Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me mandatarin për krijimin e qeverisë së re në Mal të Zi, Dritan Abazoviqin.
Osmani e Abazoviq janë duke marrë pjesë në Ditën e dytë të Forumit për Diplomaci, i cili po mbahet në Antali të Turqisë, përcjell Klankosova.tv.
Lajmin për takimin e tyre e ka dhënë vet Osmani, përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ku tha se disktuan për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve.
“Diskutuam rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve tona tashmë të shkëlqyera fqinjësore dhe potencialin e jashtëzakonshëm për të avancuar më tej bashkëpunim në dobi të popullit tonë”, ka shkruar Osmani./ KultPlus.com
Discussed the importance of strengthening our already excellent neighborly relations & the immense potential to further advance 🇽🇰-🇲🇪 cooperation to the benefit of our people. pic.twitter.com/shKzAKj8KC
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri. Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kanë marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë që është mbajtur në Mynih, përcjell KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, presidentja Osmani thotë se në këto takime tre-ditore, krerët shtetërorë të Kosovës përçuan mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon.
KultPlus ua sjell postimin e plotë të presidents Osmani:
Ishin tri ditë intensive në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku së bashku me Kryeministrin Kurti dhe Zëvendëskryeministren Gërvalla, diskutuam në një numër panelesh e tryezash dhe takuam përfaqësues të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare. Në të gjitha këto organizime si dhe takime e diskutime bilaterale, përçuam mesazhin se Kosova është shembull i shkëlqyeshëm i kontributit për paqe e stabilitet në rajon, duke kryer njëkohësisht një sërë reformash brenda vendit të cilat po përkrahen fuqishëm nga qytetarët por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
Përkushtimin tonë në procesin e integrimit në struktura euro-atlantike, përtej aspektit deklarativ, po e dëshmojmë me veprime konkrete, prandaj është imperative që e ardhmja e vendit tonë në këto struktura të garantohet duke pasur parasysh ndikimin çdo ditë e më të madh të Rusisë, nëpërmjet Serbisë që ka për qëllim destabilizimin e rajonit.
Në takime me presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm, ministra të mbrojtjes, senatorë, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e përfaqësues të shoqërisë civile, gjithnjë synojmë avancimin e raporteve me shtete të tjera dhe shtyrjen përpara të interesave të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
Kosova ka miq të shumtë në botë, e këto miqësi vetëm sa do t’i shtojmë e do t’i thellojmë./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur kënaqësi ta mirëpres presidentin e Republikës së Kroacisë Zoran Milanovic, shkruan KultPlus.
Osmani u shpreh shumë e lumtur për miqësinë e krijuar me popullin kroatë dhe shpreson që mbështetja e Kroacisë për Kosovën të vazhdojë vazhdimisht.
“Dy popujt tanë ishin aty për njëri-tjetrin në ditë të vështira dhe kjo traditë e bashkëpunimit dhe e komunikimit të sinqertë kultivohet sot e kësaj dite ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve në të dy shtetet. Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e Kroacisë për Kosovën në përpjekjet tona për fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar. Sot u konfirmua se bashkëpunimi në këtë drejtim si dhe përkrahja për rrugën euro-atlantike të Kosovës do të vazhdojë edhe mëtutje”, shkroi ajo në “Facebook”. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e parë të vizitës në Kanada, në një ceremoni ka dekoruar Forcat e Armatosura të Kanadasë me Medaljen Presidenciale Ushtarake për kontributin e tyre në kuadër të forcave të NATO-s, gjatë intervenimit në Kosovë, më 1999 si dhe për shërbimin e tyre në Kosovë mbi dy dekada.
Ajo ka vlerësuar lart rolin e forcave paqeruajtëse kanadeze për ndërtimin e një shoqërie të sigurt në periudhën e pasluftës në Kosovë. Sipas saj, krahas ushtrive të kombeve të tjera, ushtarët kanadezë e bën të mundshme lirinë e Kosovës, ndaj populli do t`u jetë përjetë mirënjohës.
