Qeveria e Kosovës ka ndarë mjete buxhetore për tekstet shkollore në gjuhën shqipe, për nxënësit e shkollave fillore në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Shuma që ekzekutivi ka ndarë është 254 mijë e 562 euro e 30 centë.
“Ndihma jonë për bashkëkombasit tanë është jo vetëm nevojë por edhe obligim i yni, që të mbrojmë të drejtat e tyre elementare”, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë mbledhjes së qeverisë./KlanKosova/KultPlus.com
Drejtori i shkollës fillore “Zenel Hajdini” në Preshevë, Shukri Ymeri, thotë se është koha e fundit që Ministria e Arsimit të Serbisë të fillojë të merret me çështjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Kështu ai e komenton marrëveshjen për tekstet në gjuhën shqipe, të arritur në mes të nëntorit ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe atyre të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Problemi me tekstet në gjuhën amtare për pakicën kombëtare shqiptare në Serbi është tash e disa dekada. Problemi lindi pas përfundimit të konfliktit në Kosovë në vitin 1999, kur shkollat në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – tri komuna në jug të Serbisë të banuara me shumicë shqiptare – mbetën pa i pranuar tekstet shkollore nga Instituti i Teksteve të Prishtinës, për shkak të ndërprerjes së komunikimit me institucionet.
Ymeri, i cili për një dekadë është në pozitën e drejtorit, thotë se kolegët e tij ia dalin në mënyra të ndryshme që t’ua bartin njohuritë nxënësve.
“Është shumë e vështirë për mësimdhënësit. Ata kryesisht përkthejnë në gjuhën shqipe nga librat në gjuhën serbe ose bëjnë skripte, të cilat i kopjojnë nxënësit dhe kështu ia dalim ne”, sqaron Ymeri për Radion Evropa e Lirë.
Më 16 nëntor, zëvendëskryeministri i parë i Serbisë dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Branko Ruzhiq, tha për agjencinë Fonet se çështja e teksteve në gjuhën shqipe është zgjidhur përmes bisedimeve me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Atë ditë, Ruziq pati një takim të përbashkët në Bujanoc me ambasadorin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Jan Braathu, ministren e të Drejtave të Njeriut, Gordana Çomiq dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Arsimit të Serbisë me pyetje lidhur me detajet e kësaj marrëveshjeje, por deri në publikimin e këtij teksti, kjo ministri nuk është përgjigjur.
Ministrja e të Drejtave të Njeriut, Pakicave dhe Dialogut Social, Gordana Çomiq, tha më 18 nëntor se në një takim me përfaqësues të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe të Ministrisë së Arsimit u arrit pajtimi që të vendoset bashkëpunimi me Institutin për Vlerësimin e Cilësisë së Arsimit dhe Edukimit që të përshpejtohen procedurat për miratimin e teksteve shkollore për shkollat fillore dhe të mesme në gjuhën shqipe.
Instituti për Vlerësimin e Cilësisë së Arsimit dhe Edukimit është institucion publik, i cili merret me vlerësimin e arsimit dhe edukimit dhe jep rekomandime për ngritjen dhe sigurimin e sistemit të cilësisë së arsimit dhe edukimit.
“Është arritur marrëveshja që kjo (miratimi i teksteve) të bëhet deri në muajin prill të vitit të ardhshëm, kur të publikohet katalogu i teksteve, në mënyrë që ato të jenë gati për nxënësit e gjeneratës së ardhshme”, tha Çomiq.
Çfarë thonë në Këshillin Kombëtar Shqiptar?
Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është arritur marrëveshja.
Siç thotë ai, është arritur marrëveshja për 12 komplete të teksteve dhe për shtatë tekste të veçanta, për lëndë të ndryshme, të botuesit Albas nga Shqipëria.
Sipas tij, në vitin 2019, Këshilli Kombëtar Shqiptar kishte propozuar një mekanizëm për sigurimin e teksteve nga Shqipëria, bazuar në nenin 5 të Ligjit të Serbisë për tekstet shkollore, i cili jep mundësinë e përdorimit të një teksti shkollor në gjuhën dhe shkrimin e një pakice kombëtare të botuar në një shtet të huaj, në qoftë se miratohet nga autoritetet.
