Presidentja Osmani: Rugova, simbol i rezistencës

Me rastin e 18 vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së tij, nën përkujdesjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Gjilan është mbajtur akademi për Rugovën.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Rugova është ati i shtetit të Kosovës. Ajo tha se ai e deshi Kosovën.

“Kosova ishte me fat që kishte njeriun e urtë dhe i cili i shndërruar shpejt në simbol të rezistencës në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë”, theksoi Osmani. E para e vendit vlerësoi se R|ugova është arkitekti i pavarësisë së Kosovës. “Presidenti Rugova do të mbete gjithherë në kujtesën tonë”, tha ajo.

“Ai qe vërtetë i biri i Kosovës. I shërbeu deri në frymën e fundit vendit. Ja kushtoi jetën Kosovës. Ai qe mobilizues i jashtëzakonshëm i një populli të tërë mbi vlerat e lirisë. Ai nuk ngurroi ta shprehte kërkesën për lirinë e individit dhe të popullit. Duke e kërkuar atë, ai u shndërrua në model të prijësit”, ka thënë ajo.

Osmani  theksoi se në personalitetin e Rugovës është simbolizuar historia e një kombi të sprovuar ndër shekuj.

Sipas saj, Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës. “Rugova fliste shkurt por fjalët i kumbonin shumë. Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës. Trashëgimia e tij është e jashtëzakonshme. Ai e solli vëmendjen e botës demokratike në Kosovë. Sot ai është fanar që na udhëheqë”, ka thënë e para e vendit./rtk/KultPlus.com

Presidentja Osmani bën homazhe te vëllezërit Gërvalla: Të bëjmë çmos që liria jonë të shkëlqejë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvallën dhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufcën, kanë bërë homazhe te varret e Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në Dubovik, në 42-vjetorin e vrasjes së tyre.

Në një prononcim për gazetarëve, ajo ka thënë se duhet të sigurohemi që nipat dhe mbesat e atyre që kanë rënë për Kosovën, të prosperojnë në liri, raporton Klan Kosova.

“Jemi këtu me familjen Konjufca dhe me familjen Gërvalla, me miq e dashamirë nga gjithë Kosova për të përkujtuar trimërinë, guximin dhe sakrificën e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës që u shndërruan në simbol të përpjekjeve tona për liri”, ka thënë Osmani.

“E kujtojmë me pietet të gjithë kontributin e tyre dhe të mijëra djem e vajzave të Kosovës që dhanë jetën në mënyrë që ne sot të punojmë për një Kosovë të pavarur, ta gëzojmë Kosovën e pavarur dhe lirinë e saj dhe të sigurohemi që nipat e mbesat e Jusuf Gëvallës e Kadri Zekës, por edhe të gjithë nipat dhe mbesat e atyre që ranë për Kosovën dhe për lirinë e saj, të prosperojnë në liri dhe njëkohësisht të bëjmë çmos që liria jonë, jo vetëm të mbijetojë, por të shkëlqejë në mesin e kombeve të lira dhe të pavarura”, është shprehur presidentja Vjosa Osmani./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani pret në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, me të cilin përpos zhvillimeve të fundit politike dhe ato të sigurisë u diskutua edhe nevoja për koordinimin e vazhdueshëm ndërshtetëror në politikën e jashtme.

Shqipëria, sipas Presidentes Osmani e ka mbështetur Kosovën përgjatë periudhave të rënda për popullin e saj, sikurse edhe në procesin e shteformimit dhe shtetndërtimit, ndaj ka falënderuar ministrin Hasani dhe shtetin shqiptar.

Në takim me ministrin Hasani, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka nevojë edhe më tej për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, sidomos në organizatat në të cilat nuk është e përfaqësuar.

“Përtej lidhjes historike e partneritetit strategjik, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë synime të përbashkëta dhe strategji të harmonizuara në interes të dy shteteve”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka potencuar se forcimi i shtetit të Kosovës dhe konsolidimi i pozicionit ndërkombëtar është synim i vazhdueshëm, i cili ka nevojë edhe për mbështetjen e Shqipërisë.

“Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për kontribut të vazhdueshëm të politikës së jashtme të Shqipërisë”, është shprehur Presidentja Osmani, duke theksuar se për Kosovën, Shqipëria është jo vetëm një partner strategjik, por edhe shtet me të cilin ka lidhje vëllazërore, kulturore e kombëtare.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani dhe ministri Hasani diskutuan edhe për koordinimin për çështjen e njohjeve të reja, përfshirjen në Partneritetin për Paqe si një hap paraprirës i anëtarësimit në NATO, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare.

