Presidentja Osmani kërkoi që Izraeli t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës, gjë që do ta mundësonte rritjen e turizmit nga të dy vendet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e parë e shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv, përcjellë KultPlus.

Presidentja Osmani ka rikutjuar raportet miqësore me popullin izraelit edhe përpara vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Populli i Kosovës ka hapur dyert dhe zemrat për popullin hebre në ditët më të vështira, e sot, qëndrojmë të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, sigurinë, inteligjencën, shëndetin dhe arsimin. Bashkëpunimi ndërshtetëror do të thellohet tutje”, tha Presidentja Osmani.

Memorializimin e viktimave të Holokaustit, Presidentja Osmani e ka cilësuar si një mësim, të cilin mund ta marrë Kosova nga Izraeli për t’i kujtuar viktimat e luftës dhe për t’i shqyrtuar mundësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit në këtë drejtim. Këtë iniciativë, Presidentja e kishte filluar në bashkëpunim me kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset) gjatë periudhës si Kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq ambasadorja Ziv e falënderoi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për mbështetjen ndaj popullit hebre në ditët më të errëta e deri më sot, si dhe përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, duke shprehur gatishmërinë për thellim të raporteve në të gjitha fushat. Ambasadorja përmendi hapat e ndërmarra deri më tani, duke përfshirë thellimin e bashkëpunimit në energjetikë, kulturë, turizëm, rritjen e këmbimeve tregtare, shtimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe memorializimin e luftës.

Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e Izraelit edhe në fushën diplomatike, gjegjësisht në fitimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Presidentja gjithashtu kërkoi që Izraeli t’i heqë përfundimisht vizat për shtetasit e Kosovës, gjë që do ta mundësonte rritjen e turizmit nga të dy vendet. / KultPlus.com

Presidentja Osmani për Al Jazeeran: Kërcënimet sikur për Bosnjën nuk e ndalin Kosovën në synimet për t’iu bashkuar NATO-s

Presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për “Al Jazeeran”, ka folur për ushtrinë e Kosovës. Osmani ka thënë se asgjë nuk do t’i ndalë synimet e Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s, pasi thekson se do të sillte stabilitet e siguri për gjithë rajonin.

“Si presidente e shtetit më pro-NATO dhe më pro-Evropian në botë, më duhet të them se Rusia absolutisht do të vazhdojë me qasje të njëjtë të kërcënimit ndaj shteteve që zgjedhin rrugën euroatlantike, duke kërcënuar se do të veprojë si në Ukrainë”.

“Para disa ditëve ambasadori i Rusisë në Bosnjë tha se nëse Bosnja i bashkohet NATO-s atë e pret një gjë e ngjashme si Ukrainën. Është një kërcënim direkt jo vetëm për Bosnjën por gjithë shtetet në rajon apo mëtej, që kanë synim t’i bashkohen aleancës. Por, kjo nuk duhet të na ndalë që t’i bashkohemi NATO-s”.

“NATO nuk është thjeshtë makinë ushtarake, por është sistem i bazuar në vlera. Duam t’i bashkohemi për shkak të vlerave që paraqet, por edhe për shkak të sigurisë që do t’i sillte rajonit”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se anëtarësimi i Shqipërisë, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut në NATO ka sjellë më tepër siguri për rajonin.

Po ashtu foli edhe për çështjen e Rusisë dhe ndërhyrjen në Ukrainë.

Ajo tha se nëse presidenti i Rusisë Vladimir Putin, lejohet të marrë atë që do, do të thotë se ky është fundi i demokracisë.

“Nëse ne e lejojmë Putinin që të merr atë që do, ky është fundi i demokracisë. Ky është fundi i rregullave të të drejtës ndërkombëtare. Për këtë arsye të gjithë së bashku vendet e mëdha dhe të vogla duhet që të punojnë së bashku që të ndalohet ajo se çka është duke bërë tani Rusia dhë të sigurohemi që regjimi i Putinit do të bjerë”, tha Osmani./Express/ KultPlus.com

Presidenca me thirrje të hapur kërkon nominimin e tre anëtarëve të shoqërisë civile në Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka publikuar një thirrje të hapur për nominimin e tre anëtarëve nga shoqëria civile, të cilët do të jenë pjesë e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.  