Në takim me ministren e mbrojtjes, Anita Anand, Presidentja Osmani ka theksuar nevojën për bashkëpunim më sferën e sigurisë, duke përmendur zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së, e cila sipas saj po shndërrohet me hapa të sigurt në ushtri moderne, falë koordinimit me partnerët strategjik. Në këtë kontekst, ajo ka përmendur programin e mbrojtjes: MTCP- Programi i Bashkëpunimit në Stërvitje Ushtarake, duke potencuar mundësinë e bashkëpunimit dhe përfshirjes së Kosovës.
Presidentja Osmani, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kanadasë i ka vlerësuar shumë të mira dhe të rëndësishme në planin ndërkombëtar e strategjik.
Ajo ka falënderuar Kanadanë për mbështetjen ndaj Kosovës dhe ka theksuar se vendi ynë ka ende nevojë për mbështetjen kanadeze, posaçërisht në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, por edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar tendencat negative të ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, duke potencuar mundësitë për destabilizim edhe nga retorika nxitëse dhe veprimet e shtetit serb./KultPlus.com
Kosova është ftuar për herë të parë që të marrë pjesë në Samitin e Demokracisë të organizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Presidentin e SHBA-ve, Joe Biden, për ftesën në Samitin e Demokracisë.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Osmani ka publikuar letrën e dërguar nga Presidenti Biden, duke falënderuar atë që ka punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut.
“Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Ëashington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden”, ka shkruar Presidentja mes tjerash.
KultPlus ua sjellë postimin e plotë të Presidentes së Kosovës:
Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt fuqizimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet.
Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Ëashington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden.
Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jam e lumtur që në emër të Republikës së Kosovës do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat që i kemi, si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12- muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re në mënyrë që qytetarët tanë t`i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore./KultPlus.com
Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmes një statusi në llogarinë e saj zyrtare në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se FSK-së i janë shtuar edhe 180 rekrutë të rinj, prej tyre edhe 12-të vajza ushtare, përcjell KultPlus.
Presidentja Osmani ka theksuar poashtu se si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndjehet jashtëzakonisht krenare që e sheh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Presidentes Osmani.
Prej sot shteti ynë është edhe më i fortë. 180 rekrutë të rinj të FSK-së, tashmë janë ushtarë të shtetit të Kosovës, të shtetit tonë të pavarur e sovran e me territor të pacenueshëm, të përgatitur dhe të gatshëm për t`i dalë zot atdheut kurdo që të jetë nevoja.
Si komandante supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, jam jashtëzakonisht krenare që po e shoh çdo ditë e më tepër përparimin e FSK-së.
Ndihem krenare, që që në mesin e rekrutëve janë edhe 12 vajza ushtare, ngase shanset e barabarta në kuadër të ushtrisë sonë gjithnjë janë dëshmi e përparimit të Forcës. Numri i vajzave në FSK duhet të rritet edhe më tej.
Forca jonë është në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe të paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë, sikurse edhe të aleancës sonë me partnerët e në shërbim të paqes. / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës sot së bashku me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së ShBA-ve, z. Nicholas Giacobbe ishin në vizitë në Kampin Liya, përcjell KultPlus.
Presidentja Osmani ka shpërndarë disa fotografi nga vizita e sotme, ku ndër të tjera edhe ka theksuar se Kosova dhe populli i Kosovës do të jenë gjithnjë aty për të ofruar siguri dhe strehë për refugjatët afganë.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Presidentes Osmani.
Sot së bashku me të Ngarkuarin me Punë të Ambasadës së SHBA-ve, z. Nicholas Giacobbe ishim në vizitë në Kampin Liya.
E rrethuar nga fëmijët afganë që vazhdonin lojën e harenë, edhe pse në tokë të huaj, sot kuptuam edhe njëherë rëndësinë e ngrohtësisë e nivelit të dashamirësisë që duhet ta karakterizojnë një vend që i hap dyert për ata që janë në nevojë.
