Trupa e Baletit Kombëtar sjell motiv e shpresë përmes premierës ‘Hope’ në Ditën Ndërkombëtare Kundër Kancerit

Vjollca Duraku
Foto: Qëndrim Morina & Vjollca Duraku

Mbrëmë, në hapje të sezonës artistike 2025, Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës ka përcjellë mesazhe shprese përmes shfaqjes premierë “Hope” me koreografi të Sead Vuniqit, në kuadër të Ditës Botërore Kundër Kancerit, shkruan KultPlus.

Një udhëtim emocional që trajton një sfidë madhore, atë të përballjes së individit me sëmundje të Kancerit u paraqit mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë përmes lëvizjeve artistike të balerinëve profesionistë, duke dhuruar emocione të përziera që në fund triumfojnë me shpresë, paqe e dashuri.

Një ambient i errët e shoqëroi rrjedhën e pjesës së parë të shfaqjes, e cila në mënyrë simbolike paraqiste ditët e para kur personi ballafaqohet me sfidën, kur individi është i thyer, i vrarë dhe i mbyllur përbrenda.

Skenës i shtohen edhe balerinët të cilët përfaqësojnë familjarët dhe njerëzit që janë pjesë e jetës së individit i cili sfidohet me Kancer, kurse balerina Behie Murtezi e cila është e veshur në të bardha prezanton rolin e personit të sfiduar me sëmundje. Fustani i bardhë paraqet shpresën dhe fuqinë e pashterrshme brenda saj, që ndriçon rrethanat dhe ambientin e zymtë.

Çdo prekje që ajo me plotë emocion e bënte në trupin e saj shprehte në mënyrë jo dramatike molisjen dhe plagët që ishin shkaktuar nga dhimbja. Ato dhimje fizike që përjetoheshin nga personazhi kryesor përcilleshin në formë të dhimbjeve emocionale te tërë rrethi i saj, që shpesh herë ‘shtriheshin përdhe’. Ndërkaq, një dritë që ndizej vetëtimthi nënkuptonte që personazhi kryesor kishte shpresë dhe motiv për jetë dhe se bashkë me të ‘ringriheshin’ edhe familjarët duke i dhënë mbështetje dhe dashuri.

Në prapavijë qëndronte një pemë, e cila në mënyrë figurative po ashtu portretizonte personazhin kryesor, rrënjët dhe degët e së cilës ishin të thara fillimisht. Mirëpo, motivi dhe dëshira për të jetuar e paraqitur mjaft bukur nga artistët e skenës, fillojnë t’i japin personazhit dhe pemës sythe të reja, gjethe dhe rrënjë plotë jetë e vitalitet në fund të shfaqjes artistike, përfundimisht duke paraqitur triumfin mbi sëmundjen.

Shfaqja “Hope” dedikuar ndërgjegjësimit dhe luftës ndaj stigmatizimit të ndërlidhur me sëmundjet ka ardhur si bashkëpunim i Baletit Kombëtar të Kosovës në përbërje me balerinët: Aulonë Nuhiu, Donmir Bilalli, Fatmir Smani, Jeta Musolli, Luljeta Ademi, Marigonë Hoxha Beha, Rigon Krasniqi, Isa Beg Gjocaj dhe organizatës “Action For Health”.

Nezaqete Rukovci, udhëheqëse e organizatës “Action For Health” ka thënë se është nder për organizatën që Baleti Kombëtar i Kosovës shfaqjen e parë për vitin 2025 i ka dedikuar një kauze që i prek të gjithë, në mënyra të dukshme dhe të padukshme.

“Sot, jam krenare të them se baleti ynë do të qëndrojë për një kauzë të rëndësishme-ngritjen e ndërgjegjësimit dhe luftën kundër stigmatizimit që lidhet me sëmundjet, veçanërisht kancerin. Baleti, në formën e tij më të pastër, nuk është vetëm një art; është një gjuhë e shpirtit. Ai flet me zemrat tona përmes lëvizjes, emocioneve dhe bukurisë. Si balerinë, keni aftësinë jo vetëm të shprehni përvojën njerëzore, por edhe tu jepni zë atyre që mund të ndihen të heshtur nga lufta e tyre” ka thënë Rukovci.