Ky Këshill është derivat i zotimeve, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i kanë marrë në kuadër të edicionit të parë të Samitit për Demokraci të organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Rrjedhimisht, Presidentja Vjosa Osmani ka inicuar themelimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili do të luaj rolin e mekanizmit përgjegjës për udhëheqjen dhe garantimin e mbarëvajtjes së punës së të gjitha institucioneve të cilat janë drejtpërdrejt përgjegjëse për përmbushjen e zotimeve të prezantuara në Samitin për Demokraci.

Ky Këshill do të jetë përgjegjës për të garantuar monitorimin, transparencën, dhe llogaridhënien në lidhje me përmbushjen e këtyre zotimeve.

Thirrjen e gjeni në vegzën në vijim:

Shpallje – Presidente e Republikës së Kosovës – DR. VJOSA OSMANI – SADRIU (president-ksgov.net) / KultPlus.com

Takimi me delegacionin nga Shtëpia e Bardhë, Osmani: Jam krenare për intensifikimin e bashkëpunimit tonë me SHBA-të

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur një delegacion nga Shtëpia e Bardhë sot në Presidencë.

Në krye te delegacionit amerikan është Elizabeth Sherwood-Randall, asistente e presidentit të SHBA’së për Siguri Kombëtare. Bashkë me të janë edhe Curtis Reid, drejtor i Lartë për Çështje Multilaterale në kuadër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Hillary Hurd, këshilltare e Lartë në Këshillin për Siguri Kombëtare dhe Holly Holzer, koordinatore e Departamentit të Shtetit për Përpjekjet e Zhvendosjes nga Afganistani (CARE).

“Jam krenare për intensifikimin e bashkëpunimit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi të vendosur për t`i forcuar mëtej marrëdhëniet tona politike, ushtarake dhe ekonomike, prandaj sot pata nderin ta mirëpres në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë, të udhëhequr nga znj. Elizabeth Sherwood-Randall, këshilltare e Presidentit Biden.
Marrëdhëniet me SHBA-të janë ekzistenciale dhe strategjike!”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Delegacioni i Shtëpisë së Bardhë nesër në Presidencë, pritet nga Presidentja Osmani

Nesër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu do ta pres në takim një delegacion nga Shtëpia e Bardhë.

ZPRK-ja përmes një komunikate për media tha se ky takim do të mbahet në orën 15:00.

Po ashtu, në orën 16:10, presidentja pret në takim edhe kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer.

“Fillimisht Presidentja Osmani do ta presë Kancelarin Nehammer në hyrje të objektit të Kuvendit të Kosovës, ku do të bëhet edhe fotografia zyrtare, dhe më pas takimi do të mbahet në Kabinetin e Presidentes”, thuhet në komunikatën e tyre. / KultPlus.com

Presidentja Osmani takon komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ferenc Kajári, diskutohet çështja e sigurisë në vend

Presidentja Osmani takoi komandantin e KFOR-it Gjeneral Major Ferenc Kajári.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Ferenc Kajári, me të cilin diskutoi çështjen e sigurisë në vend dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për punën e KFOR-it dhe kontributin e tyre për paqe dhe siguri. Ne anën tjetër, komandanti Kajári ritheksoi përkushtimin e trupave të KFOR-it në mbështetjen e një mjedisi të sigurt dhe paqësor në të gjithë vendin. / KultPlus.com

Osmani ndan Medaljen Presidenciale Ushtarake për ushtarët ukrainas që kanë shërbyer në Kosovë nga viti 1999

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë sot Medaljen Presidenciale Ushtarake për ushtarët ukrainas që kanë shërbyer në Kosovë në kuadër të KFOR-it që nga viti 1999.