Dikur ishin vendet e tjera për ne, e sot jemi ne në gjendje të bëhemi shtëpi e përkohshme e atyre që u detyruan të lënë pas shtëpitë e tyre. Kosova dhe populli i Kosovës do të jenë gjithnjë aty për të ofruar siguri dhe strehë. Ndihemi të nderuar që jemi në gjendje të qëndrojmë pranë aleatëve tanë! / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës përmes një statusi në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, ka bërë të ditur se janë kthyer trupat e shtatë qytetarëve të Kosovës, të vrarë nga regjimi serb në Masakrën e Rezallës, përcjell KultPlus.
”Sot, trupat e shtatë qytetarëve tanë të vrarë nga regjimi gjenocidal serb në Masakrën e Rezallës dhe eshtrat e dy trupave që ribashkohen, u kthyen në atdheun e tyre nga Kizhevaku.
Ata përfundimisht do ta kenë një vendprehje ku familjarët dhe ne mund të vendosim lule në kujtim të tyre.
Sot, i bashkohem dhimbjes së familjeve të tyre dhe rikujtoj se zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë është angazhim i yni i përditshëm, derisa ta zbardhim fatin e secilit. Siç nuk do të ndalemi as në adresimin e përgjegjësisë për akterët e krimit.
Drejtësia për viktimat është synim i yni dhe parakusht për paqe të qëndrueshme, ndërkaq Serbia ka përgjegjësi shtetërore për mbajtjen peng të fatit të edhe mbi 1600 të zhdukurve me dhunë dhe fshehjes së fakteve mbi ta.
U prehshin në paqe të masakruarit e Rezallës dhe i përhershëm qoftë kujtimi për ta!’‘, ka shkruar presidentja Osmani. / KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas zjarrit që ka ndodhur mbrëmë në spitalin e Tetovës, ku po trajtoheshin personat e infektuar me COVID 19.
“Presidentja Osmani ngushëllon familjet, homologun Pendarovski dhe kryetaren e Tetovës për aksidentin tragjik në Spitalin Covid të Tetovës. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjet, Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe kryetaren e Tetovës, znj.Teuta Arifi për viktimat nga zjarri në Spotalin Covid të Tetovës”, thuhet në njoftimin që ka nisur presidenca.
“E prekur thellësisht nga aksidenti tragjik në Spitalin Covid të Tetovës, jua përcjellë ngushëllimet e mija familjeve që humbën më të dashurit, Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski si dhe kryetares së Tetovës, znj.Teuta Arifi.
Në këto çaste të dhimbshme bashkëndjejmë me familjet që humbën të afërmit dhe lutemi për shërim të shpejtë të të lënduarve!”, thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani./KultPlus.com
Sot, në 22 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës ka reaguar presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ku ka uruar Policinë e Kosovës në 22 vjetorin e themelimit, përcjell KultPlus.
Ndër të tjera, presidentja Osmani ka theksuar se Policia e Kosovës për këto dy dekada ka rritur shkallën e profesionalizmit.
Statusi i plotë i presidentes Osmani:
Në 22-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, respekt e nderim për profesionistët, ruajtësit e rendit, kujdestarët e sigurisë sonë.
Megjithëse forcë e re e rendit, Policia e Kosovës prej dy dekadash ka rritur shkallën e profesionalizmit me të cilën mburremi.
Gra e burra të policisë së Kosovës janë shembull i përkushtimit dhe devotshmërisë ndaj shtetit dhe për këtë ju jemi mirënjohës.
Përpjekja jonë për sundimin e ligjit nuk duhet pushojë asnjëherë. Këtë rrugë të nisur duhet ta kemi synim të çdoditshëm në ofrimin i sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Police e policë të dashur të Kosovës, urime 22- vjetori themelimit! Faleminderit që çdo ditë kujdeseni për garantimin e një mjedisi të qetë, të cilin e dëshirojmë të gjithë, e i cili bëhet i mundshëm në saje të profesionalizmit tuaj! / KultPlus.com
Këshilltari politik i presidentes Osmani, Bekim Kupina ka sqaruar deklaratën e presidentes për mediumin zviceran “Blick”.
