Zëvendëspresidentja e SHBA, Kamala Harris ka siguruar zyrtarisht shumicën e nevojshme të votave të mjaftueshme për të kandiduar për presidente e demokratëve.
”Harris mori 99% të rreth 4 500 votave të delegatëve”, njoftoi Partia Demokrate.
Harris arriti një shumicë pak pasi votimi u hap të premten, por votimi vazhdoi deri të hënën në mbrëmje.
Njoftimi nuk ishte i papritur, pasi asnjë kandidat tjetër nuk kishte hedhur kandidaturën në garën e PD.
Harris, emërimi i së cilës ende duhet të certifikohet zyrtarisht në konventën e partisë që do të nisë më 19 gusht, tani do të përballet me ish-presidentin e SHBA, Donald Trump, kandidat i Partisë Republikane./ atsh/ KultPlus.com
Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu dhe Kryeministri Albin Kurti do të priten në takim nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Në fokus të diskutimeve do të jetë thellimi i partneritetit bilateral Kosovë-SHBA në nivel strategjik, angazhimi i përbashkët në drejtim të adresimit të sfidave ndaj paqes dhe sigurisë në rajon dhe Evropë, si dhe mbështetja për Kosovën në sektorët strategjik.
Takimi me Sekretarin e Shtetit Blinken do të mbahet në një periudhë përcaktuese për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë, si dhe për kontinentin evropian e më gjerë si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Në takim, Presidentja Osmani do të kërkoj vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë edhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Ajo do ta informojë Sekretarin Blinken edhe për hapat të cilat i ka ndërmarrë Kosova në avansimin e rrugëtimit euroatlantik, si dhe për angazhimin aktiv të institucioneve të Kosovës në drejtim të zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit.
Me qëllim të hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit nën kornizën e partneritetit bilateral strategjik, do të diskutohet edhe për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, si dhe fusha të tjera të rëndësisë së veçantë. Takimi do të mbahet sot në Departamentin Amerikan të Shtetit në ora 16:30, sipas orës lokale në Uashington D.C., respektivisht në ora 22:30 sipas kohës së Kosovës./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në Tajlandë është takuar me kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha, me të cilin fokusi i bisedës ishte forcimi i marrëdhënieve ndërshtetërore.
Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin e Tajlandës për mbështetjen e këtij shteti ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar përkrahjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Në takim me Kryeministrin e Tajlandës, Presidentja ka theksuar se Kosova e sheh këtë shtet si aleat në këtë pjesë të botës, ndaj është e interesuar që edhe me ndihmën e saj të ndërtojë marrëdhënie miqësore me shtetet e Azisë Juglindore.
Presidentja Osmani në këtë takim ka prezantuar mundësinë dhe potencialin që ofron Kosova për investitorë të jashtëm, duke përmendur popullsinë e re dhe të arsimuar si asetin kryesor shtetëror.
Për ta lehtësuar bashkëpunimin ekonomik me këtë shtet, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën e marrëveshjes për mbrojtje të investimeve dhe atë për eliminimin e taksimit të dyfishtë. Në këtë kontekst, Presidentja është angazhuar për rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes së qytetarëve në mes të dy vendeve. / KultPlus.com
Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në takimin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri tek mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.
Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe sfidat gjeostrategjike si rezultat i agresionit rus në Ukrainë.
Po ashtu gjatë vizitës në Bruksel, Presidentja Osmani do ta takojë presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe krerë tjerë shtetesh partnere të BE-së për ta rritur mbështetjen për rrugëtimin evropian të Kosovës. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, me të cilin ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.
Kryeministri Trudeau ka përgëzuar Presidenten Osmani për mandatin që ka për të shtyer përpara shumë nga vlerat që kanë rëndësi për Kanadanë. Tutje, ai theksoi se qëndrimi i vendosur i Presidentes për demokracinë dhe kundër korrupsionit, pikëpamjet progresive qoftë për mjedisin apo për fuqizimin e grave, janë fusha në të cilat Kanada pret të punojë me Kosovën.
Presidentja Osmani ka potencuar shumë fusha në të cilat mund të hapen kapituj të ri të bashkëpunimit me Kanadanë, nga fusha e mbrojtjes e diplomacisë e deri tek tregtia e arsimi. Sipas saj, Kosova mund të përfitojë nga përvoja kanadeze, posaçërisht sa i përket përfshirjes së grave në vendimmarrje.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka falënderuar kryeministrin Trudeau për mbështetjen e Kanadasë ndaj Kosovës në periudha të ndryshme kohore. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani i ka vlerësuar si të shkëlqyeshme marrëdhëniet me Kanadanë dhe ka përmendur se në këtë frymë gjatë kësaj vizite ka dekoruar Forcat e Armatosura të Kanadasë me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontributin e tyre në kuadër të forcave të NATO-s, gjatë intervenimit në Kosovë, më 1999 si dhe për shërbimin e tyre në Kosovë mbi dy dekada.
