Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka uruar homologun e saj të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, me rastin e Ditës Kombëtare të Gjermanisë, shkruan KultPlus.
Presidentja Osmani përmes një postimi në Twitter ka thënë kjo ditë e shënuar na kujton për rëndësinë e mbrojtjes së lirisë e demokracisë, vlera këto që bashkojnë të dyja vendet dhe popujt.
“Urime Presidentit Steinmeier dhe miqve dhe aleatëve tanë në Gjermani për Ditën e Unitetit Gjerman! Ky rast i rëndësishëm na kujton rëndësinë e mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë – vlera që vazhdojnë të bashkojnë vendet dhe popujt tanë”, ka shkruar Osmani/KultPlus.com
Prezantuesja në CNN, Christiane Amanpour, ka paralajmëruar se nesër do ta ketë të ftuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani në CNN, pritet të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, pas sulmit në fshatin Banjskë të Zveçanit tetë ditë më parë, ku një grup kriminal serbë sulmuan Policinë e Kosovës.
Nga ky sulm mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, dhe tre terroristë serbë.
Zhvillimet e fundit në Kosovë kanë ngjallur reagime në të gjithë botën, me vendet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-të që kanë dënuar këtë sulm./KlanKosova/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull që është i gatshëm me mbrojt lirin me çdo kusht.
Kështu ka deklaruar e para e shtetit në një intervistë për mediumin italian “La Republicca”, transmeton Klankosova.tv.
Osmani ka thënë se Serbia kreu një akt agresioni të dielën e shkuar, ku një grup prej 30 personave terroristë serbë sulmuan Policinë e Kosovës. Nga ky sulm mbeti i vdekur rreshteri Afrim Bunjaku dhe tre terroristë serbë.
“Serbia duhet ta dijë se do të përballet me një popull të gatshëm për të mbrojtur lirinë me çdo kusht dhe se NATO është me ne”, është shprehur presidentja Osmani në një intervistë për mediumin italian.
Osmani gjithashtu shtoi se Serbia është duke vepruar shumë më ndryshe se ajo që është parë në 25 vitet e fundit.
“Ka prova të pakundërshtueshme. Serbia ka kryer një akt agresioni më datën 24 shtator dhe po përgatitet të kryejë një akt tjetër duke përforcuar forcat e armatosura dhe artilerinë në kufirin me Kosovën. Është diçka ndryshe nga ajo që kemi parë në 25 vitet e fundit, e paprecedentë”, potencoi Osmani./KlanKosova/KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës pas sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe që rezultoi me vdekjen e një polici dhe lëndimin e disa tjerëve.
Presidentja ka theksuar se veprimet terroriste dhe akti i agresionit në veri janë të orkestruara dhe zbatuara nga struktura të mbështetura nga Beogradi. Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë.
Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për ta shtensionuar situatën në veri të vendit dhe se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë në përballje me grupet kriminale serbe.
Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.
Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës kundër strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim.
Në takim u diskutua po ashtu për rezultatet që priten nga Samiti i Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë gjatë muajit tetor./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në një ceremoni të mbajtur në Konsullatën e Kosovës, ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, ish-kreun e Ligës Shqiptaro-Amerikane, mikun e madh të Kosovës, kontribuesin për lirinë dhe pavarësinë tonë, z. Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi.
Sipas Presidentes Osmani, Urdhri është falënderim i qytetatëve të Kosovës ndaj punës së palodhshme së tyre, për konributin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pandërprerë për lirinë, demokracinë, dhe pavarësinë e Kosovës dhe si avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
“Ju keni qenë zëri ynë në kohë të errëta! Ju keni qenë shpresa jonë në kohën e pashpresë. Ju keni qenë katalizator të afirmimit të kërkesave tona kudo në botë, ndaj liria jonë bartë edhe firmën tuaj”, ka theksuar Presidentja Osmani në këtë ceremoni.
Dekorimi i Joe DioGuardi ka përkuar me ditëlindjen e tij të 83-të, të cilin e uroi Presidentja Osmani dhe theksoi se “Joe personifikon Amerikën, aleatën tonë të përhershme, ashtu siç na la amanet presidenti historik dr.Ibrahim Rugova”.
Sipas Presidentes Osmani, Joe dhe Shirley janë kontribues të jashtëzakonshëm dhe miq të mëdhenj të Kosovës.
