Mbrëmë, në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, Kori i Grave ’Lira’ dha premierën e këngës ‘Shtati’, këngë kjo me mesazhe të forta e shkruar nga Sibel Halimi dhe kompozitore Pranvera Badivuku, shkruan KultPlus
E pranishme në këtë mbrëmje ishte Sibel Halimi e cila ka shpjeguar arsyen e kësaj poezie, e që është shndërruar në këngë për korin ‘Lira’.
“Unë shkruaj që një kohë të gjatë, por jo gjithmonë poezitë e mia janë shndërruar në këngë. Ka qenë poezia ime e parë e cila është shndërruar në këngë. Ideja është që gjithmonë gratë janë identifikuar me biologjikën, janë identifikuar me trupin dhe pothuajse ato kanë qenë të burgosura në trupin e tyre dhe vështirë e kanë pasur që të marrin një veprim për të ndryshuar jetën dhe për të ndryshuar këtë botëkuptim tradicional që të gjitha formacionet shoqërore e kanë bërë që gruaja të identifikohet vetëm me trupin, me bilogjikën. Arsyeja apo motivi kryesor i poezisë është që pavarësisht që ne rrënjët i kemi në trup, në natyrë, ne gjithmonë kemi një arsye edhe për të qarë edhe për t’u arratisur, edhe për të krijuar një diell për vete. Përpjekja ime përmes poezisë është që thjesht që gratë t’i zhveshim nga trupi dhe t’i shndërrojmë në një akt lirie.”-thotë Halimi.
Ajo tutje shton se është shumë e lumtur që kjo këngë po këndohet pikërisht nga gratë.
Ndërkqa, kompozitorja Pranvera Badivuku shpjegon mënyrën e kompozimit të kësaj kënge e që sipas saj përcjell mesazhe të forta.
“Fillimisht më është dukur që teksti nuk është shumë i përshtatshëm për komponim se zakonisht kënga kërkon tekste të rimuara më tepër strofike, e këtu ishin vetëm dy strofa. Por, duke e analizuar tekstin dhe duke parë përmbajtjen e tij dhe qëllimin e fuqia e vetë tekstit më duket se ia kam arritur me i jep melodi dhe me i fuqizu disa elemente të tekstit edhe përmes kangës.” – shprehet Badivuku e cila edhe e përgëzon korin për interpretimin.
Drejtoresha e Korit ‘Lira’, Valire Spahija Buza, flet për KultPlus, duke dhënë më shumë detaje rreth këtij kori dhe këgës që ato mbrëmë kënduan për herë të parë.
“Kori takohet 2-3 erë në javë, sepse në koret profesioniste që i njeh notat është më lehtë. Mirëpo, te këto këngëtare e kemi gjetë tjetër një mënyrë, që ndonëse nuk i dijnë notat, dijnë si me u gjetë, vetëm përmes ushtrimeve”- thotë Spahija – Buza.
“Këtë herë kishim këngën dy zërëshe të kompozuar nga Pranvera Badivuku, që u realizua me sukses me punën tonë dhe angazhimin e anëtareve të korit” – shton ajo.
Ndërkaq në lidhje me punën e saj në korin ‘Lira’, flet për KultPlus edhe anëtarja Mirlinda Ahmeti e cila është pjesë e këtij kori që dy vit.
“Ky është një kor amater, ne kemi arrit me u kyq mjaft mirë, ndonëse pandemia pak na i ka vështirësuar punët por tash është më mirë. Ndiehmi jastëazakonisht mirë që me korin ‘Lira’ po e interpretojmë këngën e një emri siç është Pranvera Badivuku. “- thotë Ahmeti.
Në mbërmjen e djeshme, Kori i Grave ‘Lira’ përveç këngës ‘Shtati’ interpretuan edhe këngë të tjera si ‘Dashninë që kam për ty’, ‘Këngën kushtuar Prishtinës’, ‘Ani ma ke shtatin’ dhe ‘Ani mori nuse’./KultPlus.com
Kush kujton Akordet e Kosovës, e kujton një këngë shumë të veçantë nga ky festival.
Në vitin 1984, kënga “Vallja popullore” kënduar nga Tringa
Gjikolli, Teuta Grajçevci dhe Emine Vala morri Okarinën e Artë në Akorde dhe shpërblimin
e parë nga juria profesionale.
Kënga u kompozua nga Pranvera Badivuku me tekst të Riza Sheqirit dhe orkestrim të Krist Lekaj.
Përcjelljen e bëjnë Grupi i fëmijëve i RTP-së dhe Visar Aliu
në çifteli.
