Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka përkujtuar viktimat e masakrës së lagjes së Kovaçëve në Mitrovicë.
Ajo shkruan se kujtesa për ta është detyrim moral dhe mbetet përkushtim ndaj së vërtetës dhe drejtësisë reale, transmeton klankosova.tv.
Më 14 prill 1999, forcat paramilitare serbe masakruan mizorisht 31 banorë të lagjes së Kovaçëve në Mitrovicë. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. U masakruan në shtëpitë dhe rrugët e tyre, në lagjen e tyre, aty ku duhej të ndiheshin të sigurt. Këta burra, gra e fëmijë do të kujtohen përherë. Kujtesa për ta është detyrim moral dhe përkushtim ndaj së vërtetës dhe drejtësisë. Krimet e tilla nuk harrohen, ndërkaq drejtësia për ta mbetet synim i vazhdueshëm i yni.
Presidentja Osmani thërret seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datën 15 prill.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025 dhe në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkuar deklaratës së sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, lidhur me situatën politike në Bosnje dhe Hercegovinë.
Rubio dje ka deklaruar se veprimet e presidentit të Republikës, Millorad Dodik, po i minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj, transmeton Klankosova.tv
Me këtë rast, Osmani tha se Kosova i bashkohet deklaratës së Sekretarit Rubio dhe se qëndrojmë në solidaritet të plotë me popullin e Bosnjë-Hercegovinës, duke riafirmuar mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.
“Ne gjithashtu dënojmë me forcë çdo veprim që minon themelet e Bosnje-Hercegovinës, pasi kërcënon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar pa u lodhur për të arritur – përmes dekadash sakrificash dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane. Angazhimi i SHBA-së mbetet parësor për të siguruar që rajoni ynë të ecë drejt stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme, si dhe drejt një të ardhmeje euroatlantike. Ne jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur këtë qëllim” tha ajo.
Shtetet e Bashkuara inkurajuan liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm.
ShBA iu bëri thirrje edhe partnerëve të tyre në rajon që të bashkohen për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese.
Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar vizitën e paralajmëruar të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Kosovë.
Këtë ajo e tha gjatë një takimi të zhvilluar ditën e sotme me Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani.
“Në takim u diskutua gjithashtu për koordinimin e aktiviteteve në prag të vizitës së paralajmëruar të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e kësaj vizite si dhe rëndësinë e rolit të NATO-s për paqe e siguri në vendin tonë”, tha Presidenca në një njoftim për media.
Në njoftim thuhet po ashtu se Osmani, duke e vlerësuar rolin e KFOR-it në ruajtjen e sigurisë dhe paqes në Kosovë, ka nënvizuar se stabiliteti në Kosovë është faktor kyç për sigurinë e të gjithë rajonit, “ndaj angazhimi i përbashkët me KFOR-in dhe NATO-n mbetet thelbësor”.
Presidentja poashtu theksoi se “kontinenti ynë po përballet me një situatë të ndërlikuar gjeopolitike, e cila kërkon bashkëpunim të ngushtë dhe koordinim të përhershëm me aleatët tanë”.
Gjatë ditës, në media u raportua se shefi i NATO-s, Mark Rutte, pritet ta vizitojë Kosovën më 11 mars për herë të parë që kur e mori këtë post.
Gjatë vizitës në Kosovë, u tha se Rutte pritet të jetë i shoqëruar edhe nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s që janë anëtarë të Këshillit të Atlantikut të Veriut.
Presidentja Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, me të cilin bisedoi për zhvillimet më të fundit në vend, procesin zgjedhor dhe hapat e mëtejshëm për konstituimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Osmani, po ashtu shprehu mirënjohje angazhimin dhe prezencën e Misionit Vëzhgues të BE-së.
Sipas një njoftimi nga ana e Presidencës, bëhet e ditur se në takim u diskutua gjithashtu për një sërë vizitash të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, të cilët pritet ta vizitojnë Kosovën në javët dhe muajt në vijim. Këto vizita do të jenë një mundësi e mirë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe BE-së, veçanërisht në fushat kyçe të zhvillimit dhe integrimit evropian.
“Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për të çuar përpara prioritetet strategjike të vendit, me fokus të veçantë në forcimin e institucioneve demokratike dhe përshpejtimin e rrugëtimit evropian të Kosovës. Me këtë rast, Presidentja Osmani ripotencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat përfundimisht po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Presidencës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi edhe nga Princi i Kurorës së Kuvajtit Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës
“Me këtë rast ju përcjell urimet më të mira për shëndet të plotë e lumturi për Republikën e Kosovës dhe popullin e saj mik, zhvillim e prosperitet të mëtejshëm”, ka thënë Princi i Kurorës, duke potencuar miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë në mes dy vendeve.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga presidenti i Republikës Çeke, Petr Pavel, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, presidenti Pavel ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Republikës Çeke për zhvillimin demokratik të Kosovës dhe për rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik.
