Filmi “Hana e Re” dhe “Prishtinë 2002” me premierë kombëtare në Doku Fest

Dy projekte të subvencionuara nga Qendra Kinematografike e Kosovës do të kenë premierën Kombëtare në edicionin e 22 të Doku Fest, përcjell KultPlus.

Filmi “Hana e Re” dhe filmi “Prishtinë 2002” do të kenë premierën kombëtare në edicionin e 22 të Doku Fest.

Filmi “Hana e re” është në garë për filmin më të mirë të shkurtë në kategorinë Nacional.

Filmi trajton rrëfimin e katër shoqeve, të cilat në një udhëtim të menduar për qejf, zbulojnë të vërteta për njëra tjetrën.

Ky film është prodhim i shtëpisë filmike Kanape, me skenar dhe regji të Jehona Berisha dhe producent Jetmir Zenelaj.

Në rolet kryesore janë: Rozafa Çelaj, Era Balaj, Blerta Ismaili, Qëndresa Jashari.

Filmi i metrazhit të shkurtër “Prishtinë 2002”, me regji të Trëndelina Halilit dhe producent Ermal Gërdovci është gjithashtu në garë për filmin më të mirë të shkurtë në kategorinë Nacional.

Filmi rrëfen historinë e një adoleshenteje, e cila priret të transformojë vetveten, për t’i bërë përshtypje shoqes së saj të ngushtë. Në rolet kryesore janë: Hana Limani dhe Rrezarta Haziraj.

Edicioni i 22-të i Doku Fest do të mbahet me 4-12 gusht, 2023. / KultPlus.com