Osmani takon ambasadorët e Kroacisë, Bullgarisë, Çekisë dhe Hungarisë lidhur me liberalizimin e vizave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vazhduar takimet me ambasadorë të vendeve të ndryshme të BE-së, të akredituar në Kosovë lidhur me liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Sot, ajo takoi ambasadorët e Kroacisë, Bullgarisë, Çekisë dhe Hungarisë.

Në takim me ambasadorët, presidentja Osmani falënderoi Kroacinë, Bullgarinë, Çekinë dhe Hungarinë për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, përfshirë takimin e fundit të grupit teknik punues të Këshillit Evropian.

Presidentja Osmani ka theksuar se është më rëndësi që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej, në procesin e liberalizimit të vizave deri në hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani tha se vendet anëtare të BE-së duhet ta marrin parasysh rekomandimin e Komisionit Evropian, i cili tashmë e ka konfirmuar se e mbështet heqjen e vizave, ngase Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret.

Sipas presidentes Osmani, vendimmarrja politike gjatë Presidencës Çeke është më se urgjente, ndaj liberalizimi i vizave nuk duhet të mbetet peng i asnjë teknikaliteti.

Në të njëjtën linjë, presidentja Osmani kërkoi vazhdimin e mbështetjes ndaj Kosovës edhe në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës, në të cilin mund të mbrohen, promovohen dhe avancohen të drejtat dhe liritë e njeriut. / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti  në takim ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Zvicrës, Thomas Kolly për të diskutuar rreth procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Në këtë takim u konfirmuan edhe njëherë marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të Republikës së Kosovës dhe Zvicrës, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të mëtejm.

Presidentja Osmani ka theksuar se Zvicra është një parter strategjik i Kosovës dhe se marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve janë edhe më miqësore, shkaku i prezencës së madhe të mërgatës shqiptare atje.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar shtetin zviceran, i cili ka mbështetur Kosovën përgjatë gjithë procesit të përpjekjeve për pavarësinë dhe shtetndërtimin. Presidentja Osmani ka kërkuar edhe më tej mbështetjen zvicerane ndaj Kosovës në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas Presidentes Osmani, anëtarësimi në këtë organizatë është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim dhe mundësi e madhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Prandaj, përkrahja e fuqishme e Zvicrës në këtë proces është e domosdoshme dhe kontribuese për avancimin e të drejtave të njeriut. / KultPlus.com

Kushti ETIAS për vizat, Osmani pret në zyrë ambasadorin e Francës dhe diplomatë tjerë

Presidentaj e vendit Vjosa Osmani ka pritur në Presidencë, ambasadorin e Francës dhe disa shteteve të tjera pas diskutimeve të djeshme dhe raportimeve se sistemi ETIAS është kushti i ri për vizat.

Shefja e shtetit ka shprehur besimin e saj që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese.

Osmani ka potencuar se Kosova “do të përfshihet në ETIAS, sikurse të gjitha shtetet e tjera, në momentin që ai sistem të bëhet operacional, por pa ndikuar në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave”.

Njoftimi nga Presidenca:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, përfaqësuesit e Francës, Suedisë, Holandës, Belgjikës dhe Austrisë në Kosovë, me të cilët diskutoi për zhvillimet pas takimit të 13 tetorit të grupit teknik punues për vizat të Këshillit Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Presidentja do të vazhdoj takimet me ambasadorët e tjerë të shteteve anëtare të BE-së në ditët në vijim.

Në takimet me ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian, Presidentja Osmani, ka falënderuar për mbështetjen e dhënë nga shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave të Kosovës dhe ka rikujtuar se ditë më parë Komisioni Evropian ka konfirmuar në Raportin vjetor për Kosovën se mbështet rekomandimin e bërë për heqjen e vizave për Kosovën dhe konstatimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret.

Presidentja Osmani theksoi nevojën që vendimmarrja politike lidhur me liberalizimin e vizave brenda BE-së të përmbyllet brenda kryesimit çek  të BE-së duke ditur se nuk ka qëndrime kundërshtuese nga asnjë prej shteteve anëtare të BE-së për këtë temë.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu besimin që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese.

Presidentja Osmani potencoi se Kosova do të përfshihet në ETIAS, sikurse të gjitha shtetet e tjera, në momentin që ai sistem të bëhet operacional, por pa ndikuar në caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave. / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin jorezident të Katarit, Ali bin Hamad Al-Mari

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin jorezident të Shtetit të Katarit për Kosovë, Ali Bin Hamad Al-Mari, të cilin e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme nga shteti i Katarit në fusha të ndryshme.

