Frascineto, një nga katundet më të bukur arbëresh të Kalabrisë

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës zyrtare disa ditore që po zhvillon në komunat e banuara nga arbëreshët në Kalabri ishte edhe në Frascineto, një nga katundet më të bukur arbëresh të Kalabrisë.

Meta u shpreh se në Frascineto spikat mikpritja tradicionale shqiptare dhe prej shekujsh trashëgohen gjuha, traditat, zakonet, veshjet, ritet fetare dhe kultura e “Motit të Madh” të Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

“Mirënjohje Arbëreshëve tanë të dashur dhe autoritetet të larta vendore dhe rajonale për pritjen e veçantë, që më nderon”, tha Meta.

“Të marrim forcë nga rrënjët tona shumë të forta, për të fituar të gjitha sfidat e së ardhmes!”, theksoi Meta. /atsh/ KultPlus.com

Presidenti Meta: Të dyfishojmë përpjekjet që trashëgimia kulturore arbëreshe të jetë pjesë e UNESCO-s

Presidenti Ilir Meta gjatë vizitës zyrtare disa ditore që po zhvillon në komunat e banuara nga arbëreshët në Kalabri u prit nga Ipeshkvi i Eparkisë së Ungrës, Hirësia e Tij Donato Oliverio në Katedralen e Civita.

Meta u shpreh se, pati gjithashtu kënaqësinë e veçantë të merrte pjesë në meshën e shenjtë të Javës së Madhe të Pashkës.

“Mirënjohje të thellë për veprimtarinë e çmuar të Hirësi Oliverio në mbështetje të bashkësisë Arbëreshe në Itali, në veçanti për përpjekjet e Tij të pareshtura në ruajtjen dhe përcjelljen e riteve fetare dhe të traditave kishtare në gjuhën e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, theksoi Meta.

“Të dyfishojmë përpjekjet tona që trashëgimia kulturore Arbëreshe, “Moti i Madh”, të jetë pjesë e UNESCO-s, sepse është një pasuri unike jo vetëm për Shqipërinë dhe Italinë, por edhe për Europën dhe botën”, nënvizoi Meta./atsh/ KultPlus.com

Nën moton “Gra që Frymëzojnë”, Edita Tahiri vlerësohet me Titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot ka vlerësuar me mirënjohje për të gjithë angazhimin dhe përkushtimin e dëshmuar për forcimin e familjes, shoqërisë, por edhe të kombin tonë, Edita Tahirin, me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, përcjell KultPlus.

Edita Tahiri është një personalitet shumë i njohur, që prej dekadash kontribuon për çështjet madhore, siç ka qenë liria dhe e Pavarësisë së Kosovës.

Në kushtet e një represioni dhe një gjenocidi të jashtëzakonshëm dhe jo vetëm kaq, por edhe sot ajo vijon të jetë një zë i fuqishëm, aktiv dhe përfaqësues, me një angazhim të vazhdueshëm edhe si Kryetare e Lobit Rajonal të Grave të Europës Juglindore, duke spikatur në përkrahjen e barazisë gjinore, fuqizimin e grave dhe integrimin e tyre në vendimmarrje.

“Në shembullin e saj të angazhohemi dhe të bashkojmë të gjitha forcat për fuqizimin e mëtejshëm të rolit të vajzave dhe grave, për të ndërtuar një shoqëri sa më përfshirëse, më të drejtë, më humane dhe pa konflikte”, ka shkruar Meta.

Ai është shprehur të jetë i lumtur, që nën moton “Gra që Frymëzojnë” të festohet sot, në Institucionin e Presidentit, Dita Ndërkombëtare e Gruas, së bashku me shumë zonja të nderuara nga të gjitha trevat shqiptare, që kanë spikatur dhe lënë gjurmët e tyre në fusha të ndryshme të jetës, duke u kthyer në shembuj frymëzimi për shumë gra dhe vajza. / KultPlus.com

Presidenti Meta: Kosova sa më parë në NATO, një përgjigje në të mirë të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se ka takuar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, përcjell KultPlus.

“Ritheksuam sa jetike janë vizioni i përbashkët dhe vlerat euro-atlantike që ndan Shqipëria dhe Kosova në këto momente sfidash rajonale, europiane dhe botërore”, ka shkruar Meta.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Si gjithmonë, shumë i lumtur të takohesha në Maltë me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe të shkëmbenim opinione mbi marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve dhe vullnetin për t’i pasuruar ato më tej.

Ritheksuam sa jetike janë vizioni i përbashkët dhe vlerat euro-atlantike që ndan Shqipëria dhe Kosova në këto momente sfidash rajonale, europiane dhe botërore. Kosova sa më parë në NATO, një përgjigje në të mirë të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit. / KultPlus.com

Presidenti Meta letër Kuvendit: Të krijohet dekorata shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”

Presidenti Ilir Meta i kërkoi Kryetares së Kuvendit Lindida Nikolla, kryetarëve të grupeve parlamentarë dhe deputetëve të Kuvendit për të bërë të mundur krijimin e dekoratës së lartë shtetërore “Mbretëresha Geraldinë”.

Në letrën e drejtuar Kuvendit, Meta, argumentoi se viti 2022 shënon 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe 20-vjetorin e rikthimit në atdhe të familjes mbretërore shqiptare.