Publikuar në vitin 1985 në audio kasetën e parë me këngë për fëmijë nga Fabrika e kasetave e produksionit muzikor të Radio Televizionit të Prishtinës (RTP), Kosovë. / KultPlus.com
Të martën e ardhshme, këngëtarja e madhe Nexhmije Pagarusha e njohur si Bilbili i Kosovës do të mbushë 86 vjet, shkruan KultPlus.
KultPlus mëson se Ambasada e Shqipërisë në Kosovë do të
organizojë një mbrëmje solemne me rastin e shënimit të datëlindjes së yllit
shqiptar, mbrëmje kjo që do të mbahet në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë, më
7 maj.
KultPlus mëson se në këtë mbrëmje solemne do të prezantohet
Kori i Shkollës së Muzikës në Prishtinë, sikurse që do të prezantohen edhe
solistet: Eva Rusi, Rona Nishliu, Shkurte Fejza e Selami Kolonja.
Gajtë kësaj mbrëmje do të bëhet edhe promovimi i këngës që kompozitorja Pranvera Badivuku ia ka kushtuar Nexhmije Pagarushës. Kënga vjen e interpretua nga Selami Kolonja për herë të parë në ditëlindjes e85-të të Bilbilit të Kosovës.
Gjithashtu që mësohet se në këtë mbrëmje do të shfaqet edhe një dokumentar kushtuar Nexhmije Pagarushës. /KultPlus.com
I ka kaluar 74 dimra e vera, gjithmonë kreative dhe një shoqe besnike e notave muzikore.
Si shkrimtari i
guximshëm apo ndërtimtari i sfiduar prej lartësive, Pranvera Badivuku, prej
Shkupit drejt Pejës e drejt Prishtinës, ka dekada që prej mendjes nxjerrë notat
e partiturave.
Një prej kompozitoreve të para në Kosovë, duhet falënderuar mendjen e Badivukut për disa melodi që sot muzika shqiptare i mban me krenari në sirtarin e saj të pasur. Pranvera Badivuku, nëna e Sihanës dhe Zanës dhe bashkëshortja e violinistit Hysen Badivuku ‘ngacmohet’ shpesh prej historisë, meqë nuk bën të përjashtohet prej historikut të muzikës shqiptare.
E takojmë Pranverën
kësisoj, edhe tregimin e saj që edhepse i gjatë, dëgjohet me ëndje. Është ajo
fajtorja që sot ne e kemi këngën “E kujtoj atë takim” në repertorin e muzikës
shqipe, njëjtë sikur edhe këngën “Eja eja e bardha verë”.
Pedagoge, mësuese,
prej “Elena Gjikës” dhe “Emin Durakut” në Prishtinë e deri te Saraji i Shkupit,
Pranvera Badivuku është një tregim pranvere, mbushur me pak stuhi dimri por me
shumë aroma verore, me rreth 150 kompozime[i]
por edhe të tjera që presin të realizohen.
Një këngë e
shkruar për Nexhmije Pagarushën ka marrë fillimin e saj, së shpejti gati që ne
ta shijojmë, me notat e Pranverës. Edhe ky është një tregim mes mini-tregimeve
që na i shpalosë Badivuku.
**
Nuk e lëmë për më vonë faktin se Pranvera Badivuku, me kompozimet e saj i ka fituar pesë Okarina të Arta – çmimin kryesor të publikut në festivalin Akordet e Kosovës, i cili sot nuk ekziston dhe për gjeneratat e vjetra ka rrezik të kthehet në temë të panjohur e fushë të padiskutuar. Dhe Pranvera këtë sukses e arriti më shumë pak teknologji, e jo me teknologjinë e një kompozitori të këtij shekulli e këtij moderniteti.
E lindur në Pejë,
Pranvera dhe familja e saj asokohe konsideroheshin si familje armiqësore. Ajo
rritet me axhallarët e saj, me këtë pjesë të familjes, meqë babain do ta
takonte shumë më vonë, tek në fejesë. Muzikalitetit të saj, i mungon babai. Ajo
rritet pa baba por inspirohet që të nisë angazhimin e saj me muzikë qysh e vogël.