Osmani ka thënë se një mirënjohje e tillë shkon për 1 mijë e 400 ushtarët ukrainas, gra e burra, të cilët u kujdesën për sigurinë e Kosovës.

Presidentja tutje ka potencuar se “në kohën kur në Ukrainë po mbrohet në mënyrë dinjitoze e tashmja dhe e ardhmja e gjithë Evropës, populli i Kosovës qëndron me popullin dhe ushtarët e Ukrainës drejt fitores ndaj agresionit rus”.

Shkrimi i plotë i Osmanit:

Sot dekorova me Medaljen  Presidenciale Ushtarake kontigjentin ukrainas të KFOR-it për kontributin e dhënë për më shumë se dy dekada për paqen dhe sigurinë e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Medalja e sotme është mirënjohje ndaj 1400 grave e burrave të Forcave të Armatosura të Ukrainës, të cilët shërbyen në Kosovë që nga viti 1999 në kuadër të forcave të NATO-s, por edhe vlerësim ndaj profesionalizmit dhe trimërisë të cilat kjo ushtri po i manifeston në këto kohë të errëta për popullin ukrainas dhe për gjithë kontinentin tonë.

Në kohën kur në Ukrainë po mbrohet në mënyrë dinjitoze e tashmja dhe e ardhmja e gjithë Evropës, populli i Kosovës qëndron me popullin dhe ushtarët e Ukrainës drejt fitores ndaj agresionit rus. / KultPlus.com

Osmani: Siç u mblodh bota për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë në 1999, jam e sigurt që këtë do ta shohim edhe në rastin e Ukrainës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Ballkani Perëndimor duhet që domosdoshmërisht t’i bashkohet strukturave euroatlantike.

Teksa foli në panelin ku u diskutua tema “Rrugët rajonale dhe globale drejt paqes dhe prosperitetit”, në Forumin Diplomatik të Antalisë, Osmani tha se një mjedis paqësor dhe i begatë është çelës për çdo shoqëri.

“Një mjedis paqësor dhe i begatë është çelës për çdo shoqëri, sepse  ndikon në të gjitha aspektet e zhvillimit shoqëror të një vendi”, ka theksuar Presidentja Osmani. Por, sipas saj, qëllimet e tilla asnjë vend nuk mund t`i arrijë i vetëm. “Vendosja e bashkëpunimit rajonal dhe global do ta mundësojë paqen dhe stabilitetin, i cili favorizon zhvillimin ekonomik, prosperitetin dhe përparimin”, ka thënë ajo.

Njoftimi i plotë:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të punimeve të Forumit Diplomatik të Antalisë, sot ka marrë pjesë në  panelin e liderëve ku u diskutua për temën “Rrugët rajonale dhe globale drejt paqes dhe prosperitetit”.

Sipas Presidentes Osmani, paqja dhe prosperiteti janë të lidhura ngushtë dhe parakushte për një shoqëri progresive e të zhvilluar.

“Një mjedis paqësor dhe i begatë është çelës për çdo shoqëri, sepse  ndikon në të gjitha aspektet e zhvillimit shoqëror të një vendi”, ka theksuar Presidentja Osmani. Por, sipas saj, qëllimet e tilla asnjë vend nuk mund t`i arrijë i vetëm.

“Vendosja e bashkëpunimit rajonal dhe global do ta mundësojë paqen dhe stabilitetin, i cili favorizon zhvillimin ekonomik, prosperitetin dhe përparimin”, është shprehur Presidentja Osmani.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor domosdoshmërisht duhet t`i bashkohet strukturave euroatlantike. Më tej, Presidentja Osmani ka thënë se e vetmja mundësi për ta ruajtur paqen është komunikimi i qartë dhe i drejtpërdrejt, megjithëse sipas saj, paqja është gjithnjë e kërcënuar.

“Përkundër përparimit të jashtëzakonshëm që ka bërë Kosova si shtet, por edhe kontinenti ynë, sot të gjithë i shohim qartë kërcënimet ndaj paqes dhe sigurisë, të cilat janë të vazhdueshme dhe aktive”, është shprehur Presidentja Osmani.