Me qëllim të forcimit dhe të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve në mes të dy shteteve në fusha të ndryshme, emiri i Katarit ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për vizitë në Republikën e Kosovës.

Sipas presidentes Osmani, një vizitë e tillë,  padyshim do të jetë e një rëndësie të madhe dhe do t’i forcoj marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve si dhe do të hapë mundësi të reja të bashkëpunimit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it: Kosova në NATO do t’i  kontribuojë paqes e stabilitetit në rajon dhe Evropë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it, me ç`rast ka falënderuar për shërbimin e tij të deritashëm në Kosovë, gjeneralmajor Ferenc Kajarin dhe i ka uruar mirëseardhje gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccias.

Në fjalën e saj para admiralit Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, strukturave drejtuese të KFOR-it dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, Presidentja Osmani ka theksuar se gjeneralmajor Ristuccia po e fillon misionin në vendin më pro NATO-s në botë. Sipas saj, Kosova është partner i besueshëm i Aleancës Veri-Atlantike, në të cilën synon të bëhet anëtare.

Presidentja Osmani ka falënderuar mijëra gra e burra nga KFOR-i, të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë për lirinë e lëvizjes, sigurinë dhe paqen prej 23 vjetësh.

Sipas Presidentes Osmani, ndërkohë që KFOR-i e ka reduktuar praninë e tij, Kosova ka forcuar kapacitetet mbrojtëse dhe njëkohësisht po vazhdon partneritetin dhe koordinimin me forcat paqeruajtëse 

“Në vitin 1999, NATO ndërhyri për të ndaluar gjenocidin e vazhdueshëm që po kryhej kundër popullit të Kosovës. 23 vjet më pas, ushtria jonë po shërben përkrah ushtrisë amerikane dhe vendeve të tjera partnere dhe po kontribuon në misionet paqeruajtëse në mbarë botën. Kosova ka qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë, dhe ne po e tregojmë këtë edhe një herë duke qëndruar pranë popullit të Ukrainës, tani që paqja, demokracia dhe rendi i bazuar në rregulla ndërkombëtare  janë sërish nën sulm”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, falë kontributit të NATO-s, Kosova sot është një vend paqësor dhe prosperues. Ajo ka përsëritur qëndrimin se është interes shtetëror i Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s, në funksion të mbrojtjes së sigurisë kolektive, vlerave demokratike, paqes e stabilitetit në vend, rajon dhe në nivel global. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Protesta e 1 tetorit të vitit 1997, ishte paralajmërim i hershëm për lirinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka përkujtuar 25 vjetorin e protestave studentore të 1 tetorit të vitit 1997.

Presidentja Osmani ka thënë se 25 vjet më parë, ata nisën ndryshimin e historisë.

“Në krye me rektorin Ejup Statovci, studentët nisën rezistencën kundër padrejtësisë, refuzimin kundrejt dhunës dhe qëndresën kundër tiranisë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

25 vjet më parë, ata nisën ndryshimin e historisë. Protesta e 1 tetorit të vitit 1997, ishte paralajmërim i hershëm për lirinë.

Zëri protestues i studentëve ishte thirrje kundër diskriminimit të shqiptarëve nga regjimi gjenocidal serb jo vetëm në fushën e arsimit.

Në krye me rektorin Ejup Statovci, studentët nisën rezistencën kundër padrejtësisë, refuzimin kundrejt dhunës dhe qëndresën kundër tiranisë.

Protesta e 1 tetorit të vitit 1997 është simbolika më e fuqishme në luftën tonë për liri, referencë përmbajtësore për kauzën tonë kombëtare dhe ngjarja më e shndritshme në historinë tonë më të re.

Osmani: Valmiri u bë viktimë e gjenocidit serb më 1998, së bashku me gra, fëmijë e pleq të familjes Deliu

Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë. Sot shënohen plot 24 vjet nga kjo masakër mizore, me ç’rast ka reaguar edhe Presidentja Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin soical Facebook, shkruan KultPlus.

“Në 24-vjetorin e Masakrës së Abrisë, i kujtojmë të gjithë të masakruarit dhe do ta themi kudo e kurdo se Serbia kreu gjenocid në Kosovë. Relativizimi i krimeve të Serbisë është përpjekje për ndryshim të historisë”, ka shkruar ajo.

