Mbrëmë janë ndarë çmimet e edicionit të 14-të të PriFilm Fest, i cili ka nisur më 20 shtator ndërsa ka përfunduar më 25 shtator, shkruan KultPlus.
Për të katërmbëdhjetin vit me radhë, ky festival ka sjell premiera të filmave si dhe emra të njohur të kinematografisë botërore në Kosovë. Në mbylljen e këtij festivali jashtë Kino Armatës, e cila ishte mbushur plot dashamirë të filmit u bë e ditur se do të ndahen edhe çmimet.
Më poshtë gjeni listën e plotë të çmimeve në PriFilmFest 2022:
Filmi më i mirë i shkurtër
POLI I VERIUT nga Marija Apcevska (NMK)
Përmendje e veçantë
NË VANCOUVER nga Artemis Anastasiadou (GRE)
Pridox më i mirë
EJA NË KOHË nga (UK, SHBA)
Filmi më i mirë i metrazhit të mesëm
KËMBANAT E LOPËS nga Charles HABIB-DROUOT (BEL, FRA)
Filmi më i mirë nga juria e Medias
KLONDIKE nga Maryna Gorbach Er (UKR, TUR)
Filmi më i mirë global
KLONDIKE nga Maryna Gorbach Er (UKR, TUR)
Konkursi i filmave ballkanik – Përmendje e veçantë
HERONJTË E KLASËS PUNËTORE nga (SER)
Çmimi aktori dhe aktorja më e mirë
Rina Krasniqi për rolet e Luanës dhe Xhekut te Virgjëresha shqiptare
Regjisorja më e mirë
Kaltrina Krasniqi për filmin Vera andrron detin (KOS, ALB)
Filmi më i mirë ballkanik – “Vjosa Berisha”
Virgjëresha shqiptare nga Bujar Alimani, prodhuar nga Anita Elsani (ALB, GER, BEL, KOS).
Krejt në fund, të gjithë fituesit u ftuan në skenë që të shkrepin një fotografi të cilën do ta kenë pranë vetes e zemrës së tyre për një kohë të gjatë./ KultPlus.com
Sonte po ndahen çmimet e edicionit të 14-të të PriFilm Fest, i cili ka nis më 20 shtator ndërsa përfundon sonte më 25 shtator, shkruan KultPlus.
Tashmë çmimi kryesor “Hyjnesha e Kuqe” do të mbajë emrin “Vjosa Berisha” dhe do të nisë të ndahet nga ky edicion.
Çmimi kryesor “Vjosa Berisha” shkoi për filmin “Virgjëresha Shqiptare” me regji të Bujar Alimanit.
Ky ka qenë vlerësimi i jurisë së kategorisë kryesore garuese, ajo e Filmave Ballkanik të metrazhit të gjatë së kryesuar nga: John Mathieson – kinematograf anglez dhe regjisor komercial, Anna Machukh – Drejtoreshë Menaxhuese e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Odesa nga viti 2020, EDVINASI RRAH – anëtar i Akademisë Europiane të Filmit.
Edicioni i 14-të i “PriFest”-it i dedikohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. / KultPlus.com
Filmi që ka bërë bashkë aktorët nga Kosova e Shqipëria zë vend në Shqipërinë e vitit 1958, kur një vajzeje i duhet të sakrifikojë dashurinë e jetës së saj për të vënë drejtësinë në vend. Personazhi i Luanes që vjen nën interpretimin e aktores Rina Krasniqi portretizon njërën ndër traditat tona shqiptare, e që në këtë rast vjen si më e dhimbshmja. “Burrneshat”, janë gratë që sakrifikuan jetën e tyre duke jetuar e vepruar si burra deri në fund të jetës dhe në një moment apo tjetër dëshmohet për rëndësinë që këto gra kanë në trojet shqiptare. Me këtë temë sa të brishtë por aq edhe të guximshme, na shfaqet një histori që nuk e hasim dhe aq shpesh në këtë mënyrë në kinematografinë shqiptare. Andaj, skenaristja Katja Kitendorff, regjisori Bujar Alimani si dhe kasta e mrekullueshme e aktorëve sollën para publikut një temë kaq të veçantë për popullin shqiptar me rastin e premierës së filmit “Virgjëresha shqiptare” në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, shkruan KultPlus.
