Presidentja Osmani takohet me Sarrazinin: Veprimet e Policisë ndaj strukturave ilegale të grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës.

Osmani ka theksuar se veprimet kriminale në veri të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim moslejimin e kryetarëve të ri të komunave në veri të vendit të ushtrojnë detyrat sipas ligjit dhe kushtetutës dhe instrumentalizimin e popullatës lokale serbe për të krijuar vakuum institucional, klimë të përgjithshme frike dhe pasigurie.

“Pavarësisht këtyre përpjekjeve, Kosova ka ndërmarrë veprime muajt e fundit për të shtensionuar situatën pas dorëheqjes së kryetarëve të komunave në veri të vendit në nëntor te vitit te kaluar dhe proceset demokratike e ligjore kanë vazhduar në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën”, thuhet në njoftim.

Ajo ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtar dhe koordinimit të vazhdueshëm me ta në përpjekje për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm.

“Presidentja Osmani ka përsëritur se veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e grupeve kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të funksionimit si shtet qytetar duke ruajtur karakterin multietnik të saj dhe institucioneve të saj”./KlanKosova/KultPlus.com

Presidentja Osmani uron presidentin e ri të Malit të Zi: Marrëdhëniet tona ndërshtetërore do të thellohen edhe më tej

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar presidentin e ri të Malit të Zi, Jakov Milatoviqin, pas marrjes së postit të presidentit, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani ka thënë se marrëdhëniet mes të dyja vendeve janë të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike, të cilat gjat mandatit të presidentit të ri pritet të thellohen edhe më tej

“Sot në ceremoninë inauguruese, e përgëzova Presidentin e ri të Malit të Zi, z. Jakov Milatović për detyrën, me besimin se përgjatë mandatit të tij marrëdhëniet tona ndërshtetërore do të thellohen edhe më tej. Këto marrëdhënie janë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta demokratike, besimin e ndërsjellë dhe rrugëtimin e përbashkët euroatlantik. Ju priftë e mbara President Milatoviq”, ka shkruar Osmani në facebook./KultPlus.com

Presidentja Osmani udhëton drejt Kalabrisë për t’i vizituar arbëreshët e Italisë

Presidentja së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Kalabri të Italisë, me ftesë të komunitetit të arbëreshëve të këtij rajoni.

Në një njoftim të presidencës thuhet se në një ceremoni të veçantë, e cila do të organizohet në komunën e Frasnitës, Presidentes do t’i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti”.

Gjatë qëndrimit në Kalabri, Osmani do të ketë takime të ndara me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të këtij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit të vendit tonë me komunat arbëreshe të këtij rajonit.

Presidentja Osmani do të ketë edhe një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Kalabrisë.

“Në të gjitha këto takime, Presidentja do ta shtrojë mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me komunat e Kalabrisë, në të cilat jetojnë arbëreshët, si dhe mundësitë që institucionet e Kosovës t’i ndihmojë ata për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor. Mbledhja e traditës gojore arbëreshe, si dhe regjistrimi i pasurisë gjuhësore, si pjesë e ruajtjes së identitetit të tyre, do të jenë në qendër të vëmendjes së vizitës së Presidentes Osmani”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Presidentja Osmani do të marrë pjesë në  aktivitete të shumta të cilat e kanë në fokus traditën, ritet e kulturën arbëreshe./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë dhe të drejtat qytetare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 15 vjetorin e miratimit të Kushtetutës ka thënë se Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë dhe të drejtat qytetare.

Ajo ka thënë se mbetet detyrë dhe prioritet i përbashkët që, siç u shpreh ajo, me punë e përkushtim, t’i respektojmë dhe zbatojmë këto vlera kushtetuese, përcjell Klankosova.tv.

“Sot festojmë miratimin e Kushtetutës së Republikës Kosovës- Aktit themeltar të shtetit tonë. Kushtetuta jonë është frymëzim për liritë dhe të drejtat qytetare, për barazi para ligjit dhe vlera të tjera, përmes të cilave, kjo kushtetutë na mban brenda familjes së madhe evropiane”.