“Ju të dy keni nga nje vend të posaçëm në zemrën e secilit kosovar! Ju na përkujtoni sa e zorshme ka qenë lufta jonë për të drejta, liri dhe pavarësi. Ju na kujtoni se pa mbështetjen e miqve nuk arrihen rezultate, ndaj zoti i bekoftë SHBA-të, zoti e bekoftë miqësinë tonë të përjetshme!”, ka thënë Presidentja Osmani/KultPlus.com
Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka udhëtuar për në NewYork, ku pritet të zhvillojë takime me liderë botërorë në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, shkruan KultPlus.
Përmes këtyre takimeve me homologët e saj, Presidentja Osmani pritet të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Në një komunikatë nga presidenca thuhet se presidentja së bashku me Zotërinë e Parë është ftuar nga presidenti i SHBA-ve Joe Biden, përderisa një takim me këtë të fundit e ka organizuar edhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden.
“Presidentja është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
Ndërkaq, Zotëria i Parë, gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden”, thuhet në komunikatë.
Presidenta poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate, do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA.
Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Brdo-Brione.
Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, Presidentja Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse.
Takimi i Brdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.
Temat qendrore të takimit të sivjetem janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.
Procesi i Brdo-Brione është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.
Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, Presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup./ KultPlus.com
Në Berat, po zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentes së Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani -Sadriu. Asaj do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitojë Kishën e Shën Mërisë dhe Muzeun Onufri.
Ky është një titull shumë i lartë ekskluziv, i cili i jepet personaliteteve të shquara që vizitojnë qytetin dhe që kontribuojnë me veprimtarinë e tyre në dobi të qytetit.
Presidentja Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj zyrtare në Shqipëri ka marrë pjesë sot në hapjen e ekspozitës për nder të Nënë Terezës.
Presidentja me këtë rast ka theksuar se historia dhe trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën. Ajo ka deklaruar se Nënë Tereza nuk ka bërë vepra humanitare për bujë, por bëri bujë me veprat e saj.
Dje gjatë ditës, presidentja Osmani është takuar me homologun e saj, Bajram Begajn, kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentaren, Lindita Nikolla./RTK/KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur në takim nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, shkruan KultPlus.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjersa po qëndron në një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri, ka zhvilluar një takim me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin e Shqipërisë.
“Sipas Presidentes Osmani, diplomacia parlamentare ka rol jetik në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani dhe kryeparlamentarja Nikolla, diskutuan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet organeve legjislative të të dy shteteve si dhe shkëmbimit të përvojave e kapaciteteve”, thuhet në komunikatë.
Në njoftim po ashtu thuhet se sipas Presidentes Osmani, ekziston përkushtim i përbashkët për avancimin e interesave të Kosovës dhe Shqipërisë, duke rritur koordinimin dhe bashkërendimin në fushën e politikës së jashtme.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të përkrahjes së delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare e Këshillit të Evropës për përfundimin me sukses të trajtimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë”, thuhet në komunikatë.
Për Presidenten Osmani integrimi euroatlantik është synimi i përbashkët i të dy vendeve./KultPlus.com
Me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, z.Bajram Begaj, Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë shtetërore dy ditore në Shqipëri gjatë së cilës do të pritet me nderime të larta shtetërore nga homologu i saj, Presidenti Begaj. Përveç takimit tête à tête, të dy presidentët do të takohen edhe me delegacione.
Pas takimit, të dy presidentët do ta mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ndërkaq në mbrëmje Presidenti Begaj do të shtrojë darkë shtetërore për Presidenten Osmani dhe delegacionin nga Kosova. Presidentja do të shoqërohet nga Zotëria i Parë Prindon Sadriu, i cili gjatë ditës do të vijojë me agjendë të përbashkët me Zonjën e Parë të Shqipërisë, Armanda Begaj.
Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani do të takohet edhe me kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Pas takimit, Presidentja me delegacionin e saj do të priten në drekë zyrtare nga Kryeministri Rama. Presidentja poashtu do të pritet në takim edhe nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj.Lindita Nikolla.
Në agjendën e Presidentes Osmani është edhe një aktivitet i përbashkët i dy presidentëve me rastin e Ditës së Nënë Terezës në ekspozitën e Arkivave në Presidencën e Shqipërisë. Poashtu, në Tiranë Presidentja do të ketë edhe një takim me grupin e grave deputete, vizitë te Muzeu i Gjetheve dhe aktivitete të tjera.
Në kuadër të kësaj vizite shtetërore, Presidentja Osmani në një ceremoni do t`ia dorëzojë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës, shkrimtarit me famë botërore, Ismail Kadare.
