Ka ditë që e kam ndjekur në skenën e teatrit Metropol premierën e dramës “Para perëndimit” ( Vor Sonnenuntergang). Kjo vepër, prej disa dekada, mbetet në lartësi suksesi nëpër teatro të ndryshme të botës.
Si një ndër më të rëndësishmet vepra të nobelistit gjerman Gerhart Hauptman, në teatrin shqiptar, e sjell regjisorja Andia Xhunga Çobani. Pasohet në këtë mënyrë surprizuese, varfëria referuese e teatrit shqiptar ndaj këtij autori të jehonshëm.
Ende nuk më është eklipsuar shija dhe përjetimi prej kësaj shfaqjeje. Jam rrëmbyer në gjendje të përthyeshme dhe të vijueshme, në përjetime empatish dhe antipatish, të imponuara prej lojës së aktorëve që mishërojnë një galeri befasuese karakteresh. Seicili prej tyre është në karakterin e vet hauptmanian, i karakterizuar atipikisht në lojë, si në perimetrin ilustrues familjar, ashtu edhe në regjistrin krahasimtar shoqëror.
Përgjegjësia skenike e aktorëve në këtë premierë, sqima për çdo grimasë, lëvizje, dialog, adresim përdorim i hapësirës, objektit dhe çdo reagim, i bëjnë në harmoni të plotë me kostumografinë, skenografinë apo ndriçimin minimalist, duke evidentuar aktorin dhe duke i dhënë forcë aksionit skenik, duke sjellë një konfigurim risues në skenën “Shakespeare” të Teatrit Metropol.
Një produksion që me elegancë konceptimi dhe zotësi perceptimi për lëndën autoriale të Hauptmanit, ia ka dalë të sjellë versionin skenik shqip të dramës.
Emra të njohur dhe përcjellës profesionistë të teatrit, në vend dhe në botë, kanë bërë me dije se autori i dramës është një ndër eksponentët e famshëm të natyralizmit poetik teatror.
Një premierë spektakolare, rrëmbyese dhe mbajtëse e fuqishme në emocion. Ajo e mban këtë ndikim tek spektatori i çdo nate shfaqjeje, prej më shumë se dy javë rresht.
Më saktë, sikundër e cilëson regjisori i njohur Albert Minga, ky është një : ”Spektakël i mrekullueshëm. Aty gjen gjithçka, çfarë duhet të ketë një produksion teatror cilësor”.
Vepra e nobelistit është shkruar në vitin 1932. Kohë e largët, e pasuar nga shumë epoka… Por kohezioni i saj me të përditshen aktuale të shoqërisë sonë është befasues.
Intuita dhe drejtleximi regjisorial prej Xhunga Çobani, është premisa përcaktuese e këtij suksesi që nuk rresht së konfirmuari nga spektatori për çdo mbrëmje në teatrin e kryeqytetit shqiptar.
Aktorë si Trebicka në rolin Mathais Clausen, shënon regjistrin më të lartë karakterial, me një sukses tronditës. Ai rrëmbeu dhe po trondit bukurisht, për çdo natë, publikun duke na konfirmuar imponueshëm se teatri ynë është në jetë dhe mundësi surprizuese artistike dhe interpretimi.
Vepra mbart kumtin e një himni për lirinë dhe të drejtën e individit si në shoqëri, por veçanërisht në familje. Madje në këtë të dytën individi, pamvarësisht nga raporti dhe pozicioni hierarkik dhe gjenealogjik, gëzon dhe duhet të mishërojë lirinë e vet përcaktuese, pa iu nënshtruar marrëdhënies dhe sidomos tabusë, aq më tepër asaj të moralit tradicional ose klasik. Fataliteti nwnshtrues prej mendwsisw tradicionale dhe sidomos presionit mental familjar, nw subjektin e kwsaj drame pwrbwn njw model letrar tw shumwçmuar.