“Unë jam rritë pa
baba. Për faktin se babai im ishte në burg në Shqipëri, familjen tonë e
konsideronin si familje armiqësore. Axha im përfundoi Inxhinierinë e Urave në
Zagreb, pra ishte me shkollë por prapë nuk gjente vend pune. E zëvendësoi një
mesues në Pejë për një vit por prapë nuk gjeti punë. Në Shkup e gjeti punën. Atë
vit unë e përfundova shkollën fillore dhe dëshira ime ishtë që të
regjistrohesha në shkollën e muzikës. Kësisoj shkova me axhën në Shkup, dhe e
dhashë provimin pranues. Bile më kujtohet që në fillim kam qëndruar te familja
e Liliana Qavollit, aty kam fjetur, e më pas të nesërmen kur doli lista e
studentëve të pranuar, e nisa jetën në vend tjetër” tregon Pranvera.
Nuk i shkoi asnjëherë
mendja që nuk do të pranohej në shkollën e muzikës. Mendim i rrezikshëm për një
vajzë e cila ishte në një rrugë të pacaktuar, me fatin mbret të rastësisë.
“Isha e bindur që do të pranohesha në shkollë atje. Shkolla ishte në maqedonisht, ishte paralele përgatimore, pra ishte një vit përgatimor dhe më pas klasa e parë e shkollës së mesme të muzikës. Kisha pak njohuri për muzikën sepse në klasën e tetë nuk kishim fare muzikë. Muzika gjithherë është parë si diçka e tepërt. Gjuhën e mësova më pas, axha më ndihmonte edhe me leximin e takteve – pjesëve ritmike, dhe kësisoj shpejt u bëra një prej studenteve më të dalluara” tregon tutje Pranvera.
Por skenari i jetës merr tjetër kahje.
Në vitin 1963, një
tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 godet Shkupin. Personalitete të ndryshme,
mes tyre edhe Hrushçovi prej Rusisë, vinin në Shkup ta vizitonin qytetin dhe
tmerret pas tërmetit. Kjo ishte kohë e përshtatshme për të arrestuar njerëz të
profileve të ndryshme, herë-herë fshehtazi. Mes tyre, arrestuan edhe axhën e
Pranverës.
“E morrën dhe e
izoluan, edhepse më vonë e morra vesh se ishte burgim. Unë vazhdova, kërkova
punë dhe e gjeta atë, në Saraj të Shkupit. Në shkollën Liria nuk gjeta punë
sepse shkaku i tërmetit nuk lejohej as hyrje e as dalje e as ndërrim i stafit
aktual, prandaj shkova në Saraj ku kam kaluar vitet e para të punësimit tim,
dhe kam kujtime e mbresa të thella prej asaj kohe. Stafi atje ka qenë shumë
mikpritës, fëmijët vinin prej fshatrave rreth Sarajit dhe ka qenë një periudhë
e mirë e jetës sime” thotë Pranvera e muzikës shqiptare.
**
Kur punonte në radio, ajo u angazhua edhe me muzikën për fëmijë edhe për muzikën popullore. Gjithmonë e ka dashur sidomos muzikën për fëmijë dhe ardhjen e kësaj muzike në jetë, njëjtë si një fëmijë i posalindur.
“Atëherë e kemi pasë në planprogram sa kangë me i realizu çdo muaj. Nisën festivalet në Gjakovë, ku i dërgova disa melodi për fëmijë. Po në këtë kohë edhe u dhash pas qëndrisjes, kisha merak, i kisha disa revista italiane me modele të bukura, i blejsha çdo muaj dhe punova punëdore për vajzat, mbulesa” tregon Badivuku.
Prej vitit 1979, ajo angazhohet goxha shumë në muzikë. Me ftesën e Severin Kajtazit – redaktor i produksionit muzikor, ajo kalon në Radio. Radioja ka qenë pjesë e programeve dhe redaksive foljore, por aty ka qenë edhe produksioni – sot ku është KTV. Në kuadër të këtij produksioni, kanë ekzistuar orkestra popullore, orkestra popullore turke dhe orkestrat simfonike, krahas edhe korit profesional dhe korit të fëmijëve.
“Në redaksinë e muzikës për fëmijë kam qenë edhe unë, dhe është dashur që ti plotësojmë nevojat e televizionit dhe radios, kur kishin programe për fëmijë. I bënim 10 këngë çdo muaj. Është zgjedhë kanga, ka konkuru autori që e ka shkrujt kangën, është kontrolluar teksti, ka qenë edhe një poet që i ka korigjuar tekstet asokohe, ndërsa kur vendosej melodia shkonte për orkestrim. Këtu, vinte partitura e shkrume për instrumente, që secila orkestër ta kishte partin e vet, bëheshin ushtrime dhe inicizime, dhe pas matricës vinte këngëtari, zëri, bashkimi i bukur në fund. Unë ushtroja me këngëtarët në ndërkohë, ndërsa e pata formuar edhe një kor të fëmijëve me të cilët këndonim nëpër festivale”, tregon Pranvera.