Kjo dekoratë do të jetë vlerësim dhe mirënjohje për Mbretëreshën Geraldinë, e cila e deshi Shqipërinë dhe iu përkushtua, gjatë gjithë jetës së saj, me dashuri e pasion. Dekorata e lartë “Mbretëresha Geraldinë” do t’u dedikohet kryesisht, grave dhe vajzave shqiptare dhe të huaja, që me dashuri e pasion japin kontribut dhe promovojnë vendin tonë dhe vlerat e tij historike e kulturore, trashëgiminë tonë të pasur e të çmuar dhe përkatësinë tonë të fortë europiane. Jam i bindur që kjo dekoratë e lartë do të rrisë, njëkohësisht, ndërgjegjësimin e shoqërisë sonë, mbi rolin thelbësor e të pazëvendësueshëm të grave e vajzave shqiptare, për sakrificat, përkushtimin dhe dedikimin e tyre ndaj familjes dhe shtresave më në nevojë dhe për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shoqërisë dhe të vendit tonë. Propozoj që Dekorata “Mbretëresha Geraldinë” t’u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja, kryesisht grave dhe vajzave, kontributi dhe shërbimet e shquara të të cilave, lartësojnë rolin e kombit dhe të gruas shqiptare brenda dhe jashtë vendit, nën moton e Mbretëreshës Geraldinë “Detyrë dhe Dashuri”, shprehet Meta./ KultPlus.com

Presidenti Meta dekoron personalitete të trevës së Durrësit

Me anë të një ceremonie të veçantë të zhvilluar në qytetin e Durrësit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot disa personalitete të shquara në fusha të ndryshme të kësaj treve.

Presidenti Meta dekoroi me titullin “Mjeshtër i Madh” Mihal Mukën me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të shquar në fushën e shëndetit publik, të humanizmit dhe punës së palodhur në shërbim të qytetarëve durrsakë. Me mirënjohje për aftësitë e larta profesionale si mjek epidemiolog, botues shkencor e pedagog, si dhe për vlerat e spikatura intelektuale dhe qytetare”.

Po ashtu u vlerësua sipërmarrësi Nazif Tivari me motivacionin: “Në vlerësimin të kontributit të shquar në shërbim të konsumatorit shqiptar me prodhimet e qumështit, si dhe ato të përpunuara prej tij. Me mirënjohje sipërmarrësit model, të përpiktë në marrëdhënie më punonjësit, si dhe me aftësi të spikatura organizative e me vizion bashkëkohor në industrinë e agrobiznesit”; valltarin Ibrahim Roçi: “Në vlerësim të talentit të spikatur në interpretimin e valleve tradicionale, për kontributin në lartësimin e kulturës popullore e folklorit të trevës së Kavajës, si dhe në formimin dhe përgatitjen artistike të mjaft valltarëve të rinj”.

Me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës vlerësoi Alfred Golgotën me motivacionin: “Me mirënjohje për shërbimin e çmuar dhe kontributin në dobi të interesit të qytetarëve, institucioneve të ruajtjes së rendit publik, si dhe vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare”.

Me titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti Meta, vlerësoi edhe Enver Qerimin me motivacionin: “Në vlerësim të cilësive të spikatura si violinist i talentuar, për virtuozitetin  në interpretimin me teknik të lartë dhe emocion të shumë  koncerteve me repertor të pafund nga muzika popullore, deri në pjesët më të njohura të muzikës instrumentale shqiptare e botërore për violinë e piano”. / KultPlus.com

Presidenti Meta viziton kishën e Leusës në Përmet

Presidenti Ilir Meta vizitoi kishën e Leusës, e cila ndodhet në jug të Përmetit, nga ku lugina e Vjosës duket si në pëllëmbë të dorës.

Meta ndau pamje nga vizita në këtë kishë, ndërsa u uroi të gjithë shqiptarëve festa të gëzuara.

“Sipas traditës, ndeza një qiri, për t’ju bashkuar lutjeve tuaja në këtë sezon festash për më shumë shëndet, mbarësi e gëzime në çdo familje shqiptare! Të keni bekimet e Zotit!”, shprehet Meta.

E ndërtuar në shekullin XVII, me afreske dhe gdhendje unike druri të punuara mjeshtërisht, kisha mban emrin e së Tërëshenjtës Mari dhe i kushtohet Fjetjes së saj.

Kjo kishë është një atraksion i jashtëzakonshëm për turistët vendas dhe të huaj, një monument i rrallë i trashëgimisë tonë kulturore, që nuk duhet lënë pa u vizituar./atsh/KultPlus.com

Çmimi “Mjeshtër i Madh” për këngëtarin David Tukiçi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” kompozitorin dhe dirigjentin e shquar shqiptar David Tukiçi, me motivacionin: “Në vlerësim të meritave dhe kontributeve të vyera si këngëtar, muzikant dhe dirigjent orkestre, i cili ka krijuar me cilësi të lartë shumë vepra artistike, duke u vlerësuar si në vendin tonë, ashtu edhe në skenat ndërkombëtare. Me mirënjohje për veprimtarinë e tij artistike si një nga kompozitorët e rrallë të muzikës klasike dhe asaj të bazuar në motivet tradicionale shqiptare.”