Pak minuta para se ora të shënonte 21:00, ishin të pranishmit ata që dalëngadalë po hynin brenda hapësirës së Kino Armatës. Ishte një radhë tejet e gjatë e një interesim i paparë deri më tani, për të parë filmin e për të shijuar kryeveprën e regjisorit Alimani. E koha që ky film i shumëpritur nga të pasionuarit për traditat shqiptare dhe jo vetëm, të niste, më në fund erdhi. E vetmja dritë nga ekrani i madh në sallë, do të ishte foleja e publikut përgjatë gjithë 120 minutave.
Qysh në skenën e parë, shikuesi rrëmbehet me lumturinë, ndjesinë e paqes dhe lirinë e portretizuar nga disa fëmijë që luajnë mes vete afër liqenit, por shumë shpejt kokën e fusin edhe mospëlqimet e disa çunave për prezencën e vajzës së vetme të pranishme, Luana, e cila bëri që lojën ta fitojnë kundërshtarët e tyre. Është viti 1958 dhe Luana si vajzë e vogël në atë vend takon Agim Shalën, i cili njashtu kritikohet nga çunat e fshatit se ai është asgjë tjetër pos një armik i popullit ngaqë babai i tij, Zef Shala jeton në qytet dhe me këtë rast ai pëson nga ata një lëndim të vogël në kokë nga guri i gjuajtur në drejtim të tij, por shumë shpejt Luana i vjen në ndihmë dhe shkojnë tek shtëpia e tij, aty ku nëna e Agimit, një mjeke me profesion, ia pastron plagën dhe nis të tregojë një tregim, tregim ky që në mënyrë simbolike do të jetësohet përgjatë gjithë filmit.
Luanës, vajzës së qetë me sy kafe si gështenjë, papritmas i përmbyset e gjithë bota. Babai i saj, ia vë një gjerdan në qafë e i tregon që ajo është e “dhanun” te Flamur Fiku, derisa vdekja t’i ndajë. Ai gjerdan do të jetë dëshmitari i gjithë fëmijërisë së Luanës, derisa ajo të rritet e të kalojë nëpër rrugëtime që do të ndryshojnë krejt rrjedhën e jetës së saj. Por deri atëherë, ajo dhe Agimi, takohen fshehurazi diku afër buzës së shkëmbit, aty ku Luana i dhuron bukë e në shkëmbim ai e mëson të lexojë. Takimet e tyre nuk zgjasin shumë, por për aq sa rrinë bashkë, lindin edhe ndjenja të njëjta mes tyre.
Filmi tregon historinë e tyre, të cilët rriten së bashku në fshat por historia e tyre familjare i mban të dy në një shkëmb të varur, por që megjithatë miqësia e tyre do të mbahet e ruajtur për plot 10 vite. Aktorja Rina Krasniqi e sjell Luanen, personazhin kryesor që vazhdimisht rrëshqet nëpërmjet sfidave dhe gropave të krijuara në jetën e saj, por që stabilitetin e saj e arrin atëherë kur zëri i saj bëhet fuqia më e madhe të cilën ajo e posedon.
“Ne nuk jemi kafshë, andaj kemi nevojë për Kanun. Kjo është e vërteta. Lexoje, mësoje Kanunin. Bindu rregullave. Djalin nuk ke me e pa ma”, qenë fjalët e babait të Luanes, drejtuar saj, pasi që fjalët se ata të dy takoheshin vetëm, kishin nisur të qarkullojnë nëpër fshat.
Skenat e radhës vijnë si një pushtim i fuqishëm që shpalosin anët e errëta të fatit të vajzave që rriten në fshat. Një familjare e afërt e Luanës, Angelika, është vrarë nga babai i saj, për arsye të shkeljes së rregullave dhe “çnderimit” të saj, pa martesë. Kjo ndodhi e trondit gjithë familjen deri në rrënjë dhe kësisoj bëhet një “mësim” për Luanën dhe fatin e saj, nëse edhe ajo mendon të ndjek të njëjtën rrugë.
Është viti 1968 dhe Luana, tanimë një e rritur ende është akoma kokë e këmbë e dashuruar me Agimin. Ai ndodhet në shërbimin ushtarak, por kthehet shpejtë dhe duket se asgjë nuk mund t’i ndajë këta të dy. Kur ai merr vesh se Luana së shpejti do të bëhet nuse, ai tenton që ta bind për t’u arratisur nëpërmjet kalimit të liqenit të Shkodrës. Por Luana është kokëfortë e kryelartë, e i thotë që ai të niset vetë.