Agjenda do të vijojë në qytetin e Beratit, ku pas takimit me kryetarin e Bashkisë, Ervin Demo, Presidentes do t`i dhurohet titulli më i lartë i qytetit “Patroni i Kalasë”, e më pas do të vizitohen Kisha e Shën Mërisë dhe Muzeu Onufri.
Në Durrës ndërkaq, Presidentja Osmani do ta ketë një takim me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako, do ta vizitojë Torrën Veneciane dhe Zyrën Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo i ka bërë këto deklarata, duke iu referuar qëndrimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili ka thënë më 28 gusht se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.
“Unë do të thosha që kjo është mënyra për ta vrarë dialogun një herë e përgjithmonë. Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla, që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj një politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë i paprecedentë, që edhe ashtu ka qenë padrejtësi e madhe për popullin e Kosovës, do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka më askush mandat që të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet”, ka thënë Osmani në një vizite te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.
Osmani ka thënë se Kosova ka arritur pajtueshmëri me Bashkimin Evropian për shtensionim të situatës në veri qysh më 10 korrik në Bratisllavë.
Ajo e ka përmendur që marrëveshja parasheh zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në dhe rreth ndërtesave komunale në veri, hap që ajo ka thënë se Kosova e ka bërë, dhe se është duke u punuar në organizimin e zgjedhjeve të reja.
Sipas Osmanit, baza ligjore për mbajtje të këtyre zgjedhjeve do të jetë gati më 1 shtator, dhe kështu ka thënë se pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ajo i ka vlerësuar si të padrejta dhe joproporcionale.
Një tjetër pikë e marrëveshjes së Bratisllavës parasheh edhe kthimin sa më të shpejtë në dialog në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.
Osmani ka thënë se pret lëvizje në këtë drejtim në shtator.
Për dialogun kanë diskutuar më 28 gusht edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë kanë qenë të larta në maj të këtij viti, meqë banorët e komunave veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunave.
Banorët e këtyre komunave me shumicë serbe kanë protestuar me javë para ndërtesave dhe me raste situata është përshkallëzuar në dhunë./REL/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në kudër të Muajit të Rinisë ka takuar ekipin e futbollisteve të reja, të klubeve ‘Prishtina’ dhe ‘Brezovica’ nga ku ka inkurajuar vajzat e reja që të merren me sport, duke thënë për vajzat e Kosovës që nuk ka maja të cilat ato nuk mund t’i arrijnë, shkruan KultPlus.
Përmes një video-live, Osmani ka thënë se ky takim po zhvillohet në kuadër të Muajit të Rinisë.
‘Jemi këtu pët të festuar muajin e rinisë. Nuk ka mënyrë më të bukur se sa t’i inkurajojmë të githa vajzat e Kosovës që të luajnë futboll që të merren me sporte të tjera sepse nuk ka maja të cilat ato nuk mund t’i arrijnë’, ka thënë Presidentja Osmani./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim senatorin Jack Reed, kryesues i Komisionit të Forcave të Armatosura në Senatin e SHBA-ve.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova është një histori suksesi e përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikë në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit.
“ShBA-të nuk kanë aleate dhe mike më të madhe në rajon se sa Republikën e Kosovës, e cila e ka popullin më proamerikan në Evropë dhe në botë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja Osmani ka falënderuar senatorin Jack Reed për mbështetjen e ShBA-ve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), respektivisht përfshirjen e Kosovës në Asistencën e Trajnimit Ushtarak të SHBA-së me Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024.
Presidentja Osmani në takim me delegacionin e Kongresit Amerikan ka potencuar se synimi i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO, sikurse edhe në Këshillin e Evropës dhe në BE.
”Kosova synon për anëtarësim në NATO dhe përfshirje në Partneritet për Paqe (PfP), ndaj është e rëndësishme edhe e domosdoshme mbështetja e SHBA-së në përshpejtimin e këtij procesi. Shpresa jonë është që Kosova të jetë sa më parë në PfP si hap që i paraprinë anëtarësimit në NATO”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Ndërkaq në raport me zhvillimet politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa për shtensionimin e situatës në veriun e vendit, porse ka vërë në dukje veprimet destabilizuese të Serbisë dhe bashkëpunimin e saj me Rusinë.