“Është detyrë e përbashkët, që nëpërmjet ruajtjes së sovranitetit, integritetit territorial, respektimit të vullnetit të popullit, garantimit të lirive qytetare pa dallim, t’i mbrojmë dhe avancojmë këto vlera, duke u bazuar gjithnjë në frymën dhe shkronjën e Kushtetutës. Mbetet detyrë dhe prioritet i yni i përbashkët që me punë e përkushtim, t’i respektojmë dhe zbatojmë këto vlera kushtetuese, të cilat ndër të tjera janë edhe shpërfaqje e identitetit tonë”, ka thënë ajo./KultPlus.com

Presidentja Osmani falënderon komunitetin Rom për kontributin e tyre të vazhdueshëm në Kosovë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot me rastin e Ditës Ndërkombëtare Rome, ka thënë se duhet të reflektojmë mbi punën që duhet bërë për të vazhduar avancimin e barazisë dhe përfshirjes për të gjithë, shkruan KultPlus.

Presidentja Osmani, ka thënë po ashtu se Kosova e vlerëson kontributin e vazhdueshëm të komunitetit Rom në Kosovë.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, ne festojmë kulturën e pasur, historinë dhe arritjet e komunitetit tonë rom dhe vlerësojmë kontributin e tyre të vazhdueshëm në Kosovë. Sot, ne gjithashtu reflektojmë mbi punën që duhet bërë për të vazhduar avancimin e barazisë dhe përfshirjes për të gjithë”, ka thënë Osmani përmes një postimi në Twitter./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Masakra e Rrezallës dëshmon masakrat e planifikuara nga serbët për shfarosjen e shqiptarëve

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, gjatë ceremonisë përkujtimore në fshatin Rrezallë të Skenderajt, ka thënë se kjo masakër e dëshmon edhe një herë planin e forcave serbe, synim i të cilëve ndër të tjera ishte shfarosja e shqiptarëve, shkruan KultPlus.

“Masakra e Rezallës dëshmoi edhe një herë tipologjinë e masakrave të kryera, të planifikuara e të udhëhequra nga forcat shtetërore serbe, synimi i së cilave ishin sulmet përndjekëse masive, vrasjet, dhunimet, djegia dhe shkatërrimi i pronës, deportimi i dhunshëm dhe shfarosja e popullatës civile shqiptare. Secili nga civilët e vrarë në këtë masakër e ka historinë dhe trashëgiminë e tij. Të gjithë së bashku, ndërkaq, janë dëshmi e krimeve makabre që ka kryer Serbia në Kosovë”, ka thënë Osmani.

Përndryshe sot, Rrezalla shënon 24 vjetorin e masakrës, në të cilën forcat serbe vranë 98 shqiptarë, 44 prej të cilëve, forcat serbe tentuan t’i zhdukin, me qëllim të fshehjes së gjurmëve. Një pjesë e këtyre trupave u gjetën më pas në Rudnicë të Rashkës.

Fundi i marsit dhe fillimi i prillit shënon përvjetorët e masakrave më të mëdha të vendit si ajo në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Masakra e Familjes Berisha në Suharekë, Izbicës, Qyshkut, Pastasellës, Burimit etj./KultPlus.com

Osmani: Ata që ishin në krah të Millosheviqit më 1999, sot janë në krah të Putinit

Krerët e shtetit të Kosovës sot kanë pritur gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë, në shënimin e njëvjetorit të luftës në Ukrainë.

Presidentja Vjosa Osmani e ka shprehur edhe njëherë përkrahjen e Kosovës për Ukrainën e pushtuar nga Rusia, dhe ka thënë se duhet punuar ngushtë me aleatët ndërkombëtarë në uljen e ndikimit të autokratëve në rritje.

“Të nderuar të pranishëm, si asnjëherë më parë bota po përballet me tendencat hegjemoniste të autokratëve në pjesë të ndryshme. Lufta e paprovokuar në Ukrainë tregon për rrezikun nga regjime autoritare si ai i Putinit që kërkon zgjerimin e fuqisë, ndikimit dhe territorit duke cenuar të drejtat dhe sovranitetin e kombeve të tjera, e duke kryer krime të llahtarshme për t’i arritur këto qëllime”, ka thënë Osmani në konferencë për media.