Presidentja Osmani mori mbështetjen e kryeministrin kanadez për përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe për procesin e njohjeve, duke theksuar se synimi i Kosovës është integrimi në strukturat euro-atlantike. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova po zbaton reforma gjithpërfshirëse, të cilat synojnë forcimin e rendit dhe ligjit, por edhe krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të huaja dhe për krijimin e vendeve të reja të punës.
Duke folur për gjendjen aktuale në rajon, Presidentja Osmani ka theksuar se diskursi nxitës nga Serbia i mbështetur edhe nga shtrirja e ndikimit rus në rajon, paraqesin rrezik potencial për destabilizim të rajonit dhe janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike. /KultPlus.com
Vjosa Osmani-Sadriu edhe zyrtarisht ka pranuar detyrën e presidentes së Kosovës, dy ditë pasi u votua në Kuvend.
Në njoftimin e Presidencës është bërë e ditur paraprakisht se nuk do të ketë ceremoni të inaugurimit për shkak të situatës me pandeminë, porse Osmani do të vazhdojë me aktivitete gjatë tërë ditës.
Vjosa Osmani-Sadriu ka marrë postin e të parës së shtetit të dielën. / KultPlus.com
Kreu i Shtetit të Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar Vjosa Osmanin, e cila u zgjodh Presidente e Kosovës. Në një mesazh urimi, Meta shprehet i bindur se Osmani me përkushtim të lartë do t’i shërbëje unitetit të gjithë qytetarëve.
Po ashtu, Meta shprehet i gatshëm për bashkëpunim të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Urimet më të sinqerta Vjosa Osmanit me rastin e zgjedhjes në detyrën tepër të rëndësishme të Presidentes së Republikës së Kosovës.
Jam i bindur se Presidentja Osmani, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, do t’i shërbejë me përkushtim dhe përgjegjshmëri të lartë unitetit mes të gjithë qytetarëve, frymës së konsensusit, dialogut, forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe marrëdhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes dy vendeve tona.
Si President i Republikës së Shqipërisë shpreh gatishmërinë time të plotë për bashkëpunim të ngushtë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike, ekonomike dhe kulturore, në interes të qytetarëve tanë dhe përshpejtimit të proceseve të integrimit në Bashkimin Europian, të Shqipërisë dhe të Kosovës”, shkruan Meta në Facebook. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se është nder i madh për të që me vullnetin e qytetarëve të drejtohet në cilësinë e presidentes.
Ajo ka thënë se ky post i veshë me shumë përgjegjësi.
Osmani ka thënë se dashuria për Kosovën është motivimi më i madh.
“Sot është dita e Kosovës, dita juaj, ditë në te cilën vullneti juaj qytetarë po plotësohen dhe institucionet po konstatohen plotësisht. Po e vulosin njëri ndër shembujt më të mirë të funksionimit të demokracisë. Sot është dita kur dëshmojmë se me urti dimë t’i përballojmë sfidat e t’iu japim kuptim. Sot Kosova e zgjodhi edhe një presidente grua, vajzat e kane vendin vetëm ku ato vet dëshirojnë. Mos u ndalni, mos e ndalni hapin tuaj kurrë. Çdo ëndërr e juaja mund të bëhet realitet”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se institucionet po e reflektojnë historinë e larmishme por ka edhe shumë punë përpara.
Ajo ka thënë se nuk ka nevojë të shihet as pas kësaj salle për t’i kuptuar sakrificat e popullit,
Presidentja Osmani ka përmendur deputeten Vasfije Krasniqin duke thënë se ajo është forca e dhimbja e përbashkët.
“Në Qeveri sot kemi ministra që kanë mbijetuar masakrën e Dubravës e na tregojnë që i bëjmë ballë çdo sfide. Në krye të Qeverisë është kryeministri ynë, një ish-i burgosur politik. Secili nga ta e shumë të tjerë në këtë sallë që dhanë më të shtrenjtit e tyre, sot shpërfaqin një faqe të re të historisë së Kosovës. Bashkë të gjithë ne e kemi kthyer dhimbjen në fuqi për bashkëveprim të qytetarëve tanë. Ne jemi fëmijët e prindërve që çdo ditë u zgjuan e ranë në gjumë me brengen se si do t’i rrisnin fëmijët e si do t’i ushqenin familjet. Prandaj sot të gjithë shprehim mirënjohjen e thellë ndaj gjeneratës tonë. Sot Kosova rishtas po e jep shembullin e demokracisë”, ka thënë ajo, duke përmendur edhe ish-presidentin Ibrahim Rugova.