Më tej, ajo ka falënderuar artistët që kanë dhuruar talentin e tyre të jashtëzakonshëm për një kauzë që prek shumë jetëra njerëzish.

“Kjo nuk është vetëm shfaqje. Është një deklaratë uniteti dhe dhembshurie. Është një thirrje për shoqërinë tonë që të jetë edhe më empatike më mirëkuptuese dhe më mbështetëse ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Është një moment që na kujton se arti, dhe baleti në veçanti, ka një aftësi unike të na bashkojë të githëve, pavarësisht prejardhjes sonë, për të qëndruar së bashku përballë sfidave”, ka thënë Rukovci.

Ndërkaq, koreografi Sead Vuniqi ka falënderuar kolegët e tij balerinë për atmosferën e mrekullueshme të punës, e cila është respektuar edhe më pasi koreografia është realizuar nga pjesëtarët brenda institucionit.

“Gjatë procesit të punës me balerinë normalisht ka qenë pak e vështirë pasi kemi pasur një kohë mjaftë e shkurtë për përgatitje, e përveç kësaj edhe angazhime të tjera. Ne jemi një institucion që sfidohemi shumë, por që gjithmonë i tejkalojmë ato dhe mundohemi t’i arrijmë sukseset që i posedojmë. Mjedisi i punës me balerinë ka qenë shumë i mirë për shkak se janë shokët e mi, unë jam rritur me ata. Shumicën e kohës e kaloj me ta, kështu që për të punuar në cilësinë e koreografit është një ndjenjë jashtëzakonisht shumë e madhe. Ata gjithmonë janë përkrahës, por sidomos kur e dinë që produkti është nga brenda përkrahja është edhe më e madhe” ka thënë koreografi Vuniqi, i cili është i vetëdijshëm për kohën e limituar me të cilën është dashur të realizohet kjo shfaqje, si dhe për vullnetin e jashtëzakonshëm të kolegëve të tij brilant.

Ndërkaq, balerina Behie Murtezi ka thënë se për BKK ka qenë shumë e rëndësishme të trajtoj një aspekt me tematikë të rëndësishme dhe të ndjeshme në shoqëri.

“Mendoj që ne si Balet i Kosovës kemi bërë sado pak për njerëzit që janë të prekur me këtë sëmundje, ndjehem shumë e lumtur për këtë aspekt. Jam shumë e lumtur që të paktën e kemi dhënë një shfaqje që i ndërgjegjëson dhe ju jep shpresë të gjithë atyre që janë të sëmurë. Uroj që aktivitete të tilla të kemi edhe më shpesh” ka thënë balerina Behie Murtezi, duke potencuar edhe brengën e saj sa i përket realizimit në aspektin e kohës.

“E vetmja gjë që e kam si brengë është koha e shkurtë që e kemi pasur për realizimin e kësaj shfaqje. I gjithë procesi ka qenë shumë i shpejtë, kurse për emocionet të cilat janë shumë të forta që i bartim përmes kësaj shfaqjeje ndoshta do të duhej një kohë pak më e gjatë për tu përgatitur. Mirëpo, megjithatë shfaqja ka dal shumë mirë dhe mendoj që publiku e priti jashtëzakonisht mirë” ka thënë gjithashtu ajo.

Kurse, balerini Isa Beg Gjocaj ka përmendur edhe sfidat tjera të cilat e përcollën realizimin e këtij projekti, për të cilin ka punuar me plot pasion e përkushtim.