“Ne duhet të jemi unikë dhe të vendosur kundër çdo përpjekjeje për t’i minuar vlerat dhe parimet tona evropiane. Për më tepër, duhet të punojmë ngushtë me aleatët dhe partnerët tanë për të pamundësuar ndikimin e autokratëve dhe për ta mbrojtur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla ku kombet e shtetet mund të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore dhe duke respektuar njëri-tjetrin”.

Osmani tha se Ukraina në rrugën e saj për çlirim do ta ketë përkrahjen e pakushtëzuar të Kosovës, dhe akuzoi presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe shtetin serb që po qëndrojnë në krah të homologut rus, Vladimir Putin, ashtu siç i kishte ndenjur afër Slobodan Millosheviqit.

“Më 1999 bota demokratike u vu në anën e Kosovës duke na mbrojtur nga shfarosja prej regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Sot bota demokratike është në anën e Ukrainës sepse e drejta është në anën e saj”.

“Për vitin 1999 në Kosovë dhe ky vit që po e lëmë pas në Ukrainë duhet të na mësojë edhe shumë mësime të tjera. Mbi të gjitha, nuk duhet ta harrojmë se kush ishin ata që ishin në krah të Millosheviqit në vitin 1999 e që qëndrojnë në krah të Putinit sot në vitin 2023, e të kuptojmë njëherë e mirë se ata që avokojnë për gjenocid njëherë, nuk mund të shndërrohen në agjentë të paqes asnjëherë”.

“Ata që kryejnë, mbështetin apo arsyetojnë gjenocid ndaj një populli të pambrojtur, përgjigjen e vetme duhet ta kenë drejtësinë, e jo akomodimin e përkëdheljen”. / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim ekipin futbollistik “Ballkani”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ekipin futbollistik “Ballkani” nga Suhareka, i cili aktualisht po i zhvillon garat në Ligën e Konferencës të UEFA-së.

Presidentja Osmani uroi djelmoshat e “Ballkanit”, për suksesin e historik të ekipit të treguar deri tani në garat evropiane dhe tha se sportistët kosovarë prej shumë kohësh janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Sukseset e tyre, sipas Presidentes Osmani e bëjnë krenar shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta mbështesin sportin në të gjitha aspektet duke uruar që ekipi i “Ballkanit”, sikurse edhe sporti kosovar në përgjithësi të vazhdojë me sukseset në prezantimet ndërkombëtare.

Ekipi i Ballkanit i dhuroi Presidentes Osmani një fanellë të klubit dhe një top futbolli, teksa ajo uroi futbollistët për fitore në ndeshjen e nesërme ndaj ekipit të Sivasspor. /KultPlus.com

Presidentja Osmani ne Bruksel: Kosova është gati, ka ardhur koha për vendime të guximshme nga BE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot gjendet në Bruksel ku po zhvillohet takimi mes liderëve të shteteve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Presidentja Osmani në këtë takim mbajti një fjalim mjaft të rëndësishëm për vendin tonë të cilin KultPlus ju sjellë të plotë:

Shkëlqesi,

Të nderuar kolegë,

Kontinenti ynë është në një gjendje të jashtëzakonshme, kështu që nuk do të humbas shumë kohë për të arritur te pika kryesore. Ukraina është nën rrethim, me vlerat, liritë dhe mënyrën e saj të jetesës nën sulm. Ky është një sulm edhe ndaj nesh.

Dhe nëse dikush mendon se paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Evropë është i mundur pa Ballkanin Perëndimor të integruar në strukturat euroatlantike, më duhet t’u them, si dikush që e ka përjetuar anën më të errët të luftës dhe shkatërrimit, se kjo nuk është e mundur.

Nuk kam ardhur këtu për deklarata boshe politike, por me qëllimet më të mira për të folur për pasojat për të gjithë kontinentin tonë poqëse integrimi i Ballkanit Perëndimor do të vonohej më tej.

Lufta në Ukrainë shënon më shumë se një pikë kthese për kontinentin tonë. Ajo ka ripërcaktuar të ardhmen tonë. Ajo duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen, dhe më e rëndësishmja, atyre shteteve që përkasin këtu.

