Presidentja Osmani uron Presidentin Biden për 4 korrikun: Lidhja midis dy kombeve tona është krijuar në disa prej ditëve tona më sfiduese

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu e ka uruar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph R. Biden Jr, me rastin e 4 korrikut.

Në vijim gjeni të plotë urimin e Presidentes Osmani:

I Nderuari Joseph R. Biden Jr.                                  
President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

I nderuar President Biden,

Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, ju shpreh urimet e mia më të ngrohta për ju dhe popullin amerikan me rastin e festimit të 4 Korrikut. Ne bashkohemi me ju dhe miqtë e Shteteve të Bashkuara në mbarë botën për ta festuar këtë ditë të gëzueshme.

Ndërsa shumë gjëra kanë ndryshuar në rrjedhën e historisë, vendosmëria dhe shpirti i palëkundur i Etërve Themelues për të drejtuar Shtetet e Bashkuara për t’u bërë fuqia më e madhe demokratike, ekonomike dhe ushtarake e botës ka mbetur e pranishme në të gjithë botën. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një fanarë shprese dhe mbrojtësi më i vendosur i idealeve tona të përbashkëta të demokracisë dhe lirisë.

Në këtë kohë kyçe për botën tonë dhe për idealet tona të fituara me mund, ne vlerësojmë qasjen tuaj parimore dhe mbështetjen tuaj të palëkundur për unitetin dhe sigurinë në Evropë, pasi kontinenti ynë përballet me një nga sfidat më të mëdha dhe më shkatërruese të kohës sonë.

Shtëpia e të lirëve dhe e trimave është sot një mbrojtës global i paqes dhe lirisë, dhe një vend shprese e rehatie për njerëzit në mbarë botën që besojnë në të njëjtin vizion për të ardhmen. Ne shikojmë drejt jush dhe jemi gati t’u mbështesim në mbrojtjen e vlerave në të cilat ne dhe njerëzit tanë besojmë.

Lidhja midis dy kombeve tona është krijuar në disa prej ditëve tona më sfiduese dhe është forcuar gjatë ditëve tona më të mira. Gjatë dekadave të fundit, vendet tona jo vetëm që janë forcuar, por edhe jemi rritur së bashku. Në veçanti, populli i Republikës së Kosovës është mirënjohës për mbështetjen tuaj personale dhe të vazhdueshme, ndaj ne vazhdojmë të llogarisim tek ju, përderisa ecim përpara në rrugën tonë të qëndrueshme drejt integrimit në strukturat euroatlantike dhe në strukturat e tjera ndërkombëtare që promovojnë vizionin tonë të përbashkët dhe qëllimet.

Sot populli i Kosovës feston përkrah miqve dhe aleatëve tanë amerikanë dhe flamujt tanë valëviten me krenari krah për krah. Më lejoni t’u shprehë përsëri urimet tona më të mira për këtë ditë të veçantë dhe t’u uroj juve dhe popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gëzuar 4 Korrikun.

Ju lutem, zoti President, pranoni shprehjen e vlerësimit tim më të lartë për ju dhe vendin tuaj.

Sinqerisht,

Vjosa Osmani Sadriu
Presidente e Republikës së Kosovës . /KultPlus.com

Rusia ka vendosur sanksione ndaj presidentit Biden

Rusia ka vendosur sanksione ndaj presidentit amerikan, Joe Biden, ka thënë Ministria e Jashtme ruse.

Sanksionet do të aplikohen për Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, Këshilltarin amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan dhe shefin e CIA-s, William Burns.

Ministria ka thënë se edhe të tjerë do të preken nga sanksionet./REL/ KultPlus.com

Joe Biden për ditën e pavarësisë: Kosova zë një vend të veçantë në zemrat e familjes Biden

Sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Presidentja Vjosa Osmani ka ndarë urimin e Presidentit Joe Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës, përcjell KultPlus.

Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Po ashtu, ai në urimin e tij ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë.

“Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka thënë Osmani.

KultPlus ua sjell postimin e saj të plotë:

Jam e lumtur ta ndaj me ju urimin e Presidentit Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës.

Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Sipas tij, në Samitin për Demokraci, Kosova ka dëshmuar se është e gatshme ta ndajë përvojën me shtete të tjera, ndaj thekson se gjatë këtij viti Kosova vazhdimisht ka treguar lidership në arenën ndërkombëtare. Në urimin e tij, Presidenti Biden ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë.

Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me ShBA-të! / KultPlus.com

Biden: Bota përballet me dekadë vendimtare

Në fjalimin e tij të parë në Kombet e Bashkuara, presidenti amerikan, Joe Biden, u zotua për bashkëpunim me aleatët gjatë, siç tha, “një dekade vendimtare për botën tonë”.

Garancitë e tij vijnë në kohën e tensioneve për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani dhe të një grindjeje të madhe diplomatike rreth një marrëveshjeje të re të sigurisë midis SHBA-së, Britanisë dhe Australisë.

“Unë besoj se ne duhet të punojmë së bashku si kurrë më parë”, tha Biden para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Asambleja e 76-të po zhvillon punimet në Nju Jork, në sfondin e krizës klimatike dhe të pandemisë së koronavirusit.

Të dyja çështjet i kanë thelluar ndarjet midis aleatëve, por Biden bëri thirrje për bashkëpunim, duke thënë se “suksesi ynë është i lidhur edhe me suksesin e të tjerëve”.

Duke folur për tensionet e vazhdueshme midis SHBA-së dhe Kinës, Biden tha se vendi i tij “nuk po përpiqet për një Luftë të re të Ftohtë ose një botë të ndarë”.

Por, ai u zotua se SHBA-ja do ta mbrojë “me forcë” veten dhe aleatët e saj.

Biden gjithashtu e mbrojti vendimin për tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani, duke thënë se “fuqia ushtarake duhet të jetë zgjidhja jonë e fundit”./KultPlus.com

Nesër mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për djalin e presidentit Biden

Nesër do të mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden, nën organizimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Me anë të një njoftimi të Presidencës thuhet se se kjo ceremoni do të fillojë nga ora 18:30.

Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti do t’iu drejtohet Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Mediat e interesuara për përcjelljen e ceremonisë duhet të jenë të pranishme në orën 17:45, në Presidencë. / KultPlus.com