Në raport me zhvillimet e fundit me situatën politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë te përkushtuara për koordinim dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar dhe vendet mike të rajonit në adresimin e sfidave të sigurisë.

Sipas Presidentes Osmani, zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës dhe veprimet armiqësore të Serbisë dhe lidershipit të saj, kërkojnë angazhim dhe vëmendje të shtuar të faktorit ndërkombëtar por edhe të vendeve të rajonit në funksion të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit./KultPlus.com

Presidentja Osmani viziton të vegjlit në Klinikën e Onkologjisë dhe Kirurgjinë e Fëmijëve

Me rastin e festave të fundvitit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka vizituar të vegjlit në Klinikën e Onkologjisë dhe Kirurgjinë e Fëmijëve.

Osmani tha se puna që stafi bën në këto dy klinika është e jashtëzakonshme.

“Jep shpresë e forcë për këta fëmijë dhe për prindërit e tyre që ndiejnë dhimbjen më të madhe të jetës së tyre”, tha Osmani.

Ajo shprehu mirënjohje për punën e gjithsecilit.

“Duke ofruar jo vetëm shërbime mjekësore, por edhe dashuri e përkrahje të pafund!”, theksoi ajo.

E para e shtetit aty bëri edhe shpërndarjen e dhuratave.

Presidentja Osmani uron Krishtlindjen: Në këtë ditë kremte, le t’i kujtojmë ata që mund të përballen me sfida

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një urimi për festën e Krishtlindjes, ka thënë se kjo kohë është një periudhë reflektimi e solidariteti.

Presidentja Osmani përmes një komunikate ka thënë se në këtë ditë kremte, duhet kujtuar ata që mund të përballen me sfida.

“Krishtlindja është një kohë reflektimi e solidariteti, teksa zemrat dhe shtëpitë janë të mbushura me shpresë e optimizëm. Në këtë ditë kremte, le t`i kujtojmë ata që mund të përballen me sfida dhe t’ua shtrijmë dorën e mirësisë e dhembshurisë. Qoftë kjo festë e mbushur me dashuri, paqe dhe gëzim për secilën familje”, thuhet në komunikatën e presidencës./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Serbia s’është e interesuar për përmbyllje të dialogut – politika e Vuçiqit si ajo e Millosheviqit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në adresimin e saj në kuvend, ka thënë se sulmi i 24 shtatorit ishte tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale politike e saj nuk është e interesuar as për paqe, as për fqinjësi të mirë e as për përmbyllje të procesit të dialogut.

E para e shtetit të Kosovës tha se politika e sotme e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është politika e djeshme e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

“Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit. Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, e Serbia nuk do të heq dorë nga planet e saj të errëta”.

“Në esencë, Serbia me veprime të tilla, po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinjë që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n përmes destabilizimit të Ballkanit Perëndimor”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

Osmani tutje tha se pavarësisht nga synimet e Serbisë, Kosova do të jetë këtu siç ka qenë më 24 shtator “dhe siç do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t’u bërë gardianë të Republikës sonte”./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja sot mban fjalimin vjetor para Kuvendit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do të mbaj fjalimin vjetor në Kuvendin e Kosovës.

Fjalimin e saj para kuvendit presidentja Osmani do ta mbajë, duke filluar nga ora 11:00.

Presidentja Osmani do të mbajë këtë fjalim para Kuvendit sipas një obligimi kushtetues, që e detyron presidentin të dalë para deputetëve të paktën një herë në vit./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Llogarisim në lidershipin e kryeministres Meloni

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, po merr pjesë në Samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në Bruksel, ajo e ka takuar kryeministren e Italisë Giorgia Meloni.

” Potencova rolin e rëndësishëm të Italisë në përkrahjen e vendit tonë në të gjitha etapat”, tha Osmani.

E para e shtetit të Kosovës, theksoi se llogarisin në lidershipin e kryeministres italiane.

“Në avancimin e rrugës së shtetit tonë drejt integrimit evropian”, theksoi ajo.

Në takim me Osmanin, Meloni ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia, shtensionim të situatës.

Po ashtu shefja e qeverisë italiane, ka kërkuar edhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit.

