Prodhimet më të njohura të kinemasë shqiptare tani janë online në Gjirafa ‘Prime’

Gjirafa ka njoftuar për shërbimin e tyre të ri, të quajtur “PRIME“, të cilën janë përfshirë filma shqip që kanë marrë pjesë në festivale të ndryshme ndërkobmëtare, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, GjirafaVideo ka bërë të ditur lansimin e shërbimit të ri “Prime”.

Filmat që na kanë bërë krenarë në festivalet më prestigjioze ndërkombëtare, tashmë në rehatinë e shtëpisë suaj.

Për herë të parë, prodhimet më të njohura të kinemasë shqiptare, online: Zana, Në kërkim të Venerës, Bolero në vilën e pleqve, Shtëpia e Agës, Derë e Hapur, Pranverë e paharruar në fshatin e harruar, Vozitësi, Dita zë fill, Një muaj, Salloni, Vëthi i munguar, Seriali “Snob”.

“Filma që krijuan histori. Përjeto dhe përkrah shqip”, shkruhet në postimin e Gjirafës. /KultPlus.com

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, nga data 29 tetor shfaqet edhe Prishtinë

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” me regjisor Kushtrim Bekteshin do të shfaqet në ekranin e madh të Cineplexx, shkruan KultPlus.

Jeta e qetë e një fshati të harruar ndryshon me mbërritjen e tre prostitutave. Kjo komedi interesante nis të shfaqet nga 29 tetori në qytetin e Prishtinës në Cineplexx.

Për këtë ka njoftuar edhe Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Edhe një film i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës vjen në Cineplexx nga data 29 Tetor! Me regji të Kushtrim Bekteshi dhe me një kastë aktorësh të mrekullueshëm nga të gjitha trevat shqiptare është kjo komedi që ja vlen me u pa”, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Në film është përfshirë një kastë e madhe aktorësh nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria, ndër të cilët: Shkumbin Istrefi, Osman Ahmeti, Ndriçim Xhepa, Luan Jaha, Salaetin Bilall, Muzbajdin Qamili, Vjollca Bekteshi Hamiti, Adriana Matoshi, Diana Spasova, Hismet Ramadani, Musa Isufi, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Adrian Aziri, Bujar Ahmeti, Shengyl  Ismaili, Donikë Ahmeti, Taulanta Jupi, Mona Mustafa, Sokol Hajrullai, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Adem Karaga, Muzafer Etemi, Besmir Bitraku, Gentë Ratkoceri, Lili Çavdarova Suçeva, Amernis Nokshiqi Jovanovska, Emine Kadriu, Flora Kadriu, Blerim Dardhishta, Muhamed Arifi, Mendim Murtezi, Teuta Ajdini Jegeni, Drita Kaba Karaga, Elhame Bilalli, Hajrullah Ramizi, Zijadin Murtezi, Vaske Niço, etj…

Filmi është xhiruar në fshatin Gjonomadh të rrethit të Korçës. Drejtori i fotografisë në këtë film është Almir Gjikolli, muzikën origjinale e ka kompozuar Trimor Dhomi, montazhin e ka bërë Radovan Petroviç, skenograf është Durim Neziri, kostumografe Zhaklina Krstevska dhe dizajner i zërit Darko Spasovski.

Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” është bashkëprodhim në mes Manufaktura Production (Maqedoni) me producent Sasho Pavslovski, Media&Film Production (Kosovë) me producent Mumin Jashari, Ska-Ndal Production (Shqipëri) me producent Genc Permeti dhe Skupifestival (Maqedoni) me producent Muzbajdin Qamili dhe Osman Ahmeti. Filmi është i mbështetur financiarisht nga Agjencioni për Film i Maqedonisë, Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, Radiotelevizioni i Kosovës, Radiotelevizioni i Maqedonisë 2 dhe Radiotelevizioni i Shqipërisë. / KultPlus.com

Trajtat komike të “bordelizimit” të jetës

Seksi si biznes dhe aventurat erotike në prapavijë, komikja në shkallë grotesku si pëlhurë që mundohet të mbulojë vrazhdësinë e realitetit dhe mllefi i grave bashkë me hoxhën për atë që po iu ndodhte para hundëve me burrat e tyre, është trajektorja fabulative që e përshkon gjithë kompozicionin e filmit.