Ndërkohë, në shtëpinë e saj, ajo kushton 1400 grosh. Ky është çmimi i saj si nuse për Flamur Fikun, i cili në takimin e parë të vetëm me të, e ngacmon seksualisht, duke i thënë se “dëshiron ta dijë a është e ndershme”, e i thotë sa ka dëgjuar ca fjalë për një dashnor. Ai tutje i thotë se do t’i mësojë asaj ca rregulla të reja, ngaqë nuk di të sillet në një mënyrë të caktuar, siç dëshiron ai.
Këtë akt, e dëgjon dhe e sheh duke ndodhë edhe vetë babi i Luanes, i cili në tentim e sipër për ta larguar Flamurin nga shtëpia e për ta ndalur martesën për shkak të sjelljes së tij, ai vritet me pushkë nga Flamuri, i cili tutje konstaton se e ka bërë për vetëmbrojtje. “Nuk e kam vra unë por turpi i vajzës suaj e ka vra”, thotë ai në mes të tjerash.
Pa një burrë mbi katër shtyllat e shtëpisë, tanimë jeta e Luanes është në duart e familjarëve të afërt të saj. Xhaxhai i saj dhe të afërmit e tjerë e shpërfillin gjakmarrjen për babanë e saj dhe tutje vendosin që martesën ta qojnë deri në fund. Dhe për ta vazhduar martesën, ajo “testohet” se a është ende e virgjër apo jo. Pasi që del të jetë e “ndershme” ajo është e lirë të martohet me të fejuarin e saj, Flamurin.
Dashuria është ajo që triumfon mbi të gjitha. Luana nuk dëshiron të shkojë nuse në një shtëpi ku gjaku për babanë e saj nuk është marrë. Ajo vendos që të largohet me Agimin dhe familjen e tij, por që fatkeqësisht nuk del të jetë zgjidhja e duhur. Babai i Agimit vdes nga pushkatimi në liqenin e Shkodrës, ndërsa Luana shpëton, dhe në breg e gjen gjerdanin që vjen si një “mallkim” për të. Ajo e pati heq para se të hyjë në ujë por tanimë e merr në dorë dhe përfundimisht vendos që të hakmerret për vrasjen e babait të saj. Ndërkaq, Agimi në këtë kohë është i arrestuar dhe i rrahur në qeli.
Është një moment mes vdekjes dhe të qenurit e gjallë por e vdekur përbrenda. Luana zgjedh këtë të fundit.
Filmi me skenar të Katja Kitendorff, trajton tema mjaft komplekse, dualistike. Ka konceptin ‘burrnesha’ si koncept e nocion ekzistues i Kanunit, që është një nga shtyllat kryesore të këtij filmi. Jo vetëm për ‘burrneshën’ e brendshme të Luanes, por edhe atë të jashtme, në momentin që legjitimohet vendimi i saj për tu bërë pikërisht e atillë.
Luana tanimë si burrneshë, me flokë të prera, me veshje të burrit, e me pushkë në dorë, niset të marrë hakun. Para derës së shtëpisë të Flamur Fikut, në një pozicion gati në mes të ballit, ajo e vret Flamurin me vetëm një plumb. Luana tanimë nuk është nuse për t’u “dhanë” por është “burri” i shtëpisë dhe është personi që motrën e vetë e jep nuse për dashurinë e një djaloshi që kërkon dorën e motrës. Një dashuri të cilën Luana nuk pati fatin ta jetojë.
Karakteri i fuqishëm i Luanes krijohet si rrjedhojë e vendimeve, sakrificave, vizionit dhe gjindshmërisë në momente vendimtare dhe të vështira në jetë, tipare këto që i “përkasin” vetëm një burri. Por, Luana është ajo që i ka të gjitha këto tipare, që s’i patën as edhe familjarët e saj, me ç’rast në një moment të fuqishëm ajo iu drejtohet atyre duke i thanë: “Ju nuk ishit aq burra me marr gjakun për babën tem.”
Shtysa e brendshme mentale e shpirtërore është forca e çlirimit dhe emancipimit, e cila rrjedhimisht në këtë kontekst, e bënë karakterin e Luanes të marrë vendime bazuar në racionalitetin e fakteve, parimeve morale dhe vizionit të së ardhmes.
Përmes këtij filmi është shpalosur para botës një sakrificë e dashurisë për një qëllim të lartë siç është drejtësia në vend. Sakrifica, besimi, komunikimi e respekti, janë shtyllat kryesore të dashurisë.
