Baleti Kombëtar i Kosovës së shpejti shfaq premierën e dytë për vitin 2021 të titulluar: “Tanzminiaturen” dhe “Tangata”, përcjell KultPlus.
Premiera “Tanzminiaturen” dhe “Tangata” vjen nën koreografinë e Ricardo Fernando dhe asistentes Christine Ceconello, duke u shoqëruar nga meloditë e muzikës së J.S.Bach dhe Astor Piazzollës.
Ndërsa, kostumet janë realizuar nga Ricardo Fernando e po ashtu edhe dizajni i ndriçimit dhe skenografisë.
Premiera shfaqet ditën e enjte në orën 19:00. Kurse, repriza e parë shfaqet të premten duke filluar nga ora 19:00. / KultPlus.com
Studio e Baletit ”Angels” do të ketë premierën e shfaqjes ”Cinderlla” me 20 qershor të këtij viti, përcjell KultPlus.
”Cinderella” do të ketë premierën në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 18:00.
Koreografia e kësaj shfaqjeje është realizuar nga Vlora Prizreni dhe Isa Beg Gjocaj, me asistent Sead Vuniqin. Kurse muzika është nga Sergei Prokofiev, ndërkaq kostumet janë punuar nga Shpresa Lladrovci. / KultPlus.com
Baleti si mishërim i artit më të bukur skenik, kësaj radhe do të zë vend në skenën e Teatrit Kombëtar ku protagonistët kryesor do të jenë balerinët e studios ”Let’s Dance” të Vjollca Llugiqit. Bëhet fjalë për premierën e shfaqjes ”Zanat e Luleve”, shfaqje kjo e cila do të paraqet secilin balerinë si një lule që rritet, zhvillohet dhe freskinë e saj tenton t’ia falë botës. E veçanta e kësaj shfaqjeje qëndron në faktin se pjesë e kësaj trupe balerinësh do të jenë edhe disa fëmijë me aftësi të kufizuara, duke përçuar kështu direkt mesazhin se dallimet duhet të evitohen në secilën fushë, shkruan KultPlus.
Vjollca Llugiqi e cila ka 20-të vite që është bërë një me artin e bukur të baletit, nuk e ka pasur aspak të lehtë këtë rrugëtim. Ka realizuar diku rreth 60-të premiera dhe ndër to edhe shumë role kryesore. Llugiqi është ndër balerinat që asnjëherë nuk është dorëzuar dhe tash e dhjetë vite, talentin e saj e ndan dhe ua mëson edhe fëmijëve të tjerë.
”Ka shumë rëndësi që fëmijët të rriten me art, e sidomos me Baletin i cili kërkon shumë diciplinë. Sa i përket premierës së ”Zanat e Luleve”, tani jemi në pjesën finale dhe në emocionet e premierës. Mirëpo, të punosh me fëmijë është gjëja më e bukur që kam edhe pse është një punë që kërkon shumë kohë, përkushtim dhe durim”, është shprehur Llugiqi për KultPlus.
”Zanat e Luleve” do të ketë koreografinë nga baleti klasik dhe poashtu edhe disa pjesë të baletit modern, ndërkaq kostumet e balerinave të vogla do të jenë me ngjyra, duke përçuar kështu shumë gjallëri. Për sa i përket skenës, Llugiqi ka treguar se do të realizohet nga ”Anea”.
Për fëmijët e studios ”Let’s Dance”, Llugiqi tregon se janë frymëzim për të. ”Arti i baletit të jep mundësi që të kërcesh, aktrosh dhe të kesh një vesh të mirë muzikal dhe ky edhe është qëllimi im, që të kemi fëmijë me më shumë njohuri për artin. Të mësohen të dëgjojnë muzikë me vlerë dhe të krijojnë një diciplinë në jetën e përditshme”, potencon Llugiqi për KultPlus.
”Për fat të mirë kemi fëmijë me shumë potencial drejt një të ardhmeje të ndritur në balet. Dhe, sigurisht që secili që ka talent në këtë fushë, do të ketë përkrahjen time maksimale”, thekson tutje Llugiqi për KultPlus.
Sa i përket Baletit dhe të ardhmes së tij në Kosovës, Llugiqi ka potencuar për KultPlus se këtu edhe e ka frikën më të madhe, pasi mungesa e shkollës së ulët të baletit është një barrierë mjaft e madhe për këtë art. ”Uroj që të bëhet diçka në këtë drejtim, këta fëmijë nuk duhet ta shuajnë talentin e tyre. Arti i baletit mos të zhvillohet vetëm në studio arti, mirëpo të ketë shkollë që këta balerinë/a të kenë një vend adekuat ku do t’i nisin fillet e karrierës së tyre”, thekson Llugiqi.
Baleti i cili në Kosovë po shuhet çdo ditë e më shumë, si pasojë e kushteve që kërkon ky art e që deri tash nuk janë plotësuar as gjysma, ka bërë që shumica të hezitojnë drejt fillimit të një karriere si balerinë. Mirëpo, Llugiqi, për të cilën baleti është vetë jeta mendon se secili që ka sado një shkëndijë të vogël për baletin, të vazhdojë në atë drejtim. ”Të gjithë ata që kanë dëshirë të mirren me balet, ose ata prindër që shohin një shkëndijë të vogël tek fëmijët e tyre, të japin mbështetjen e tyre maksimale. Njerëzit japin shumë për të zbuluar një talent tek vetja, një talent të cilën disa nga ju veçse e kanë zbuluar. Mos hiqni dorë kurrë, pasi të mirresh me art është gjëja më e bukur në jetë”, përfundon Llugiqi për KultPlus.
”Zanat e Luleve”, do të ketë premierën më 20 qershor të këtij viti, në Teatrin Kombëtar. Ndërkaq, fëmijët pjesëmarrës të kësaj shfaqjeje, do të jenë të moshave të ndryshme, duke filluar nga 4 deri në 14 vjeçarë. / KultPlus.com