Presidentja Osmani në takim me ambasadorin gjerman: Kosova nuk nxiti apo krijoi tensione

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Në këtë takim, Presidenca thotë se Osmani ka theksuar se Kosova në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione.

Osmani, parafrazohet t’i ketë thënë ambasadorit gjerman se prezenca e forcave policore në veri të vendit është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, me të cilin biseduan   lidhur me situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri të vendit. Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës në asnjë rast nuk ka nxitur apo krijuar tensione dhe se prezenca e forcave policore në veri është në shërbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike për të gjithë qytetarët pa dallim. Sipas Presidentes Osmani Serbia nëpërmjet diskursit dhe veprimeve nxitëse, është duke tentuar ta destabilizojë veriun e vendit”, thuhet në komunikatën e Presidecës.

Më tej, thuhet se presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të realizuar reforma përmbajtësore në fushën e sundimit të ligjit, si parakusht për zhvillim të qëndrueshëm dhe avancim të mëtutjeshëm në procesin e integrimeve euroatliantike.

“Presidentja Osmani po ashtu ka uruar ambasadorin Rohde për procesin zgjedhor në Gjermani, duke theksuar se Republika e Kosovës është çdoherë e gatshme për thellim të bashkëpunimit me institucionet gjermane”, thuhet në komunikatë.

Sot gjatë ditës u raportua se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është qortuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për aksionin e Policisë së Kosovës në veri. Mirëpo këto lajme janë cilësuar si të pavërteta nga këshilltarja e Osmanit, Donjeta Miftari./KultPlus.com