Pamundësia e marrjes së vendimeve, vendosjes së drejtësisë apo ruajtja e trashëgimisë duke qenë një grua, cilësohen si disa nga arsyet se pse një grua, lejuar nga Kanuni, merr vendimin që të bëhet burrneshë. Prandaj, dhe është një ndër trajtat më dualistike në jetën e atyre grave, gjersa ato të detyruara sakrifikojnë veten e tyre që të fitojnë për herë të parë të drejtat e barabarta në rrethin familjar dhe shoqëror.
‘Besa’ është një normë e virtyt moral, i cili qëndron konstant përgjatë gjithë historisë shqiptare. Mbrojtja e saj është pothuajse e përjetshme në kontekstin e mbajtjes së një ndërgjegjeje të pastër. Luana është një vajzë e cila e mbron me mish e shpirt këtë virtyt, i cili rrjedhimisht lidhet me premtimet e dhëna ndaj familjes dhe ruajtjes së nderit familjar.
Është Luana ajo e cila tani bënë jetën e një “burri”. Pozicioni i uljes, pirja e rakisë, mbajtja e pushkës, veshja, qëndrimi, karakteri, duket se nuk qenë të vështira për t’u portretizuar nga aktorja Rina Krasniqi. Me orën e babit në dorë të saj, ajo tani ka detyrën që të qetësojë gjakrat mes dy familjeve. Dhe këtë e arrin në mënyrë të jashtëzakonshme.
Tani krejt çka mbetet është paraqitur në vitin 1990. Tanimë, djem e vajza luajnë afër liqenit dhe nuk ka më dallime në mes tyre. Ndërkohë, Luana takohet edhe një herë me dashurinë e saj të parë e të vetme dhe pas kaq shumë kohësh, shikimet mes tyre rrezatojnë plot mall e dhimbje.
Me një copë qelqi është krejt ajo se me çfarë mahnitshëm mbyllet skena e fundit. Në bjeshkë të malit, në vendin e tyre të fshehtë, me qiellin e pastër si uji sipër saj, Luana drejton atë copë drejt diellit dhe gjen paqen në brendësinë shpirtërore të saj, edhe pse copa e zemrës së saj do të mbetet përherë e thyer.
Pastaj, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta ato që në publik dëgjoheshin në një masë tejet të madhe dhe vazhduan për një kohë të gjatë. Ndërsa, pas shfaqjes së filmit ishte ekipi i “Virgjëresha shqiptare”, anëtarët e së cilit dolën në skenë për një fjalë rasti.
“Faleminderit shumë që keni ardhur sonte për të parë premierën e filmit që njëkohësisht përmbylli këtë festival. Është një nder i madh për mua për të japë premierën e filmit këtu sonte. Ky është një film për gratë e forta dhe gjegjësisht është edhe një dedikim për gruan e fortë, Vjosa Berisha”, ka thënë producentja Anita Elsani.
Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Virgjëresha shqiptare’, të pranishëm ishin aktorët: Alban Ukaj, Rina Krasniqi, Kasem Hoxha dhe Shkurte Sylejmani, producentja Anita Elsani si dhe këngëtarja Eda Zari.
