Kisha e Shën e Premtes (ndërtuar më 1776) është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së parë në vitin 1963 dhe ndodhet në Zonën e Mbrojtur të Qendrës Historike të qytetit të Përmetit.
Kisha është e tipit bazilikë me përmasa 22 metra e gjatë, 16 metra e gjerë dhe 8 metra e lartë.
Mbishkrimi i gdhendur mbi një pllakë guri, tregon për ndërtimin e kishës më 1776, nga kryemjeshtri Ilia Kristo.
Afresku me skena nga shkrimet e shenjta është realizuar më 1808 nga piktori Terpo Zografi. Ikonostasi dhe gdhendjet në dru, janë punuar artistikisht nën drejtimin e Dhimitrit, mjeshtrit shqiptar nga Konica.
Në vitin 1964, Kisha e Shën e Premtes është përmbytur prej përroit që kalon aty pranë. Uji i përzier me baltë shpërtheu derën jug-perëndimore të narteksit dhe mbushi naosin deri në lartësinë 3 metra, duke shkaktuar dëme të mëdha në pikturën murale të kishës.
Punimet për kullimin e ujërave filluan në vitin 1967. Më pas u restaurua narteksi dhe naosi. Gjithashtu muralet e kishës janë restauruar edhe në vitet 1981-1982./atsh/ KultPlus.com