Në bazë të kësaj, për këtë vit shkollor janë siguruar tekstet për klasën e parë, të dytë, të tretë, si dhe për klasën e pestë, të gjashtë dhe të shtatë të shkollës fillore, sqaron Mustafi.
“Ky vit ka qenë ndër më të suksesshmit për sa i përket sigurimit të teksteve në dy dekadat e fundit, dhe në vitin e ardhshëm mendoj se do ta mbyllim ciklin e teksteve shkollore për shkollat fillore, pra do të ofrojmë së paku një tekst për çdo lëndë”, thotë Mustafi.
Ai shton se e gjithë puna administrative mund të përfundojë deri në momentin kur katalogu i ardhshëm i teksteve shkollore nga Ministria e Arsimit të Serbisë të publikohet në fillim të vitit 2022.
“Afërsisht kjo mund të ndodhë në muajin shkurt, kur dalin këto katalogë, të cilët përgatiten gjatë muajit janar”, thotë Mustafi.
Shukri Ymeri, drejtor i shkollës fillore në Preshevë, thotë se gjatë punës së tij në arsim, kanë qenë disa marrëveshje me Ministrinë e Arsimit lidhur me çështjen e mungesës së teksteve shkollore në gjuhën shqipe, por rezultatet konkrete kanë munguar.
“Megjithatë, nuk dua të jem skeptik. Unë e përshëndes këtë marrëveshje dhe mendoj që është koha e fundit që kjo të zgjidhet”, thekson Ymeri.
Problemi i interpretimit të historisë moderne
Për pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, mësimi organizohet në gjuhën amtare në tri institucione parashkollore, 24 shkolla fillore dhe katër shkolla të mesme.
Sipas Ragmi Mustafit, është e rëndësishme që Këshilli Kombëtar Shqiptar të sigurojë tekste për “lëndët e rëndësishme” si gjuha amtare dhe matematika, si dhe për lëndët profesionale në shkollat e mesme.
Për shkak të tensioneve politike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ekzistojnë probleme me tekstet e historisë dhe gjeografisë, ndonëse vitin e kaluar Këshilli arriti të sigurojë tekste të historisë për klasën e gjashtë të arsimit të ulët.
“Ne kemi shprehur vullnetin për t’i studiuar dhe së bashku lëndë të ndjeshme, si dhe për të parë se cilat do të jenë rezultatet e mundshme. Sigurisht, kur bëhet fjalë për historinë në shkollën fillore, jo gjithçka është histori bashkëkohore. Në klasën e pestë fillohet nga parahistoria dhe në klasën e tetë arrihet deri te Lufta e Dytë Botërore. Mendoj se këtu nuk kanë probleme as shqiptarët dhe as serbët. Pjesa më e madhe ku ka dallime është historia bashkëkohore. Kjo mund të jetë temë e dialogut mes Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe institucioneve të Republikës së Serbisë”, thotë Mustafi.
Në shkurt të vitit 2008, Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia. Në anën tjetër, Beogradi zyrtar nuk e pranon këtë veprim, duke thënë që se ky është veprim i njëanshëm. Zyrtarët e të dyja vendeve kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me ngjarjet në historinë bashkëkohore.
Problemi me tekstet shkollore, pjesë e ‘Planit shtatëpikësh”
Për përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, ofrimi i teksteve shkollore në gjuhën e tyre amtare është vetëm një pjesë e problemeve të shumta, me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Nuk dihet saktësisht se sa banorë jetojnë në këto tri komuna, pasi që popullata shqiptare e bojkotoi regjistrimin e vitit 2011, me arsyetimin se dy regjistrimet e mëparshme janë montuar dhe se numri i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, në ato regjistrime, është zvogëluar vazhdimisht.
Sipas vlerësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, në Serbi jetojnë rreth 60,000 pjesëtarë të pakicës kombëtare shqiptare, kryesisht në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Këto tri komuna janë ndër komunat më pak të zhvilluara në Serbi. Nuk ka të dhëna të sakta për numrin e të papunëve, por kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Hasani, në maj të vitit 2021, ka thënë për BIRN-in se papunësia në këtë komunë është rreth 70 për qind.