“Me sfida jemi duke u ballafaquar me vite të tëra, prej kohës kur është mbyllur Teatri i Kosovës. Si trupë e Baletit kemi mbetur pa shtëpi. Nuk e kemi sallën tonë adekuate por duhet në njëfarë mënyre ta huazojmë. Ushtrimet dhe provat janë mbajtur te salla e Ansamblit “Shota”. Këtë herë kemi pasur ballafaqime me disa sfida akoma më të mëdha, pasi skena e amfiteatrit të cilën e kemi pasur në shfrytëzim është jashtë përdorimit për shkak të grevës nga ana e aktorëve. Po ashtu e kemi pasur një kohë shumë të shkurtë për përgatitje të këtij projekti, pasi në fillim të këtij viti e kemi qenë në një udhëtim në Berlin të Gjermanisë me një shfaqje tjetër. Të gjitha këto kanë qenë bllokada në njëfarë mënyre. Por edhe këtë herë ja dolëm fatmirësisht”, ka thënë Gjocaj.

Tutje, ai ka thënë se si Trupë e Baletit janë shumë të kënaqur me rezultatin që është arritur mbrëmë pas reagimeve të publikut pas performancës së tyre.

“Shfaqja e sotme e ka një rëndësi shumë të madhe për ne, sepse ka pasur një tematikë mjaftë prekëse. Besoj që të gjithë e kanë përjetuar, së paku kushdo që ka pasur një përvojë të tillë, apo ndonjë të afërm që është ballafaquar me këtë, e kuptojnë sfidën emocionale dhe fizike që vijnë me sëmundjen. Normalisht, ka qenë prekëse edhe për ne. Shpresoj që ja kemi arritur ta realizojmë, në një mënyrë jo shumë dramatike, ngase ky ka qenë synimi ynë kryesorë, që mos ta bëjmë dramatike, dhe të shpërndajmë shpresë që gjithçka mund të kaloj me mundin dhe ndihmën e njerëzve rreth nesh”, ka përfunduar balerini Gjocaj./ KultPlus.com

‘Heshtja e sirenave’ premierë në natën e katërt në PriFest

‘Heshtja e sirenave’ është në garë në kategorinë kryesore të filmave ballkanik, film ky nga Gazmend Nela dhe vjen si premierë kosovare në natën e katërt të festivalit.

Filmi trajton temën e korrupsionit dhe sfidave morale që përballen personazhet në një mjedis ku ligji dhe morali shpeshherë vihen në pikëpyetje.

Avniu është një polic trafiku në një qytet të vogël në Kosovë, një njeri i zakonshëm, as shumë i ndershëm e as shumë i guximshëm. Së bashku me partnerin e tij, Gëzimin, pranojnë ryshfete të vogla nga shoferët që i ndalojnë për tejkalim shpejtësie. Një natë, duke menduar se po bëjnë gjënë e duhur, ata shoqërojnë në stacion një prokuror të një gjykate ndërkombëtare, i cili ishte duke vozitur i dehur me një çantë plot me para në makinën e tij. Të dy pastaj shpejt do të gjenden të përfshirë në një rast korrupsioni që tejkalon përmasat e tyre.

Gazmend Nela është regjisor dhe skenarist i filmit, producentë Valon Bajgora dhe Arben Shala.

Ky film është bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës, Maqedonisë e Veriut dhe Shqipërisë.

Sunaj Raça, Allmir Suhodolli, Amernis Nokshiqi dhe  Rina Krasniqi janë kasta kryesore e filmit.

Filmi do të shfaqet më 13 shtator nga ora 19:30 në Kino Armata./ KultPlus.com

‘AEON’, Baleti Kombëtar vjen me premierën e katërt për vitin 2024

Baleti Kombëtar i Kosovës, shfaq premierën e katërt për vitin 2024 “AEON”, me koreografi të Daniel Cardoso.

Pjesëtarët tjerë që mundësuan shfaqjen “AEON” janë:
Asistente e koreografit: Inês Godinho
Udhëheqëse e provave: Luljeta Ademi
Kostumet: Inês Godinho & Helena Pereira
Fustanet: Ines Godinho & Elva Bella

Shfaqja premierë jepet në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës më 27.06.2024, kurse repriza jepet më 28.06.2024/ KultPus.com

Kori i Filharmonisë organizon koncert premierë nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla

Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, organizon koncert premierë me Korin e Filharmonisë nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla, shkruan KultPlus.