Ajo, poashtu ka theksuar se Kosova është shtet multietnik, Kushtetuta e së cilës garanton nivel të lartë të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve. Sipas Presidentes Osmani këto të drejta dhe liri, janë thelbi i vlerave të shoqërisë së Kosovës dhe si të tilla duhet të mbeten të paprekura./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është njoftuar nga Gjykata Kushtetuese se Ligji për Pagën Minimale për mund të hyjë në fuqi vetëm pas vendimit përfundimtar të kësaj gjykate.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar Bekim Kupina, zëdhënës për media në presidencën e Kosovës.
”Pas pranimit të kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji, Gjykata Kushtetuese e ka njoftuar Presidenten Osmani për kontestimin e ligjit. Përmes këtij njoftimi, bazuar në Kushtetutë dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese, gjykata e ka njoftuar Presidenten se ky ligj, mund të dekretohet dhe të hyjë në fuqi, vetëm pasiqë Gjykata Kushtetuese ta ketë nxjerrë vendimin përfundimtar për ligjin e kontestuar, sipas praktikave standarde që ndiqen në raste të tilla dhe që janë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për GJK”, ka thënë ai.
Më 21 korrik, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AKK), e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për Pagën Minimale.
Kjo pasi në atë ligj nuk janë përfshirë edhe veteranët e luftës, të cilët thonë se sipas ligjit për veteranët pagesa e tyre mujore përcaktohet sipas pagës minimale.
Ligji për Pagën Minimale përfshin pagën 264 euro bruto, pa dallim moshe.
Me ligin e vjetër paga minimale është 130 euro për personat deri në moshën 35-vjeçare dhe 170 pas kësaj moshe.
E veteranët paguhen 170 euro, por thonë se është padrejtësi të mos përfshihen në rritje.
SI përgjigje ndaj kësaj padrejtësie siç thonë ata kanë organizuar protestë.
Pas asaj proteste kërkuan takim nga presidentja, Vjosa Osmani e cila nuk e ka aprovuar hyrjen e këtij ligji në fuqi deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. /Gazeta Express/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se 13 vjet më parë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konfirmuar pavarësinë e Kosovës, nga ku edhe u ka bërë thirrje për vendeve që akoma nuk e kanë bërë një gjë të tillë, shkruan KultPlus.
“13 vjet më parë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konfirmoi se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar”.
“13 vjet më vonë, kjo pikëreferimi mbetet një thirrje për vendet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, të bashkohen me demokracitë në mbarë botën dhe të njohin realitetin e pakthyeshëm të Republikës sonë sovrane”, ka shkruar Presidentja Osmani në rrjetin social Twitter.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim anëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, të kryesuar nga kryetarja Leonora Selmani.
Në takim u diskutua për punën e Komisionit, bashkëpunimin e vazhdueshëm me Presidencën e Republikës, si dhe rëndësinë e koordinimit të rregullt ndërinstitucional në vazhdën e ndryshimeve të aprovuara në Kuvendin e Republikës në Ligjin, i cili ndër të tjera, trajton statusin dhe të drejtat e personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172.
Në këtë frymë, Presidentja Osmani vlerësoi zgjatjen e afatit për aplikim për dy vite shtesë, por potencoi se është më rëndësi që kurdo që miratohen ndryshimet e ardhshme, afati i aplikimit të jetë i pakufizuar. Ajo shtoi se krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, e gjenocidi nuk janë krime që mund të parashkruhen, prandaj edhe viktimat e këtyre krimeve të kryera nga regjimi i Millosheviqit duhet të kenë afat të pakufizuar për të parashtruar kërkesat për njohjen e statusit dhe të drejtave të tyre. Tutje, Presidentja Osmani, duke u bazuar në Ligjin e sapo miratuar, përsëriti thirrjen e saj që të shfrytëzohet e drejta e garantuar me ligj për njohje të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Presidentja Osmani ka ritheksuar rëndësinë e ngritjes së vetëdijes për të drejtat e viktimave të luftës, të cilat ende ballafaqohen me stigmatizim dhe mungesë të drejtësisë, sikurse edhe rikonfirmoi rëndësinë e vazhdimit të trajtimit të kërkesave dhe ankesave nga Komisioni me profesionalizëm të lartë.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me këtë Komision, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në tetor, si dhe për bashkëpunime në projekte e nisma të tjera të interesit të përbashkët./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e ri EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, të cilin e përgëzoi për fillimin e mandatit të tij.
Në takim me z. Pietro Barbano, Presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi me EULEX-in në suaza të mandatit aktual të këtij misioni dhe me institucionet tjera ligjzbatuese në vend është jashtëzakonisht i rëndësishëm, e në veçanti në këtë periudhë.
