artit bashkëkohor që pas periudhës së pandemisë COVID-19 ishin të mbyllur si e gjithë pjesa tjetër e popullatës dhe që me krijimet e tyre sjellin mesazhin e hapjes, rifillimit të jetës dhe aktivitetit njerëzor dhe artistik”, shprehet Shabani për ATSH-në.
“Kjo është një ekspozitë bën bashkë 10 artistë bashkëkohor shqiptarë si Entela Ahmetiaj, Ardit Boriçi, Erolda Cela, Devis Gorgota, Joan Kapo, Bernard Lekgegaj, Ajes Halili, Albi Yzo, Edjola Mavriqi dhe Ersa Kana. Gjithësecili vjen në zhanerin e vetë si instalacion, skulpturë, pikturë dhe qeramikë”, tha Shabani.
“Në kaluam një periudhë izolimi dhe të gjithë këta artistë përmes kësaj ekspozite bëjnë thirrje për hapje dhe artistët kanë nevojë ta bëjnë këtë thirrje duke pasur nevojë që të kenë ballafaqim me spektatorin dhe kritikën”, tregon ai për ATSH-në.
“Kemi krijim i cili trajton dhunën ndaj gruas që në muaj të fundit jemi dëshmitar se çfarë ka ndodhur me gruan. Kjo i bën thirrje vetëdijes njerëzore dhe mashkullore. Kemi një interior që nuk ka prezencë humane por që ndjehet energjia humane ku aty po ndodh diçka pavarësisht se është e braktisur nga njeriu. Kemi një nudo e cila është me tonalitete të ftohta po që janë të qarta, pavarësisht periudhës së errët ku është perceptuar ajo ka nevojë për liri dhe etje për hapësirën e pranverës. Kemi një qytet afizik, ku realja është në limitet e absurdit dhe absurdi i kthehet në habitat normal, të cilën e ndeshim edhe në qendër të Tiranës, pavarësisht se në një qytet europian do të dukej si një teatër absurd, por këtu ndodh në realitet dhe është e jetueshme dhe e prekshme në çdo moment. Është një kaos apo bienale që përmban të gjitha tingujt. Këto element krijojnë një çarje të dimensionit të tretë. Kemi edhe peizazhe në stilin e ”Manes” që të kujton pak stilin impresionist. Kemi edhe peizazhe nga Tirana me një boshllëk metafizik. Duket si krijim i Giordo Decirico, situatë që edhe Italia ka përjetuar të njëjtën situatë si edhe ne gjatë pandemisë”, shpjegoi Shabani për ATSH-në.
“Kjo ekspozitë është një ftesë për të gjithë ne dhe për jetën tonë. Jeta që na sjell entuziazëm. Puna më maskën dhe objektin prek dy fenomenet e një pas njëshme që na prekën ne si popull, tërmeti dhe pandemia. Tërmeti na nxorri jashtë shtëpisë dhe pandemia na futi dhe struku në shtëpi, gjithashtu kemi të trajtuar edhe efektin që shkakton dhuna ndaj gruas por që është një fenomen global mungesa e vlerësimit të gruas. Tjetër element i rëndësishëm është ajo që ka lidhje të forta me antropologjinë kulturore , sepse tekstili ka një impakt të fuqishëm dhe këtu vijnë të ndërtuara, të grisura të thurura, pra realiteti dhe dëshira që vijnë në dy kushte dhe dëshira të kundërta”, tha Shabani.
Ekspozita është hapur të hënën më 7 qershor dhe do të qëndroj deri më 13 qershor 2021. Hyrja për qytetarët është e lirë, pa bileta dhe mund të vizitohet prej orës 10:00-13:00 dhe 18:00-21:00.
Kjo ekspozitë gjatë këtyre ditëve ka tërhequr vëmendjen e mjaft qytetarëve që e kanë vizituar, gjë e cila tregon që mjaft prej tyre kanë interes për jetën kulturore dhe artistike në vend.
Tashmë qytetarët e kryeqytetit po i rikthehen normalitetit pas një viti të vështirë pandemik, ku rifillimi i jetës kulturore në vend i ka kthyer ngjyrat Tiranës. /atsh/ KultPlus.com