“Herën e parë që lexova për virgjëreshat shqiptare ishte në një artikull në ‘New York Times’ dhe gjithashtu në disa gazeta gjermane dhe më lanë shumë përshtypje. U futa më thellë në këtë temë dhe kjo ishte atëherë në vitin 2008. Prindërit e mi janë nga Prizreni dhe unë kam lindur në Gjermani, por me luftën e humbëm lidhjen me zonat në Shqipëri dhe Kosovë. Doja të rilidhesha në një moment artistik, kështu që iu afrova një shkrimtareje gjermane dhe ajo më pyeti pse do të shkruante një histori shqiptare, kështu që i thashë se ajo është një shkrimtare shumë e mirë dhe është mirë të ekzistojë një këndvështrim nga perëndimi mbi fenomenin. Ne filluam procesin e zhvillimit dhe ishim shumë të suksesshëm me këtë. Por ishte shumë e vështirë dhe një proces i gjatë për të realizuar një film shqiptar nga Gjermania. Pak nga pak, e kemi përfunduar. Dhe na u deshën 10 vjet, sepse është një strukturë e pazakontë. Gjithçka është xhiruar në Shqipëri dhe Kosovë me aktorë shqiptarë dhe kosovarë. Jam e kënaqur që tani gjithçka ka përfunduar dhe tani mund ta nxjerr në botë.” – Anita Elsani
“Ky film mua më ka rritur shumë edhe profesionalisht edhe personalisht si njeri, qenie e aktore. Ka qenë një proces jashtëzakonisht i rëndë por njëkohësisht shumë i mirëfilltë e i dashur për mua për arsye se e kemi bërë me shumë pasion e motiv shumë të madh. Kur njoftohesh me njerëz të nivelit profesional, atëherë edhe ti lartësohesh profesionalisht. Aq sa ka qenë e vështirë, aq ka qenë edhe e lehtë, sepse ka rrjedhë gjithçka si një lum. Është një nga eksperiencat më të veçanta në jetën time. Kemi xhiruar tre muaj gati dhe shpeshherë mbes pa fjalë kur e mendoj se çka kemi kaluar gjatë procesit të xhirimeve. Ne i kemi parë edhe njerëzit që jetonin me të vërtetë atje, në ato skena që ju i shihni në film dhe kjo ka qenë shumë ndihmuese për mua.” – Rina Krasniqi
“Dëshira ishte që muzikalisht tema të rrumbullakoset me një tingull dhe ai tingulli të jetë në vendin e duhur, kohën e duhur. Kemi pasur edhe një ngërç të vogël sepse tema e punës bazohet në një këngë që është e folkut të jugut, asaj pjese të repertorit toskë dhe interesantja ishte qe ndodheshim në veri, që e bënë këtë edhe më epike. Por, i mirë qe edhe bashkëpunimi me kompozitorin kryesor, që ka bërë një ngjizje efikase dhe emocionale, duke afruar kuadrin pranë rolit kryesor, dhe nga ana tjetër është kapur çasti më i fuqishëm emocional.” – Eda Zari
“Kur kam biseduar me Anitën për të luajtur Fikun, që është një burrë në moshë dhe vetë fakti që djali im në film, nuk ka dallim shumë të madh në moshë me mua, ka qenë diçka në të cilën unë kam dyshuar. E dija që grimi bëhej por nëse nuk gjetet një farë ritmi i brendshëm, grimi shkon poshtë. Ndonëse mund të dish ecjen e posaçme, pozitën e trupit, ritmin e posaçëm të brendshëm e jashtëm, përsëri është diçka që nuk mund të gënjehet kur shikohet në sy. Dhe aty e kam pasur ndoshta edhe dyshimin më të madh. Dyshoja se a mund ta arrij të ndërtoj një marrëdhënie që kur personazhi futet në një shtëpi fisnike shqiptare të asaj kohe, vërtetësia e tij të jetë e shpalosur në atë mënyrë që i duhet filmit. Kam qenë goxha skeptik dhe nga paranoja ime, i kam bërë presion të gjithëve. Nuk kam pasur një vetëbesim të duhur por unë kam përcjell shumë rrethanat dhe besa e kam vjedhë ecjen e Arben Camajt, trajneri i kuajve në film.” – Alban Ukaj
“Fillimet e filmit tek ‘Virgjëresha shqiptare’ kanë qenë interesante, e sidomos kur e kujtoj audicionin. Kam parë shumë aktorë të tjerë dhe nuk kam besuar që mund të hyj në një film kaq të gjatë si ky, andaj ka qenë shumë e bukur për mua. Në fillim nuk është se i kam besuar shumë vetës për të arrirë deri aty por falë ndihmës së Anitës dhe Bujarit, që më kanë ndihmuar shumë për të kaluar këtë sfidë, unë ia kam arritur. Roli i Luanës si fëmijë, është një rol shumë sfidues por unë kam arritur të njoh një burrneshë që më ka ndihmuar shumë në rol, e ajo është Rina Krasniqi. Ajo më bëri të besoj se burrneshat ekzistojnë dhe ato janë shumë të forta. Ndihem shumë e lumtur që jam në film.” – Shkurte Sylejmani
“Të qenit shqiptar dhe të jetuarit si shqiptar në Gjermani, e për të bë filma në Kosovë e Shqipëri, është një sfidë me vete, por është shumë e bukur. Në Shqipëri si dhe në Kosovë, është një dashuri tjetër për të bërë filma dhe kjo ndoshta vjen nga mundësitë e pakta që kemi. Unë vij këtu dhe luaj me një pasion krejt tjetër, sepse e gjej këtë dashuri këtu dhe ajo të rrëmben shumë lehtazi dhe i harron të gjitha. Por ndoshta kjo është ajo që na mban me këmbë në tokë, ajo që na bënë të dashurojmë filmin.” – Kasem Hoxha
Kujtojmë se filmi ”The Albanian Virgin” pas premierës botërore në edicionin e 37-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Varshavë, në kategorinë zyrtare të konkursit ndërkombëtar, ka fituar dy çmime kryesore, “Çmimin Special të Jurisë” si dhe “Çmimin Ekumenik”.
