Shfaqja “Të negocosh paqen” e Qendrës Multimedia do të prezantohet më 20 korrik në Teatrin Ristori në Cividale del Friuli të Italisë.
Sipas njoftimit nga Qendra Multimedia, shfaqja do të prezantohet si pjesë e edicionit të 33-të të festivalit prestigjioz Mittelfest.
“Festivali Mittelfest u themelua në vitin 1991, në kohën e rinisjes së dialogut ndërmjet lindjes dhe perëndimit, si pjesë e nismës Pentagonale, që atëherë përfshinte qeveritë e Italisë, Jugosllavisë, Çekosllovakisë dhe Hungarisë. Për mbi tridhjetë vjet, festivali vazhdon të ofrojë një hapësirë për takim të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme të Evropës Qendrore dhe Ballkanit. Edicioni i sivjetëm i programuar mbi temën “Çrregullimi” ka për synim të rimendojë të ardhmen, duke i rikonsideruar mënyrat se si sot i shfrytëzojmë zbulimet e ndryshme industriale e teknologjike dhe nëse ato po ju shërbejnë qëllimeve të veta” , njofton Qendra Multimedia.
“Të negocosh paqen” është shfaqje që ballafaqon shoqërinë me dinamikat e tryezave të negociatave që përcjellin shoqëritë e pasluftës dhe me pyetjet e vështira se kush e ka legjitimitetin të negociojë paqen e a është falja një akt kolektiv, apo individual si dhe a përfaqësohen zërat e viktimave në këto tryeza, si kategoria e shoqërisë që i vuan më së shumti humbjet dhe pasojat nga luftërat.
“Prezantimi në Cividale del Friuli, si pjesë e festivalit Mittelfest i shfaqjes “Të negocosh paqen” vjen pas prezantimeve nëpër festivale e teatro të ndryshme evropiane në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Serbi, Gjermani, Çeki, Kroaci, dhe i paraprin prezantimit të shfaqjes në Mal të Zi në festivalin FIAT në shtator të këtij viti”, njofton qendra.
Negotiating Peace e Qendrës Multimedia, e cila u dha premierë më 16 tetor në Teatrin ODA, zgjoi interesim të jashtëzakonshëm të kritikës ndërkombëtare. Media si The Guardian e Britanisë, Politis e Francës e Taggespiegel e Gjermanisë e vlerësuan atë për relevancën shoqërore e qasjen e veçantë ndaj një çështje politikisht të komplikuar. Në kritikën e tij për The Guardian, Philip Oltermann shkroi, “Kur udhëheqësit politikë e paraqesin luftën si të vetmen zgjidhje, është detyrë e artistëve t’ua kujtojnë njerëzve se gjetja e paqes është ende e mundur. Kjo është pikënisja për një kompani teatrore në Kosovë, “Qendrën Multimedia”, e cila nëpërmjet shfaqjes së re kthehet te lufta e fundit në Evropë para invadimit të Rusisë në Ukrainë dhe eksploron se si u ndal ajo.
Sipas njoftimit të QM-së, uke u nisur nga negociatat e paqes, duke përfshirë marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, bisedimet politike — ende pa shumë rezultat — ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe duke e paramenduar si do të duket fundi i luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, Qendra Multimedia ka bërë bashkë një ansambël pan-evropian për të krijuar NEGOTIATING PEACE. Ky produksion është krijuar me artistë dhe grupe teatrore nga Ukraina, Kosova, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Italia, Çekia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia dhe Estonia.