Sipas tij, presidentja nuke e ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët që kanë ardhur në Kosovë të infektuar me Covid-19, por ka apeluar në vaksinimin e të gjithëve, shkruan KultPlus.
Postimi i plotë:
Sqarim
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një deklarim të saj për mediumin zviceran “Blick”, nuk e ka fajësuar Zvicrën për mërgimtarët tanë të infektuar me Covid-19, porse ka apeluar për vaksinimim të të gjithëve.
Për më tepër, zonja Osmani ka theksuar se nuk është koha për akuza reciproke, porse për angazhim të përbashkët për vaksinim masiv të të gjithë qytetarëve në Zvicër, por edhe në Kosovë.
Devijimi i deklarimit të Presidentes Osmani vetëm sa i kontribuon negativisht angazhimit për vaksinim.
Nxjerrja jashtë kontekstit e kësaj deklarate shkakton dëme edhe në kontekstin kosovar, teksa përballemi me rritjen e ndjeshme të rasteve të të infektuarve, fatkeqësisht edhe të vdekjeve, prandaj mesazhi i Presidentes është fort i qartë: Vaksinimi shpëton jetë. Vaksinohuni, në Zvicër, në Kosovë, në gjithë botën!
Të gjithë kemi të drejtë të informohemi dhe atë shpejtë, por para se gjithash saktë!/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se i kanë hapur dyert dhe zemrat për t’i pritur refugjatët afganë.
Ajo në një konferencë për media sonte pasi e ka pritur kontingjentin e parë me 111 afganë ka deklaruar se ata janë të sigurt në Kosovë.
“Ne jo vetëm që i kemi hapur dyert por i kemi hapur edhe zemrat. Sepse si njerëz që kemi qenë viktima të një pushteti gjenocidal e kuptojmë shumë mirë se çfarë do të thotë të detyrohesh të largohesh nga shtëpia jote.
Jemi krenarë që qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe kontribuojmë në një përpjekje të gjithë këtyre partnerëve nga SHBA-të deri tek shteti i fundit i NATO-s, në mënyrë që kjo tragjedi të pakësohet dhe këta që vijnë në Kosovë të ndihen se më në fund janë të sigurtë”,ka thënë Osmani./KultPlus.com
Pas suksesit në Lojërat Olimpike, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do t’i dekorojë xhudistet kosovare Distria Krasniqin, Nora Gjakovën dhe Majlinda Kelmendin.
Njoftimin për KultPlus e ka dhënë, Bekim Kupina, këshilltar për Media i presidentes Osmani.
“Presidentja Osmani ka vendosur t’u ndajë një dekoratë xhudisteve tona që lartësuan flamurin e Kosovës dhe sportin kosovar”-ka thënë Kupina për KultPlus duke shtuar tutje se do të organizojnë një ceremoni për xhudistet kosovare bashkërisht me Ministrinë e Kulturës .
Kosova në Lojërat Olimpike Tokio 2020 është përfaqësuar nga 11 sportisë dhe 6 norma olimpike.
Në këtë ngjarje, xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova ia siguruan Kosovës dy medalje të arta, ndërkaq Loriana Kuka mori medaljen e bronztë.
Kosova ka tri medalje të arta në Lojërat Olimpike përfshirë të artën që Majlinda Kelmendi fitoi në “Rio 2016”./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas eliminimit të Majlinda Kelmendit nga Lojërat Olimpike, transmeton KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka thënë se Majlinda mbetet kampione olimpike e përhershme dhe se i ka sjellë Kosovës respkt më shumë se çdokush tjetër.
“Majlinda për ne mbetet kampione olimpike e përhershme. Është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë, ajo që e ndriqoi emrin e Kosovës para krejt botës, ajo që ngriti flamurin tonë atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni ynë në vende që nuk na njohin.
Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër. Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndërrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave”, ka shkruar Osmani.
Tutje, Osmani ka thënë se pavarësisht rezultatit, ajo ka realizuar ëndrrën e një populli të tërë.
“Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë.
Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë.
Majlinda është Kosova! ”, thuhet në postimin e Osmanit. / KultPlus.com