Po ashtu, “Virgjëresha Shqiptare” ka triumfuar edhe në Festivalin e Filmit në Ostend, duke fituar “Çmimin e Publikut”.
Gjithashtu, aktorja Rina Krasniqi me rolin e saj në “Virgjëresha Shqiptare” është shpërblyer me ‘Special Mention’ në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Cabourg.
Në filmin ”The Albanian Virgin” luajnë: Rina Krasniqi, Astrit Kabashi, Gresa Pallaska, Aurita Agushi, Fatlume Bunjaku, Alban Ukaj, Shkurte Sylejmani, Lum Veseli, Mimoza Azemi, Rebeka Qena, Blerta Surroi, Valmir Krasniqi, Viktor Zhusti, Nik Xhelilaj, Lulzim Zeqja, Igli Zarka, Jonida Vokshi, Gezim Rudi, Erjon Hodo, Ersiljano Xhelollari etj. / KultPlus.com
Një tërmet me magnitudë 6.4 ra në orën 03:56 të mëngjesit. Vështirësitë e ndryshme, ndjenja e shpresës që luhatet nëpër skaje kontrastesh dhe të qenurit i qetë në një situatë pa rrugëdalje, është ajo me çfarë duhet të përballet personazhi kryesor, Armando i cili zgjohet nga gjumi në orët e hershme të mëngjesit dhe i shpëton dollapit që bie mu në shtratin e tij. Bazuar në ngjarje të vërtetë, filmi i metrazhit të mesëm “Richter” nga regjisori Koloreto Cukali është shpalosur mbrëmë me rastin e premierës në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, shkruan KultPlus.
Shqipëria veriperëndimore u godit nga një tërmet i fortë me magnitudë 6.4 me një epiqendër 16 kilometra në perëndim-jugperëndim të Mamurrasit, në 03:56 më 26 nëntor 2019. Dridhja u ndje në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, si dhe në vende aq larg sa Taranto dhe Beograd, rreth 370 kilometra në verilindje të epiqendrës. Në total 51 njerëz mbetën të vdekur nga tërmeti dhe mbi 3,000 vetë u plagosën. Për nga shkalla e magnitudës ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vjet.
Armando (Besmir Bitraku) vihet në kërkim të ndonjë personi që potencialisht ka mbetur gjallë. Nën rrënoja, ai zbulon trupa të vdekur të banorëve në pallatin ku ai banonte. Prek këmbë e duar të vdekura por asnjëherë nuk ndalon së gjeturi të paktën ndonjë person që ka nevojë ndihmën e tij.
Nuk kalon shumë kohë kur ai dëgjon të qarat e një fëmije, nënë e së cilit është Jerina, personazhi të cilin asnjëherë nuk e shohim por vetëm e dëgjojmë. Të dytë ndërrojnë ca muhabete, teksa mësojnë më shumë për jetët e njëri-tjetrit. Të vetmuar, në errësirë dhe të shtrirë, ata bëhen spiranca shpëtimi për njëri-tjetrin derisa shpresojnë që dikush të vijë për t’i ndihmuar, shpresojnë që të mos jetë shumë vonë dhe shpresojnë që të dalin gjallë nga aty.
05:15
Armando zbulon se valët në telefon i punojnë. Me të shpejtë thirr ndihmën e gjithë shërbimeve, por më kot, askush nuk e hap. Provon të thërrasë edhe burrin e Jerinës, por ai nuk e hap.
06:05
Dridhje të vazhdueshme sa vijnë e shtohen, duke shkaktuar kështu lëndime në dorën e Armandos, i cili shqyen bluzën e tij për të lidhur dorën e për të larguar sadopak dhembjen. Asnjëherë nuk shihet duke qarë, por duke buzëqesh edhe përkundër dhimbjes së tij në kyçin e dorës.