Diskutimin e saj, Presidentja Osmani e përmbylli me një mesazh shprese për bashkëpunimin e botës demokratike për ruajtjen e paqes: “Ashtu siç u mblodh bota demokratike për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe gjenocidit në Kosovë në 1999, jam e sigurt që këtë do ta shohim edhe në rastin e Ukrainës dhe kudo tjetër në botë ku ka luftë dhe vuajtje”. / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim ministren Baerbock, kërkohet mbështetja për anëtarësim në Partneritetin për Paqe dhe NATO

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock. Në takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, si dhe i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova i është bashkuar BE-së dhe ShBA-ve, me vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës së Rusisë, e cila ka kryer agresion ushtarak ndaj Ukrainës. Sipas Presidentes Osmani, Republika e Kosovës e mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe është e gatshme për të strehuar refugjatë ukrainas.

Presidentja Osmani kërkoi nga ministrja Baerbock mbështetje nga Gjermania për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Ajo theksoi se Kosova është e gatshme të plotësoj të gjitha kriteret për anëtarësim në këtë organizatë, pasi që paraqet shtysë të rëndësishme për zbatimin e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe agjendën evropiane të vendit.

Po ashtu, Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën dhe paqen e sigurinë në rajon, është ekzistenciale fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO. Agresioni rus në Ukrainë, sipas Presidentes Osmani ka nxitur domosdoshmërinë e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor.

Presidentja Osmani ka potencuar se aspirata e Kosovës për t’u bërë anëtare e NATO-s, synon parandalimin e përpjekjeve për ta destabilizuar vendin tonë dhe rajonin nga përpjekjet e Rusisë dhe aleatit të saj, Serbisë. Më tej, Presidentja Osmani ka përmendur kërcënimin që vjen nga bashkëpunimi i ngushtë ushtarak ndërmjet Rusisë dhe Serbisë, sikurse edhe nga funksionimi i një qendre ruse afër kufirit me Kosovën.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësim në Partneritetin për Paqe, pastaj në NATO, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Në këtë takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Presidentja Osmani theksoi se për Kosovën, Gjermania është partner strategjik në aspektin politik, të sigurisë dhe atë ekonomik. Sipas saj, Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë.

Presidentja Osmani vlerësoi se marrëdhëniet me Gjermaninë i bëjnë edhe më të forta një numër i madh i mërgimtarëve kosovarë, të cilët jetojnë dhe janë të integruar mirë në Gjermani. Prandaj, sipas Presidentes Osmani, Kosova e konsideron Gjermaninë si një forcë lëvizëse për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe rajonit. / KultPlus.com

Presidentja Osmani mirëpret miratimin e Rezolutës në mbështetje të Ukrainës: Kosova qëndron në anën e lirisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka mirëpritur vendimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin e Rezolutës në mbështetje të Ukrainës.

Ajo tha se sot Kuvendi i Kosovës foli me një zë, teksa ka falënderuar të gjithë deputetët për votimin.

Osmani tha se Kosova qëndron me Ukrainën, sepse qëndron në anën re lirisë.

“Sot, Kuvendi i Kosovës foli me një zë. U dëshmua se përballë hegjemonive që cenojnë liritë më fundamentale njerëzore e që shkelin të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, sovran e në përputhje me vlerat demokratike, ne gjithmonë qëndrojmë të bashkuar dhe në anën e drejtë të historisë. Falënderoj të gjithë deputetët të cilët e fuqizuan edhe mëtej qëndrimin tashmë të shprehur nga Kosova lidhur me dënimin e agresionit rus në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë dhe hapjen e dyerve për refugjatët nga Ukraina. Kosova qëndron me Ukrainën, sepse Kosova qëndron në anën e lirisë! #WeStandWithUkraine”, ka shkruar Osmani në një postim në “Facebook”. / KultPlus.com

Malta mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO

Presidentja Osmani u prit në takim nga kryetari i Parlamentit të Maltës, z.Angelo Farrugia dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maltës, z. Evarist Bartolo, përcjell KultPlus.

 Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në vazhdën e takimeve gjatë vizitës zyrtare në Maltë, është pritur nga kryetari i Parlamentit, z.Angelo Farrugia dhe nga Ministri i Punëve të Jashtme z.Evarist Bartolo.

Presidentja Osmani ka theksuar se në kuadër të diplomacisë parlamentare e pret ndihmën e z.Farrugia dhe të parlamentit të Maltës në mënyrë që edhe Kosova të arrijë të përfaqësohet në organizata ndërkombëtare.

Në takimin me ministrin e punëve të Jashtme të Maltës, z. Evarist Bartolo, u bë e qartë se mbështetja e tij dhe e Maltës në procesin e anëtarësimit në BE si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare nuk ka munguar deri tani dhe është kërkuar që kjo përkrahje të vazhdojë edhe më tutje.

Kosova dhe Malta mbesin dy vende dhe partnere të besueshme dhe të përkushtuara për thellim të raporteve bilaterale. / KultPlus.com

Presidentja Osmani u prit nga presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan me nderimet më të larta shtetërore 


Presidentja e Republikës së Kosovës është pritur sot në takim nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Në takim me presidentin Erdoğan, Presidentja Osmani, e shoqëruar edhe nga ministrja për punë të Jashtme dhe të Diasporës, Donika Gërvalla si dhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, e ka falënderuar Turqinë për mbështetjen ndaj Kosovës në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe të shtetndërtimit. Gjatë këtij takimi, Presidentja Osmani ka marrë konfirmimin e Presidentit Erdoğan se Turqia e mbështetë anëtarësimin e Kosovës në NATO. Presidenti turk, poashtu ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë Kosovën edhe më tej në sigurimin e njohjeve të reja, për të cilën gjë ka premtuar angazhim personal.

Ndërkaq në takimin ndërmjet dy presidentëve, temë e bisedës ishte edhe aktualiteti politik në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.

Presidentja Osmani, duke u ndërlidhur me situatën në Ukrainë, ka theksuar se Kosova dënon agresionin ushtarak te Federatës së Rusisë ndaj Ukrainë. Sipas saj, Rusia dhe aleati i saj, Serbia synojnë ta destabilizojnë edhe Ballkanin Perëndimor, duke sfiduar dhe kërcënuar sovranitetin dhe stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Prandaj, sipas Presidentes Osmani bota demokratike duhet me vendosmëri dhe me unitet t`i përgjigjet tendencave të Rusisë dhe Serbisë për destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, ka përsëritur se ky proces duhet të jetë i përqendruar në njohjen reciproke.

Në takimin ndërmjet të dy delegacioneve shtetërore janë diskutuar edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, shëndetësisë, këmbimit tregtar dhe ekonomik, turizmit etj. Poashtu janë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi në fushën e rinisë dhe sportit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Turqisë, një në fushën e pylltarisë dhe një memorandum mirëkuptimi për protokollin ndërmjet ministrive të Jashtme. / KultPlus.com

Presidentja Osmani kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vlerësuar se Serbia është rreshtuar krahas Rusisë, në pushtimin e Ukrainës, përcjell KultPlus.

Në një postim në rrjetin social Twitter, ajo tha se Serbia nuk është neutrale.

“Serbia nuk është neutrale. Serbia po qëndron me Rusinë”, shkroi Osmani.

Gjithashtu, Presidentja Osmani ka deklaruar se shtetet demokratike, përfshirë Kosovën po qëndrojnë me Ukrainën.

Nga një “hashtag”, Presidentja Osmani bëri thirrje që Kosova të pranohet në NATO. / KultPlus.com

Presidentja Osmani për TRT World: Dhimbja që shohim në mbarë Ukrainën sjell shumë vështirësi për popullin e Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani së fundmi ka ndarë solidaritetin e saj nëpërmjet një interviste të zhvilluar për TRT World mbi sulmet ruse në Ukrainë, shkruan KultPlus.