Po ashtu ajo ka shpërndarë edhe një poezi të Naxhije Gashanit që i dedikohet vrasjes së dy vjeçarit, Valmir Deliu.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Një fëmijë i vogël me vdekje të madhe në masakrën e llahtarshme të Abrisë, më 26 shtator 1998.
Valmir Deliut, 2 vjeç, e plot fëmijëve të tjerë, ëndrrat e fëmijërisë iu prenë sapo filluan rrugëtimin jetësor. Me biberon në gojë, Valmiri u bë viktimë e gjenocidit serb më 1998, së bashku me gra, fëmijë e pleq të familjes Deliu të masakruar nga forcat serbe.
Në 24- vjetorin e Masakrës së Abrisë, i kujtojmë të gjithë të masakruarit dhe do ta themi kudo e kurdo se Serbia kreu gjenocid në Kosovë. Relativizimi i krimeve të Serbisë është përpjekje për ndryshim të historisë.
Valmiri i vogël dhe të gjithë fëmijët e masakruar nga regjimi serb, na e bëjnë dhimbjen dhe kurajon e madhe që akterët t’i nxjerrim para drejtësisë për gjenocidin e kryer ndaj popullit shqiptar. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takon presidentin e Estonisë gjatë vizitës në Nju Jork

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në New York është takuar me presidentin e Estonisë, Alar Karis.

Diskutimi u fokusua në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet në rajon e më gjerë, si dhe bashkëpunimin e mëtejmë.

Presidentja Osmani e falënderoi homologun estonez për mbështetjen e vazhdueshme dhënë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Në takim me presidentin Karis, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për ta avancuar integrimin euroatlantik dhe në të njëjtën kohë shtroi nevojën e  përmbylljes urgjente të liberalizimit të vizave.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet palë konstruktive në dialog, i cili synon një marrëveshje përfundimtare, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Në raport me luftën në Ukrainë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka dënuar pa mëdyshje luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit strategjik në fushën e digjitalizimit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Sot shprehëm mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin tonë me Mbretërinë e Bashkuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot është prezente në Funeralin Shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II, shkruan KultPlus.

Me këtë rast ajo nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se në homazhet e mbajtura në Westminster Hall, si dhe në Librin e Zisë të hapur në Lancaster House, është kujtuar dedikimi i palëkundur ndaj popullit, urtësinë dhe bujarinë e Mbretëreshës, të cilat sipas saj, do të vazhdojnë t’i frymëzojnë brezat e ardhshëm.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Përgjatë këtyre dy ditëve, ju bashkuam anëtarëve të Familjes Mbretërore të Mbretërisë së Bashkuar dhe liderëve nga mbarë bota për ta nderuar trashëgiminë historike të Mbretëreshës Elizabeth II.

Në homazhet e mbajtura në Westminster Hall, si dhe në Librin e Zisë të hapur në Lancaster House, kujtuam dedikimin e palëkundur ndaj popullit, urtësinë dhe bujarinë e Mbretëreshës, të cilat do të vazhdojnë t’i frymëzojnë brezat e ardhshëm.

Në pritjen e organizuar mbrëmë nga Mbreti Charles III në Buckingham Palace, si dhe në pritjen e organizuar sot nga Sekretari i Jashtëm James Cleverly, shprehëm mirënjohjen e popullit të Kosovës për partneritetin në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilin jemi të përkushtuar ta forcojmë tutje gjatë viteve në vijim.

Ndërsa sot, në Funeralin Shtetëror në Westminster Abbey, i dhamë lamtumirën e fundit Mbretëreshës, duke i nderuar virtytet dhe veprën e saj për të cilat do të kujtohet përherë. Pusho në paqe Mbretëreshë! 🇽🇰🇬🇧

Fotot nga funerali: RFEL/AP / KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëton në New York, krahas liderëve botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga Biden

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në New York, ku në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA), krahas liderëve të tjerë botërorë do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.

Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani, në funksion të përpjekjes për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë të delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në sesionin e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, zyrtarë të lartë amerikanë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare.

Presidentja Osmani, gjithashtu do të ketë takim edhe me mërgatën shqiptare në Amerikë.

Ndërkaq në Fordham University, Presidentja Osmani do ta mbajë një ligjëratë, në të cilën do të flasë për reformat në sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit, zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Gjatë vizitës në New York, Presidentja Osmani do të shoqërohet edhe nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz. / KultPlus.com



Presidentja Osmani takon Biden në Londër: Biden shprehu mbështetjen e tij të përzemërt për vendin tonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot është prezente në Funeralin Shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II, shkruan KultPlus.

Me këtë rast ajo ka takuar dhe ka biseduar me Presidentin Joe Biden, i cili ka shprehur mbështetjen e tij për Kosovën.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Është nder të bisedoj me Presidentin Biden sot gjatë Funeralit Shtetëror të Mbretëreshës Elizabeth II.