“Presidenti Pavel ka shprehur besimin e tij se marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Çekisë do të vazhdojnë të zhvillohen me sukses, duke u bazuar në miqësinë dhe përkushtimin e ndërsjellë për vlerat demokratike dhe stabilitetin rajonal”, thotë Presidenca e Kosovës në njoftimin për media.
Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, ka uruar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e saj, presidentja Keller-Sutter shprehu kënaqësinë dhe urimet më të përzemërta për popullin e Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta dhe të larmishme mes dy vendeve.
Ajo gjithashtu theksoi se këto marrëdhënie do të thellohen edhe më tej në vitet në vazhdim, duke u udhëhequr nga angazhimi i përbashkët për stabilitet, paqe dhe siguri.
“Jam e kënaqur që vendet tona vazhdojnë të gëzojnë marrëdhënie të ngushta dhe të larmishme dypalëshe. Jam e bindur se këto lidhje do të thellohen edhe më shumë në vitet në vijim, të udhëhequra nga përkushtimi ynë i përbashkët për stabilitet, paqe dhe siguri”, shkruhet mes tjerash në urim.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Panamasë, Jose Raul Mulino Quintero, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, Presidenti Mulino i ka përcjellë Presidentes Osmani urimet më të sinqerta për këtë ditë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, duke shprehur vullnetin e qeverisë së Panamasë për të vazhduar forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Presidenti i Panamasë ka theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, duke shprehur dëshirën që ato të vazhdojnë të avancojnë në vitet e ardhshme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar presidentin e Lituanisë, Gitanas Nauseda, me rastin e Ditës së Pavarësisë së këtij shtetit (Dita e Rivendosjes së Shtetit).
Përmes një postimi në “X”, ajo ka thënë se vlerëson thellësisht mbështetjen e palëkundur të Lituanisë në forcimin e pozitës së Kosovës.
“Ne vlerësojmë thellësisht mbështetjen e palëkundur të Lituanisë në forcimin e pozitës sonë ndërkombëtare dhe avancimin e idealeve tona të përbashkëta të demokracisë, sigurisë dhe bashkëpunimit. E rrënjosur në respektin dhe besimin reciprok, miqësia mes kombeve tona vazhdon të rritet, e nxitur nga angazhimi ynë i përbashkët për një të ardhme më të ndritshme dhe më të begatë”, ka shkruar e shefja e shtetit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon takimet në Mynih, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë.
Së fundmi, ajo ka takuar gjeneralin Christopher Cavoli, Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë (SACEUR) në NATO.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, e para e shtetit thotë se në takim me Cavolin ka diskutuar mbi rolin e pazëvendësueshëm të NATO-s në Kosovë gjatë 23 viteve të fundit në mbrojtje të sigurisë dhe stabilitetit.
“Në këtë kohë përcaktuese për kontinentin evropian, riafirmova përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për një bashkëpunim të ngushtë me aleancën, duke kontribuar aktivisht në sigurinë e rajonit dhe më gjerë”, ka shkruar më tej presidentja, njofton Klankosova.tv.
Presidentja Vjosa Osmani sot ka takuar disa liderë në Paris ku po qëndron për një samit ndërkombëtar mbi inteligjencën artificiale.
Presidentja Osmani ka njoftuar se atje është takuar me presidentin francez Emmanuel Macron, zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, kryeministrin indian Narendra Modi dhe atë kanadez Justin Trudeau, si dhe liderë të disa prej kompanive më të mëdha botërore si Google, Open AI, Alibaba.
“Në prag të Samitit ndërkombëtar për veprim mbi inteligjencën artificiale (AI) ishim të ftuar në darkën e shtruar nga Presidenti Macron në pallatin Élysée, krahas liderëve të tjerë, drejtues të organizatave ndërkombëtare dhe figura të shquara nga sektori privat”, ka shkruar Osmani.
Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se momente si këto forcojnë lidhjet diplomatike e ekonomike dhe hapin mundësi të reja për bashkëpunim.
“Së bashku me Presidentin Macron, Zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, Kryeministrin indian Narendra Modi, atë kanadez Justin Trudeau, e shumë liderë të tjerë botërorë, si dhe liderë të disa prej kompanive më të mëdha botërore si Google, Open AI, Alibaba, etj, kishim mundësi të diskutojmë tema të rëndësishme në interes të qytetarëve që përfaqësojmë”.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllime për vdekjen e epidemiologut Isuf Dedushaj.