“Imazhet shkatërruese nga Ukraina dhe veçanërisht dhe do të thoja se shumë njerëz në mbarë rajonin tonë që u bënë viktima të gjenocidit ishin krime dhe po ashtu krime kundër njerëzimit, si dhe në të njëjtën kohë tregon se sa e rëndësishme është që kombet demokratike në mbarë botën të bashkohen rreth shpëtimit të njerëzimit”, thotë Osmani.

Sipas saj, po aq sa ka të bëjë me synimet imperialiste të Rusisë ndaj Ukrainës dhe vendeve të tjera që ishin formalisht pjesë e BRSS dhe më gjerë, ka të bëjë edhe me ruajtjen e vlerave që ndajmë, prandaj ajo tregon se ne si Kosovë vazhdimisht theksohet fakti se zëri ynë kolektiv është jashtëzakonisht i rëndësishëm tani për të sjellë bashkimin e vlerave kolektive, sepse mund të duket sikur bëhet fjalë për Ukrainën, por kjo është shumë më e madhe se kaq.

“Bëhet fjalë për mënyrën tonë demokratike të jetesës, të cilën Rusia dhe aleatët e saj po përpiqen ta shkatërrojnë. Bëhet fjalë për gjithçka që kemi arritur deri më tani, që ata po përpiqen të shkatërrojnë, dhe për këtë arsye ne me të vërtetë kemi nevojë, sado i madh apo i vogël të jetë një vend, të sigurohemi që të shprehim zërat e njerëzve që përfaqësojmë dhe në të njëjtën kohë shprehim solidaritet me popullin ukrainas, prandaj Kosova ka qenë ndër kombet e para në botë që ka treguar solidaritet, për të treguar se qëndrojmë me Ukrainën, duke e ditur se kjo do të jetë për botën në të cilën duam të jetojmë”, thotë Osmani.

Më poshtë KultPlus ua sjell intervistën e plotë të saj:

Joe Biden për ditën e pavarësisë: Kosova zë një vend të veçantë në zemrat e familjes Biden

Sot nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Presidentja Vjosa Osmani ka ndarë urimin e Presidentit Joe Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës, përcjell KultPlus.

Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Po ashtu, ai në urimin e tij ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë.

“Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka thënë Osmani.

KultPlus ua sjell postimin e saj të plotë:

Jam e lumtur ta ndaj me ju urimin e Presidentit Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës.

Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Sipas tij, në Samitin për Demokraci, Kosova ka dëshmuar se është e gatshme ta ndajë përvojën me shtete të tjera, ndaj thekson se gjatë këtij viti Kosova vazhdimisht ka treguar lidership në arenën ndërkombëtare. Në urimin e tij, Presidenti Biden ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë.

Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me ShBA-të! / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Në vitet ’90, Shtetet e Bashkuara na shpëtuan jetën dhe sot na shpëtojnë me vaksina

Kosova ka pranuar sot mbi 1 milion vaksina Pfizer, të siguruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan KultPlus.

Me këtë rast Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen e saj ndaj Presidentit të Shteteve të Amerikës, Joe Biden.

“Në vitet ’90, Shtetet e Bashkuara na shpëtuan jetën dhe sot na shpëtojnë me vaksina.

Jashtëzakonisht mirënjohëse ndaj Presidentit Biden @POTUS për dhurimin jashtëzakonisht bujar të mbi 1 milion vaksinave Pfizer!”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Presidentja Osmani kujton Natën e Tmerrit: Dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve vazhdoi edhe pas luftës

Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar 3 dhe 4 shkurtin e vitit 200 ku në Mitrovicë u vranë 10 shqiptarë, përcjell KultPlus.

“Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë”, ka shkruar Osmani.

KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:

Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë tmerrin e 3-4 shkurtit të vitit 2000, kur u vranë 10 qytetarë të saj, në mesin e të cilëve edhe pleq, gra e fëmijë.