Qeveria kërkon dhënien e autorizimit nga Osmani për dy marrëveshje me BE-në

Qeveria e Kosovës ka miratuar dy vendime ku kërkohet dhënia e autorizimit të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, në lidhje me dy marrëveshje ndërkombëtare.

Nga qeveria u miratua vendimi për kërkesë ndaj Osmanit për dhënien e autorizimit për nënshkrimin e amendamentimit numër tre të marrëveshjes financiare në mes Kosovës dhe BE-së për programin “IPA 2015”.

“Qëllimi i këtij amendamenti është mundësimi i shtyrjes së afatit të parashikuar për zbatimin e projekteve të kësaj marrëveshjeje dhe kjo është e nevojshme në mënyrë që të mundësohet lansimi i sërishëm i tenderit për përkrahjen e procesit të de-komisionimit të pjesëve jo-operative të Termocentralit Kosova ‘A’”, tha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se teksti për këtë marrëveshje është finalizuar më 24 nëntor, ndërsa tash duhet të vazhdohet me procedurat e marrjes së autorizimit për nënshkrim.

Po ashtu, qeveria kërkoi nga presidentja e vendit dhënien e autorizimit për ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për nënshkrimin e marrëveshjes mes BE-së dhe Kosovës për pjesëmarrje në programin “Drejtësia”.

Në lidhje me këtë, zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, tha se programi “Drejtësia” ka për synim të forcojë demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.

“Më këtë rast, ju njoftoj se pas miratimit të nismës, është formuar delegacioni teknik që e ka finalizuar tekstin e marrëveshjes me përfaqësuesit e BE-së”, tha Sallahu./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani ka udhëtuar për Bruksel për samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor

Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do të diskutojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit në dritë të sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke filluar me mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Në kuadër të samitit, Presidentja Osmani poashtu do t’i informojë krerët e shteteve dhe të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator./KultPlus.com

Presidentja Osmani mbërrin në Katar, merr pjesë në Forumin e Dohas

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Doha të Katarit.

Bëhet e ditur se Osmani nesër do të marrë pjesë në Forumin e Dohas, që do të mbahet më 10 dhe 11 dhjetor, shkruan “Thepeninsulaqatar”, transmeton Klankosova.tv.

Osmani do të jetë edhe folëse në Forumin e Dohas 2023, ku kishte marrë pjesë edhe në sesionin e vitit të kaluar.

vjosa osmani doha forum

E para e shtetit dje ishte për vizitë zyrtare në Turqi, ku u prit nga homologu i saj turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ndërsa, përpara Turqisë, Osmani ishte për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku mori pjesë në Samitin e Klimës – COP28. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Presidentja Osmani takohet me Mbretin dhe Mbretreshën e Lesotos në Dubai

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me Mbretin dhe Mbretreshën e Lesotos në Dubai, në kuadër të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, COP28.

Presidentja Osmani është shprehur se është e nderaur për takimin me Mbretin Letsie III dhe Mbretëreshën ‘Masenate Mohato Seeiso.

“Ne jemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve midis vendeve tona, si dhe për të punuar së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta globale”, ka thënë Osmani në platformën X.

Presidentja Osmani takohet me Peach, diskutojnë për sfidat e sigurisë në rajon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat e sigurisë në rajon si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Në takim u diskutua edhe për integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe anëtarësimin në NATO. Presidentja Osmani potencoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli, e të cilat do të shërbejnë si mekanizëm shtesë për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.

Presidentja Osmani ritheksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe. Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se ky hap është i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.

Në takim, Lord Peach përgëzoi Presidenten Osmani për përpjekjet e saj të vazhdueshme në avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në këtë kohë sfiduese për paqen në botë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani nga Kulla e Isa Boletinit: Nëse është nevoja nga këtu do të mbrohet çdo cep i territorit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga Kulla e Isa Boletinit në veri ka thënë se nga ky vend nëse është nevoja do të mbrohet çdo cep i territorit të Kosovës.

Osmani pasi bëri homazhe te varri i heroit Isa Boletini për nder të Ditës së Flamurit, tha se Kulla e Isa Boletinit dhe varri i tij dëshmojnë se shqiptarët kanë qenë në pjesën veriore ‘dem baba dem’ dhe do të vazhdojnë të jenë përgjithmonë.