Ai shprehu mbështetjen e tij të përzemërt për vendin tonë dhe në emër të popullit të Kosovës e falënderova dhe shpreha përkushtimin tonë për partneritetin e hekurt SHBA-Kosovë. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë amerikanë që qëndrojnë gjithmonë me popullin e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka falënderuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në kuadër të angazhimit të tij për sigurinë në rajon, përcjell KultPlus.

“Një falenderim personal për Sekretarin
@SecBlinken
për angazhimin e tij të palëkundur për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë dhe më gjerë.

Ne u jemi mirënjohës partnerëve tanë amerikanë që qëndrojnë gjithmonë me popullin e Kosovës. Së bashku, ne do të shkojmë nga forca në fuqi!”, ka shkruar ajo. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Mbretëresha Elizabeth II ishte një udhëheqëse e vërtetë dhe një grua e jashtëzakonshme

Sot Mbretëresha Elizabeth II, ka vdekur në moshën 96 vjeçare. Ajo ka qenë monarkja me më së shumti vite në fron, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se qytetarët janë thellësisht të pikëlluar nga ky lajm.

“Vdekja e Lartmadhërisë së Saj shënon fundin e një epoke si monarkja më jetëgjatë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, por trashëgimia e Elizabetës së Madhe do të vazhdojë të frymëzojë breza të tërë”, ka thënë ajo.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Qytetarët e Republikës së Kosovës, krahas miliona njerëzve anë e mbanë botës, janë thellësisht të pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Lartmadhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeta II.

Mbretëresha Elizabeta e udhëhoqi Mbretërinë e Bashkuar me zell, me hir e përulësi dhe e vendosi shërbimin dhe detyrën ndaj vendit të saj mbi çdo gjë tjetër. Ajo ishte një udhëheqëse e vërtetë dhe një grua e jashtëzakonshme.

Vdekja e Lartmadhërisë së Saj shënon fundin e një epoke si monarkja më jetëgjatë në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, por trashëgimia e Elizabetës së Madhe do të vazhdojë të frymëzojë breza të tërë.

Populli i Mbretërisë së Bashkuar na erdhi në ndihmë në ditët tona më të errëta, ndaj sot ne bashkëndjejmë me zemër të rënduar për këtë humbje të madhe së bashku me Familjen Mbretërore dhe të gjithë qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar.

U prehtë në paqe Lartmadhëria e Saj! / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Duke e miratuar Kushtetutën, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës vendosën gurin e parë të shtetësisë sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, me rastin e 32 vjetorit të Kushtetutës së Kaçanikut ka vlerësuar guximin qytetar të grave dhe burrave përfaqësues që e miratuan Kushtetuën, përcjell KultPlus.

KultPlus e sjell të plotë reagimin e presidentes Osmani, lidhur me këtë datë historike:

32 vjet më parë, gra e burra përfaqësues, me guximin qytetar e vetëdije kombëtare, e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur.

Përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, më 7 shtator 1990 i dolën zot vendit dhe e përjetësuan në Kushtetutë vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësonin, duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur. Ata e sfiduan një shtet e një regjim të egër, duke i vënë themelet e palëkundura të Kosovës së pavarur.

Sot, 32 vjet më pas, teksa e kujtojmë këtë datë historike, ne i përulemi guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkushtimit të tyre ndaj atdheut dhe këmbënguljes për ta parë të jetësuar shtetin e tyre. Duke e miratuar Kushtetutën, ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë. Me të nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Përjetësisht mirënjohës për këtë akt historik! / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Nënë Tereza e ktheu vëmendjen e botës kah një popull i vogël, por zemërgjerë e paqedashës

Me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së Shën Nënë Terezës, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, ka vizituar Muzeun në themelim “Nëna Terezë” në Prizren, përcjell KultPlus.

Më poshtë gjeni fjalimin e Presidentes Osmani në përurimin e Shtëpisë Muze të Nënë Terezës në Prizren:

I nderuar  kryeministër, z. Kurti, 

E nderuar zëvendëskryeministre,

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritarë,

I nderuar kryetar i komunës, z. Totaj,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë nga vendet e ndryshme,

Të nderuar përfaqësues të Ipeshkvisë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është nder i madh për mua sot, që në 25-vjetorin e kalimit në amshim të nënës sonë, Shën Terezës, të marr pjesë në përurimin e ekspozitës kushtuar Nënë Terezës në muzeun e saj këtu në Prizren dhe të kujtoj së bashkë me ju veprën e madhe jetësore e shembullin e përkryer moral të cilin ajo ia fali njerëzimit.