Mungesa e teksteve në gjuhën amtare është një nga pikat e “Planit shtatëpikësh”, dokument i dërguar në shkurt të vitit 2013 nga përfaqësuesit e komunitetit shqiptar në Qeverinë e Serbisë, në krye të së cilës ishte kreu i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiq, i cili edhe sot është në pushtet së bashku me Partinë Progresive Serbe (SNS).
Në qershor të po atij viti, Qeveria miratoi dokumentin, ku paraqiteshin propozimet për zgjidhjen e problemeve të shumta, me të cilat ballafaqohet komuniteti shqiptar në Serbi.
“Plani shtatëpikësh” propozon integrimin e plotë të shqiptarëve në institucionet e sistemit, në përputhje me pjesëmarrjen proporcionale në popullsinë e çdo vetëqeverisjeje vendore, duke arritur siguri të plotë, që ndër të tjera nënkupton respektimin e Ligjit për amnisti; zhvendosjen e forcave speciale të policisë dhe krijimit të kushteve të nevojshme për kthimin e popullatës së zhvendosur.
Plani propozon gjithashtu rimëkëmbje të shpejtë ekonomike të tri komunave në jug, të cilat janë ndër më pak të zhvilluarat në Serbi, si dhe decentralizimin e gjyqësorit.
Dokumenti vë në dukje problemin e mungesës së teksteve shkollore, si dhe probleme me njohjen dhe nostrifikimin e diplomave nga Kosova.
“Plani shtatëpikësh” avokon për heqjen e pengesave ligjore për përdorimin zyrtar të gjuhëve, alfabeteve dhe simboleve, sipas Ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare, si dhe tregon se duhet ngritur mbrojtja shëndetësore dhe sociale e shqiptarëve në një nivel shumë më të lartë.
Mirëpo, përfaqësuesit e shqiptarëve, në paraqitjet e tyre publike, kanë theksuar se, në realitet, nuk është bërë shumë nga ky plan. / KultPlus.com
Komedia fantastike “Shfaqja që shkon keq” nga Henry Lewis me regji të Ilir Bokshit është shpërblyer me dy çmime në Festivalin e Komedisë në Preshevë, shkruan KultPlus.
Aktori Ernest Zymberi ka rrëmbyer çmimin aktorin më të mirë jo – protagonist, ndërkaq “Shfaqja që shkon keq” është shpërblyer me ‘Çmimin special i Festivalit’.
Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e teatrit në të Gjilanit.
“Komedia fantastike “Shfaqja që shkon keq” nga Henry Lewis, regjisor: Ilir Bokshi, prodhim i Teatrit të Gjilanit shpërblehet me dy çmime në Festivalin e Komedisë në Preshevë. Çmimi për aktorin më të mirë jo-protagonist shkon për aktorin Ernest Zymberi dhe “Çmimi special i Festivalit” shkon për shfaqjen “Shfaqja që shkon keq”! Urime, Ernest! Urime, Ilir! Urime, super ekipaaaaa!”, thuhet ndër të tjera në njoftim./ KultPlus.com
Këshilli i Ministrave të Shqipërisë miratoi kontributin financiar për Këshillin Kombëtar në Serbi me qëllim blerjen e teksteve shkollore shqip.
Me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e së mërkurës dhënien e kontributit financiar, në shumën 40 000 euro ose kundërvlerën e saj në lekë, për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, për t’u përdorur për blerjen e teksteve shkollore për shkollat shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Kundërvlera në lekë e shumës së sipërpërmendur të transferohet në formën e transfertës në llogari të përfituesit, nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të përballohet nga buxheti i shtetit për vitin 2020, miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në programet buxhetore “Arsimi bazë”, “Arsimi i mesëm i përgjithshëm”, “sporti” dhe “rinia””, thuhet në vendim.
Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi, që hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” /atsh/ KultPlus.com
Këto ditë, në Preshevë, përfundoi realizimi i projektit “Edukimi i të Rinjve nëpërmjet trashëgimisë kulturore jo të luajtshme dhe prezantimi i vlerave të trashëgimisë kulturore”, në kuadër të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, të cilën drejtoi Xhemaledin Salihu, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore përmes këtij projekti ka ndikuar dukshëm përmes rolit të saj edukativ, ngritjen e vetëdijes tek të rinjtë për vlerat që ka trashëgimia kulturore dhe angazhimi i institucioneve për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe kultivimin e vlerave të mirëfillta të krijimtarisë kulturore.
Gjatë realizimit të këtij projekti janë zhvilluar një varg aktivitetesh me tematikë: “Edukimi i të Rinjve nëpërmjet trashëgimisë kulturore jo të luajtshme dhe prezantimi i vlerave të trashëgimisë kulturore”, pastaj formimi i Ekipit të Pedagogëve, printimi dhe distribuimi i pllakateve, ligjërata të ekspertëve-pedagogëve, vizitat e të rinjve-nxënësve vlerave të trashëgimisë kulturore të jo luajtshme, punëtoria e vizatimit dhe pikturimit me të rinjtë, ekspozitë e fotografive dhe punimeve të të rinjve, si dhe programi kulturor-artistik, me këngë e valle burimore nga Lugina e Preshevës.
Lugina e Preshevës, paraqet një minierë të pasur e të pashfrytëzuar mirë të trashëgimisë kulturore, e cila nuk është studiuar sa duhet nga ekspertë të kësaj fushe, duke ngelur shumë vlera të saj nën mëshirën e kohës, fati i të cilave mund të sjell shkatërrimin e tyre.
Ndaj, qëllimi i këtij projekti është ngritja e vetëdijes tek të rinjtë dhe qytetarët, duke llogaritur edhe institucionet përkatëse për mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e këtyre vlerave të trashëgimisë kulturore në Luginë të Preshevës.
Vlen të ceket se projektin: “Edukimi i të Rinjve nëpërmjet trashëgimisë kulturore jo të luajtshme dhe prezantimi i vlerave të trashëgimisë kulturore” e financoi Ministria e Kulturës dhe Informimit e Republikës së Serbisë dhe e subfinancoi Këshilli komunal në Preshevë. / KultPlus.com
Albanian Excellence rrugëton javën e parë të shtatorit në Preshevë, në këtë qytet shqiptar në Serbi, shtrirë jetë e mot, në jug-lindje të Kosovës. Ajo ndalon në këtë pjesë të shqiptarisë këtë fillim vjeshte, jo vetëm suksesin e zonjave shqiptare kudo janë por një mesazh fisnik e njerëzor se: Viti 2020 do të jetë viti i Preshevës nga kjo qendër modeste në dukje por që mban brenda saj fuqi njerëzore dhe intelektuale të mbarë shqiptarisë.
Të gjithë ata shqiptarë kudo jetojnë, do të jenë një mbështetje më shumë për këtë trevë parcialisht shqiptare, shtrirë në pjesën më të lartë të kësaj zone me një sipërfaqe prej 264 kilometra katrorë, me toka pjellore në rrafshet aluviale të pellgut të Moravës në veri dhe pellgut të Vardarit në jug.
“Ne jemi me Preshevën”, është motoja e këtij
rrugëtimi që do të materializohet në një memorandum bashkëpunimi me Komunën e
Preshevës dhe që do të firmoset nga drejtuesit respektivë tw Komunës së
Preshevës dhe të Albanian Excellence , si një besë që do ti shoqërojë për gjatë
një viti në këtë rrugëtim të gjatë në hapësirë dhe në kohë me shqiptarët kudo
janë, dëshirën njerëzore për të mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës, e
përbërë nga 35 vendbanime, dhe ku qyteti dhe komuna janë me popullsi shumicë
shqiptare.
Janë 121
mysafire, zonja suksesi nga SHBA, Europa, zonja nga të gjitha trojet amtare, të
cilat do të prezantohen në ekspozitë si për të sjellë jehonën e suksesit në
këto troje si një ogur i mbarë dhe i mirë për vijimësinë e të qenit së bashku
nën okelion e madh: komb i shqiptarisë. E madhja Tinka Kurti, do të jetë
kryemysafirja e këtyre zonjave të nderuara e cila do të ngjitet në skenën e
teatrit të Preshevës, duke risjellë në mëndje e zemër, vitin e largët 1980, kur
në atë skenë së bashku me Teatrin Migjeni, interpretoi me lotë në sy dhe në
zemër së bashku me preshevasit që kishin mbushur sallën, “Bacën e Gjetajvë”.