Koncerti do të ketë një repertor të pasur duke filluar nga baroku deri tek muzika bashkëkohore, duke përfshirë vepra nga J. M. Bach, J. Brahms, R. Harbor, F. Ticheli, E. Whitacre, M. Ostrzyga, J. Runestad, H. Syla dhe L. Biggs.

Në shënim të 65-vjetorit të vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, do të interpretohet “Bash n’zeman…”.

Koncerti mbahet më 16 maj, në ora 20:00 në Kishën Katolike “Shën Ndou”./ KultPlus.com

“The Best European Show” vjen së shpejti në Prishtinë

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se më 25 dhe 26 prill do të shfaqet premierë në Prishtinë “The Best European Show”, që është një bashkë prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Teatro Due – Parma, Teatri Kombëtar Slloven – Nova Gorica, Teatr Opole dhe Teatru Malta.

Shfaqja do të shfaqet në Kosovë pas turneut në Poloni, Itali, Maltë e Slloveni.

“The Best European Show” me regji të Haris Pašovic, bashkëprodhuar nga pesë teatro evropiane, ndër ata Teatru Malta (MT), JK Opole Theatre (PL), Teatri Kombëtar Slloven Nova Gorica (SI), Teatro Due (IT) dhe Teatri Kombëtar i Kosovës (KS), është një komedi satirike për një juri eklektike evropiane që duhet të përcaktojë fituesit e festivalit të fundit teatror duke i hapur përfundimisht rrugën dixhitalizimit të teatrit”, thuhet në njoftimin e teatrit.

Juria përbëhet nga një kritik teatri, një zyrtar shtetëror, një divë, një drejtor teatri, një menaxher teatri dhe një shkrimtar, që formulojnë mendimet e tyre dhe kritikojnë çdo performancë gjatë një procesi rraskapitës të vlerësimit.

Teksti është shkruar nga Marko Bratush dhe Haris Pashoviq, regjisor është Hris Pashoviq, ndërsa do të luajnë Armend Smajli, May-Linda Kosumovic, Davide Gagliardini, Ana Facchini, Gianni Selvaggi, Philip Leone Ganado, Felix Römer, Weronika Kozakowska, Blazej Stencel, Jammeh Diangana, Paola de Crescenzo dhe Lumnije Sopi.

Kompozitor është Trimor Dhomi, dramaturg është Sean Buhagjar, koreografia nga Robert Nua dhe skenograf e kostumograf është Krystian Szymcak.

Shfaqja është në gjuhen angleze dhe do të jepet me titra në gjuhen shqipe./KultPlus.com

Tragjedia “Elektra”! Shfaqet premierë në Durrës me regji të Kiço Londos

Në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit po shfaqet premierë tragjedia e Sofokliut “Elektra” me regji të Kicco Londos.

E sjellë nga teatri shëtitës “Çajupi”, “Elektra” vjen para publikut durrsak me mesazhet e forta që mbërrijnë aktuale nga kohët antike në ditët e sotme.

“Është rol shumë i vështirë. Tragjeditë në vetvete janë të vështira dhe është përgjegjësi e madhe t’i luash. Elektra ka mjaft karakteristika për t’u admiruar. Është një luftarake e padorëzuar deri në fund. Ajo jeton për hakmarrjen e saj dhe e realizon duke vënë drejtësi”, u shpreh aktorja Laura Nezha.

“Është e guximshme për shkak të peshës së madhe artistike që ka Sofokliu është një gjë e rëndë. Elektra gjithashtu. Megjithatë jam i lumtur, krenar për këtë staf që bën gjithçka dhe përtej moshës së re që kanë për të mbajtur një vepër kaq të madhe”, tha regjisori Kiço Londo.

Gjatë të gjithë shfaqjes, tragjedia përfshiu emocionalisht publikun që e vlerësoi gjatë me duartrokitje trupën e aktorëve dhe regjisorin.