Në fjalën e tij drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të artit të pranishëm në ceremoninë e dekorimit,  Meta u shpreh se, “Tukiçi e ka në ADN muzikën dhe artin. Djali i tenorit të famshëm Ibrahim Tukiçi, atij ju injektua dashuria për artin, nga babai i tij artist, që në fëmijëri”.

“Karriera artistike e Davidi nisi në moshën 4-vjeçare, kur u ngjit në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në rolin e ‘Pinkertonit’ të vogël, përkrah babait të tij. Vetëm 14 vjeç, Davidi bëhet protagonist dhe i famshëm, si këngëtari i parë i vogël, që fitoi çmimin e parë në festivalin e 8-të të Këngës në Radio-Televizion, në një festival për të rritur”, tha Meta.

“Në fakt, brezi ynë e kujton me mall këngën hit, të kënduar nga Davidi ‘Dhuratë për ditëlindje’ ose, siç e njohim të gjithë, ‘Globi rrotullohet’.  Po në moshën 14-vjeçare, Davidi eksperimenton në një tjetër fushë të artit, në kinema, me rolin e Ilirit të vogël në filmin ‘Njësiti guerril’”, u shpreh Meta.

Por, shtoi Meta, “muzika mbeti dashuria e parë e Davidit dhe ai iu përkushtua studimit të pianos në Liceun Artistik, ndërkohë që ra në sy talenti i tij i madh në kompozim. Ky talent e çoi të konkurronte për kompozicion në ‘Institutin e Lartë të Arteve’.  Fati deshi, që studimet e tij 5-vjeçare në kompozicion, t’i kryente nën drejtimin e kompozitorit të jashtëzakonshëm shqiptar të shekullit XX, profesor Çesk Zadeja”.

“Fillimet e karrierës së tij, Davidi i ka në shtëpinë e kulturës në Krujë, ku i frymëzuar nga motivet e bukura popullore krutane, kompozon veprën ‘Rapsodi për violinë e orkestër’, e cila u vlerësua me çmim të parë, në Dekadat e Majit. Davidi kompozon dhe këndon, me pasion. Përkushtimi dhe talenti i tij sjellin edhe emërimin në Radio Televizionin Shqiptar.  Kompozimet e tij për orkestrën simfonike i sjellin shumë çmime në aktivitete kombëtare. Ashtu si edhe shumë këngë të muzikës së lehtë të kompozuara nga Tukiçi, bëhen fituese të çmimeve të para në festivale dhe hite të muzikës sonë të lehtë “, theksoi Meta.

“Ndryshimi i sistemit solli edhe largimin e David Tukiçit në Itali, ku ai ku vazhdoi të kultivojë me pasion profesionin e tij, si një ambasador i shkëlqyer i artit shqiptar. Dëshira për të studiuar është një nga karakteristikat që e ka dalluar David Tukiçin gjatë gjithë jetës.  Ai vazhdoi të studiojë edhe në Itali, ku iu njoh titulli ‘Kompozitor’, ashtu siç perfeksionoi studimet e tij, për kompozitor dhe dirigjim në Paris, ku u diplomua për ‘Dirigjent Orkestre Simfonike’. Kontributi dhe vlerat e David Tukiçit u njohën dhe vlerësuan edhe nga shteti Italian dhe Presidenti i Republikës italiane Scalfaro, i cili i akordoi Titullin ‘Qytetaria Italiane’, për kontributin e tij, në përhapjen e kulturës muzikore në Itali”, u shpreh Meta.

“Me gjithë vlerësimet e mëdha të marra jashtë atdheut, zemra e Davidid rrihte për Shqipërinë, ku edhe u rikthye si kompozitor i afirmuar, për të dirigjuar, në vitin 2010, veprën e tij të parë operistike, në Teatrin e Operas dhe Baletit. Puna e tij si Drejtor Artistik i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar solli një frymë të re europiane, si në programacion edhe në përzgjedhjen e repertorit dhe të solistëve, për të vazhduar më tej, me punën në Radio Tirana, ku kontributi i zoti David Tukiçi vazhdon të mbetet i qenësishëm”, tha Meta.

“Duke e falënderuar përzemërsisht për gjithë këtë punë të jashtëzakonshme të bërë ndër vite, mbetemi në pritje gjithashtu, të shfaqjes së operës së dytë të David Tukiçit, ‘Rozafa’, me libret të dramaturgut të mirënjohur shkodran Fadil Kraja, një vepër që jam i bindur do të jetë përsëri një sukses. Në mirënjohje të veprimtarisë së vyer artistike si këngëtar, muzikant, dirigjent orkestre dhe si një nga kompozitorët më të shquar të muzikës klasike, vlerësoj sot, zotin David Tukiçi, në praninë tuaj, me titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’”, përfundoi Meta. / KultPlus.com

Presidenti Meta dekoron me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” historianin e shquar shqiptar, Marenglen Verli

Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” historianin e shquar shqiptar dhe akademikun Marenglen Verli.

“Në vlerësim të veprimtarisë së shquar në studimin dhe promovimin e historisë dhe kulturës sonë kombëtare, veçanërisht asaj të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare. Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet dhe meritat e veçanta shkencore dhe akademike në drejtimin e institucioneve studimore dhe albanologjike të vendit tonë.”