Si nga herë edhe këtë herë koncepti i Albanian Excellence, ka të bëjë me një agjendë të ngjeshur shoqëruar. Sepse e gjithë agjenda në tërësinë e saj, synon të japë dhe të përmbushe misionin e një qëllimi të mirëpërcaktuar në mbështetje të një shoqërie të mençur në vendime dhe në vazhdimësi ashtu dhe në krijimin e mikroklimave të shëndosha ndaj mediokritetit, vogëlsisë dhe fjalëshumësisë së antivlerës.
Në këtë kuptim aktiviteti që organizohet në Preshevë këtë fillim shtatori, jo vetëm nderon zonjat e suksesit shqiptar, por këtë herë krahas këtij respekti, e kalon rëndesën e saj në të dy gjinitë, më idenë e madhe të bashkërendimit të forcave, ideve, dëshirës për të qenë së bashku. Sepse, “Ne jemi me Preshevën “, në thelb si dhe në dukje, është mesazhi i sigurisë për të qenë së bashku, në mënyrën më njerëzore, më të sinqertë ashtu dhe më fisnike të mundshme, për të dhënë dhe për të marrë vlera e bashkëpunim në një shekull kur qytetërimi dhe etika e të komunikuarit duhet të jenë kryefjala e gjithësisë ku jetojmë dhe ku japim kontributin individual dhe njerëzor.
E gjitha është një mbështetje për këtë luginë vlerash , e cila ndër vite e në episode të ndryshme patriotike kulturore ka dhënë një kontribut të rëndësishëm kombëtarë duke ofruar potencialin e saj në mënyrë të pa-rezervë.
Zonjat që do të jenë të ftuarat e nderit në këtë tubim tre ditor, ku do të tregojnë jo vetëm si dhe sa ju është dashur të arrijnë suksesin në jetë , por do të jenë bashkëshoqëruese të nderuara të jetës së banorëve të kësaj treve, të cilët si në vitin e largët 1980 kur mbërriti këtu, Baca e Gjetajve , edhe këtë herë do ua mbushin zemrën mysafirëve mbërritur nga anekënd planetit , me dashuri mikpritëse shqiptarie./ Flora Nikolla / KultPlus.com
Fëmijët shqiptarë në Luginën e Preshevës çdo vit mësimin e fillojnë pa tekste mësimore nëpër shkollat e tyre. Librat nga Kosova janë të ndaluara.
Një proces ka filluar në bashkëpunim në mes të Tiranës dhe Beogradit për përdorimin e librave që janë në Shqipëri, por ato i nënshtrohen një sistemi të miratimit nga Ministria e Arsimit në Serbi. Fëmijëve u dhurohen libra nga institucionet, por atyre me etni shqiptare zakonisht vetëm çanta.
Dita e parë e shkollës si një kujtim i paharrueshëm. Nxënësit shqiptarë në Serbi marrin dhuratë çanta, por pa libra. Në shumë njësi mësimore udha e shkronjave për ta zgjatë ende. Në shkollën “Ibrahim Kelmendi”, mësuesi Lulëzim Mehmeti metodën e mësimit e ka më keq se në fillim të karrierës.
Lulëzim Mehmeti, Mësues: “Tani është shumë më e vështirë se atëherë sepse tani na mungojnë shumë tekstet shkollore të nxënësve si: historia, kultura muzikore, gjeografia, natyra dhe shoqëria edhe disa lëndë të tjera ku kryesisht ne arsimtarët japim shënime aty ku gjindemi.”
Përfaqësuesi i qeverisë së Serbisë, Zoran Stankovic, ka arritur këtu për t’u dhënë kurajo. Problemi politik i ka lënë nxënësit pa mundësi. Nga Shqipëria procedurat janë zgjatur, kurse nga Kosova librat nuk lejohen. Në Shkollën fillore Vuk Karaxhiç, nxënësit serbë dhuratat i kanë të plota.