Këngët për fëmijë gjithmonë i kanë pëlqyer. Të parat këngë për fëmijë i ka krijuar në shkollë të mesme, njërën edhe me tekst nga Anton Çetta. Më pas ndër vite, bashkëpunoi me Vehbi Kikajn, Agim Devën, Rifat Kukajn, Dibran Demakun dhe emra të tjerë që krijuan edhe për fëmijë.
“Shpresoj që edhe
sot ka shkrimtarë për fëmijë, sepse nuk po i përcjelli shumë” thotë ajo.
**
Taksisti, një natë
para se ta shkruaj këtë tekst, dëgjon në veturën e tij një këngë me këto
vargje, ‘Plasa tuj të lutë, qaj moj vashë qaj e mos pusho..(.). pa të marrë se
la’. Diskutojmë kush e këndon, Haki Misini apo Gazmend Pallaska apo…
“Kjo është muzika ma e mirë, muzika e lehtë qytetare. Haki Misinin unë e kam pëlqy shumë, por dihet qysh e pati fundin. Akordet e Kosovës asokohe i kemi pasë t`mira shumë” thotë taksisti, edhe unë rastësisht i them – “E njeh Pranvera Badivukun?”
“E njoh, ose ka këndu
ose ka qenë kompozitore, ka bo kangë, s`jom i sigurtë. Po si emër e di mirë
bile….(.)….Luan Hajra masanej m`kujtohet, edhe Esat Bicurri, ky ka vdekë. Të
gjithë vdesim një ditë!” e vazhdon taksisti dhe unë buzëqesh.
**
Pranvera e mban mend pasionin për muzikën prej kur nisi ta kuptonte veten dhe realitetin rreth saj.
Megjithatë, do të ishte viti 1973 që do t`ia sillte Pranverës suksesin e parë si kompozitore, si nënën e notave që iu mishëruan zërit të Esat Bicurrit. Bicurri, artist i madh shqiptar, këndoi në Akordet e Kosovës këngën “Eja eja e bardha verë” – me notat e thurura prej Badivukut.
“Ishte një këngë e bukur e melosit popullor dhe një bashkëpunim i mrekullueshëm me Esat Bicurrin. U përsërit suksesi, prapë me Esat Bicurrin por tash me këngën e njohur “E kujtoj atë takim” tregon Pranvera.
“Sot këtë këngë e këndojnë Aurela Gaçe, Yllka Kuqi, Adelina Thaqi, dikur e kënduan edhe Tonin Tërshana e Eduard Jubani. Është këngë të cilën e kanë kënduar të gjithë” tregon me krenari Pranvera. Pak para këtyre sukseseve, ajo martohet me violinistin Hysen Badivuku dhe më pas lindin dy vajzat, Sihana dhe Zana.
“Bashkëshorti im
ka qenë violinist në Orkestrën Popullore dhe Simfonike të Radio Televizionit
Shqiptar. Njohja me të ka ndodhur në Shkup, atje ku edhe organizoheshin
koncerte të ndryshme në shkollë, atje jemi njohur. Më pas ai erdhi në Kosovë,
si bursist i Radio Prishtinës dhe nisi punën në orkestër. Unë krijimet e mia të
para prej Shkupit i dërgoja në RTP dhe për këngën time të parë të pranuar më
lajmëroi Hyseni. Kështu vazhdoi lidhja jonë, unë nga Peja e ai nga Vushtrria, që
më pas do të kurorëzohej në martesë dhe në lindjen e vajzave” vazhdon Pranvera.
Në Akordet e Kosovës të vitit 1983 ajo merr dy shpërblime – njërin për këngën
“20 vjet të festivalit” dhe tjetrin për këngën “Je kujtimi më i vetëm” kënduar
nga Sebahate Bërlajolli. Në vitin 1984 ajo merr Okarinën e Pestë, me këngë për
fëmijë. [ii]
Do të vinin vitet e 90-ta, kur edhe Pranverës do ti pamundësohej të punonte në kushtet më të mira dhe ta shprehte talentin e saj në formën më të kompletuar.
“Kur erdhën vitet
90-ta, unë kam qenë 45 vjeçare, pra kam qenë në moshën kur njeriu është i
pjekur dhe mundet me japë ma shumë, në vrullin e krijimtarisë dhe punës. 90-tat
për të gjithë ishin të vështira, njerëzit mbetën pa punë. Burri im u angazhua
gjithandej si muzicient, për mbijetesë. Në Hotel Grand, në katin e 13-të
asokohe mbaheshin koncerte me muzikë të lehtë dhe evergreen, ku ai muzikonte me
kolegët e tij. Më vonë nisi të udhëtonte për në Tetovë e Shkup, për ekzistencë.