Kujtimi për ta do të rëndojë ende mbi ndërgjegjet tona, derisa autorët, pjesë të bandave kriminale të nxitura nga Serbia, të dalin para drejtësisë.

25 të plagosur nga ajo natë dhe 1664 familje të dëbuara me gati 12 mijë anëtarë nga ajo pjesë janë dëshmi e natës së trishtë, kur ata pësuan vetëm pse ishin shqiptarë por edhe dëshmi se spastrimi etnik ndaj shqiptarëve në veri të vendit vazhdoi edhe pas luftës.

Ngjarje të tilla mos u përsëritshin kurrë, teksa kujtimi për të vrarët qoftë i përhershëm! / KultPlus.com

Presidentja Osmani pas takimit me Escobar dhe Lajcak: Serbia bllokuese e progresit në dialog

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani sot priti në takim Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajčák dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-ve, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të diskutuar mbi zhvillimet në dialog dhe se si mund të ecet përpara me dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit. Ajo gjithashtu përsëriti qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës. “Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, potencoi Presidentja.

Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, Presidentja, gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë  zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, Presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut.

Presidentja po ashtu theksoi edhe një herë rëndësinë absolute të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet i procesit të dialogut. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Distria Krasniqi me sukseset e saj prej kohësh është bërë ikona e Kosovës së sotme



Sot xhudistja kosovare Distria Krasniqi ka fituar medaljen e artë në Grand Prix të Portugalisë, duke bërë një popull shqiptar, krenarë, shkruan KultPlus.

Ndërsa sot Presidentja Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e ka uruar xhudisten tonë, duke e cilësuar atë si një ikonë të sotme të Kosovës.

“Distria është fytyra e shtetit tonë, ajo është nderi dhe krenaria!”, ka shkruar Osmani.

Më poshtë gjeni postimi e plotë të saj:

Disi jonë fitoi medaljen e artë në Grand Prix të Portugalisë.

Krenare që sportistët tanë vazhdimisht po demonstrojnë formë fantastike në gara ndërkombëtare, duke e nderuar veten dhe shtetin.

Distria është fytyra e shtetit tonë, ajo është nderi dhe krenaria!

I lumtë që me sukseset e saj prej kohësh është bërë ikona e Kosovës së sotme! / KultPlus.com

Presidentja Osmani në 86 vjetorin e lindjes së Kadaresë: E gëzofsh ditëlindjen, mjeshtër

Sot, shkrimtari dhe poeti Ismail Kadare feston ditëlindjen e tij të 86-të.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimin në Facebook ka uruar shkrimtarin të cilin ajo e quan mjeshtër të vargut e fjalës dhe mbrojtës të kulturës perëndimore të shqiptarëve.

KultPlus ua sjell postimin e plotë të saj:

Në jetën e kombeve ndodh jo rrallë që njerëzit e kulturës, të artit e të letrave, t’i japin udhë kombit në çastet më të vështira të historisë së tij, duke qenë artikuluesit më të mëdhenj të idesë së lirisë.

I tillë është shkrimtari ynë Ismail  Kadare, mjeshtër i vargut e i fjalës, mbrojtës i kulturës perëndimore të shqiptarëve.

Në kryeveprat e tij, të matshme vetëm me klasikët e letërsisë botërore, ai arriti që ta shpërfaqte shpirtin e lirë të kombit, historinë, traditat, kulturën e përkatësinë (identitetin) e tij, kur diktatura po bënte përpjekje ta tjetërsonte atë.

Bota e njeh sot traditën, kulturën e shpirtin e shqiptarëve nëpërmjet veprave të tij, pa pasur nevojë për mësues historie.

Kombi ynë i është mirënjohës përjetësisht këtij kolosi të letrave. Kosova, në mënyrë të veçantë, i përulet për peshën e rrallë të fjalës së tij.

E gëzofsh ditëlindjen, mjeshtër!

Paç shëndet!

Presidentja Osmani: Përkujtimi i Holokaustit është obligim jetësor

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar vitktimat e popullit hebre, përcjell KultPlus.