Nga Emin Azemi

“Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, është filmi më i ri, por edhe i parë i metrazhit të gjatë, i regjisorit tash më të afirmuar dhe mirëpritur në mbarë hapësirën kulturore shqiptare, Kushtrim Bekteshi, i cili është edhe autor i skenarit. Vendosja e unitetit artistik midis skenarit dhe regjisë së të njëjtit autor, bëri që premiera e këtij filmi të premten në Shkup të përjetohet si një festë artistike dhe ata që e panë patën arsye të largohen të kënaqur nga salla kinemasë Cineplexx .

Një plan i gjerë, me atmosferë mëngjesi në fshat i paraprinë rrëfimit filmik. Njerëzit teksa zgjohen nga gjumi, kurse hoxha i fshatit (në interpretim brilant të Osman Ahmetit) në rrugën gjarpërore me kalldrëm i drejtohet xhamisë për të thirrur ezanin e mëngjesit, ndeshet në një skenë që e bën hoxhën të ndalë hapin, por edhe të merr një pamje të vëngërt në fytyrë. Në një gjendje krejt të shkujdesur, qentë po bënin seks, kurse hoxha pa një pa dy i merr në shenjë me gurë. Qentë largohen duke hingëlluar nga dhimbja e goditjes.

Kjo skenë-uverturë sikur na e imponon në formë sygjestive lajtmotivin dhe atmosferën e mëtutjeshme që do të pasojë në film. Seksi si biznes dhe aventurat erotike në prapavijë, komikja në shkallë grotesku si pëlhurë që mundohet të mbulojë vrazhdësinë e realitetit dhe mllefi i grave bashkë me hoxhën për atë që po iu ndodhte para hundëve me burrat e tyre, është trajektorja fabulative që e përshkon gjithë kompozicionin e filmit.

DEKANONIZIMI I JETËS SË QETË TË FSHATIT

Një ditë të bukur me diell, të gjithë, gra e fëmijë, pleq e të rinj, e kishin vërejtur se nëpër lagjet dhe shtëpitë e patrazuara të tyre ishte futur një “demon” që po ua gërryente rehatinë.

Një shtëpi e zakonshme fshati brenda natës shndërrohet në kafene-bordel, ku përveç tjerash, myshterinjve nuk iu jepet vetëm kafe e raki. Aty vinë edhe tri femra, të cilat shesin trupin e tyre, kurse si makro i tyre paraqitet Xhinga (Shkumbin Istrefi), një dallaveraxhi i imët i katundit që kishte vendosur të bëhej i pasur duke ua “qethur” xhepat bashkëfshatarët e tij naiv.

Rrëfimin e tij Kushtrim Bekteshi e ka vendosur në një “topografi” rurale, me një vizualitet mjaft dinamik, i imponueshëm për nga kontrastet e forta në mes të njerëzve dhe ngjarjeve, në mes të konvencionit moral dhe aventurave tekanjoze të një grupi meshkujsh që kishin vendosur ta

dekanonizonin jetën e qetë të fshatit. Veset e tranzicionit të stërzgjatur që nuk po mundnin assesi të sillnin në fshat ndonjë mirëqenie dhe mendësi të avancuar, saora bëhen normë sjelljeje për një pjesë të burrave, të cilët në thelb nuk janë karaktere komike, por sillen dhe veprojnë në rrethana e situata që shndërrohen në trajta komike.

Vetëm një burrë me pjekuri të vonuar në provincë (Dauti, i interpretuar mjeshtërisht nga Vebi Qerimi) mund të mburret publikisht me mashkullaritetin e të birit, pasi e ka detyruar me forcë të kryej marrëdhënie intime me njërën nga gratë e kafe-bordelit.