“Sakrifica e shqiptarëve të Kosovës edhe në vitin 1912 ka qenë jashtëzakonisht e madhe. E nderojmë pikërisht këtu në kullën e tij, Kullën e Isa Boletinit ku është mbrojtur çdo cep i Republikës së Kosovës dhe nga ku nëse është nevoja do të mbrohet sërish çdo cep i Republikës së Kosovës. Pikërisht ky varri i Isa Boletinit në veri të vendit të vendit dhe kjo kullë dëshmon se shqiptarët kanë qenë këtu ‘dem baba dem’ dhe shqiptarët do të vazhdojnë të jenë këtu përgjithmonë”, tha ajo./rtv21/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kemi shumë arsye të krenohemi si shqiptarë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në Samitin e Diasporës në Tiranë, ka thënë se mërgata shqiptare ka kaluar në periudha të vështira, por sërish i kanë mbetur besnikë atdheut.

Përmes një shkrimi në X, Presidentja tha se janë shumë arsye që duhet të krenohemi që jemi shqiptarë.

“Shumë figura nga mërgata jonë janë shndërruar në referenca botërore. Nga Dua Lipa, krenaria e vendit tonë e deri të Rita Ora e artistë të tjerë të mëdhenj, na kanë bërë vazhdimisht krenarë. Nga zëri magjik i Elbenita Kajtazit e Ramë Lahajt e deri te futbollistët tanë në ekipe të ndryshme botërore si Xhaka, Shaqiri, Muriqi, e shumë e shumë të tjerë, futbollistja jonë kampione Kosovare Asllani e shumë  e shumë të tjerë në sporte të ndryshme…pavarësisht se ku kanë luajtur apo performuar, zemrat tona gjithnjë rrahin një me të tyret”, tha ajo në fjalimin e saj./KultPlus.com

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re jorezidente e Kolumbisë  në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e jorezidente e Kolumbisë në Kosovë, Ligia Margarita Quessep Bitar, të cilën e uroi për detyrën dhe shfaqi shpresën se gjatë mandatit të saj do të intensifikohen edhe më tej marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve.

Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e shkëmbimit të studentëve, por edhe në atë të tregtisë dhe ekonomisë.

Presidentja Osmani poashtu njoftoi nga afër ambasadoren lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet Republika e Kosovës, si dhe për aktin e agresionit të kryer nga ana e Serbisë me datën 24 shtator./KultPlus.com

Presidentja Osmani: E kam analizuar propozimin për Asociacionin, vlerësimet do t’i jap kur kemi proces të nënshkrimit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se e ka analizuar dhe lexuar draftstatutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili u propozua nga pesëshja evropiane.

“E kam analizuar gjerë e gjatë me vëmendje të gjatë, vlerësimit e mia do t’i jap më shkrim në momentin që kemi proces të nënshkrimit pastaj kur shkon ky draftstatut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës së Kosovës do t’i dërgoj të gjitha komentet me shkrim”, ka theksuar Osmani, njofton Klankosova.tv./KultPlus.com

Presidentja Vjosa Osmani e përmend heroin Afrim Bunjaku në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Presidentja Vjosa Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e ka përmendur vrasjen e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, më 24 shtator nga grupi i serbëve që kryen agresion në Banjskë të Zveçanit.

Ajo tha se i ndjeri Afrim Bunjaku e humbi jetën duke mbrojtur integritetin territorial të Kosovës./Klankosova.tv/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova shtet i përkushtuar ndaj demokracisë e sundimit të ligjit

Krerë të institucioneve publike, partive politike, ambasadorë, përfaqësues të ndërkombëtarëve e delegacione nga e mbarë bota po marrin pjesë në shënimin e përvjetorit të 14-të të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, kryetarja e kësaj gjykate, Gresa Caka Nimani, kryetare e Gjykatës Kushtetuese foli për punën e bërë gjatë kësaj periudhe, deri sa nuk la pa përmendur as kritikat e sulmet verbale që kanë marrë ndër vite.

” Sot simbolikisht shënojmë 14 vjetorin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë, simbol i një rendi të pavarur kushtetues është ndeshur me interpretimin dhe mbrojtjen e kësaj kushtetuese. 14 vite më parë gjenerata e parë mori përgjegjësinë për të interpretuar një kushtetutë të një shteti të posa themeluar.  Ndërveprimi mes pushteteve krijon edhe tension mes tyre, ky tension reflekton faktin se demokracia në Republikën e Kosovës funksionon. Mungesa e tensionit nënkupton që nuk po ruhet ekuilibri i duhur kushtetues. Ky tension jo rrallëherë është manifestuar edhe në sulme ndaj gjykatës. Kushtetuta është edhe përkushtimi kolektiv i të gjitha autoriteteve për një shtet të së drejtës. Gjykata do t’i qëndrojë besnike parimeve”, shtoi ajo.