Në fjalën përshëndetëse drejtuar akademikëve, profesorëve dhe personaliteteve të pranishëm, Presidenti Meta e cilësoi një figurë të njohur të fushës së studimeve historike, akademikun e shquar, Marenglen Verli.

Sipas presidentit Meta, vlerësimi i tij, nuk është rastësor, por bëhet në kuadër një  momenti të rëndësishme të këtyre ditëve që lidhet me nisjen e edicionit të dymbëdhjetë të ‘Ditëve të Albanologjisë’, organizuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, institucion ku zoti Verli ka qenë drejtues.

“’Ditët e Albanologjisë’ janë një finalizim dhe promovim i punës së përbashkët të instituteve të Akademisë së Studimeve Albanologjike, në fushat e arkeologjisë, gjuhësisë e letërsisë, historisë, antropologjisë dhe kulturës popullore. Kontributi i tyre merr vlera të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare, duke shërbyer si shtyllë referimi për studime të mëtejshme të albanologëve vendas dhe të huaj”, tha Meta.

Verli është një nga studiuesit dhe historianët tanë, më të njohur me një kontribut mbi 4 dekada, në studimin dhe promovimin e historisë dhe të kulturës sonë kombëtare.

Jeta e tij ka qenë e lidhur me studimet shkencore, botimet dhe mësimdhënien, që pas përfundimit të studimeve pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë.

Krijimi i departamentit të ri ‘Sektori i Historisë së Kosovës’, pranë Institutit të Historisë në Akademinë e Shkencave në vitin ’79, solli edhe përfshirjen e Marenglen Verlit në të dhe profilizimin e tij, si specialist i historisë së Kosovës dhe viseve shqiptare në ish-Jugosllavi, kryesisht në periudhën e shekullit të 20-ë, e më tej edhe në historinë e rajonit.

Për katër dekada, akademiku Verli ju përkushtua formimit e kualifikimit të tij si studiues. Pjesëmarrja e tij në dhjetëra konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, ashtu si edhe prania e vazhdueshme në median e shkruar e vizive kanë qenë një pjesë e rëndësishme e punës së tij të madhe.

Meta u ndal edhe në kontributin e Verlit në shumë emisione televizive e radiofonike, veçanërisht për bashkatdhetarët në periudhën e luftës në Kosovë; drejtimin për shumë vite të departamentit të Historisë së Kosovës; drejtimin për 3 vite të Instituti të Historisë dhe, së fundmi, drejtimin për 5 vite të Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Vlen të përmendet gjithashtu, kontributi i Verlit, si një nga nismëtarët e përfshirjes së historisë, gjeografisë, arsimit e kulturës të viseve shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.

Ashtu si vlen të përmendet edhe impenjimi i tij i vazhdueshëm, si titullar lënde, në disa universitete të vendit dhe kontributi i tij, në formimin e brezave më të rinj të historianëve. / KultPlus.com

Presidenti Meta pret artisten Anna Stratigò: Ambasadore e kulturës arbëreshe në botë

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim artisten Anna Stratigò. Meta e cilësoi atë një ambasadore e vërtetë e kulturës arbëreshe në botë.

“I lumtur të takoja artisten e shquar Anna Stratigò, ambasadore e vërtetë e kulturës arbëreshe në botë, këngët e së cilës janë duartrokitur në shumë skena prestigjioze ndërkombëtare, duke prezantuar denjësisht jo vetëm muzikën, por edhe kostumet dhe traditat e mrekullueshme arbëreshe”, tha Meta.

Artisja do të jetë e ftuar në një program televiziv në vend për festat e fundvitit, dhe kreu i shtetit thekson se Anna vjen nga një familje e shquar arbëreshe, në Lungro të Kalabrisë, që prej 15 brezash trashëgon me dashuri gjuhën, kulturën, traditat dhe kostumet tradicionale arbëreshe.

“Anna vjen nga një familje e shquar arbëreshe, në Lungro të Kalabrisë, që prej 15 brezash trashëgon me dashuri gjuhën, kulturën, traditat dhe kostumet tradicionale arbëreshe. Gjyshi i saj, Vincenzo Stratigò ishte poet revolucionar arbëresh i lidhur me Rilindjen tonë Kombëtare dhe mik i Garibaldit. Poezitë e tij me tema atdhetare, shoqërore e dashurie dëshmojnë, jo vetëm për një vetëdije të mprehtë sociale por edhe dashurinë e madhe dhe krenarinë e të qenit Arbëresh, siç e dëshmojnë disa nga vargjet e poemës së tij ”Sono Albanese” (“Jam shqiptar”) shkruar në vitin 1857″, u shpreh Meta./atsh/KultPlus.com

Presidenti Meta poston foton me nipin e Ibrahim Rrugovës

Presidenti Ilir Meta ka uruar shqiptarët për festën e 28 Nëntorit, 109 vjetori i Pavarësisë.

Meta ka postuar një foto me Lekën, nipin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, teksa u uron shqiptarëve gëzuar festën.