TEKNIKA E NDËRTIMIT TË INTRIGËS

Me tematikën që ka zgjedhur ta trajtojë në film, Kushtrim Bekteshi nuk mëton të inventarizojë për herë të parë ngjarje devijante që tash më ishin të pranishme në mjediset rurale. Sjellja e tri prostitutave në fshat nga ana e Xhingës, nuk paraqet lajm për shikuesin e filmit, sidomos tash pas disa viteve kur filmi është xhiruar, por ajo që e bën këtë fabulë filmike të veçantë është teknika e ndërtimit të intrigës, e cila kalon pahetueshëm nga njëri nivel psikologjik e shpirtëror, në tjetrin, nga një situatë dramatike në një situatë komike, gjithnjë duke e shtuar intensitetin e brendshëm shpirtëror të atyre që ishin të prekur nga këto ngjarje. Tundimet e njerëzve pas aventurave erotike dhe dimensioni komik i paraqitjes së skenave, janë disa nga fshehtësitë e kësaj teknike, me të cilën Kushtrim Bekteshi ka operuar mjeshtërisht.

“Seizmologjia” e ndryshimeve së pari vërehet në familje, xhami, por edhe në çajtoren e fshatit, ndërkohë që “bordelizimi” që kishte prekur disa nga fshatarët kishte ndikuar që ritmi i jetës të ndryshojë, si në jetën private-familjare, ashtu edhe në jetën publike, madje edhe në shkollë. Disa nxënës, duke e shfrytëzuar shpërqendrimin e prindërve të tyre dhe të disa mësuesve bashkë me drejtorin, kishin marrë guximin madje të korrigjojnë notat në ditarin shkollës. Ky skandal nuk kalon pa u vërejtur, por ata që duhej të ndëshkonin e ndjenin veten fajtor për situatën ku kishte degjeneruar shkolla e tyre. Në radhë të parë ishte drejtori ai që ishte i dyzuar si zyrtar dhe si klient femrash të lira, dhe halli i tij nuk ishte vetëm menaxhimi i shkollës, por edhe “mbytja kohës së tepërt” në kafenenë që po ofronte më shumë se kafe e raki.

Xhamia, aty ku bëhet “destilimi” moral kishte mbetur gati pa xhemat, shkolla pa rendin dhe disiplinën e dikurshme, kurse gratë pa burrat e tyre në shtrat. Kafeneja-bordel po konkurronte me ofertat e pazakonta, sepse aty nuk po shitej vetëm mishi i bardhë, por po “farkohej” edhe një klientelë e re që po e prishte imazhin e një mjedisi deri dje të qetë e të moralshëm. Të

vetmit që përfitojnë në këtë rrëmujë janë Agimi dhe Albulena, dy të rinj prej prindërve të hasmuar, të cilët dashurinë e tyre të ndaluar e kurorëzojnë me fejesë, pas katarsisit që ndodhë në fund të rrëfimit filmik, atëherë kur edhe triumfon kodi moral i grave të cilat bashkë me djegien e kafenesë-bordel, arrijnë të shkulin nga jeta e tyre edhe shkaktaret që e kishin sjellë gjithë atë çrregullim në jetën e tyre.

KOMIKJA SI ALEATE E ANTITRAUMËS

Vizualiteti dinamik i filmit na bën të mos hetojmë kapërcimet nga njëra sekuencë në tjetrën dhe kjo e bënë cilësinë e receptivitetit shumëfish të efektshme për vetë komunikimin me ngjarjet dhe njerëzit. Kjo, mbase, ka bërë që filmi të ketë një strukturë të ngjeshur të fotografisë, ku qartësisht vërehet marrëdhënia aktive në mes të ngjyrave, njerëzve, objekteve, linjave dalluese ditë-natë dhe kontrasti i tonalitetit hapësinor, me konotacion komik, që regjisori Bekteshi me gjeturi i ka vendosur disa mikrongjarje, siç është, bie fjala, skena me burrat para kafenesë, që për një moment ndriçohen nga dritat e automobilave teksa po kryenin nevojën pas “recetave” hileqare të grave të përgatitura enkas për të nxitur jashtëqitjen, një prej mjeteve “luftarake” që përdornin ato për të larguar burrat e tyre nga kafeneja-bordel.

