Thaçi dekoron albanologët nga Kalabria dhe Sicilia

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, ka nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave albanologët nga Kalabria dhe Sicilia.

Françesko Altimari, Matteo Mandala dhe profesorin nga Prishtina, Anton Nik Berisha janë nderuar nga presidenti për kontributin e dhënë në fushën e studimeve albanologjike.

“Kontributi i tyre në fushën e historisë dhe letërsisë shqipe, në studimet gjuhësore dhe aspektet e tjera studimore është vlerë sa teorike aq edhe kulturore”, është shprehur presidenti.

Sipas Thaçit, studimet e tyre çojnë te emëruesi i përbashkët se, pavarësisht nga hapësira, vendi dhe koha, letërsia dhe gjuha shqipe e kanë identitet, integritet dhe vitalitet. / KultPlus.com

FRANCE 3, në vitin 1989: “Vetëm Rugova rrezikoi të fliste me ne” (VIDEO)

Fmimages.net publikon për herë të parë intervistën e parë të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, atëherë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, dhënë kanalit FRANCE 3, në prill të vitit 1989.

Kur askush nuk merrte guximin për të folur për represionin serb në Kosovë, gazetari francez thotë: “Vetëm një shqiptar i Kosovës e pranoi rrezikun për të folur me ne, dhe ai ishte Ibrahim Rugova”.

Ibrahim RUGOVA: “Mund t’ju them se është shumë e vështirë, sepse ekziston gjithashtu një shtypje psikologjike, një atmosferë arrestimesh. Edhe unë vetë, personalisht, nuk ndihem i sigurt. Unë jam për një autonomi më të madhe. Ata na thonë për shembull se ‘ju nuk keni të drejtën për të patur një republikë, sepse tashmë ekziston një shtet kombëtar shqiptar dhe nuk ka pse të ketë dy shtete shqiptare’, e të tjera, çka për mua janë arsye banale.”

Gazetari francez: A dëshironi të jetoni në Shqipëri?

Ibrahim RUGOVA: Jo, sepse unë kam lindur në Kosovë, jam autokton këtu dhe do të jetoj këtu.