“Të dashur miq, Së bashku me Lekën, nipin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ju urojmë të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen: Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar! ” shkruan Meta në postimin e tij. / KultPlus.com

“Nderi i Kombit” ndahet për gazetarin dhe publicistin Ferdinand Samarxhi

Presidenti i Republikës, Ilir Meta me propozimin e të gjithë krerëve të bashkësive fetare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, vlerësoi sot gazetarin dhe publicistin e mirënjohur Ferdinand Samarxhi, me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

Me anë të një ceremonie të veçantë solemne, ku ishin të pranishëm krerët e të gjitha bashkësive fetare, akademikë, profesorë, gazetarë, sipërmarrës, bamirës e shumë personalitete të tjera, Kreu i Shtetit i akordoi vlerësimin e lartë me motivacionin: “Për punën gjysmëshekullore plot përkushtim të rrallë, me dinjitet e integritet, për pasqyrimin e realiteteve të kohës, sfidave të saj. Njeriut që frymëzon besimin tek Zoti, tek harmonia, bashkëjetesa fetare, në mbrojtje të virtyteve njerëzore dhe në shërbim të atdheut dhe kombit.”

Meta u shpreh se, “do doja ta nisja me një falënderim për të gjithë udhëheqësit e komuniteteve fetare për propozimin e tyre prej kohësh, për të akorduar këtë vlerësim të lartë, për Ferdinand Samarxhi. Çdo ditë e jetës së njeriut është e çmuar, por ajo bëhet e vyer kur i përkushtohesh shoqërisë, atdheut dhe kombit. Ndaj edhe gjithë këto vlerësime të deritanishme të bëra, janë pikërisht për të vlerësuar shembullin që është zhvilluar më shumë se gjysmëshekulli, në shërbim ndaj shoqërisë, atdheut, kombit dhe në veçanti, ndaj zotit dhe njeriut.”

“Këtë preambul e gjejmë të përputhur me jetën dhe veprimtarinë publicistike të zotit Ferdinand Samarxhi, këtij intelektuali aktiv, që me talent, frymëzim dhe mirësi, ka spikatur në fushën e gazetarisë televizive”, tha Meta.

“Ferdinand Samarxhiu lindi në Elbasan në një familje adhuruese të arsimit dhe dijes, por dhe e shenjtërisë së Zotit. Nuk ishin të pakta rreziqet që ai kaloi në kushte të ushtrimit të profesionit, në një sistem monopartiak. Por ishte vullneti, dashuria për njerëzit dhe talenti,  që e bënë Ferdinandin të hynte në epokën e re të demokracisë, përmes një origjinaliteti të jashtëzakonshëm dhe të spikatur, duke krijuar për herë të parë në vendin tonë kolanën e gazetarisë televizive të përkushtuar ndaj fesë dhe besimit, që kishte qenë rreptësisht e ndaluar”, u shpreh Meta.

“Në fillimet e para të punës dhe veprimtarisë intelektuale të fuqishme të zotit Samarxhi, spikat hapja për herë të parë e dritares në ekranin e Televizionit Shtetëror Shqiptar prej nga ku kundrohej me adhurim liria dhe besimi. Janë të lidhur me zërin dhe kronikat e veçanta të zotit Ferdinand Samarxhi, ekspozimi, prezantimi, njohja me emrat e shquar tashmë të kësaj bote si Hafiz Sabri Koçi, Kryepeshkopi Anastas, Dede Reshat Bardhi, Monsinjor Frano Ilia, Monsinjor Rrok Mirdita e deri tek Kardinali i ardhëm Dom Ernest Troshani”, tha Meta.

“Është i paharrueshëm portreti i At Zef Pllumbit, që gjithashtu erdhi përmes këtyre kronikave të Ferdinand Samarxhiut, në mozaikun e botës demokratike ku u shfaq përfundimisht me një aspekt jetik, origjinal por të nevojshëm më shumë se vetë kapitalizmi që kishte hyrë”, theksoi Meta.

“Ai është vlerësuar nga shumë institucione kombëtare e ndërkombëtare me tituj e çmime, nga Papa Françesku në vitin 2015, është cilësuar si ambasador i paqes dhe mbi të gjitha në këtë udhëtim të gjatë të jetës së tij gjysmëshekullor si gazetar, ai është i njohur prej të gjithë shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut e Malin e Zi, të cilëve iu është gjendur si gazetar për të gjitha problemet sociale, fetare, shoqërore dhe kombëtare”, u shpreh Meta. / KultPlus.com

Presidenti Meta kujton Gjergj Fishtën në 150-vjetorin e lindjes

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përkujtuar shkrimtarin rilindas, Gjergj Fishtën, në 150-vjetorin e lindjes së tij.

Meta përkujtimin e Fishtës e ka nisur me një strofë të poezisë “Shqypnija”:

“Edhè hâna do t’ a dijë, Edhè dielli do t’ két pá, Se për qark ksaj rrokullije, Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!”.

“Në 150-vjetorin e lindjes, nderojmë sot me përulësi, mirënjohje dhe respektin më të thellë, një prej kolosëve të shqiptarizmës, mbrojtësin e paepur të interesit kombëtar dhe një prej figurave më të ndritura të letërsisë tonë, epikun e madh dhe shprehësin më të fuqishëm të idealeve atdhetare dhe demokratike, personalitetin e jashtëzakonshëm politik, artistik, diplomatik dhe klerik, veçanërisht gjatë periudhës kur jetoi, që si rrallë kush jetësoi vlerat e Rilindjes Kombëtare, iluministin e paharruar At Gjergj Fishta”, ka shkruar Meta në Facebook.