Në këtë subjekt dramaturgjik, kasta e aktorëve të përzgjedhur prej regjisores, si Ilirda Bejleri, Elia Zaharia, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Luli Bitri, Pjerin Vlashi, Aleks Seitaj etj., ia dalin të komportohen në funksione individuale si në një finalizim të suksesshëm ansambli. Secili me fuqinë individuale, Elia Zaharia me ndjeshmërinë e skajshme, Yllka Mujo që mbetet e pakrahasueshme, Luli Bitri në një dimension krejt të ri të saj, Alex Seitaj befasues dhe gjithë të tjerët, i shkrinë talentet dhe uniken e tyre në një ansambël që frymonte si një trup solid interpretuesish.
Ata janë pjestarë të subjektit të një katastrofe familjare e cila shpërfaq edhe thelbin bjerës social, edhe atë të raporteve brenda kurorës gjenealogjike.
Ky dekor, të cilin regjisorja nuk e ofron si peizazh nga distanca, por e fokuson në detaje nga brenda familjes dhe shtëpisë, e bën edhe më evidente krizën e përplasjes për vetëzgjedhjen dhe lirinë e “prijësit familjar”, në marrëdhënie me pinjollët dhe rrethuesit e tjerë.
Protagonisti 70-vjeçar Mathais Clausen ( Alfred Trebicka) është i rënë në dilemën e zgjedhjes mes dashurisë dhe rrethanës së refuzimit të pengimit prej bashkëpjestarëve trashwgimtarw të familjes. Raportet e dominuara nga refuzimi familjar, të dashurisë së tij me Inken ( Ilirda Bejleri), dhe sidomos arsyeja determinuese e kërcënimit të trashëgimisë financiare bëhen thelbi dhe pika kulmore e dramës.
Në këtë dramë, Trebicka vjen i pakrahasueshëm dhe të kujton përcaktimin e Cvajkut për Dostojevskin kur shton se : “ …triumfi i forcës jetësore të shpirtit mbi një trup të dërmuar e të sëmurë”, prej pengimit, shpërthen. Në këtë moment admirimi për artin e tij, për mjeshtërinë e tij, në shfaqjen me aq shpwrthime psikologjike, bëhet përtej së zakonshmes.
Regjisorialisht në këtë thelb është investuar jo vetëm intensiteti i lojës, por cilësisht është përqëndruar shpërfaqja e karaktereve, aq sa të duket se në mjedisin e ngushtë familjar ka më tepër karaktere, diferenca psikologjike dhe kontraste gjendjesh, se objekte skenike.
Kjo është një ndër arsyet e suksesit të fuqishëm të dramës në të gjitha netët e shfaqjeve. Këto karaktere japin shpalosje specifikash antroposociale dhe familjare. Të gjithë janë tipikisht të evidentueshëm karakterialisht: Klesta Shero, Roerd Toçe, Ligoraq Riza, Genc Fuga, Vasjan Lami, Elona Hyseni, Kastriot Ramollari,, Artur Vera,Laura Hoxha.
Kanë një energji specifike, që vjen si meritë individuale e tyre, por edhe prej kërkesës regjisoriale. Kësi cilësish dhe arsyesh dramaturgjike në këtë prurje, e mbajnë të mbërthyer publikun, e përfshijnë atë në pritjen e episodit pasues dhe sidomos të marrëdhënies që ndwrton krejt vepra skenike.
Shpesh në ecurinë e lojës aktoriale, plastika jo vetëm si në maksimum tek Trebicka, por edhe tek partneria e tij Inken ( Bejleri) e cila ndryshe, në këtë rol ofron jo vetëm forcën, temperamentin, emocionin drithërues, por edhe aftësinë komplementare interpretuese si instrumentiste në piano, përbën një komponent skenik dhe gjetje regjisoriale ndikuese.
Duhet thënë se muzika e sjellë prej kompozitorit Endri Sina, madje edhe në lojën e aktores Bejleri, i shtojnë sharmin kësaj premiere dhe thyejnë tabunë si për normën tradicionale teatrore, ashtu edhe për puritanët klasikë.
Elementet regjisorialë, racionaliteti skenik në këtë shfaqje, bëhen mishërim i cilësishëm realizues dhe mund të konsiderohen realisht, si një dëshmi autentike e teatrit kërkues shqiptar./Balkanweb/KultPlus.com