Unë isha në njëfarë mbyllje, sepse nuk kishim vullnet me kriju dhe prisnim të
ndërrohej situata, e cila zgjati shumë”.
“Ne provuam që në
vitin 1995 ta rikthenim festivalin Akordet e Kosovës, duke u ripërtërirë mbrëmjet
e festivalit në disa qytete të Kosovës. U mlodhën redaktorët dhe planifikuam
gjithçka, u nisëm për në Mitrovicë ku e di se dështuam sepse shkuam në një sallë
ku luante një ekip i serbëve aty, basket në sallë, dhe bënin zhurmë me qëllim që
ne të largoheshim. Dhe u larguam, por ditën tjetër na u mundësua mbajtja e natës
për fëmijë. Në Prizren poashtu e mbajtëm një koncert, por në Prishtinë nuk na
lejuan asnjëherë ta mbanim. Më kujtohet që provat asokohe i majshim në banesën
time, me fëmijët, ndërsa incizimet në shtëpinë e redaktorit të programit
muzikor asokohe, Musa Tolaj, të cilin edhe e vranë gjatë luftës. Ishte një
orvatje të cilën nuk e përfunduam me sukses” tregon Pranvera.
**
Pranvera Badivuku nuk njeh pleqëri. Sytë e rrudhat po, por jo edhe inspirimi e saj për të krijuar muzikë. Sipas saj, bota ka ende nevojë për muzikë të re, dhe notat nuk janë harxhuar akoma.
Kohëve të fundit, ajo ka bashkëpunuar me të ndjerin Hivzi Krasniqi. Është e lënduar që ai vdiq vetëm javë më parë. Flisnin bashkë për një këngë për grupin Sofra Pejane, ‘që nuk paska qenë kismet’.
“E kam dashur një
këngë për Sofrën Pejane dhe thashë me vete – vetëm Hivziu atë tekst mundet me e
bo. E gjeta numrin e tij dhe po flisnim në Viber, i tregova titullin – se
zakonisht ia caktoja titullin dhe ai krijonte, dhe nuk shkoi gjysmë ore e ai
nisi ta shkruante tekstin në Viber, për Sofrën Pejane. I shpejtë si gjithmonë.
E pyeta pas pak ditësh nëse Ramadan Krasniqi ishte pjesë e këtij grupi, dhe ai
ma ktheu – Kur të duash shkojmë në Pejë dhe e mbledhim krejt grupin. Por nuk
paska qenë kismet” thotë Pranvera.
Peja shtron sofrën plot bereqet Sofrën pejane si e ka adet çka të don shpirti në sofër e ke Ejani në Pejë, këndoni me ne (Tekst i shkruar nga Hivzi Krasniqi, i botuar këtu me leje nga Pranvera Badivuku)
Derisa presim ta
dëgjojmë këtë poezi të shndërruar në melodi kënge, Pranvera ka një tjetër peng
njomak. Dedikuar Nexhmije Pagarushës, Bilbilit të Këngës Shqipe, ajo i ka
kompozuar një këngë tekstit të Ramazan Çekës, me zërin e Selami Kolonjës.
LAURESHA KOSOVARE
Buzqesh mali, lulzon fusha
Mrizojnë delet n’hije t’bjeshkës
Me za t’bukur Pagarusha
Ja merr kangës së bareshës
***
Ti për kangën je mbretnesh’
Je simbol i kang’s shqiptare
Zani jot si lauresh’
Mrekullia kosovare
(Marrë nga Ramazan Çeka – Facebook)
“Nexhmija e ka ditëlindjen në fillim të majit, nëse nuk gaboj, dhe i kërkova Selami Kolonjës që të orkestrohet e realizohet kënga deri atëherë, që t`ia bëjmë një dhuratë Nexhmijës, pasi kënga është shkruar enkas për të. Unë jam takuar me tekstshkruesin kur erdhi në Prishtinë, dhe ky tekst menjëherë ma dha idenë që të shkruaj dicka, të kompozoj diçka” më tregon Pranvera derisa e këndon pak melodinë e menduar si qëndisjen finale krahas tekstit.
Njëjtë, një këngë për Pejën që do ta këndonte Sebahate Bërlajolli, por edhe asaj nuk i erdhi radha, kismeti.