Presidentja Osmani ka thënë se Dedushaj ka qenë një prej personaliteteve më të shquara në fushën e epidemiologjisë, shkencës dhe sferës akademike.
“Ai do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e shëndetësisë dhe edukimit mjekësor në Kosovë. Me një karrierë të pasur akademike dhe shkencore, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme si mjek, epidemiolog dhe profesor universitar.
Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes.
I përhershëm qoftë kujtimi për Isuf Dedushajn!”, është shprehur Presidentja Osmani./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, takoi Komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për forcimin e partneritetit me NATO-n.
Me ftesë të gjeneralmajor Barduani, dreka e punës u mbajt në selinë e KFOR-it.
Në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për misionin e NATO-s në Kosovë, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm prej më tepër se dy dekada për paqen dhe stabilitetin.
Në këtë takim, Presidentja Osmani theksoi se duke pasur parasysh sfidat e sigurisë, bashkëpunimi i ngushtë dhe partneriteti ndërkombëtar janë të nevojshme për ta siguruar paqen dhe stabilitetin në vend, rajon dhe më gjerë.
Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për mbrojtjen e vlerave të paqes dhe sigurisë, duke theksuar se kohezioni ndërkombëtar është kyç në trajtimin e sfidave globale.
Takimi me Gjeneralmajor Barduani është pjesë e angazhimit të përhershëm të Presidentes Osmani për forcimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë dhe për promovimin e sigurisë dhe stabilitetit si parakusht për zhvillimin e Kosovës dhe rajonit./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka dërguar një letër urimi presidentit të 47-të të ShBA-së Donald Trump, për marrjen e detyrës.
Ajo u shpreh se Kosova është e gatshme të punojë edhe me zëvendëspresidentin JD Vance dhe administratën amerikane, për të forcuar marrëdhëniet mes dyja vendeve.
“Për të promovuar vlerat tona të përbashkëta të lirisë dhe për të adresuar sfidat e kohës sonë”, u shpreh ajo.
“Në emër të popullit të Kosovës ju uroj suksese të mëdha”, theksoi Osmani.
Congratulations to President @realDonaldTrump on swearing-in as the 47th President of the United States of America.
Kosovo stands ready to work with you, Vice President @JDVance, and your administration to strengthen our special relationship, promote our shared values of… pic.twitter.com/tWJ4Ab8aCE
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka pritur në takim Ambasadorin William Walker.
E para e shtetit e falënderoi Walkerin për kontributin e tij për siç tha, të vërtetën për Masakrën e Reçakut.
“E vërteta e Reçakut është e pamohueshme”, tha Osmani, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, Osmani tha se Masakra e vitit 1999 nga regjimi gjenocidal i Serbisë është kujtesë e përhershme për 45 burrat, gratë dhe të moshuarit që u masakruan brutalisht më 15 janar 1999.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Zoran Milanoviqin për rizgjedhjen si president i Kroacisë.
Përmes një postimi në X, presidentja Osmani tha se së bashkë do të forcojnë edhe më tej partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, përcjell Klankosova.tv.
“Urime, i nderuari President Milanoviq, për rizgjedhjen tuaj si President i Republikës së Kroacisë. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fortë. Së bashku, ne do të forcojmë edhe më tej partneritetin e fuqishëm ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë”, ka shkruar ndër të tjera Osmani.
Gjatë ditës së sotme Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u nënshkrua në Librin e Zisë për Presidentin Jimmy Carter, të hapur në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Prishtinë.
Me këtë rast, Presidentja Osmani ka shkruar:
Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Carter dhe popullit amerikan për ndarjen nga jeta të Presidentit Jimmy Carter.
Angazhimi i përhershëm i Presidentit Carter për paqen, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë, frymëzoi breza liderësh në mbarë botën. Përkushtimi i tij ndaj shërbimit na kujton të gjithëve se lidershipi i vërtetë nuk ka të bëjë me fuqinë, por me humanizmin, integritetin dhe mbrojtjen e kauzave.
Kosova gjithmonë do ta nderojë trashëgiminë e tij si një kampion për liri, integritet dhe dinjitet. Shembulli i tij le të vazhdojë të na udhëheqë të gjithëve dhe shembëlltyra e tij qoftë një bekim për të gjithë ata që luftojnë për një botë më të mirë dhe më të drejtë./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ajo takua me sekretarin e Marinës së ShBA-së, Carlos Del Toro.
Me këtë rast, Osmani e falënderoj atë për pritjen e ngrohtë dhe bisedën e gjatë që e patën mbrëmë.