Ndërkaq, të pranishmëve përmes një video-adresimi, iu drejtua edhe para e shtetit, Vjosa Osmani-Sadriu.

“Republika e Kosovës është shtet i përkushtuar ndaj demokracisë e sundimit të ligjit. Këto janë dhe duhet të jenë kryefjala e punës së secilit institucion të vendit tonë. Si presidente, puna ime udhëhiqet nga kjo kushtetutë. Rol tejet të rëndësishëm kanë gjykatat tona që pritet të punojnë mbi parimet e barazisë e drejtësisë. Jam e lumtur që në ditët në vijim Kosova do të jetë nikoqire e diskutimeve me gjykatat e shteteve tjera. Jam e bindur se përvojat e shkëmbyera të shteteve tjera do të jenë udhërrëfyes i drejtë për Kosovën në adresimin e shumë sfidave”, shtoi presidentja./rtk/KultPlus.com

Presidentja Osmani pret deputeten Kearns, kërkon të merren masa ndëshkuese ndaj Serbisë për sulmin në Banjskë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim deputeten e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, njëherësh kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar. Kearns po qëndron në një vizitë në Kosovë me ftesë të Presidentes Osmani.

Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për deputeten britanike, Alicia Kearns, për përkrahjen e jashtëzakonshme për Kosovën dhe popullin e saj. Ajo po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për angazhimin e saj të vazhdueshëm për të ngritur vetëdijën për rreziqet dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova dhe tërë Ballkani Perëndimor.

Takimi me deputeten Kearns u përqendrua në zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist dhe aktit të agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, më 24 shtator.

Presidentja Osmani e ka informuar deputeten britanike me sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe ka theksuar rëndësinë e përpjekjeve të unifikuara ndërkombëtare për t’iu kundërvënë akteve të tilla terroriste dhe të agresionit në funksion jo vetëm të sigurisë së qytetarëve të Kosovës, por edhe stabilitetit rajonal e më gjerë.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se hetimet e deritanishme të kryera nga autoritetet vendore, përderisa vazhdojnë hetimet nga partnerët ndërkombëtarë, dëshmojnë se Serbia qëndron pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ndaj ka kërkuar që të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj Serbisë.


Më tej, Presidentja Osmani tha se deputetja Kearns ka treguar vazhdimisht përkushtimin e saj për ta mbështetur Kosovën në afirmimin e të vërtetës, ndaj e ka falënderuar në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Deputetja Alicia Kearns është një avokuese e shquar për Kosovën, ndaj ne presim që edhe më tej, angazhimi i saj të jetë në funksion të prezantimit të gjendjes reale këtu, duke u mbështetur në argumente e fakte, ashtu siç bën vazhdimisht ajo”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndërkaq deputetja Kearns, falënderoi Presidenten Osmani për ftesën dhe theksoi përkushtimin e saj personal për ta vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës, por edhe përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për të punuar ngushtë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit./KultPlus.com

Presidentja Osmani pranon letrat kredenciale nga ambasadorja e Kanadasë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadoren e re jorezidente të Kanadasë në Kosovë, Jessica Blitt, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale. Presidentja Osmani e uroi ambasadoren për detyrën dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e Kanadasë për Kosovën dhe bashkëpunimin e shkëlqyeshëm.

Ndërkaq, ambasadorja Blitt, shtoi se nga ana e saj do të ketë edhe angazhim më të madh në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët për të dy shtetet sidomos në çështjet që kanë të bëjnë me fuqizimin e grave dhe barazinë gjinore, njofton Presidenca.

Në këtë takim, siç thuhet në njoftim, është konfirmuar gatishmëria për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, si dhe angazhimi i përbashkët i avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Presidentja, ndërkaq e  njoftoi ambasadoren Blitt edhe për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në vend, me ç’rast potencoi rëndësinë e madhe të vazhdimit të bashkëpunimit me aleatë, si dhe nevojën për të vënë autorët e aktit të agresionit të 24 shtatorit  para përgjegjësisë.