Mes këngëve tjera
që Pranvera Badivuku i ka kompozuar nëpër vite janë edhe ‘Kur ta fal’ një tufë
gershete’ interpretuar nga Nexhmije Pagarusha e Ismet Bogujevci në Akordet e
vitit 1981, ‘Vel ylberi i dashurisë’ interpretuar nga Emine Hasimi në Akordet e
vitit 1986, ‘Për ty vuaj për ty këndoj’ nga Nexhmije Pagarusha, ‘Kujtimi rinor’
nga Hermina Lekaj, dhe plot këngë tjera.
“Tash jam në pension, jam më e lirë në pikëpamje
të angazhimeve. Megjithatë ende krijoj, madje u fali këngë njerëzve, po ua
dhuroj e ata duhet të shpenzojnë për t’i orkestruar ato. Pas tërë këtyre viteve
në punë pedagogjike, si redaktore e producente e muzikës për fëmijë në RTP, po
pushoj” tregon Pranvera, grua që në çdo fjalë rezonon dashuri për muzikën dhe
çdo dritë prej fytyrës së saj tregon për një grua me jetë të lumtur dhe
përmbushje afër muzikës.
(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit
Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani
dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian
ose BIRN-it ose AGK-së ).
KultPlus, gazeta e parë online për art e kulturë po vazhdon me ngjarjet e radhës, gjithnjë me synimin për të rikthyer rrëfimet e atyre që për mision e kanë pasur pasurimin e skenës kulturore shqiptare. Sonte KultPlus solli edhe një mbrëmje ndryshe në kryeqytet, kësaj radhe me rrëfimin e dytë në kuadër të ciklit të rrëfimeve “KultWoman me…”, që po kthen sytë tek gratë që gjithë jetën e tyre ia kanë dikuar kulturës. Pas Leze Qenës, fokusi ishte tek një grua tjetër e suksesshme.
Pranvera Badivuku është kompozitorja e melodive të veçanta. Ajo ka lënë një melodi tek secili që ndër vite e ka përcjellë muzikën shqiptare, ndërsa atë e ka krijuar në një kohë krejt tjetër nga kjo sot. Mes këtyre melodive, e këngëve që të prekin njësoj, mbase edhe më tepër në çdo dëgjim, ajo ndau më të pranishmit rrëfimin e saj prej kompozitoreje. E lindur në Pejë, ajo e kishte kuptuar herët çfarë donte t’i dhuronte muzikës. Çdokush ka dëgjuar një këngë nga shpirti i saj artistik, pasi që duke qenë një ndër kompozitoret e para kosovare, ka realizuar rreth 150 kompozime të zhanreve të ndryshme, nga fëmijët e deri te zhanri popullor dhe muzika e lehtë. Badivuku nuk i ndahet letrës as sot.
Hapi i saj në rrugën e kompozimit nuk është ndalur me moshën, madje ajo zbuloi që së fundmi i ka kushtuar edhe një këngë Nexhmije Pagarushës. Për kompozimin e krijimeve të saj, thotë se ka bashkëpunuar me shumë tekstshkrues e shkrimtarë, ndërsa dhe vet ka shkruar një tekst dedikuar vendlindjes. Ajo tha se teksti vazhdon të mbetet i rëndësishëm për krijimet e saj, ndërsa shtoi se ka tentuar që çdo krijim i saj të dallojë nga tjetri. Përveç që ajo ka një trashëgimi krijuese, rrugën e saj muzikore e ka trasuar edhe tek vajzat e saj që sot përbëjnë dy emra të rëndësishëm të muzikës klasike, violinistja Sihana Badivuku dhe pianistja Zana Badivuku.
Publiku sonte më të ndau kujtime, dhurata e shumë fjalë e diskutime për muzikën e personalitetin e saj. Kishte prej atyre që i kërkuan që të shkonte në shkollë që nxënësit të njiheshin edhe me personalitetin e saj krahas veprave. Në një bashkëbisedim me Arbër Selmanin, Badivuku erdhi si personazhi i dytë i ciklit të rrëfimeve “KultWoman me…”, që organizohet nga KultPlus- gazeta e parë online për art dhe kulturë, projekt ky i mbështetur nga ‘Culture for Change’.