Shefja e shtetit, dha disa detaje nga ky takim. ku tregoj se për çfarë kanë biseduar.
Sipas Vjosa Osmani, tema kryesore ishte forcimi i marrëdhënieve dhe mbështetjen e vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë dhe sigurisë.
”Kosova dhe SHBA ndajnë lidhje të forta të ndërtuara mbi respektin reciprok dhe vlerat e përbashkëta. Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë (WPS) dhe thellimin e bashkëpunimit tonë për një të ardhme më paqësore dhe të sigurt.”, shkroi Osmani në X.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin hungarez për Çështjet e BE-së, Janos Boka, me të cilin folën për situatën aktuale politike dhe të sigurisë, forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit evropian si dhe stabilitetin rajonal.
E para e shtetit tha se Kosova është shembull pozitiv në rajon, pasi sipas saj, ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimin e transparencës dhe promovimin e qeverisjes së mirë.
“Sipas Presidentes Osmani, përkushtimi i Kosovës për integrimin evropian mbetet i fuqishëm, teksa po vazhdohet të punohet në drejtim të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në BE, ndaj kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat për BE”.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat përveç se janë të pa drejta, prekin direkt interesin e qytetarëve të Kosovës, pa dallim”, thuhet në njoftimin e presidencës, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, në njoftim thuhet se në raport me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përkatësisht në veriun e vendit, osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për një hetim të plotë dhe profesional të sulmit terrorist ndaj infrastrukturës vitale, i cili kishte për qëllim dëmin direkt në jetën e qytetarëve.
“Presidentja Osmani theksoi nevojën e qëndrimit unik të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të shmanget përsëritja e sulmeve të tilla terroriste nga bandat kriminale, të cilat mbështeten, trajnohen dhe financohen nga Serbia”, thuhet në njoftim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se çfarë ka diskutuar me miliarderin, Elon Musk, në Paris të Francës.
Ajo zbuloi detaje nëpërmjet një postimi në “X”.
“Një bisedë e madhe për efikasitetin dhe efektivitetin e qeverisë, përpjekjet për të luftuar dezinformimin, si dhe rëndësinë e respektimit gjithmonë të vullnetit të popullit”, ka shkruar e para e vendit.
Presidentja Vjosa Osmani sot do t’iu bashkohet liderëve nga e gjithë bota për të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre Dame.
Osmani dhe zotëria i parë, Prindon Sadriu janë ftuar për këtë ceremoni nga presidenti francez Emmanuel Macron.
Përveç ceremonisë në katedrale, ata janë ftuar edhe në Pallatin Élysée , në një darkë të organizuar nga presidenti Macron për krerët e shteteve që do të marrin pjesë në ceremoni.
Presidentja do të jetë në Paris krahas presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump dhe liderëve të tjerë nga vende të ndryshme të botës.
Katedralja e Notre Dame, monument 850 vjeçar i trashëgimisë kulturore, është restauruar pas zjarrit shkatërrues të pesë viteve më parë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, tha se lufta nuk është vetëm për gratë, por për familjet, shoqëritë dhe të ardhmen e vetë drejtësisë.
Në një postim në “X”, e para e vendit më tutje shkruan se “derisa çdo grua të jetë e lirë nga dhuna, asnjëra nga ne nuk është vërtetë e lirë”.
“Në këtë Ditë Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, na kujtohet se lufta nuk është vetëm për gratë – është për familjet, shoqëritë e lulëzuara dhe të ardhmen e vetë drejtësisë. Derisa çdo grua të jetë e lirë nga dhuna, asnjë nga ne nuk është vërtetë e lirë”, ka shkruar presidentja.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, të udhëhequr nga senatorja belge Anne Lambelin.
Në këtë takim sipas njoftimit, presidentja Osmani ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone dhe ka theksuar se Kosova aktualisht është anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, ndaj pranimi me të drejta të plota në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare Frankofonisë është jo vetëm një prioritet kyç, por edhe hap thelbësor për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si vlera të përbashkëta të vendeve frankofone
Ndër të tjera, e para e vendit e ka njoftuar delegacionin edhe për avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke theksuar se Kosova tashmë është shndërruar në shembull pozitiv në nivel global.
Në këtë frymë, presidentja ka theksuar se përmes ngritjes së statusit të Kosovës në ONF, do të thellohet edhe më tej bashkëpunimi me shtete tjera anëtare në zhvillim të qëndrueshëm, promovimin e diversitetit kulturor e gjuhësor, arsim e hulumtime shkencore, si dhe në fusha tjera të interesit të ndërsjellë.