Pastaj është edhe një skenë tjetër, e vendosur në oborr të shkollës, ku një pjesë e publikut ende pa pritur të përfundojë fjalimi i drejtorit (Ndriçim Xhepa) dhe prefektit (Luan Jaha), vrapon drejt tryezës së koktejit.

Momente të tilla, ku në prapavijë tonaliteti komik iu jep skenave një gradacion dramatik me emocione të përziera, siç mund të jenë edhe sekuencat e fundit teksa gratë e fshatit po e “pushtonin” kafenenë-bordel dhe po nxirrnin prej andej “bombat” në formë grash të përdala që ua kishin turbulluar mendjen burrave të tyre. Gjithë kjo rrëmujë përcillej edhe me momente komike dhe ky, mbase, do të duhej të ketë qenë një prej objektivave artistike të skenarist dhe regjisorit Kushtrim Bekteshi, që përmes dimensionit komik të fabulës të bëjë amortizimin socio-psikologjik të tematikës dhe dromcimin e specifikave të mentalitetit në “pllakëza” të imta që lehtësisht mund të vendosen edhe në ndonjë mjedis tjetër, me një prejardhje krejt tjetër etno-kulturore. Elementi komik është një aleat i mirë i antitraumës dhe, për rrjedhojë, në situata më konfliktuoze të imponohet nevoja për të qeshur , që ishte edhe prezent gati gjatë gjithë shfaqjes së filmit. Atëherë kur punët shkonin keq, vinte një moment komik që e bënte situatën të ventilohej nga tendosja psikologjike e protagonistëve, sidomos të grave, të cilat kishin zgjedhur hoxhën si aleat për t”iu ndihmuar në rikthimin e burrave, pasi që këtyre të fundit iu kishte ikur truri pas atyre grave të përdala.

Aventurat erotike në një ambient rural përfundojnë pasi bëhen bashkë përpjekjet e grave të fshatit dhe hoxhës për të shporrur “virusat” e ndotjes morale e fizike, kurse gradacioni kompozicional i fabulës filmike ndërtohet mbi një parabolë tematike që nxjerr të fituar,

megjithatë, idenë e ruajtjes së pastërtisë morale nga prirjet dehumanizuese të një shoqërie të konsumit, seksit e drogës.

KASTA E AKTORËVE

Kasta e aktorëve të angazhuar në këtë projekt të kinematografik ka për bazë përzgjedhjen që korrespondon me karakteret e personazheve, kurse heterogjeniteti hapësinor prejardhjes së i aktorëve e bënë këtë projekt edhe më domethënës në pikëpamje të seriozitetit artistik e menaxhues të vetë regjisorit, por edhe të producentëve (Osman Ahmeti, Mumin Jashari, Sasho Pavlovski) si dhe institucioneve që kanë mbështetur filmin “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”.

Profili i secilit prej aktorëve (, Ndriçim Xhepa, Osman Ahmeti, Luan Jaha, Muzbajdin Qamili, Adem Karaga,Vjollca Bekteshi, Salaetin Bilall, Ilire Vinca, Vebi Qerimi, Teuta Jegeni, Musa Isufi, Drita Karaga, Adriana Matoshi etj. ) imponoi kureshtjen e publikut, kurse formësimi plastik i karaktereve që ata zhvilluan gjatë aktrimit jep të kuptojmë se kinematografia shqiptare tash më i ka yjet e veta dhe si të tillë ata mund të ndriçojnë pa kurrfarë kompleksi në çdo festival të botës.

Ky projekt kinematografik, përpos vlerave artistike që u shquan në skenar, regji dhe aktrim, do të mbahet mend edhe për nxitjen që ua ka dhënë disa fëmijëve dhe të rinjve, të cilët me talentin dhe përkushtimin e dëshmuar mund të jenë nesër aktorë të formatit të madh, sikundër u dalluan Etnik Ratkoceri në rolin Hekuranit, Muhamed Qamili në rolin e Ermirit dhe Lis Jashari në rolin e Liridonit. / KultPlus.com