Prespa destinacion tërheqës për turistët

Parku Kombëtar i Prespës, i ndodhur 45 minuta larg qytetit të Korçës, në këto ditë gushti ka tërhequr një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Korçë ndau momente nga vizita e turistëve në këtë park, i cili fron një potencial të madh për natyrën, biodiversitetin dhe kulturën që ka.

“Turistë të shumtë vizitojnë Parkun Kombëtar të Prespës gjatë sezonit të verës. Pajisja me sinjalistikën informuese dhe promovuese të vlerave natyrore dhe kulturore të PK Prespa do të jetë një pikë e rëndësishme për promovimin e duhur të zonës në shërbim të turizmit”, theksoi ADZM Korçë.

ADZM Korçë informon se qendra e vizitorëve në hyrje të parkut prej gushtit është e hapur çdo ditë për t’i njohur ata me bukuritë natyrore dhe kulturore që ofron ky park.

Parku Kombëtar “Prespa” bën pjesë në zonat e mbrojtura të kategorisë 2, vendim i cili është shpallur në vitin 1999. Përfaqësuesit specifikë të florës dhe faunës në park janë venja (Juniperus excelsa), (Centaurea prespana), (Viola eximia), dhia e egër e Ballkanit (Rupicapra r. balcanica), ariu i murrmë (Ursus arctos) pelikani kaçurrel (Pelicanus Crispus).

Monumente natyre në park janë: Venjat e Kallamasitrit, Zgavra e Zaverit, Dushqet e Manastirit Djellas, Ishulli i Maligradit, Gurët e Mumjes, Shpella e Trenit.

Objekte kulturore, fetare, historike brenda zonës janë Kisha e Shën Marenes, Kallamas, Kisha e Shën Gjergjit Gollomboc, Kisha e Shën Pjetrit Zaroshkë, Kisha e Shën Mërisë./atsh/KultPlus.com

Mbahet koncert me muzikë baroke në ishullin e Maligradit, Inva Mula: Të promovojmë turizmin

MIK Festival i planifikuar për t’u zhvilluar për tre ditë në Korçë është shtyrë për në shtator për shkak të vendimit të qeverisë së Shqipërisë që ndalon muzikën LIVE. Por në mënyrë simbolike u organizua një koncert me pjesëmarrje të vogël në ishullin e Maligradit në Prespë.

Sopranoja Inva Mula tha se qëllimi është promovimi i vendeve turistike me histori e natyrë magjepse siç është Maligradi.

Në ishullin e Maligradit është mbajtur një koncert modest nga MIK Festival me pjesëmarrjen e sopranos Inva Mula. Ajo tha se qëllimi është promovimi i vendeve turistike.  Ky festival ishte planifikuar të mbahej për tre ditë me radhë në Korçë, por për shkak të aktit normativ të qeverisë që nuk lejon. MIK festival këtë vit ka sjellë tingujt e muzikës baroke në ishullin e Maligradit.

Tingujt e kësaj muzike u harmonizuan ne perfeksion me monumentet historike, siç është kisha e Maligradit dhe natyra e mrekullueshme e Prespës. Festivali i muzikës internacionale përkon me edicionin e tretë të tij, por për shkak të Covid-19 trokiti simbolikisht në një ditë të vetme.

Sopranoja me fame botërore Inva Mula u shpreh se MIK festival do të rikthehet shtatorin e këtij viti, ndërsa nuk la pa përmendur suksesin e koncertit të sotëm në një perlë të natyrës siç është Maligradi.

“Ishte koncerti i parë historik, nuk mbaj mend të jetë zhvilluar një koncert i muzikës baroke dhe një skenë që kalon dhe imagjinatën më të bukur të përrallave të fëmijëve. Ky realit është në vendin tonë, është në Prespë. Kur është mistik nga jashtë futesh në një romantizëm brenda. Këtu duhet të vish të paktën një herë në jetën tënde”, tha sopranoja Inva Mula.

Koncerti solli muzike të zgjedhur nga vendet ku lindi muzika baroke, ndërsa të pranishmit shijuan edhe gatimet tradicionale. Qëllimi kryesor i aktivitetit ishte  zhvillimi i turizmit dhe promovimi e njohja e zonës së Prespës. /shqiptarja/ KultPlus.com

Pelikani Kaçurrel në Prespë, mahniten turistët

Pelikani Kaçurrel është bërë zot i Prespës, pasi mijëra individë kanë mbyllur shtegtimin, duke migruar në këtë perlë të natyrës.