Përurimi i kësaj ekspozite, sikurse edhe vetë themelimi i muzeut, është vetëm një hap i vogël në krijimin e kujtesës kolektive për nënën tonë të madhe, e cila përkushtimin ndaj njeriut e lidhi me përkushtimin ndaj hyjit, duke krijuar simbiozën e dashurisë së përhershme, të cilën pastaj ia dhuroi tërë njerëzimit si shembull të përkryer personal.

Përurimi i kësaj ekspozite, këtu, në tokën e familjes së Nënës sonë Terezë, është shenjë e kujdesit që ne, bashkëkombësit e saj, e tregojmë ndaj së shenjtës Agnesë, por edhe ndaj një familjeje, e cila ishte simbol i bujarisë, mikpritjes e ofrimit të dashurisë ndaj secilit, posaçërisht ndaj më të varfërve. Prandaj, më lejoni që të falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë ata që u kujdesën që sot ne të mund ta përurojmë këtë ekspozitë.

Kujdesi ndaj trashëgimisë së Nënës Terezës nuk është kujtesë e cila ndërlidhet vetëm me përkatësinë e saj etnike, ose me madhështinë e veprës së saj, por është kujdes para së gjithash ndaj shembullit të cilin ajo ia dhuroi njerëzimit. Nëpërmjet këtij shembulli personal ajo u shndërrua në simbol universal, duke e dëshmuar karakterin e popullit të saj, sipas të cilit nderi, bujaria e ndihma për të vobektin janë parime morale e zakonore.

Si pjesë e këtij kujdesi, institucionet e vendit tonë, së bashku me Ipeshkvinë e Kosovës, nga 26 gushti, që shënon ditën e lindjes së shenjtëreshës shqiptare, e deri më 5 shtator, kur po  shënojmë çerekshekullin e kalimit të saj në amshim, me një varg aktivitetesh po shënojmë jetën dhe veprën e humanistes sonë të madhe. Këtë kujdes do ta ruajmë e thellojmë çdo vit, madje në vazhdimësi, sepse kujdesi ndaj të shenjtës sonë nuk mund të ndërlidhet vetëm me data të caktuara. Ajo duhet të na bashkojë e të na frymëzojë çdo ditë, sikur që ajo vetë e niste çdo ditë të ishte e para dhe e fundit njëkohshëm: përplot jetë e dashuri për njeriun.

Prandaj, përurimi i kësaj ekspozite, në muzeun që do ta bartë vulën e veprës së saj, ka peshë të veçantë kulturore e humane. Ne si bashkëqytetarë e bashkëkombës të shenjtës sonë e shumë  vizitues të huaj do të kthehen këtu për t’i gjetur të dëshmuara rrënjët e familjes së Nënë Terezës e vatrën e cila rriti breza të tërë familjarësh të saj. Ai do të shërbejë këtu e tutje edhe si një qendër pelegrinazhi për të gjithë ata të cilët duke kërkuar mirësinë në jetë e shembujt e mëdhenj të altruizmit e të dashurisë ndaj njeriut, do të vijnë këtu të mësojnë se si një vatër e vogël në një vend të vogël, në të cilin jeton një popull me zemër të madhe, ia dhuroi botës shembullin universal të përvujtnisë e të sakrificës së pamatshme për njeriun.

Në këtë muze do të gjendet jo vetëm historia e familjes Bojaxhiu, por edhe modeli në të cilin do të mbështetet secili i ri ose e re, ëndrra e të cilëve do të jetë që një ditë të ndjekë shembullin e Nënë Terezës për t’u shërbyer njerëzimit, për t’ua gëzuar zemrat atyre.

Kërkesa e Nënë Terezës drejtuar motrave të saj që duhet të bëjnë gjithçka që të varfërve, e sidomos më të varfërve mes tyre “t’ua dhurojnë lumturinë, të cilën mbase të pasurit siç thoshte ajo mund ta sigurojnë me para”, është shembull se si njeriu mund të jetojë në lumturi, duke ua siguruar atë atyre që nuk mund ta gëzojnë vetë, duke u ofruar përkrahje, mbështetje e dashurinë, atyre të cilët kujtojnë se nuk mund ta arrijnë atë asnjëherë.