Presidentja Osmani: Detyrë e jona është që çdo grua dhe vajzë të ndjehet e fuqizuar

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se është detyrë e institucioneve shtetërore dhe shoqërisë që çdo vajzë e grua të ndjehet e fuqizuar dhe e mbështetur për të ndjekur pasionin e saj. Një mesazh të tillë e para e shtetit e dha gjatë adresimit të saj në ceremoninë diplomimit të 20 studenteve kosovare në “Global Engineer Girls of Kosovo”.

“I gëzohem përherë ngjarjeve të tilla, të cilat në qendër kanë gratë dhe vajzat e reja si dhe sukseset e tyre të pandalshme. Programet si ‘Global Engineer Girls’ janë iniciativa të shkëlqyeshme që mbështesin gratë dhe vajzat të cilat kanë vendosur të ndjekin karrierën e tyre në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës dhje njëkohësisht ndihmojnë në forcimin e partneritetit me institucionet tona arsimore që ofrojnë këto programe për të rejat dhe të rinjtë tanë”, ka theksuar presidentja Osmani.

E para e Republikës ka thënë se është e domosdoshme që të punohet ende në zvogëlimin e hendekut gjinor në perspektivën e punësimit në vendin tonë. Ajo ka thënë se është e rëndësishme të kuptohet që kur ka gjithëpërfshirje dhe barazi,  çdo sfidë dhe  çdo problem tejkalohet më shpejt dhe më mirë.

“Këto vajza të reja janë më të vërtet shembulli më i mirë i potencialit të rinisë sonë të jashtëzakonshme, sukseset e të cilave nuk njohin kufij. Detyra jonë si shtet dhe si shoqëri është që  çdo grua dhe vajzë të ndjehet e fuqizuar dhe e mbështetur për të ndjekur pasionin e tyre, pa marrë parasysh fushën dhe rrugëtimin që kanë zgjedhur. Është detyrë e jona që  çdo vajzë pa frikë dhe pa hezitim mund të thotë se unë dua, unë mundem dhe unë do t’ia arrij. Prandaj, le të jemi një vend që nuk e sheh të ardhmen e barabartë vetëm si një destinacion, por  si mision të shenjtë. Një mision ku  çdo grua dhe çdo vajzë ka një vend të garantuar në rrugën drejt suksesit dhe të ardhmen e vendit tonë. Në këtë ditë të veçantë dhe kaq të rëndësishme për secilën prej jush ju përgëzoj për suksesin dhe uroj shumë që të vazhdoni t’i frymëzoni brezat e ardhshëm të inxhiniereve dhe shkencëtareve tona”, ka shtuar presidentja Osmani.

Global Engineer Girls (GEG) është program për mundësi arsimimi dhe karriere në Kosovë, Turqi, Maqedoni Veriore dhe Kuvajt./rtk/KultPlus.com

Presidentja Osmani nuk e dekreton Blerim Isufajn për kryeprokuror

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vendosur të mos e dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokur të vendit.

Kështu presidentja e shtetit njoftoi në një konferencë për media, raporton Gazeta Express.

“Bazuar në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës sonë, të argumentuar nga aktgjykimet e shumta të Gjykatës Kushtetuese, konsideroj se nuk mund të kemi funksionim kushtetues të institucioneve nëse një proces nuk zhvillohet mbi respektimin e procedurave kushtetuese dhe ligjore”, tha Osmani.

Ajo tregoi se “procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit është cilësuar si i parregullt, diskriminues, i orkestruar, i kundërligjshëm nga të gjithë vëzhguesit e procesit, si nga organizatat vendore, ashtu edhe nga shumë prej partnerëve ndërkombëtar”.

Vlerësimi i saj, Osmani tha se është “brenda mandatit kushtetues” të saj si presidente, dhe se në të janë “evidentuar të gjitha shkeljet”, duke i përmendur disa prej tyre./Express/KultPlus.com

Presidentja Osmani: Martti Ahtisaari do të mbetet përherë pjesë e historisë së Republikës së Kosovës

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pas vdekjes së Martti Ahtisaarit ka thënë se ai ishte një figurë madhështore e skenës globale politike, i cili ka skalitur kornizën e shtetit të Kosovës, dhe si i tillë do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës.

Presidentja Osmani përmes një postimi në facebook tha se vizionari dhe paqebërësi Martti Ahtisaari,  do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës .

“Sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari.

Presidenti Ahtisaari ishte njeriu që tërë jetën e tij ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë!

Ai skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës.

Paqebërësi dhe vizionari do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës!”, thuhet në postimin e presidentes Osmani/KultPlus.com