Turistë vendas dhe të huaj janë mahnitur duke parë pelikanë, këtë specie të rrallë dhe nga më të bukurat e natyrës.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura shprehet se në liqenin e Prespës mund të shohësh lirshëm Pelikanin Kaçurrel. Në gjithë Prespën përfshirë dhe pjesët greke e maqedonase, numërohen 2400 individë të Pelikanit Kaçurrel.

“Në censin e fundit, në qershor bërë nga ADZM, Korçë dhe PPNE në Prespën shqiptare u numëruan 432 pelikanë, prej të cilëve 402 ishin të llojit kaçurrel dhe 30 pelikanë të llojit tjetër”, njofton AKZM.

Mrekullitë e liqenit të Prespës së Madhe nuk kanë të sosur.

Ky liqen akullnajor është i rrethuar nga druri i vanjës, i cili reziston pa u dëmtuar si material drusor mbi 500 vite. Dhe qershia mbi tortë e Prespës janë dy ishujt Maligradi, në territorin shqiptar dhe Golemgradi në territorin maqedonas.

Maligradi është i famshëm për kishën shekullore, por dhe Golemgradi si më i madh që është ka 7 kisha të vjetra.

Në breg mendohet të jetë dhe varri i Filipit, babait të Aleksandrit të Madh dhe aty afër mes kallamishteve folenizon dhe Pelikani Kaçurrel.

Natyra nuk njeh kufij gjeografikë, njerëzit po. Një guidë turistike e miratuar mes tre shteteve do e bënte më të njohur dhe të vizituar këtë liqen akullnajor. / atsh / KultPlus.com

Kisha e Engjëjve, thesari i fshehur në liqenin e Prespës

Kisha eremite e Engjëjve është një tjetër thesar i liqenit të Prespës. Për të vizituar këtë kishë e vetmja rrugë është ajo përmes liqenit me varkë.

Udhëtimi drejt kësaj kishe është i mrekullueshëm ku përmes liqenit ke mundësi të shijosh peizazhin mahnitës që ky vend ofron e ku natyra gjatë kësaj periudhe nuk i ka kursyer ngjyrat e saj.

Itinerari drejt kishës nis nga fshati Pustec, një udhëtim me varkë prej 30 minutash ku liqeni të shoqëron me madhështinë dhe ujërat e tij të kristalta.

Malet dhe brigjet me shkëmbinj të thepisur që rrethojnë këtë liqen te japin ndjesinë e një bukurie të egër e cila pasqyrohet dhe zbutet nën qetësinë e liqenit.

Gjatë këtij rrugëtim pelikanët kaçurrel të urojnë mirëseardhjen ku duket se të përshëndesin kur bëjnë lojën e tyre lozonjare në ujërat e kristalta të liqenit.

Teksa i afrohesh  bregut të liqenit të Prespës në anën e malit Kallogjer në juglindje të fshatit Pustec shfaqet madhështore kisha eremite e Engjëjve. Gjëja e parë që të bën përshtypje të kjo kishë është pozicioni i saj mjaft i veçantë në të cilin ndërthuret uji, qielli dhe madhështia e besimit.

Gjithashtu një tjetër e veçantë e kësaj kishe para se ta prekësh nga afër është ikona e Marisë me të birin Jezus e cila me ngjyrat e saj të forta ku dominon e kuqja duket si mrekulli dhe të jep ndjesinë mistike teksa ndriçohet nga rrezet e diellit.

Kisha e Engjëjve e shek të XIV përbëhet nga dy kate ku për të arritur drejt ikonave dhe brendësisë së saj të çojnë disa shkallë hekuri. Kjo kishë duket si një pikturë pasi është në brendësi të shkëmbinjve në liqenin e Prespës dhe pjesa e sipërme e kësaj kishe ku ndodhet dhe ikona e Marisë gjendet në 30 metra lartësi.

Teksa ngjitesh përmes shkallëve të hekurta për në brendësi të kishës peizazhi përreth duket sikur ka ndalur në kohë e të jep idenë e kohëve më parë kur murgjit përshkonin në këmbë vendet e kultit.

Në pjesën e poshtme të kishës ndodhej qelia ku kishte jetuar një murg, ndërsa pjesa e sipërme ku ndodhet dhe ikona e Marisë ka në brendësi piktura murale të cilat kanë të gdhendura dhe iniciale nga banorët e zonës që e shohin këtë kishë si vend pelegrinazhi dhe mrekullish. Afresket në brendësi të kësaj kishe janë tipike të shek të XIV pra të periudhës bizantine.

Dritaret e kishës të cilat kishin pamje përballë liqenit janë i vetmi burim drite ku mund të shikosh afresket që ndodhen në brendësi. Teksa largohesh nga kjo kishë për t’u nisur drejt fshatit Pustec, gjithçka mbetet është një ndjesi qetësie dhe paqeje. /j.p/ KultPlus.com