Galeria e Artit Tiranë (GAT) çeli mbrëmë edicionin e 15-të të ekspozitës “PranverArt” nga një grup i njohur artistësh.
“PranverArt” është një grupim artistik i themeluar në pranverën e vitit 2010. Ideja e këtij emërtimi lidhet me një kujtesë të hershme, të ekspozitës “Pranvera”, që në vitin 1972 tentoi të bëjë diçka ndryshe nga standardet e ngurta e të rrepta të asaj kohe, regjimi i së cilës edhe e dënoi këtë lëvizje.
Këtë vit, edicioni i 15-të i “PranverArt” realizohet nën organizimin e piktorit Llazar Taçi dhe skulptorit Maksim Bushi.
PranverArt është mirëpritur nga GAT me një numër më të madh pjesëmarrësish si dhe me qëllimin e vazhdueshëm të galerisë për të promovuar emra të rinj në artin shqiptar.
Ky edicion i “PranverArt”, i çelur më 14 nëntor, do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 30 nëntor dhe do të ekspozojë veprat e 51 artistëve./atsh/KultPlus.com