Edhe humori i zi përgjatë skenave të ndryshme, nuk është se mungon. Pastaj, nis e kërkon ndonjë dalje, por çka të shoh tjetër përpos trupave të vdekur. Kthehet në vendin ku ka qenë dhe nis të flasë me veten, duke thënë se ai i mjeri që nuk beson në Zot është gjallë, ndërsa njerëzit e Zotit (fqinji) kanë vdekur tashmë.
06:32
Gjumi për të shndërrohet në një rutinë më të shpeshtë se zakonisht. Pastaj, vazhdon të lexojë lajme nga telefoni i tij. Në ndërkohë, edhe nëna e tij nga Anglia e telefonon dhe i bën presion që të gjejë një nuse, por Armando asnjëherë nuk e zbulon se ai gjendet i gjallë, nën rrënoja. Vazhdon e shpreson se do të dalë i gjallë nga aty.
Edhe pse asnjëherë nuk kemi ndonjë perspektivë nga bota e jashtme dhe ndodhive jashtë, regjisori Cukali na dhuron botën e brendshme të Armandos.
Duka vazhduar që përsëri të lexojë lajme, Armando sheh se ekipet e shpëtimit po vijnë në vendin e ngjarjes.
Tutje, nuk mungojnë as thirrjet nga puna e tij duke i kërkuar që të vijë më shpejtë apo edhe nga banka ku i kërkojnë që ta paguajë kredinë, të cilat bien ndesh me realitetin që Armando vendos t’ia shfaq atyre.
Ndërsa, edhe pse i shoqi i Jerinës del të jetë një person arrogant që shtyp gruan e tij, Armando vihet në rolin e babait dhe nis e këndon për fëmijën e Jerinës, në mënyrë që sadopak t’ia heq urinë.
16:15
Telefoni i tij është për pak duke iu fikur. Ekipet e shpëtimit më në fund arrijnë në rrënojat ku Armando gjendet, por duhet të presin edhe pak derisa do të mund që potencialisht ta nxjerrin nga aty.
Pas një dridhjeje tjetër, Armando pëson dëmtim edhe në bark për shkak të peshës së rëndë që i bie përsipër.
Nga lëndimet e shumta që pëson, nën meloditë e një pianoje që dëgjohej në prapavijë, Armando fillon të gjakosë nga goja dhe vdes.
Bateria në telefon ndërkaq vie drejt një fundi, duke portretizuar tashmë edhe vdekjen e tij që ngadalë po vinte.
Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet ato që u dëgjuan në publik. Ndërsa, para shfaqjes së filmit, për një fjalë rasti në skenë doli regjisori Koloreto Cukali.
“Shumë faleminderit që keni ardhur. Është një film i bërë me shumë halle në fakt, financiare dhe jo vetëm. Është një film për dramën e madhe që kemi kaluar si komb në rastin e tërmetit. Dhe më shumë sesa filmi im, ky është filmi i Besit, sepse ju do e kuptoni që filmi me të vërtetë është Besi si aktori në rolin kryesor”, ka thënë Cukali.
Kujtojmë se filmi “Richter” ka arritur të ketë suksesin e parë në “Best Istanbul Film Festival”. Besmir Bitraku ka arritur që të rrëmbejë çmimin “Best Male Performance” me rolin e tij në këtë film. / KultPlus.com
I bazuar në një ngjarje të vërtetë, filmi “Nanë” me regji të Valbona Jasharit është i vendosur në vitet 1950 në Shqipëri, ku një djalosh i ri me emrin Leka përpiqet të shpëtojë nënën e tij që po vdes. Është një realitet i ashpër i jetës me të cilin ai ballafaqohet në një moment dhe pafajësia e tij si fëmijë është ajo që të rrëmben pas ekranit e të bënë të ndjesh dashurinë, zhgënjimin, vështirësitë dhe të gjitha emocionet që portretizohen përbrenda njëzet minutave, me rastin e premierës së filmit në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, shkruan KultPlus.
Është një përvojë emocionale që ka prekur të gjithë të pranishmit mbrëmë në ditën e katërt të festivalit “Pri Fest”. Salla e mbushur në Kino Armatë ka përjetuar një histori sa prekëse e të dhimbshme, aq edhe të bukur e përrallore.