Meta përmes këtij postimi vuri në pah kontributet e Fishtës për shqiptarët.

“Shqiptaria e kulluar, që na la trashëgim, prej së cilës frymëzohemi dhe me të cilën krenohemi, angazhimi i jashtëzakonshëm për Pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit modern shqiptar, roli i tij thelbësor në Kongresin e Manastirit për unifikimin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, përpjekjet brilante diplomatike për njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë, si dhe vendosja, gjithmonë në ballë të lëvizjeve për mbrojtjen e trojeve dhe sovranitetit të vendit, e bën rolin dhe kontributin e tij, një gurthemel të rëndësishëm të vetëdijes shqiptare:, ka shkruar tutje ai.

Postimin e tij presidenti shqiptar e përfundoi me strofën e fundit të së njëjtës poezi:

“Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní, Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera, E me dije e me Lirí, Për jetë t’ jetës të rrnoftë tý ndera.”./KultPlus.com

Presidenti Meta: Akademia e Studimeve Albanologjike duhet të fuqizohet

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë në Akademinë e Studimeve Albanologjike, ku ndër të tjera vlerësoi rolin e madh të kësaj akademie për forcimin e identitetit tonë kombëtar.

“Të shohësh nga afër kryeveprat dhe dëshmitë e forta të civilizimit të hershëm europian të kombit shqiptar, autokton në trojet e veta, është vërtet një ndjesi e papërshkrueshme krenarie dhe emocionesh”, tha Meta.

Presidenti u shpreh se “ishte një kënaqësi shumë e veçantë të vizitoje Akademinë e Studimeve Albanologjike dhe të bisedoje hapur me Profesor Luan Përzhitën dhe ekipin e mrekullueshëm të akademikëve, profesorëve dhe restauratorëve, të cilët punojnë me shumë përkushtim, për të ruajtur dhe promovuar një trashëgimi historike dhe kulturore të jashtëzakonshme, e cila duhet të jetë një prioritet edhe më i rëndësishëm mbarëkombëtar, për të gjitha institucionet shtetërore dhe jo vetëm”.

“Akademia e Studimeve Albanologjike, me një rol të madh për forcimin e identitetit tonë kombëtar, meriton të fuqizohet dhe të mbështetet më shumë”, tha Meta./atsh/KultPlus.com

Presidenti Meta nderon filantropin korçar, Selim Mborja

Presidenti Ilir Meta dekoroi sot me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” atdhetarin dhe bamirësin e njohur korçar, Selim Mborja (pas vdekjes).

Titulli i lartë u akordua me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së tij të vyer atdhetare dhe bamirëse, duke kontribuar jo vetëm financiarisht ndaj një sërë organizatash të rëndësishme shoqërore, gazetareske dhe sportive korçare, por edhe me mirënjohje të thellë ndaj gjestit të tij tejet human të dhurimit të truallit vetjak për ndërtimin e Spitalit të Korçës.”

Duke iu drejtuar të pranishmëve në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e Bibliotekës së qytetit të Korçës, Meta vlerësoi trashëgiminë mjaft të vyer që ka lënë për qytetin e Korçës, filantropi Selim Mborja.

“Selim Mborja i ka dhënë shumë qytetit të tij Korçës dhe padyshim Mborjes ku ai lindi, nga të cilat u detyrua të largohej dhe me të cilat e lidhi një dashuri dhe mall i madh i pashuar deri me ndarjen nga jeta. Veprimtaria e Selim Mborjes ka qenë intensive dhe e shumëanëshme, në periudhën 1920-1943, në trevën e Korçës dhe më gjerë, duke u bërë një prej donatorëve dhe bamirësve më të mëdhenj të kohës. Njëkohësisht Selim Mborja njihet si një nga sipërmarrësit e parë, por që aktivitetin e tij privat dhe ekonomik e kishte të lidhur me një ndërgjegje të lartë sociale”, vlerësoi Meta.

Presidenti vlerësoi se “ajo që e dallonte, Selim Mborjen përveç aftësive të tij si sipërmarrës, ishte dhembshuria dhe bamirësia ndaj më të varfërve e jetimëve të qytetit, ku ai nuk kursehej financiarisht”.

“Për t’u ardhur në ndihmë të varfërve, të pamundurve e të sëmurëve, si dhe në nderim e kujtim të babait e vëllait, Selim Mborja dhuroi tokën e tij për ndërtimin e Spitalit të Korçës. Kjo e bën atë një filantrop të madh të kohës për trevën e Korçës. Shumë nga veprat dhe investimet e tij i kanë mbetur trashëgim Korçës. Edhe pse këto investime ishin të lidhura me interesat e tij ekonomike si sipërmarrës, bamirësia, humanizmi dhe dhembshuria e tij, për më të varfërit e jetimët, vinte nga zemra e tij bujare”, tha Presidenti. / KultPlus.com

Presidenti Meta përgëzon Jusuf Buxhovin për nxjerrjen në dritë të historisë sonë të lashtë kombëtare

Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka përgëzuar historianin Jusuf Buxhovi për nxjerrjen në dritë të historisë sonë të lashtë kombëtare, deri në ditët e sotme, përcjellë KultPlus.