Si e re kompozitorja Pranvera Badivuku kishte ndjekur me endje e interesim kudo që dëgjonte ndonjë këngë. I veçon ato në Shoqërinë “Përparimi” të Pejës, qytetit prej nga edhe vjen. Pranë bukurive të këtij qyteti pitoresk thotë se e ka gjurmuar dashurinë për këndimin. Fundjavave në piknik, ajo thotë se dëfreheshin me këngët e Shoqërisë “Përparimi”, ato thotë së dëgjoheshin edhe në pjesën më të afërt të qytetit ku ajo banonte. “Më linin përshtypje sepse më dukeshin zbavitëse. Kjo ka ndikuar që unë të përcaktohem për shkollën e muzikës të cilën e fillova dhe e mbarova në Shkup”, tregon Badivuku për fillimet e saj kur veçse e kishte kuptuar kahjen e jetës. Pastaj shkollimin pesëvjeçar për muzikë e ka ndjekur në Shkup, ku ndoqi një vit përgatitor e pastaj shkollën e mesme atje.
Më pas kishte vazhduar shkollimin e lartë në Prishtinë. “Edhe pse nuk e dija se çfarë bote po më pret në atë shkollë, ishin shumë lëndë të reja dhe të panjohura për mua por vullneti dhe dëshira për të fituar diçka nga ky drejtim, bëri që unë me sukses mjaft të lakmueshëm të mbaroj vitet e shkollës së mesme në Shkup. Pastaj u regjistrova në shkollën e lartë në Akademinë Pedagogjike të Muzikës, të cilën e përfundova pastaj në Prishtinë”, kujton Badivuku. Ajo më pas vazhdoi karrierën pedagogjike për tri vite, prej nga thotë se ka marrë përshtypjet më të mira, pasi personeli i shkollës kishin shume respekt e nxënësit shumë dashuri që arsimtarja e tyre e muzikës ishte femër. Në të gjitha shkollat ku kishte punuar që nga Shkupi e në Prishtinë, ajo kishte krijuar korin e shkollës dhe programe të cilat luheshin për festat e rëndësishme të shkollës.
Badivuku: Këngën “E kujtoj atë takim më duket që s’ka njeri që se këndon
Karriera e Badivukut numëron Pesë Okarina të Arta, çmimet më të larta të Akordeve të Kosovës, ajo ka qenë pjesëmarrëse në Zambakun e Prizrenit, udhëtare muzikore në Sarajevë, Shkup e Shkodër. E tillë është Pranvera Badivuku, një grua historike në fushën e saj. Një grua që me modesti pranon lëvdatat drejt saj. Kënga “Eja, eja e bardha verë”, kënga e parë e saj e kënduar nga Esat Bicurri në vitin 1973, i dha një vulë suksesit të saj. Ajo i dhuroi “Okarinën” e parë Badivukut. “E kujtoj atë takim” është një nga këngët perlë të opusit të saj krijues, e cila ishte kënduar nga i njëjti këngëtar e me të cilën Badivuku mori “Okarinën e artë”. Badivuku thotë se te kjo këngë më pas shpesh i janë referuar me titullin “Ma fal atë buzëqeshje”, gjë që nuk e konsideron aspak gabim por si një titull mjaft i bukur. Incizimi i kësaj kënge nga Nexhmije Pagarusha në vitin 1974 me orkestrën simfonike të RTSH-së, bëri që kjo këngë të këndohet vazhdimisht nga zërat më të njohur shqiptarë.
“Prej atij programi e kanë marrë edhe këngëtarë tjerë nga Shqipëria, kështuqë kjo këngë është kënduar në atë kohë nga Tonin Tërshana. Më vonë e kam dëgjuar nga Eduard Jubani, Bujar Qamili e shumë të tjerë. Para dhjetë vitesh a më shumë Aurela Gaçe kur bëri një program me këngët e Nexhmije Pagarushës dhe Vaçe Zelës, e këndoi edhe ajo këtë këngë, tash më duket se s’ka njeri që s’e këndon”, u shpreh Badivuku, duke thënë se i vjen shumë mirë që kjo këngë këndohet aq shumë por në anën tjetër nuk i vjen aspak mirë që shumë pak persona e këndojnë ashtu siç duhet. “Sidomos tekstin po e harrojnë një varg të këngës, nuk këndohet fare: “ma fal atë buzëqeshje që e ëndërroj në vetmi”. Këtë nuk e thotë askush”, tregoi kompozitorja, ndërsa thotë se autorin e tekstit nuk e njihte, por e di që vjen nga Mali i Zi dhe di inicialin e parë e mbiemrin.
Sukseset e saj kanë vazhduar por është dashur të kalojnë dhjetë vite që të përsëritet “Okarina” e tretë. “Okarina” e tretë thotë se i ka ardhur duke falënderuar këngëtarin shumë të njohur Bashkim Baçuku, i cili interpretoi me oktetin “Kosovarët”, këngën “20 vjet të festivalit”.