Tutje, Presidentja Osmani theksoi se Kosova, si vend që aspiron integrimin në institucionet euroatlantike, është e përkushtuar për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për të garantuar integritetin profesional dhe zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare.
Në takim, Presidentja foli po ashtu mbi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar për tejkalimin e sfidave të sigurisë, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave, fëmijëve dhe komuniteteve joshumicë./KultPlus.com
Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka uruar festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve të besimit musliman, duke bërë thirrje për unitet dhe harmoni, shkruan KultPlus.
Presidentja Osmani përmes një postimi në faebook ka thënë se Festa e Bajramit është edhe mundësi reflektimi mb solidaritetin, mundësi për t’i çmuar lidhjet familjare dhe për t’u dalë në ndihmë atyre që kanë nevojë.
“Kurban Bajrami është mundësi reflektimi mbi solidaritetin, sakrificën e tolerancën. Është mundësi për t’i çmuar lidhjet tona familjare dhe miqësore, si dhe për të zgjatur dorën e mirësisë ndaj atyre në nevojë.
Derisa sot mblidhemi së bashku për të festuar, le të kujtojmë frymën e unitetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë. Me shpresën që kjo festë të sjellë te ju, familjet dhe të afërmit tuaj të mira e begati, ju uroj edhe një herë me fat Kurban Bajramin”, thuhet në urimin e Presidentes./KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim një delegacion të Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë në Parlamentin e Austrisë, të përbërë nga deputetë të partive të ndryshme politike në Austri.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë. Osmani aty përmendi veprimet e vazhdueshme destruktive të Serbisë, të cilat kanë për qëllim të drejtpërdrejt destabilizimin e vendit, thuhet në komunikatën e presidencës.
Presidentja potencoi se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët është i domosdoshëm.
E para e vendit po ashtu theksoi se Kosova është e përkushtuar për kontribut për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit, në koordinim me aleatët.
Tutje Osmani falënderoi shtetin e Austrisë për mbështetjen ndaj Kosovës përgjatë viteve, ndërsa ka shprehur gatishmërinë që të hapen kapituj të rinj të bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
Osmani ka përmendur edhe rolin jetik të diasporës sonë në Austri si urë ndërlidhëse e bashkëpunimit dypalësh, si dhe në forcimin e mëtejmë të raporteve të shkëlqyera ndërshtetërore. /21Media/KultPlus.com
Presidentja e vendit Vjosa Osmani do të marr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Në njoftimin e presidencës thuhet se presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Turqi, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Në këtë ceremoni të inaugurimit të Presidentit Erdoğan, Presidentja Osmani, e shoqëruar nga Zotëria i Parë Prindon Sadriu, do të jetë përkrah krerëve të tjerë të shteteve nga mbarë bota.
“Presidentja Osmani ditë më parë, ka uruar Presidentin Erdoğan në emër të popullit të Republikës së Kosovës për fitoren dhe ka shfaqur gatishmërinë që të vazhdohet puna e përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin dhe për ta forcuar partneritetin në mes të dy shteteve.”, thhet në njoftimin e presidencës./ KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmeve në Veri të Mitrovicës, ku janë sulmuar policia e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët, shkruan KultPlus.
Presidentja Osmani përmes një postimi në Twitter, ka thënë se ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë.
”Strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët. Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiqit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani në Twitter./KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar homologun e saj turk, Recep Taip Erdogan për fitoren në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale të Turqisë që ia mundëson atij mbajtjen e pushtetit për edhe pesë vjet.
Osmani përmes një deklarimi në Twitter ka thënë se mezi pret të punojë së bashku me Erdoganin.
”I shprehim urimet tona të përzemërta Presidentit Erdogan në fitoren e sotme. Ndërsa ju vazhdoni ta udhëheqni Turqinë drejt sukseseve të reja, mezi pres të punojmë së bashku për të ndërtuar mbi bashkëpunimin tonë të shkëlqyer”, ka deklaruar Osmani teksa ka shkruar edhe në gjuhën turke.
Presidentja e Kosovës ka pasur disa vizita në Ankara ku është takuar me presidentin turk Erdogan.
Sipas të gjithave burimeve mediatike turke dhe perëndimore, Erdogan i ka fituar zgjedhjet – ky i fundit e ka shpallur fitoren kur janë mbetur më pak se 2 për qind të votave pa u numëruar. /Gazeta Express/KultPlus.com