Prezantohet programi filmik i edicionit të 14-të të Anibarit

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit – Anibar ka prezantuar programin filmik për edicionin e 14-të të festivalit, i cili do të mbahet në muajin korrik në qytetin e Pejës, shkruan KulPlus.

Programi filmik i këtij edicioni përmban diversitet tematikash të ndarë në nëntë kategori, ku shtat prej tyre janë në kategorinë garuese nderësa dy prej tyre janë jashtë garës.

“Për këtë edicion numri total i filmave të cilët kanë aplikuar ka qenë 1509 dhe pas një procesi të kujdesshëm vlerësimi janë përzgjedhur 138 filma prej të cilëve 125 do të jenë me karakter garues ku tre prej tyre janë prodhim i animatorëve kosovar, ndërsa 13 prej tyre do te jenë në kategori jo garuese”, thuhet në komunikatë.

 Filmat përfshijnë një spektër të gjërë temash, stilesh dhe teknikash të animacionit, dhe do të jenë të shpërndara në 9 kategori të listuara si në vijim:

Shtatë kategoritë me karakter garues janë:

1. Gara Ndërkombëtare me 18 filma

2. Gara e Studentëve me 24 filma

3. Gara Ballkanike me 7 filma

4. Gara e Video-Animacionit Muzikor me 30 filma

5. Kategoria e të Drejtave të Njeriut me 11 filma

6. Programi i audiencës së re me 31 filma

Ndërkaq Gara e Filmit të Metrazhit të Gjatë do të shpallet së shpejti!

Dy kategoritë jashtë garës

7. Panorama Jashtë Garës me 4 filma

8. Programi Eksperimental me 9 filma

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit – Anibar, këtë vit do të mbahet në qytetin e Pejës në datat 17 deri 23 korrik./KultPlus.com