“Duke i uruar shëndet të mirë dhe energji të pashtershme për vazhdimin e angazhimit të tij shkencor, theksova se të dy shtetet tona dhe institucionet përkatëse studimore duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtësisht në hartimin e veprave të përbashkëta historike”, ka shkruar Meta.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

Shumë i ngrohtë bashkëbisedimi, që zhvillova sot, me historianin e njohur nga Kosova, Jusuf Buxhovi dhe dy botuesit e veprave të tij, shqiptaro-amerikanin Ramiz Tafilaj dhe Milaim Avdullahun.
E përgëzova për punën e jashtëzakonshme për nxjerrjen në dritë të historisë sonë të lashtë kombëtare, deri në ditët e sotme.
Duke i uruar shëndet të mirë dhe energji të pashtershme për vazhdimin e angazhimit të tij shkencor, theksova se të dy shtetet tona dhe institucionet përkatëse studimore duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtësisht në hartimin e veprave të përbashkëta historike, që zbardhin të vërtetat për shqiptarët dhe historinë e tyre, si e vetmja mënyrë për të hedhur poshtë me fakte pretendimet e pabazuara, që mohojnë ose shtrembërojnë historinë tonë kombëtare.
E falenderova historianin Buxhovi për dhurimin e veprave të tij “Kosova”, “Maqedonia” dhe “Kosova – histori e shkurtër”. / KultPlus.com

Ilir Meta pas triumfit të Krasniqit: Urime Distrias, më të mirës së botës

Distria Krasniqi i ka siguruar medalje Olimpike Kosovës në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, duke e rrëmbyer të artën. Kjo është medalja e dytë Olimpike për Kosovën, pas Majlinda Kelmendit që fitoi të artën në vitin 2016, përcjellë KultPlus.

Krasniqin e ka uruar edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Meta e ka quajtur Distrian më të mirën e botës pasi fitoi medalien e artë. Ndërsa, ai ka përgëzuar edhe Driton Kukën, trajnerin e Kosovës në xhudo dhe të gjithë ekipin që sipas tij asnjëherë nuk zhgënjen.

Ai në rrjetin e tij social Facebook ka publikuar katër fotografi të Distrias dhe ekipit, duke e uruar atë teksa është shprehur i lumtur për fitoren e saj. / KultPlus.com

15 vjet isopolifonia shqiptare në listën e UNESCO-s

Presidenti i Republikës Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë artistiko-kulturore që u mbajt në Muzeun Etnografik të Vlorës, në 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e “Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit”, të mbrojtura nga UNESCO-ja.

Gjatë fjalës së tij Meta tha se “gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandara”.

Presidenti Meta uroi veçanërisht korifejtë shqiptarë të polifonisë, ata që “në rolet e ‘Marrësit’, ‘Prerësit’, ‘Hedhësit’ dhe ‘Isos’ së kësaj kënge, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar këtë traditë të shquar kombëtare, brez pas brezi.”

Duke përshëndetur kontributin e grupeve krijuese, bartësve, interpretuesve, rapsodëve, muzikologëve, studiuesve dhe artistëve të folklorit e kulturës popullore, Presidenti theksoi se ky akt vlerësimi i UNESCO-s reflekton shkallën e lartë të cilësisë së trashëgimisë sonë shpirtërore kombëtare, identitetin e spikatur kulturor dhe talentin e bartur në vite të genit shqiptar. Gjuha, kënga polifonike dhe identiteti i shqiptarit kanë qenë dhe do të jenë përherë një e të pandarë!”

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Meta u shpreh se “Në këtë ditë të shenjtë të ngritjes së Flamurit tonë Kombëtar këtu në Vlorë ndihem dyfish i gëzuar, sepse krahas nderimit të veprës së lavdishme të firmëtarëve të Pavarësisë me në krye Ismail Bej Vlorën, po përkujtojmë sot edhe një arritje të shënuar të kulturës sonë shpirtërore dhe kombëtare si komb: 15-vjetorin e përfshirjes së isopolifonisë shqiptare në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’, të mbrojtura nga UNESCO-ja”.

“Ku tjetër më bukur se sa në Vlorë dhe kur më shumë se sa sot, pikërisht këtu në djepin e lirisë dhe të polifonisë, në këtë qytet të ndërtuar mbi atdhedashurinë, midis valëve të detit dhe maleve të Çikës, do të mund ta festonim këtë përvjetor të shquar! Shqiptarët nuk e ndanë kurrë këngën nga pushka apo flamurin kombëtar nga gjuha dhe eposi etno-kulturor! E meritojnë gjigandi Lefter Çipa dhe të gjithë korifenjtë e polifonisë këtë nder dhe kënaqësi për gjithçka që kanë bërë për atdheun, për flamurin, për shpirtin kulturor të kombit dhe lartësimin deri në UNESCO të polifonisë shqiptare”, u shpreh Meta.

Presidenti solli në vëmendje se data 25 nëntor e vitit 2005 është dhe do të mbetet një datë historike për kulturën shpirtërore të popullit shqiptar.

Në atë ditë, 15 vite më parë, nga selia qendrore e UNESCO-s në Paris, Drejtor i saj i Përgjithshëm kumtoi për të gjithë botën se dukuria e ‘Polifonisë me iso’ e Shqipërisë futet në listën e ‘Kryeveprave të trashëgimisë gojore të njerëzimit’ të mbrojtura nga UNESCO-ja.