Parimi i saj jetësor që, nëse dëshiron të njëjtësohesh me të varfrit, nuk mjafton vetëm t’i përkrahësh ata, por duhet të provosh që të bëhesh njëri nga ta, të ndiesh me ta e për ta, është parimi më i thellë universal, shembullin e të cilit Nënë Tereza ia fali njerëzimit. “Vokacioni në vokacion”, sikurse e quante ajo këtë lloj përkushtimi, e që përkon me thirrjen e dytë të saj , e cila iu shfaq asaj gjatë një udhëtimi me tren nëpër fushat e Indisë, pas atij të parit, të cilin ajo e mori në Letnicë të Kosovës është shembulli i papërsëritshëm në historinë e njerëzimit, kur njëjtësimi në dashuri, sprova për t’i ngjarë atij të cilit i shërben, është model i pakapërcyeshëm nga i cili mund të mësojmë vazhdimisht e të cilin duhet ta provojmë ta ndjekim përjetësisht.

Prandaj, sot, kur po e kujtojmë 25-vjetorin e kalimit të saj në amshim, themi me krenari se Nënë Tereza paraqet jo vetëm simbolin e dashurisë, të paqes e humanizmit, por edhe një fat të madh historik, të cilin ne, pasardhësit e saj, duhet ta kujtojmë çdo ditë e ta themi me zë të lartë se ajo u shndërrua në fytyrën morale të njerëzimit, duke e shfaqur traditën morale të saj e të familjes, dhe traditën e popullit të vet shqiptar.

Historike, edhe ngaqë, në kohën e represionit etnik serb kundër Kosovës e të vetizolimit komunist në Shqipëri, ajo u shndërrua në simbolin tonë përfaqësues. Duke e theksuar përkatësinë e saj etnike kudo që shkonte, vlerat e familjes e traditën e popullit të saj, e duke e nënvizuar atdheun e saj, sikurse e quante ajo, “atdheun e vogël, po të quajtur Shqipni”, ajo e ktheu vëmendjen e botës kah një popull i vogël, por zemërgjerë e paqedashës.

Prandaj, në ditët sikurse kjo, por edhe në secilën ditë të jetës sonë, ne duhet të mos reshtim së theksuari emrin e saj, mësimet e saj, personalitetin e saj të jashtëzakonshëm. Si institucione dhe si njerëz të politikës ne duhet ta përbrendësojmë dashurinë e saj për njerëzit dhe t’i theksojmë pa pra porositë e saj paqedashëse e humane, sikur bënte presidenti ynë historik, dr. Ibrahim Rugova, në vitet ’90, duke e humanizuar të bërit politikë,  sipas modelit human të Shën Terezës.

Pra jemi krenar që botës ia kemi ofruar shembullin e gruas  shqiptare të quajtur, Agnesë Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, modelin e gruas së butë por të vendosur, e përkushtuar skajshmërisht ndaj njerëzve dhe e dashur për të gjithë, e gatshme që çdo herë të sakrifikojë për të tjerët; njeri që e njeh dhimbjen dhe provon që t’ua shërojë atë të tjerëve, me fjalë të ëmbla e me vepra, sikurse thoshte edhe vet ajo, “vepra të vogla, por me dashuri të madhe”.

Zoti e bekoftë Shën Terezën!

Zoti e bekoftë edhe këtë muze që po e përurojmë sot!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

Faleminderit!! / KultPlus.com

Presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe ministri Çeku, vizituan Shtëpinë e motrave të Nënë Terezës në Pejë

Në kujtim të shejtores shqiptare, presidentja Osmani u shprehu mirënjohjen e thellë motrave të saj për angazhimin e pakursyer për t’u shërbyer njerëzve në Kosovë, përcjell KultPlus.

“Motrat misionare, të cilat ofrojnë ndihmë në heshtje, jashtë vëmendjes së gjithsekujt, prej vitesh kujdesen për më të varfrit, për ata që Nënë Tereza i deshi më së shumti. Ato u ofrojnë atyre strehë e ushqim, kujdesen për ta dhe i mbajnë afër me dashuri, sipas shembullit të misionares së madhe shqiptare, Nënë Terezës”, theksoi Osmani.

Sipas saj, duke qenë çdo ditë me të varfrit, duke e ndarë dhembjen me ta, motrat misionare po e japin shembullin se si mes njerëzish duhet të mbretërojë dashuria e respekti.

“Këto parime nëna Terezë i kishte fort për zemër. Ne do t’u jemi gjithmonë mirënjohës për këtë shembull përkushtimi e dashurie që ato ua ofrojnë më të varfërve tanë”, është shprehur Osmani./ KultPlus.com

Osmani mbështetë kërkesat e prindërve: Nxënësit duhet të jenë në qendër të interesimit tonë për ta tejkaluar krizën në arsim

Nis takimi i Presidentes Vjosa Osmani me Këshillin e Prindërve, Jeton Demi dhe Labinot Salihu, Këshillin e Nxënësve në përbërje të Ditjon Fetahu dhe Hekuran Muja, si dhe Koalicionin e OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve me përfaqësuese Donjeta Kelmendi.