“Doli një këngë që mblodhi të gjitha shpërblimet, edhe jurinë, edhe publikun, edhe pendën e artë, edhe si interpret i dalluar. Ne si krijues, edhe këngëtarët, kemi mbërritur afirmimin nëpërmjet festivalit “Akordet e Kosovës”. Atëherë ngjarje të mëdha s’ka pasur. “Akordet” kanë qenë festë për të gjithë, si për ne krijuesit, këngëtarët por edhe për dashamirët e artit muzikor”, u shpreh Badivuku.
Badivuku, një zonjë simpatike me energji pozitive rreth saj, thotë se sot është mëkat që po prodhohet shumë në rryma të tjera muzikore, por në këtë “vullkan” krijues, muzika popullore është lënë mënjanë. Ajo thotë se një festival dedikuar kësaj muzike është i domosdoshëm, për t’ia kthyer shkëlqimin këngës së dikurshme nëpërmjet kompozitorëve që do t’i kishin kompozuar këto këngë.
“Dhe natyrisht që në atë festival, të ketë disa kritere për pranimin e këngës. Se sot incizohet, këndohet pa kurrfarë kontrolle. Secili mund të këndojë. Kemi teknikë të përsosur, këngëtarë shumë të mirë, por megjithatë do të duhej njëfarë rregulli të ekzistonte për ndonjë krijimtari. Koha do ta tregojë. Vlerat ndoshta gjithmonë mbesin. Ato vlerat reale”, tha tutje Badivuku.
E pyetur se “A kompozon ende në mendje tënde?”. Ajo tha se jo vetëm në mendje por ajo nuk i është shkëputur as letrës.
“Punoj, nuk dorëzohem. Puna më sjell kënaqësi. Mendoj që puna e mban njeriun. Më duket se pa punë njeriu duket i pavlerë. Derisa të kem mendjen dhe fuqinë shpirtërore besoj që do të vazhdoj”, theksoi kompozitorja Badivuku
Badivuku: Së fundmi ia kam kushtuar edhe një këngë Nexhmije Pagarushës
Në mesin e shumë këngëtareve për të cilët ka kompozuar, ajo thotë se edhe sot mban kontakte me ta. Ajo thekson bisedën e fundit me Nexhmije Pagarushën, ku e kishte lajmëruar për këngën e re që ia ka kushtuar. Ajo thotë se kjo ka rrjedhur nga një tekst i bukur që e ka gjetur, autor i të cilit ishte një poet shkodran që luste bashkëpunëtorët e kompozitorët nëse ju pëlqen ta marin këtë tekst, të cilin Badivuku kishte shpejtuar ta marrë para dikujt tjetër. Ajo thotë se për këtë këngë veçse ka një emër të cilit do t’ia besonte këtë këngë, e ai është Selami Kolonja të cilit ia ka prezantuar këngën. “Mjerisht Liliana më nuk është në mesin tonë. Për të pata kompozuar një këngë kur u bë një program për 70-vjetorin e saj të lindjes, e kam komponuar enkas për të, “Kënga dhe shpirti”. Me Nexhmije Pagarushën kontaktoj. Dëgjohem me telefon. Bile në bisedën e fundit i tregova që ia kam kushtuar edhe një këngë. Ia dedikova edhe një këngë Nexhmijes, edhe pse edhe dy këngë tjera ia kam kushtuar asaj. Një ka qenë e kënduar te “Akordet e Kosovës” nga Merita Spahiu. Kënga tjetër është kënduar nga Bashkim Gagica. Por këtë, duhet të shohim se si do të arrihet realizimi se puna bëhet e realizimi është më problematik, se duhet materialisht pjesëmarrje”, shpjegoi kompozitorja në mbrëmjen “KultWoman me…”.
Në mesin e të pranishmëve, disa fjalë për të ndau edhe dirigjenti Rafet Rudi i cili tha se e veçon kontributin e saj për profilizimin e muzikës kosovare duke theksuar që ajo ka ruajtur një rrymë të muzikës kosovare. Ai tha se tani nga një distancë kohore e sheh që ajo rrymë ka qenë e shfaqur por nuk ka pasur krijues si Pranvera Badivuku që e kanë profiluar atë tendencë që Badivuku e ka jetësuar më tepër.
Projekti “KultWoman me…” do të vazhdojë edhe me rrëfime të tjera, që përmes diskutimit e rrëfimit tenton të kthejë në mendjen e publikut emrat e rëndësishëm të grave që me kontributin e tyre kanë lënë gjurmë në kulturën shqiptare./ KultPlus.com