Ka shumë dimensione të asaj që po ndodh në Ukrainë që ndryshojnë nga rasti i Kosovës, por në fund të fundit, mendoj se janë dy gjëra që vërtet nxjerrin në pah ngjashmëritë e përvojave tona. Së pari dhe më kryesorja është vuajtja e jashtëzakonshme njerëzore, përballë një lufte brutale gjenocidale kundër një populli liridashës. Dhe e dyta është mbështetja nga bashkësia ndërkombëtare. Uniteti juaj sot më kujton vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të ardhur në shpëtimin tonë në vitin 1999.

Populli i Kosovës e di se si është të luftosh edhe kur fitorja mund të duket e pamundur, ndaj për këtë arsye ne qëndrojmë me popullin e Ukrainës sot, si ndër vendet e para që u bashkuan me sanksione kundër Rusisë dhe ofruam mbështetjen tonë për refugjatët.

Ka një rrugë për në Moskë dhe një rrugë për në Bruksel – këto rrugë nuk kryqëzohen dhe janë më larg se kurrë. Nga ky këndvështrim, satelitët rusë në rajonin tonë nuk duhet të tolerohen e aq më pak të akomodohen.

23- vjet pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, Kosova është një demokraci dinamike dhe që kur institucionet tona të reja morën detyrën pranverën e kaluar, ne kemi forcuar sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike.

Të dashur kolegë,

Politika fillon dhe mbaron tek njerëzit. Prandaj është jam e vendosur që jo vetëm ta përfaqësoj më së miri zërin e qytetarëve të mi këtu sot, por edhe të siguroj që ne ta përmirësojmë jetën e tyre për më mirë.

Pavarësisht progresit të jashtëzakonshëm, populli i Kosovës dëshiron më shumë mundësi dhe përparim. Ata dëshirojnë një regjim pa viza, për të parë, ndjerë dhe përjetuar Evropën.

Dua të flas sërish këtu për rëndësinë e jashtëzakonshme të liberalizimit të vizave, me shpresën se këtë herë vërtetë, do të na dëgjoni.

Kjo thjesht ka shkuar shumë larg. Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej 4 vitesh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë.

Ironia është që ne jemi këtu si anëtarë të barabartë të komunitetit ndërkombëtar, duke diskutuar agjendën evropiane, por sigurisht që unë ulem mes jush sot këtu si i vetmi person – i vetmi person – në këtë tryezë që duhet të marrë një vizë për të marrë pjesë në këtë samit.

Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj.

Vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Por vlerat në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, jo vetëm rezultojnë të jenë politikisht të paqëndrueshme dhe të pambrojtura, por edhe vetë këto vlera rrezikojnë të zhvleftësohen.

Mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj akterëve dhe kërcënimeve malinje.

Besoj se të gjithë që janë ulur këtu e mbajnë mend qartë dhe pajtohen se anëtarësimi i Kroacisë dhe Sllovenisë në BE vetëm sa e forcoi pozitën e BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë në NATO vetëm sa e forcoi paqen dhe stabilitetin rajonal, nuk e dobësoi atë.

Kosova nuk është vetëm në cep të Evropës. Ajo është dhe do të jetë gjithmonë në zemër të Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë.

Pavendosmëria e Bashkimit Evropian ndaj rajonit tonë do të krijonte mundësi për Rusinë, diçka që asnjë lider i arsyeshëm në këtë sallë nuk duhet ta dëshironte. Kjo pavendosmëri gjithashtu do të çonte në zhgënjimin e qytetarëve, gjë që do t’i lejonte Rusisë të përforcojë narrativën e saj.

Ne llogarisim në udhëheqjen dhe vendosmërinë tuaj. Ne kurrë nuk do të largohemi nga rruga jonë euro-atlantike. Ne kurrë nuk kemi shikuar në drejtim tjetër dhe kurrë nuk do ta bëjmë.

Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit. Kosova dhe vendet demokratike të Ballkanit Perëndimor meritojnë më mirë. Ne jemi këtu përkrah jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje. Na leni të hyjmë brenda!