“Mbeta shumë i kënaqur dhe i surprizuar jo vetëm nga konceptimi regjisorial, por edhe loja e mrekullueshme e aktorëve. Një lojë ansambël, në veccanti Elektra shkëlqente. Duhen thënë fjalë jashtëzakonisht të mira për regjisorin që tregoi dhe njëherë tjetër se është regjisor i talentuar i vendit tonë”, tha Enver Plaku.

“Një shfaqje e kompletuar me të gjithë elementet. Një Elektër tipike e ditëve të sotme. Laura kishte sjellë një figurë të kompletuar me të gjitha parametrat. I uroj shumë suksese trupës së Kicco Londos dhe pastë rrugë të gjatë “Elektra”, tha Gjergj Doçi.

“Jam shumë e kënaqur për këtë. Personalisation Elektrën, publiku e ka dashur, e ka pritur mirë. Është përlotur bashkë me të. E ka ndjerë dhembjen e personazhit. Me të vërtetë që jam e surprizuar”, tha Laura Nezha.

Përmes temave të drejtësisë, familjes dhe hakmarrjes, shfaqja zbulon pasojat e zemërimit të pakontrolluar dhe fuqinë e harruar të faljes. Pas Durrësit, Elektra do të udhëtojë nëpër gjurmën e rrugës Egnatia si një realitet që bashkon edhe sot vendet e popujt.

“Ky është një projekt që do të udhëtojë nëpër rrugën Egnatia. Është një ndërthurje e teatrit të lashtësisë, teatrit të Sokratit me një rrugë nga më të lashtat jo vetëm në rajonin tonë, po në të gjithë historinë e njerëzimit. Një rrugë që ka lidhur Romën me Lindjen”, tha regjisori Kiço Londo./topchanel/KultPlus.com

‘Hana po fluturon’, shfaqja premierë në teatrin e Ferizajt

Mbrëmë, në qytetin e Ferizajt është dhënë premierë shfaqja “Hana po fluturon” me regji të Iliriana Arifi dhe autore Arta Arifi, në teatrin ‘Adriana’, shkruan KultPlus.

Aktorët të cilët kanë luajtur në shfaqje janë: Dardane Mehmeti, Edona Berisha, Dashuri Rexhepi, Arben Marevci, Gresë Gashi, Nea Hamza dhe Nexhat Xhokli, të cilët sollën historinë e përqendruar tek Anita dhe Belina dhe përpjekjet e tyre për të mbrojtur shtëpinë nga rrënimi, kujtimet dhe sekretin e fshehur për vite të tëra.

Ministria e Kulurës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur që bashkë me publikun, shfaqjen e ndoqi edhe ministri Hajrulla Çeku/KultPlus.com

Pas rajonit dhe Kosovës, filmi “Adnan Kafazi” do të ketë premierën edhe në Londër

Pas sukseseve në kinematë vendore, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Zvicër, Gjermani e Austri, filmi kosovar “Adnan Kafazi” më 13 Tetor do ta ketë premierën në Londër të Mbretërisë së Bashkuar, përcjell KultPlus.

Filmi “Adnan Kafazi” i cili është pjesë e trilogjisë Zonjusha-Diamanti-Adnana Kafazi përveç argëtimit, kësaj radhe potencon edhe dhunën ndaj gruas, trafikimin e qenieve njerëzore dhe luftimin e dukurive negative të shoqërisë sonë.

Filmi do të shfaqet në Phoenix Cinema në Londër.

Aktori dhe producenti, Besart Sllamniku njofton që për premierën e filmit në Londër janë përkrahur nga Besnik Sahatçiu Ora dhe The Queen’s Arms.

Në Londër do të jenë prezent edhe një pjesë e kastës së filmit si: Armond Morina, Besart Sllamniku, Edona Reshitaj, Dukagjin Podrimaj, Muhamed Arifi dhe regjisori Genc Berisha.