Presidentja Osmani mbështetë kërkesat e nxënësve dhe të prindërve: Nxënësit duhet të jenë në qendër të interesimit tonë për ta tejkaluar krizën në arsim! / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Pragë: Albright u bë zëri i Kosovës në ditët e vështira (VIDEO)

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ish sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright u bë zëri i Kosovës në periudhën kur populli i Kosovës po kalonte nëpër kohë të vështira.

Këto komente ajo i bëri në panelin mbi dialogun transatlantik dhe trashëgiminë e Albright në Forumin 2000 në Pragë të Çekisë, njofton Klan Kosova.

“Për Kosovën absolutisht, por bota, e gjithë bota është një vend më i mirë, më i sigurt dhe me paqësor për shkak të njerëzve si sekretarja Albright”.

“Populli i Kosovës ka pasur rastin të përjetojë drejtpërdrejtë fuqinë transformuese të lidershipit të saj”.

“Ajo ishte një person që qëndroi gjithmonë në anën e duhur të historisë. Por në rastin tonë të veçantë, ajo u bë zëri ynë”.

“Ajo u bë zëri i të pazëshmëve, ajo u sigurua që të drejtat tona themelore të mbroheshin kur shumëkush në mbarë botën as që e dinim që ekzistonim”. / KultPlus.com

Osmani: Potencova se Kosova do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend

Ka përfunduar takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe emisarit special amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Presidentes Vjosa Osmani:

Në takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, potencova se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.

Institucionet tona janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtar dhe çdo vendim i yni reflekton frymën kushtetuese të vendit tonë dhe vlerat tona demokratike.

Partnetiteti ynë me SHBA-të vazhdon të jetë qenësor. 🇽🇰🇺🇸 / KultPlus.com

Presidentja Osmani flet për çështjen e shamisë: Në qoftë se dikush mendon se po i cenohet ndonjë e drejtë, ekzistojnë rrugët ligjore

Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka dhënë qëndrimin e saj lidhur me atë se a duhet vajzat nën moshën 16 vjeçare të mbajnë shaminë në institucione shkollore.

Sipas saj, Kushtetuta e Kosovës e ka përcaktuar një parim themelor që është parim fundamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi ynë juridiko-kushtetues dhe ai është parimi i laicitetit.

Sa i përket propozimit që mosha të zbresë tek 16 vjet, ajo ka theksuar se “në qoftë se kjo çështje lidhet me të drejtën e votës atëherë do të kërkoj ndryshim të Kushtetutës, sepse siç e dini, ky prag është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Më poshtë mund ta lexoni prononcimin e plotë të saj:

“Në radhë të parë më lejoni të potencoj që Kushtetuta e Republikës së Kosovës duhet të jetë, vazhdon të jetë orientim parësor i institucioneve të Republikës së Kosovës për çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut”.

“Kjo Kushtetutë ka përcaktuar një parim themelor që është parim fundamental mbi të cilin edhe është ndërtuar sistemi ynë juridiko-kushtetues dhe ai është parimi i laicitetit. Prandaj është tejet me rëndësi që në institucionet e Republikës së Kosovës të respektohet ky parim”.

“Çështja e dytë që e ka përcaktuar qartë kjo Kushtetutë është detyrimi i të gjitha institucioneve publike të RKS që të respektojnë vendimet e GjEDNj, si standarde nëpërmjet të cilave zgjidhet çdo çështje që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e njeriut”.

“Kurse çështja e tretë që dua ta potencoj është fakti që për dallim nga shumë kushtetuta anekënd botës që nuk ia lejojnë individit të drejtën që ta dërgojë një çështje të lirive dhe të drejtave të njeriut në Gjykatën Kushtetuese, tek ne ekziston kjo mundësi”.

“Prandaj në qoftë se dikush mendon se po i cenohet ndonjë e drejtë, ekzistojnë rrugët ligjore, administrative e kushtetuese që ta adresojnë këtë çështje në të gjitha këto instanca deri tek Gjykata Kushtetuese”.

“Si presidente e vendit do të vazhdoj të kërkoj që të respektohen parimet mbi të cilat është ndërtuar jo vetëm Kushtetuta jonë, por edhe shoqëria jonë si shoqëri progresiste, si shoqëri që i shikon parimet dhe vlerat euroatlantike si fundamentale”.

