Festivali i jazz-it kthehet këtë të mërkurë me kuintetin e përbërë nga studentë të Konservatorit të Potenza-s, “Carlo Gesualdo”, të cilët do të sjellin një repertor të pasur me traditën afrikano-amerikane.
Në koncert do të interpretojnë: Claudia Nigro në vokal, Alessandro Di Stasi në kitarë, Antonello Liccione në piano, Carlo Giuseppe Armiento në bas elektrik dhe Francesco De Mito në bateri.
Përgjatë dy muajve, e mërkura në Teatrin e Operas dhe Baletit do të kthehet në një traditë të muzikës jazz, me një repertor të veçantë kushtuar të gjithë adhuruesve të kësaj muzike.
Ky vjen si një bashkëpunim i frytshëm mes Teatrit të Operës dhe Baletit e Konservatorit “Gesualdo da Venosa”, Potenza, mbështetur nga Ministria e Kulturës, Ambasada Italiane, Instituti Italian i Kulturës, Qendra “Gjenerata e Re” dhe Abi Bank.
Koncerti i kësaj të mërkure titullohet “Ideal Standards”./atsh/KultPlus.com
Poezia bashkëkohore arbëreshe përfaqësohet sot edhe nga një plejadë poetësh të talentuar që janë afirmuar në jetën letrare të Arbërisë së vogël, siç e cilësojnë komunitetin e arbëreshëve të Italisë.
Në mes tyre dallohen emrat e Kate Cukaros, Margarita Scilipes, Maria Menna, Matilde Feraro, Conceta Mazzei, por figura më përfaqësuese është Enza Scutari. Ajo i takon brezit të hershëm dhe është si të thuash dekane e poezisë femërore të sotme arbëreshe.
Ajo ka lindur në Farneta di Castroregio dhe ka punuar si mësuese në shkollat e komunitetit arbëresh dhe veçanërisht për afro dyzetë vjet si mësuese e arbërishtes në S. Costandino Albanese (Potenza).
Por veç mësuesisë ajo njihet dhe çmohet si hulumtuese dhe studiuese e traditave dhe kulturës arbëreshe si dhe popullarizuese e përhapëse e vlerave artistike e kulturore të arbëreshëve.
Penës së saj i takojnë disa vëllime me poezi, të cilat kanë marrë çmime dhe mirënjohje prestigjioze nga komunat arbëreshe.
Poezia e saj është kryesisht poezi lirike, e frymëzuar nga realiteti arbëresh, me motive dhe këndvështrime origjinale. Ajo karakterizohet nga një frymëzim spontan dhe pas thjeshtësive artistike, fshihet një shpirt i ndjeshëm, me ndjesi të holla e delikate. Poezia e saj bart e trajton mendime fisnike dhe nota humane, diapazon të pasur tematik, refleks të historisë dhe realitetit arbëresh.
Lirika e saj shpërfaq mendime dhe ndjesi jetësore aq dhe meditative, shprehur përmes motiveve patriotike, erotike, eterike, pejsazhiste, që vijnë nga të njëjtat burime shpirtërore dhe ide filozofike, dhe përcjellin kumte dhe mesazhe me vlera shoqërore dhe patriotike.
Një vlerë tjetër e çmuar është gjuha e saj, arbërishtja e mëmës, një e folme e bukur dhe e pasur, me ngarkesa emocionale dhe kuptimore, e afërt me gjuhën shqipe standarde.
Me poeten Enza Scutari pata pasur fatin dhe nderin të njihem e të miqësohem vite të shkuara, kur ajo më nderonte me pjesëmarrjen e saj në promovimin e librit tim “Manastiri i dashurisë” në Lece të Italisë. Atje ajo më dhuroi për kujtim një dorëshkrim me vjersha të saj arbërisht, që unë me kënaqësi po ia paraqes lexuesit tonë.
NDËMN DHE
Ndën dhe u shua drita ditës çë kërkonej një lule për mall. Ndën dhe u fshehzëri natës çë kërkonej një fjalë për mos të vdis!
E s’u bë më gjë…
SI DY LUC
Si dy luc mburohen me dëshirë si dy luc grumbullohen me kullure argjendi sytë e tu; te zemra ime mblidhen suvala pa sullunar!
________ • luc – dritë • suvala – vala • pa sullunar – pa shtytje
U DI….
U di për tij e për mua se gjella jon kle e dashur e mallepsur e pënsuar gjithmonë. Pse ni duanë të na ndronjen pse duan të na farmëkosnjen? U fshihem prapa malit!
Adunare gjith një herë me trëmbësi me dhëmbësi se je vetëm mbi dhe, e adunare se ti s’je si do të jesh e s’të ka ënda të rrish mb’jet prana shkrepen dielli e gjith jeta duket e jotja!
_______ • prana – pastaj
SI NJË KOQEZ FARË
Si një koqez farë te zemra ime shtija rrënj kjo dashuri, prana belu belu ngjan degat prej diellit me trëmbësi, dega të njoma ndë këputen shkrihet uj e gjak!
Prita të ngrëhshit mjegulla mallingunishë për të shihnja yllin Afërditës të ngjatej te shtrati im pa palaca, si një ëngjel i lethë me penda erje me sy kristali të më puthnej ndë ballet!
_________ • mallingunishë – e mallit • ngjatej – zgjatej • na palaca – pa mbuluar • me penda erje – me flatra ere
NJË FLUTUR BORJE
Një flutur borje fluturonej pa penda tyerat i vejn pas e qeshin qeshin! Kur dielli ja rru klajn klajn… Te lumi u kallartin umbrat e natës e të klarit ashtu vjeshin!
__________ • u kallartin – zbritën • të klarit – të qarit • ashtu vjeshin – bëj vjershën