Ju faleminderit! / KultPlus.com

Osmani në konferencë shpalos punën e saj 1-vjeçare, nga krizat lokale e deri te angazhimi për anëtarësim në NATO

Kur janë bërë 1 vit që posti i Presidentit të Kosovës udhëhiqet nga një grua, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim për të shënuar sukseset dhe pritshmëritë për të ardhmen, shkruan KultPlus.

Përmes një fjalimi në kabinetin e saj, Osmani e filloi fjalimin duke thënë se viti i kaluar është karakterizuar nga shumë sfida lokale e globale.

“Pandemia, kriza energjetike dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian. Kosova është sot një kontribuuese aktive dhe një anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.

Si udhëheqëse e politikës e jashtme, ajo thotë se ka punuar për të siguruar që të përfaqësohemi me dinjitet dhe krenari në çdo cep të botës.

“Jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe te vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë tonë”, shprehet tutje Osmani.

Ajo edhe gjatë ditës por edhe gjatë fjalimit ka potencuar se Kosova mbetet e përkushtuar në angazhimin e saj për anëtarësim në familjen e NATO-s.

“Shteti i së drejtës është përkushtimi im i vazhdueshëm me qëllim që ta rrënjosim atë në të gjithë vendin. Në këtë frymë kamë punuar secilën herë kur kam marrë një vendim , kur kam bërë një emërim dhe kjo ka jehuar në çdo deklarim e takim timin”, ka thënë Osmani.

Osmani gjithashtu shprehet se gjatë punës së saj një vjeçare është angazhuar edhe në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, ndërgjegjësimin dhe adresimin e sfidave me të cilat përballen fëmijët me nevojat e veçanta dhe rritjen e vetëdijes mbi kërcënimet që i kanosen shëndetit tonë nga shkatërrimi i ambientit.

“Pres të punojmë drejt arritjeve të sukseseve të reja. Do të vazhdoj të punoj për të udhëhequr politikën e jashtme dhe për t;i treguar botës që Kosova është më shumë se sa dinamikat e përditshme politike dhe që është një vend paqedashës”, njoftoi 39 vjeçarja.

Presidentja gjatë ditës së sotme ka publikuar në llogarinë e saj zyrtare në “Instagram” opsionin për të bërë pyetje, në mënyrë që çdo qyetetarë të pyes për punën 1 vjeçare dhe të ardhmen e vendit. /KultPlus.com

Presidentja Osmani takoi ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare të Luxemburgut, Franz Fayot

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka pritur sot në takim ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare të Luxemburgut, Franz Fayot, përcjellë KultPlus.

Gjatë takimit u bisedua për raportet dhe bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Luxemburgun si një nga kontribuesit kryesor në projekte zhvillimore e të cilat janë në dobi të qytetarëve të Kosovës.

Në veçanti, Presidentja Osmani u falënderua për angazhimin e Luxemburgut për kontributin e pashoq në fushën e shëndetësisë ndër vite, si dhe në fushën e arsimit.

Ministri Fayot vlerësoi progresin e gjithmbarshëm në Republikën e Kosovës, duke theksuar në veçanti angazhimin për luftim të korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Palët u dakorduan për bashkëpunim të mëtejmë në drejtim të zhvillimit të kapitalit njerëzor, dhe diskutuan potencialin për investim në fushën e digjitalizimit, energjisë, si dhe në drejtim të mbledhjes dhe gjenerimit të të dhënave si parakusht për politikbërje më efektive. / KultPlus.com

Osmani: Do të angazhohemi për t’i fuqizuar njerëzit me autizëm që të arrijnë potencialin e plotë

Sot është Dita Botërore e Autizmit e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm, shkruan KultPlus.

Për këtë ditë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një ecje në shesh së bashku me shoqatën “Autizmi”.

Më pas, Osmani ka shkruar në “Twitter” se përfshirja dhe dhembshuria na mundëson një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë.

“Ndërsa shënojmë Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, ne jo vetëm që zotohemi, por do të angazhohemi për të fuqizuar njerëzit me autizëm për të arritur potencialin e tyre të plotë”.

Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Vlerësohet se 1 për qind e popullatës globale është autike. /KultPlus.com

Osmani takoi të dërguarin special të Presidentit Biden, ish-Sekretarin John Kerry

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu është takuar me mbështetësin e madh të Kosovës, John Kerry, i Dërguar i Posaçëm Presidencial i Shteteve të Bashkuara për çështje klimatike dhe ish Sekretar i Shtetit. Në takim morri pjesë edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla Schwarz.

Presidentja Osmani ka falënderuar Kerry për angazhimin dhe përkushtimin e tij personal për të ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj të ecë përpara, që sot të gëzojë marrëdhënie unike dhe të pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidentja dhe Kerry diskutuan edhe për zhvillimet në Evropë dhe rajon si rezultat i agresionit rus në Ukrainë dhe përmendi përpjekjet e Republikës së Kosovës për t’i ardhur në ndihmë popullit ukrainas. Presidentja Osmani theksoi rrezikun nga destabilizimi i rajonit nga satelitët e Rusisë dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO si garancë më e mirë për paqe dhe stabilitet në rajon. Ajo ka vlerësuar përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për fuqizimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se tani është edhe më e rëndësishme që të rritet përkrahja në procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

Duke e uruar Kerry në rolin e tij të ri si i dërguar i posaçëm i Presidentit Biden për ndryshimet klimatike, Presidentja Osmani ka vlerësuar se adresimi i efekteve të drejtpërdrejta të ndryshimeve klimatike kërkon qasje dhe udhëheqje transformuese.

“Pavarësisht politikave vendore dhe globale, ndryshimet klimatike nuk do të ndalojnë së ndodhuri. Është një nga sfidat më serioze të kohës sonë. Të flasim për ndryshimet klimatike nuk është temë luksoze, por ekzistenciale për të siguruar jetën e fëmijëve tanë. Kosova nuk është imune ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike. Andaj, Kosova me të drejtë kërkon të jetë pjesë e nismave globale për luftimin e ndryshimeve klimatike” ka thënë Presidentja. /KultPlus.com

Ngjarje e jashtëzakonshme e vitit 2021 – Dua Lipa dhe fjalimi i saj në Këshillin Atlantik

Këngëtarja shqiptare e cila ka prekur majat e botës, Dua Lipa, ka mbajtur këtë vit një mbrëmje gala të organizuar nga Këshilli Atlantik dhe përfaqësoi Kosovën në nivelet më të larta diplomatike, sikurse të ishte në rolin e një ambasadoreje, shkruan KultPlus.

“Ne e kemi në gjene të lulëzojmë”, – ishte njëri prej mesazheve që Lipa u mundua të shpërndajë te të gjithë të pranishmit e famshëm që ishin në atë mbrëmje.

E shoqëruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Dua Lipa, pati një fjalim shumë emocionues, ku edhe pranoi një çmim “Artistja e shquar e vitit 2021”.

“Unë qëndroj përpara jush si një fëmijë i Kosovës, e lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe jam sot si mysafire e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë vij nga një vend për të cilin shumica prej jush e keni dëgjuar, por ndoshta jo në mënyrën se si do ta përshkruaj. Dua të ndaj me ju pak për Kosovën time”, ka thënë ajo.

Duke kujtuar edhe një herë problemet e jashtëzakonshme që Kosova ka me viza, Lipa rikujton që shteti i prejardhjes së saj është më i riu në Evropë, por nuk gëzon të drejta demokratike.

“Kosova është shteti më i ri në Evropë. Kemi vetëm 13 vite në rrugëtimin e tonë të pavarësisë. Dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë ekonomikisht dhe kulturalisht. Është në gjenet tona. A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte lëndimin e konfliktit të fundit?”, tha më tej 26-vjeçarja.

Duke mbështetur gjithnjë të rinjtë dhe duke përcjellur mesazhe shumë pozitive, Lipa përmbylli fjalimin e saj, me ç ‘rast bëri krenar një popull të tërë. /KultPlus.com

Presidentja Osmani do të marrë pjesë në Samitin për Demokraci të organizuar nga presidenti amerikan Joe Biden

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin për Demokraci, i cili do t`i zhvillojë punimet virtuelisht më 9-10 nëntor dhe në të cilin do të marrin pjesë më shumë se 100 shtete nga mbarë bota.