Juria ndërkombëtare e mbledhur në Paris nga data 21-24 nëntor 2005, e përzgjodhi polifoninë tonë për t’u përfshirë në listën ‘Kryevepër e njerëzimit’ midis 60 kandidaturave të propozuara  nga shtete të ndryshme në çdo anë të botës.

Presidenti theksoi se, “Polifonia, gjuha shqipe dhe shqiptaria janë një. Ajo lindi nga vajtimi dhe u bë këngë përmes muzikalitetit të gjuhës sonë të bukur, për të cilën populli nuk thotë ‘e lexoi’, por ‘e këndoi’, sepse kënga ruajti edhe gjuhën. Kjo traditë madhështore e shoqëron shqiptarin nga lindja në vdekje dhe i ka dhënë kuptim këtij udhëtimi njerëzor, në çdo kohë e nën çdo sistem”.

“Se çfarë përfaqëson polifonia më lejoni sot të citoj përsëri ikonën e saj Lefter Çipën, i cili na mblodhi sot në këtë takim të paharruar: ‘Polifonia shqiptare, njëkohësisht është këngë klasike, këngë perëndie, për ta parë, për ta dëgjuar, për ta puthur, për ta dashuruar. Por duhet patur kujdes me dashurinë e saj. Duhet ta duash me gjithë shpirt, të të hyjë në gjak e deje. Polifonia është shpirti i ditës, dhe zëri i natës, është bota shpirtërore e shqiptarit. Aty ku dëgjohen zërat e polifonisë, të bën të besosh se aty ka zot.”- u shpreh gjatë fjalës së tij Meta.

Ndërsa theksoi se “sot kujtojmë, nderojmë dhe do të vlerësojmë të gjithë ata korifej të këngës, me emra të përveçëm e që njihen nga të gjithë, të cilët në rolet e ndryshme, sepse polifonia është ekip, kanë mbajtur gjallë dhe transmetuar gjithë këtë traditë të madhe”.

Meta tha se “Presidenca ka dekoruar me tituj nderi disa prej artistëve të folklorit të spikatur të vendit, sot jemi mbledhur të vlerësojmë disa të tjerë të shquar prej qarkut të Vlorës, në të ardhmen do të rikthehemi sërish këtu, por edhe në treva të tjera, si dhe do të shkojmë në të tjera treva për të vendosur në piedestal të tjerë artistë me emër të këngës polifonike dhe folklorit në përgjithësi”.

Ai tha se, një nderim të veçantë e kam edhe për studiuesit, muzikologët dhe folkloristët e mëdhenj si Prof. Ramadan Sokoli, Prof. Benjamin Kruta,  Prof. Spiro Shetuni,  Prof. Afërdita Onuzi, Prof. Vaso Tole, Prof. Piro Miso e shumë të tjerë si dhe për të gjitha ato institucione studimore, të cilët e vendosën polifoninë shqiptare në shtratin e një strukture vlerash të mirë studiuara shkencërisht.

Por sot është dita që të kujtojmë dhe vlerësojmë me nderim edhe të gjithë ata këngëtarë e këngëtare popullore anonimë, ‘të heshtur’, të cilët nuk kanë emër pasi njihen thjesht me emrin ‘kori i isos’, ose ata që ‘ia mbushin këngës’ apo siç thonë ‘që bëjnë eee’.

Presidenti nderoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” këngëtarët dhe valltarët e talentuar Arap Çeloleskaj dhe Taip Madani (pas vdekjes); zoti Sejmen Gjokoli, zonja Katina Mërkuri, zotit Hysen Ruka, zoti Rrahman Nuredini; zoti Syrja Hodo, zonja Fatbardha Brahimaj, zoti Abdyl Lizaj dhe zoti Berdo Berdaj për kontributet e paçmueshme në interpretimin, ruajtjen, transmetimin dhe popullarizimin e vlerave të polifonisë me iso, në festivalet folklorike nëpër skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Me Dekoratën “Nder i Kombit” Kreu i Shtetit çmoi poetin e shquar Lefter Çipa në vlerësim të rolit të tij brilant si krijues, rapsod, mbartës dhe interpretues i perlave të këngëve polifonike shqiptare tradicionale dhe bashkëkohore duke e quajtur: “Poet të talentuar me frymëzim thellësisht kombëtar dhe me vargje të shtrydhura nga dallgët e detit dhe të përshkuara nga dashuria për dheun e mëmëdheut dhe frymëzues i përjetshëm i bukurisë së jetës dhe shpirtit njerëzor, eposit historik dhe vlerave morale, identitetit dhe ndjenjës kombëtare”.

Zotit Dhimitër Varfi iu akordua Titulli “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” për talentin artistik, interpretimin e spikatur dhe zërin e veçantë prej tenori, si dhe rolin unik në mbajtjen gjallë, kultivimin dhe përsosmërinë e këngës himarjote.

Ndërsa me “Titullin Naim Frashëri” Presidenti Meta çmoi zotin Sinan Gjoleka dhe zoti Dule Beqir Gjoka për kontributet e tyre vyera si këngëtarë, valltarë dhe instrumentistë popullor të shquar të Labërisë. /ata/ KultPlus.com