Presidentja e Republikës së Kosovës është pritur sot në takim nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Në takim me presidentin Erdoğan, Presidentja Osmani, e shoqëruar edhe nga ministrja për punë të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla si dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, e ka falënderuar Turqinë për mbështetjen ndaj Kosovës në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe të shtetndërtimit. Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani ka marrë konfirmimin e Presidentit Erdoğan se Turqia e mbështetë anëtarësimin e Kosovës në NATO. Presidenti turk, poashtu ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë Kosovën edhe më tej në sigurimin e njohjeve të reja, për të cilën gjë ka premtuar angazhim personal.
Ndërkaq në takimin ndërmjet dy presidentëve, temë e bisedës ishte edhe aktualiteti politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.
Presidentja Osmani, duke u ndërlidhur me situatën në Ukrainë, ka theksuar se Kosova dënon agresionin ushtarak te Federatës së Rusisë ndaj Ukrainë. Sipas saj, Rusia dhe aleati i saj, Serbia synojnë ta destabilizojnë edhe Ballkanin Perëndimor, duke sfiduar dhe kërcënuar sovranitetin dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Prandaj, sipas Presidentes Osmani bota demokratike duhet me vendosmëri dhe me unitet t`i përgjigjet tendencave të Rusisë dhe Serbisë për destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, ka përsëritur se ky proces duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.
Në takimin ndërmjet të dy delegacioneve shtetërore janë diskutuar edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, shëndetësisë, këmbimit tregtar dhe ekonomik, turizmit etj. Poashtu janë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi në fushën e rinisë dhe sportit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Turqisë, një në fushën e pylltarisë dhe një memorandum mirëkuptimi për protokollin ndërmjet ministrive të Jashtme. / KultPlus.com