Për të gjithë filmdashësit në Londër, biletat për premierën i kanë në dispozicion në linkun e Eventbrite:

https://www.eventbrite.co.uk/e/adnan-kafazi-in-london-tickets-709341247767. / KultPlus.com

Shfaqja “Masë për masë” e William Shakespeare, mbrëmë u dha premierë në Gjakovë

Vinçencoja, Anxhelo, Klaudi, Zhulieta dhe protagonistët tjerë të dramës “Masë për masë” të William Shakespeare, u jetësuan mbrëmë nga trupa teatrale e Gjakovës dhe Prizrenit, përcjell KultPlus.

Shfaqja bashkëprodhim i teatrove të dy qyteteve, “Hadi Shehu” dhe “Bekim Fehmiu” shpalosi një sinergji të jashtëzakonshme artistike, duke vënë sërish në pah potencialin e lartë të aktorëve.

Komedia erdhi nën regjinë e Altin Bashës, përderisa në të luajtën aktorët: Xhevdet Doda, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Edmond Hafizademi, Edona Sopaj, Edonis Kastrati, Valmir Krasniqi, Alban Çela, Alban Krasniqi, Vlora Dervishi, Butrint Lumi, Valmira Hoti, Altina Kusari dhe Edi Gjakova.

Në mesin e shumë artdashësve, shfaqja u ndoq nga ministri Hajrulla Çeku, ministrja Albulena Haxhiu, deputetët Mimoza Kusari Lila, Adriana Matoshi, Agon Batusha, dhe drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri.

Mos i humbisni reprizat me 3 dhe 4 tetor, ora 20:00. / KultPlus.com

Premierë e jashtëzakonshme e “Prishtinë 2002” nga Trëndelina Halili në Clermon-Ferrand

Filmi i metrazhit të shkurtër “Prishtinë 2002” me regjisore Trëndelinë Halili dhe producent Ermal Gërdovci, shfaqi premierën në festivalin e filmit të shkurtër Clermont-Ferrand në Francë, njërin prej festivaleve më të mëdha ndërkombëtare të filmit të shkurtër në botë i kategorisë A, dhe i dyti në Francë pas festivalit të Kanës sa i përket audiencës.

“Ishte një ndjenjë shumë e mirë të përjetoj një gjë të tillë para një audience të madhe si kjo e Clermont. Filmi u prit shumë mirë dhe kjo gjë po hapë mundësi të reja bashkëpunimi edhe për projektet e radhës”, tha regjisorja Halili pas shfaqjes së premierës.

“Është një sukses jashtëzakonisht i rëndësishëm i radhës për kinematografinë dhe filmin tonë të shkurtë. Njëkohësisht edhe dëshmi për nivelin dhe kulturën e arritur nga kineastët tanë në tregimin e copëzave të jetës përmes mediumit të kinemasë” është shprehur drejtuesi i QKK-së Lum Çitaku me rastin e premierës së filmit.

“Prishtinë 2002” u shfaq në ekranet franceze në kuadër të edicionit të 45-të të festivalit, i cili ka nisur më 27 janar dhe do të vazhdojë deri më 4 shkurt 2023.

Filmi rrëfen historinë e nje adoleshenteje, e cila priret të transformojë vetveten, për t’i bërë përshtypje shoqes së saj të ngushtë. Ndërkohë që gjatë tërë këtij rrugëtimi, personazhi kryesor ndeshet me të papriturën.

Realizimi i filmit është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, dhe prodhuar nga shtëpia e filmit Kandërr. /KultPlus.com

Shfaqja “Audience by Vaclav Havel” vjen premierë në Teatrin Oda

Teatri Oda do t’i hap dyert e saj për premierën e shfaqjes ‘’Audience by Vaclav Havel’’, në bashkëpunim me Qendrën Multimedia, shkruan KultPlus.

Publiku do të kenë rast të shohin shfaqjen më 18 nëntor duke filluar nga ora 16:00.

‘’Audience by Vaclav Havel’’ është shfaqje me skenar të shkruar nga Jeton Neziraj, regjisor Agon Myftari dhe me aktorë Shpëtim Selmanin dhe Dukagjin Podrimajn. /KultPlus.com