“Sa i përket propozimit që mosha të zbresë tek 16 vjet, në qoftë se kjo çështje lidhet me të drejtën e votës atëherë do të kërkoj ndryshim të Kushtetutës, sepse siç e dini, ky prag është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Por çdo ndryshim legjislativ kushtetues përfundimisht do të jetë vullnet i deputetëve të Republikës së Kosovës dhe unë asnjëherë deri më tani nuk e kam imponuar vullnetin tim mbi deputetët, por siç e thashë është shumë me rëndësi që ky bazament kushtetues i Republikës sonë të respektohet”. / KultPlus.com

Presidenti i Shqipërisë pritet nga presidentja Osmani me nderime të larta shtetërore (VIDEO)

Me nderime të larta shtetërore, presidentja Vjosa Osmani e ka pritur sot presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.

Presidentët do të zhvillojnë një takim, pas së cilit do të bëjnë nderime para memorialit për Personat e Zhdukur. Më pas Osmani dhe Begaj do të mbajnë një konferencë për media.

Gjatë ditës, Begaj do të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendi të Kosovës, Glauk Konjufca si dhe me liderët e opozitës. / KultPlus.com

Artistja Fitore Berisha Alisdottir ftohet nga Presidentja Osmani, diskutohet për ndikimin e artit

Artistja Fitore Berisha Alisdottir është ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar rreth ndikimit të artit që mund të ketë për përmirësim të vazhdueshëm, shkruan KultPlus.

Artistja Berisha e cila së fundmi ka realizuar një mural nën titullin “Andrrat e thyera”, mural ky që i dedikohet grave dhe vajzave që u vranë nga burrat, gjithashtu ia ka bërë një dhuratë Presidentes Osmani.

Ajo me këtë rast ka realizuar një vepër të cilën e ka punuar duke u bazuar në metodat tradicionale të leshit që janë përdorur me shekuj në vendin tonë.

“Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani më ftoi të diskutojmë ndikimin që mund të ketë arti për përmirësim të vazhdueshëm. Ajo pranoi dhuratën time për të, një vepër të cilën e punova duke u bazuar në metodat tradicionale të leshit që janë përdorur me shekuj në vendin tonë”, ka shkruar Berisha në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Presidentja Osmani e dekoroi gazetarin Sulejman Gashi (pas vdekjes) me medaljen Presidenciale të Meritave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia ka dorëzuar sot familjes së gazetarit Sulejman Gashi Medaljen Presidenciale të Meritave, me të cilën ajo e ka dekoruar z. Sulejman Gashi (pas vdekjes së tij).

Në ceremoninë e organizuar sot, në prani të familjarëve dhe të miqve, Presidentja Osmani theksoi se medalja e ndarë për gazetarin tashmë të ndjerë, Sulejman Gashi, është shprehje e mirënjohjes shtetërore për kontributin e çmuar të cilin z. Gashi, si gazetar e aktivist shumëvjeçar e ka dhënë për dhjetëvjetësha të tërë për shpërndarjen gjithandej të së vërtetës së Kosovës.

Presidentja Osmani theksoi se z. Gashi ka qenë burim i së vërtetës për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një afirmues i së drejtës së saj për liri.

“Ai ishte zëri i Kosovës. Ne sot po e institucionalizojmë kujtesën për të duke e dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin shumëvjeçar në pasqyrimin e së vërtetës së Kosovës e për të në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Familjarët e z. Gashi, por edhe bashkëpunëtorët e tij të pranishëm në ceremoni shprehën mirënjohje ndaj Presidentes Osmani për kujdesin që po tregon ndaj personaliteteve të cilat kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe e falënderuan atë për dekoratën të cilën Presidentja ia ka ndarë z. Gashi. / KultPlus.com

Presidentja Osmani fton Metën në Kosovë për të përmbyllur mandatin

Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar presidentin Ilir Meta për vizitë zyrtare në Kosovë me rastin e përmbylljes së mandatit të këtij të fundit.

Zyra për media e Presidencës njofton se Osmani do ta presë homologun shqiptar nesër në ora 09:00 me ceremoni të lartë shtetërore.

“Me ftesë të Presidentes Osmani, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta do qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë, me rastin e përmbylljes së mandatit të tij Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, nesër (22 korrik 2022), pret për vizitë zyrtare, me rastin e përmbylljes së mandatit të tij, presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Në orën 09:00, Presidentja Osmani do ta presë presidentin Meta me ceremonitë më të larta shtetërore”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com