Zoran Stankoviç, përfaqësues i qeverisë serbe: “Nxënësit e fillojnë mësimin me 5 libra të rinj dhe presim 8 të tjera. Një numër tjetër është në fazë të bisedimeve mes Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Ministrisë së Arsimit. Bëhet fjalë për libra nga Shqipëria”.
Vite më parë policia pati konfiskuar librat që konsideroheshin ilegale edhe nga duart e fëmijëve. Shqiptarët ende nuk i kanë shumë libra.
Armend Aliu, nënkryetar i Bashkisë Preshevë: “Numri i teksteve që është premtuar se do të bëhet gati për nxënësit tanë nuk është ai i cili është premtuar. Kemi arritur që të sigurojmë vetëm 5 tekste në gjuhën shqipe, punojmë që edhe një muaj të sigurohen edhe 8 tekste të tjera. Ky nuk është numri i cili ishte programuar në shkurt të këtij viti ku është thënë se 48 tekste shkollore në gjuhen shqipe do të bëhen gati. Është logjike që ditën e parë të shkollës pushteti lokal duhet t’ja urojë nxënësve edhe me këtë brengën që ky problem po zbvarritet edhe nuk po zgjidhet.”
Për një kohë të gjatë, nxënësit në abetare kanë qenë peng të shkronjes F dhe dyshimit ta mësojnë flamurin shqiptar apo serb./KultPlus.com
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë më 6 dhe 7 korrik do e mbajë konferencën me temë: “Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve shqiptare”.
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Preshevë e drejtuar nga profesor Xhemaledin Salihu, i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, për fillimin e mbarë të konferencën shkencore me temë: “Trashëgimia kulturore jomateriale shpirtërore e Luginës së Preshevës dhe viseve shqiptare”.
Kjo Konferencë, siç bëhet e ditur përmes një komunikate për media, do të fillojë në javën e dytë të korrikut, e cila është paraparë të mbahet të premten dhe të shtunën e 6-7 korrikut, në sallën e Kuvendit Komunal të Preshevës, transmeton Koha.net.
Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, gjithashtu, bën të ditur se tashmë janë konfirmuar pjesëmarrja e konferencierëve, janë caktuar seancat programore, temat që do të lexohen dhe pjesëmarrësit nga vise të ndryshme të hapësirave kombëtare: Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Lugina e Preshevës.
Vlen të ceket se kjo është konferenca e dhjetë me radhë e cila do të organizohet nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, e cila e ka kthyer në traditë organizimin dhe mbajtjen e konferencave dhe karakter shkencor./KultPlus.com
Dje nisi edicioni i 14-të i Festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare”, në Preshevë, shkruan KultPlus.
Ky edicion i këtij festivali u hap nga Teatri i Preshevës i cili edhe zyrtarisht u përurua mbrëmë, me shfaqjen “Maratonistët” nën regjinë e regjisorit Kastriot Saqipi.
“Ditët e Komedisë Shqiptare” që nisën më 13 nëntor do të mbahen deri më 17 nëntor, ku do të shfaqen gjithsej edhe katër shfaqje të tjera, ndërsa në fund do të ndahen çmimet.
Sot më 14 nëntor, në këtë festival do të paraqitet shfaqja nga Qendra Multimedia në Prishtinë, “Peer Gynti nga Kosova” me autor Jeton Neziraj e regji të Agon Myftarit.
Më 15 nëntor do të paraqitet Teatri i Tetovës me shfaqjen “Kripë deti” me regji të Nehat Mehmetit.
Më 16 nëntor do të jetë shfaqja nga Teatri Shqiptar i Shkupit “Shfaqja që shkon mbrapsht” me regji të Agon Myftarit.
Ndërsa në natën e fundit të festivalit, më 17 nëntor do të jetë shfaqja nga Teatri “Migjeni” në Shkodër “Tartufi” me regji të Kushtrim Bekteshit.
Nga juria në përbërje të Fatmir Spahiut-aktor, Osman Ahmeti-aktor, Ben Apolloni-regjisor, do të ndahen 7 çmime për më të mirët e këtij festivali. Fotografitë: Krenar Halimi./ KultPlus.com