Hapja e Samitit do të bëhet nga presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, ndërkaq Presidentja Osmani në fjalën e saj në këtë Samit do t’i paraqes pikat kryesore të zotimeve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e autokracive, fuqizimit të rolit të grave në shoqëri dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e zotimeve.

“Në këtë Samit do të marrin pjesë liderë botërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ata nga sektori privat, ndërkaq është paraparë të diskutohet për: forcimin e qëndrueshmërisë demokratike, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen kundër autoritarizmit, mbrojtjen e institucioneve demokratike, kundërshtimin e autoritarizmit digjital dhe afirmimin e vlerave demokratike”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës.

Ftesa për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci i është dërguar Presidentes Osmani nga presidenti Biden më 9 nëntor. Presidentja ka përshirë në delegacionin e saj që do të marrin pjesë virtuelisht në samit edhe përfaqësues të institucioneve të tjera publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.  /KultPlus.com

Me vendim të presidentës, sot ditë zie në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën, 24 nëntor 2021, ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave që humbën jetën nga aksidenti në Bullgari, shumica dërmuese bashkëkombas tanë, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Bullgari, shkruan KultPlus.

“Shpallet zija shtetërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës, në shenje solidarizimi dhe nderim të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht ne aksident trafiku në Bullgari”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Presidencës

Me vendim të presidentes Osmani, flamujt shtetërorë ulen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. /KultPlus.com

Osmani takon nxënësit e Institutit Atomi: Arsimi të jetë prioritet mbi prioritetet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim nxënësit e Institutit ATOMI ku ka thënë se shteti duhet të ketë arsimin prioritet mbi prioritetet. Këtë takim, Osmani e ka bërë në ditën e saj të parë të punës si presidente e vendit për çka ka thënë se është shumë më rendësi që të fillojë mandatin duke i treguar botës për mendjet e ndritura që i ka Kosova.

Kryetarja e shtetit ka thënë se nxënësit e Institutit ATOMI e kanë bërë krenar shtetin përmes sukseseve të arritura edhe jashtë Kosovës.

“Është shumë me rëndësi që në këtë zyrë ta fillojmë mandatin tonë duke i treguar jo vetëm Kosovës por gjithë botës për disa nga mendjet më të ndritura që i ka Kosova jonë, fëmijë me dhunti të jashtëzakonshme të cilët na kanë bërë krenar jo vetëm brenda Kosovës por edhe nëpërmjet sukseseve dhe të arriturave të tyre jashtë Kosovës”, tha Osmani.

Sukseset dhe angazhimi i këtyre nxënësve, sipas Osmanit janë mesazh që investimi në arsim duhet të jetë prioritet për shtetin.

“Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për ne që ta bëjmë prioritet mbi prioritetet arsimin. Vetëm një shtet i cili investon në kapitalin e vet njerëzor, në kapitalin e vet human, pra në rininë tonë, në nxënësit tonë, nëpërmjet investimit në arsim, mund të sheh një rrugë të ndritshme përpara ashtu siç po shndritë rruga juaj”, tha Osmani.

E drejtoresha e Institutit ATOMI, Naime Hoxha tha se takimin me presidenten, në ditën e saj të parë të punës, e shohin si shpresë për bashkëpunim e mbështetje për nxënësit.

“Këtë padyshim e shohim si shumë domethënëse dhe shpresëdhënëse dhe si dritë në fund të tunelit prej neglizhencës që i është bërë fushës së arsimit, sidomos nxënësve me inteligjencë më të lartë që siç e përmendët ju janë kapitali njerëzor dhe burimi më i vlefshëm që secila shoqëri duhet ta ketë. Ky takim na jep shpresë dhe kemi besim qe do të mund të vazhdojmë të bashkëpunojmë”, tha ajo.

Para takimit me nxënësit e Institutit ATOMI, presidentja e Kosovës me të marrë detyrën ka pritur në takim xhudistët kampionë të Kosovës./ Gazeta Express/ KultPlus.com