Ajo ka thënë se historia jonë është histori e përkushtimit.
Osmani ka shtuar se duhet kujtuar trimëria e jashtëzakonshme dhe sakrifica e Adem Jasharit dhe secilit ushtar, dëshmorë e hero që sakrifikuan për vendin.
Ajo tutje ka përmendur edhe ushtarët që janë nisur në misionin e parë jashtë vendit.
“Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë është ushtria me besimin më të madh qytetar. Historia jonë krahas dhimbjes është histori i ngadhënjimit mbi të keqen, ne do t’u jemi mirënjohës atyre që u rreshtuan krah Kosovës. Ata duhet të qëndrojnë pranë nesh në mbrojtjen e vlerave të demokracisë. Në mesin e aleatëve të shumtë janë tri shtylla, SHBA, BE-ja dhe Republika e Shqipërisë. Si presidente e Kosovës, shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë politikanët të ndërtojmë frymën e bashkëpunimit e tolerancës”, ka thënë ajo.
Osmani ka thënë se ajo udhëhiqet nga vullneti i qytetarëve.
Ajo ka thënë se drejtësia nuk do të arrihet derisa kriminelët serbë të vihen para drejtësisë.
Ajo ka thënë se dialogu është rruga përpara porse ai duhet të jetë i drejtë dhe i barabartë.
Osmani ka thënë se sfida me pandeminë është ajo që duhet pasur prioritet.
“Në këtë sfidë fitorja e suksesi nuk është vetëm e njërës palë. Kemi humbur shumë jetë njerëzish e të tjera mund t’i humbim”, ka thënë ajo.
Osmani tutje ka falënderuar të gjithë deputetët përfshirë edhe LDK-në për mbështetjen që i kanë dhënë.
“Zotohem se do të punoj për fuqizimin e shteti, sundimin e ligjit, se do të mbrojë çdo pëllëmbe të vendit. Do të jem presidentja e të gjithëve. Nuk jemi shumë për t’u ndarë në ne dhe ata. Dera ime do të jetë e hapur për të gjithë, nuk do të ketë parti nga pozita dhe parti nga opozita”, ka thënë ajo. / KultPlus.com
Sot, në seancën e jashtëzakonshme të qeverisë së Kosovës për zgjedhjen e presidentit të vendit, Vjosa Osmani u emërua presidente, përcjell KultPlus.
Ajo bëri edhe betimin e presidentes para deputetëve të Republikës së Kosovës.
Betohem se tërë fuqinë time do të ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës .. Sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryejë të gjitha detyrimet e mija. Betohem! / KultPlus.com
Sot, në seancën e jashtëzakonshme të qeverisë së Kosovës për zgjedhjen e presidentit të vendit, Vjosa Osmani u emërua presidente, përcjell KultPlus.
Vjosa paraprakisht ka qenë Ushtruese e Detyrës së Presidentes, ndërkaq në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, Osmani ka qenë deputetja më e votuar në historinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Osmani u zgjodh në raundin tretë që ishte final për përcaktimin e presidentit të ri të vendit.
Në raundin e tretë të votimit mori pjesë edhe Adelina Grainca, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës.
Ajo është e vetmja deputete nga kjo parti e pranishme në sallë. Gjatë seancës, ajo u ulë në pjesën ku ulen deputetët e LVV-së.
Në raundin e dytë morën pjesë 82 deputetë. Vjosa Osmani mori 67 deputetë dhe kundërkandidati i saj Nasuf Bejta fitoi katër vota. Njëmbëdhjetë vota ishin të pavlefshme.
Ndërkaq, në raundin e parë Osmani fitoi 69 vota, 12 vota ishin të pavlefshme. / KultPlus.com
Ish Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, sot ka qëndruar në Festivalin e Filmit – DokuFest, i cili ka disa ditë që po mbahet në Prizren dhe i ka dhënë qytetit si gjithmonë një tjetër frymë.
“Sonte ne Dokufest, në këtë ngjarje kulturore që sjellë fansat e kinematografisë nga e gjithë bota në Prizren. Këtë herë në mbështetje të fuqishme për porosinë “E ardhmja është vajzë”.” ka shkruar Atifete Jahjaga në rrjetin social Facebook dhe ka postuar fotografitë nga vizita e saj në Dokufest. / KultPlus.com