Osmani përmes një postimi në Facebook thotë se përkujtimi i Holokaustit është obligim njerëzor i secilit, jo vetëm për t`i nderuar viktimat, por edhe për ta mbajtur zgjuar ndërgjegjen njerëzore që akte të tilla të mos përsëriten kurrë më.

KultPlus ua sjell postimin e plotë:

Përkujtimi i Holokaustit është obligim njerëzor i secilit, jo vetëm për t`i nderuar viktimat, por edhe për ta mbajtur zgjuar ndërgjegjen njerëzore që akte të tilla të mos përsëriten kurrë më.

Në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, nderojmë miliona jetë të humbura të popullit mik hebre.

Në kohët më të errëta për ta, shqiptarët hapën zemrat dhe dyert, duke demonstruar fisnikëri e humanizëm.

Në kujtim të kësaj dite jemi fuqimisht të vendosur kundër urrejtjes e diskiriminimit dhe vazhdojmë përkushtimin tonë për promovimin e mesazhit: Holokausti, kurrë më!./ KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim një delegacion të Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot priti në takim një delegacion të Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, të përbërë nga Ragmi Mustafi, Lirona Zuka dhe Alban Alili.

Në takim me këtë delegacion, Presidentja Osmani ka shprehur gatishmëri për ta mbështetur Këshillin Kombëtar Shqiptar të Luginës së Preshevës. Ajo ka bërë të ditur se në vazhdimësi angazhohet për promovimin e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc dhe ka adresuar problemet me të cilat ballafaqohen këta qytetarë, siç janë pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave nga Serbia dhe problemet e vazhdueshme me punësimin.

“E keni mbështetjen time dhe ju siguroj se do të përpiqem që zëri juaj të dëgjohet. Qytetarët e Luginës së Preshevës janë brengë e jona e përhershme, dhe do të ndërmarrim çdo veprim të mundshëm për t`i ndihmuar sa më shumë”, ka theksuar Presidentja Osmani, duke rikonfirmuar se problemet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të vazhdojë t’i ngrisë në instancat më të larta ndërkombëtare. / KultPlus.com

Në 20 vjetorin e vrasjes, Presidentja Osmani dekoron Smajl Hajdarajn me Urdhrin “Hero i Kosovës”

Sot në 20-vjetorin e vrasjes, Presidentja Vjosa Osmani dekoroi me Urdhrin “Hero i Kosovës”, veprimtarin e çështjes kombëtare, luftëtarin e lirisë dhe ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdarajn, përcjell KultPlus.

“Liria jonë nuk është e përmbushur pa zbardhjen e vrasjeve politike. Do t`i dalim hakut heroit Smajl Hajdaraj, kur kryesit e veprës të dalin para drejtësisë!”, ka shkruar ajo.

Më poshtë KultPlus ju sjell njoftimin e saj të plotë:

Në 20-vjetorin e vrasjes, dekorova me Urdhrin “Hero i Kosovës”, veprimtarin e çështjes kombëtare, luftëtarin e lirisë dhe ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdarajn.

Ai ishte jo vetëm një politikan i devotshëm, por edhe luftëtar i paepur për lirinë e Kosovës.

Liria jonë nuk është e përmbushur pa zbardhjen e vrasjeve politike. Do t`i dalim hakut heroit Smajl Hajdaraj, kur kryesit e veprës të dalin para drejtësisë! / KultPlus.com

Osmani dhe Kurti vizitojnë Kodrën e Bebushit, aty ku ndodhi masakra e Reçakut

Sot janë shënuar 23 vjet nga masakra e Reçakut.

E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë vizituar sot Kodrën e Bebushit aty ku ka ndodhur kjo masakër.

Sot në vendin e ngjarjes, te Kodra e Bebushit, aty ku ndodhi masakra e Reçakut, dëgjuam rrëfimet e tmerrit të të mbijetuarve të masakrës.
Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës
.” – ka shkruar pesidentja Osmani./KultPlus.com