Skena e parë është ajo me të cilën nis gjithçka dhe qysh në fillim regjisorja Jashari ka vendosur të shpalos dashurinë e nënës ndaj fëmijëve dhe anasjelltas. Është një melankoli e mahnitshme që shpërfaqej në tërë hapësirën teksa nëna e Lekës i këndonte fëmijëve me aq ëmbëlsi. Ndërsa, Leka si një djalosh i urtë, i cili punon në pazar ngaqë babai i tij, Gania, gjendet në burgun e Goli Otokut për arsye të mbrojtjes së vatanit, detyrohet të punojë e të kujdeset për nënën dhe tre vëllezërit e tij.
Në anën tjetër, ishin kuadrot e mahnitshme që i ngjasonin fotografive të vjetra të kulturës së hershme shqiptare, ato që thjesht të detyronin që sytë të nguleshin tek ekrani. Bukuria e Parkut Kombëtar të Valbonës në Shqipëri, fshatit Kukaj në Kosovë, fshatit Dardhë në qytetin e Korçës, të linin pa frymë e pa fjalë.
“Nanë” është një version i rritur i një përralle që me vendndodhjet, kostumet dhe dizajnin e prodhimit ka kaluar pritshmëritë e gjithsecilit. Çdo aspekt i filmit ka arritur të arrijë përsosmërinë dhe kjo vërehej qysh në minutat e parë.
Nëna e Lekës qe personazhi që vuante më së shumti. Ishte diçka që nuk e kuptonte as ajo vetë. Teksa lante këmishën me gjak, djersët i shkonin rrëke dhe ishte vetë djali i saj, Leka që ishte i pranishëm në ato momente. Siç shprehej ajo vetë se shpirti i saj po kallej, teksa mushkëritë e saj po nxeheshin, ajo i kërkon Lekës të shkojë e të gjejë tezën Minire, por që fatkeqësisht ajo nuk ishte prezente në shtëpinë e saj. Ndërmjet fjalëve, ajo kërkonte borën: “Ta kisha pas do borë”, dhe kjo ishte tashmë një paralajmërim për atë se çka do të pasonte.
Leka, entuziast në personalitet e naiv në sjellje, vihet në kërkim të borës me shokun e tij më të ngushtë të fshatit. Por, kalon një kohë e gjatë derisa të dytë arrijnë në bjeshkë dhe e mbledhin atë me dy parë duar të vockla. Të gjitha emocionet që lidheshin drejtpërdrejt me personazhet, vinin akoma më me intensitet atëherë kur meloditë e këngëve si “Baresha” dhe “Këngë me fyell” hynin si një rrjedhë e pastër mallëngjimi, me ç’rast e zgjuan nga gjumi të gjithë mëshirën e mbledhur përbrenda secilit të pranishëm në sallë.
Me të kthyer në shtëpi, Leka e gjen nënën e tij të shtrirë në dyshek, ia vendos borën e pakët mu në vendin ku ajo kishte dhimbje, ia puth duart e fytyrën, e i lutet Zotit për ta shpëtuar. Ndërsa, qiriri i dhomës digjej ngadalë në një kënd, edhe shpirti i Lekës nga pak fillonte të digjej.
Një lloj i dëlirë i dashurisë mes nënës dhe fëmijës dhe pafajësia e fëmijërisë janë temat të cilat u shtjelluan në filmin “Nanë”.
Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta e të gjata ato të cilat zunë vendin e duhur në publik. Ndërsa, para shfaqjes së filmit, për një fjalë rasti në skenë doli regjisorja Valbona Jashari.
“Faleminderit shumë të gjithëve që keni ardhur sonte, e në veçanti familjes time dhe miqve të mi. Ky film është shumë personal për mua dhe ka të bëjë me ngjarjen se si e ka humbur gjyshi im, nënën e vetë. Si të gjithë filmat e tjerë, edhe ky film është bërë me shumë dashuri e përkushtim. Shpresoj shumë që të ju pëlqej”, ka thënë Jashari. / KultPlus.com
Përpjekja e jashtëzakonshme e një nëne dhe vajzës së saj për të zënë vend në një shoqëri të kontaminuar patriarkale, përpjekja e tyre për të marrë atë që ato e meritojnë dhe kërkojnë me çdo kusht, persona të mveshur me pushtet që veçse fuqizojnë sfidat dhe vështirësitë e këtyre dy personazheve, janë shpalosur mbrëmë nëpërmjet premierës së filmit “Ditë e Kuqe” nën regjinë dhe skenarin e Besim Ugzmajlit, në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, shkruan KultPlus.
Filmi i metrazhit të shkurtë gjeti fillimin e tij tek në orën 17:08, teksa të pranishmit veçse kishin zënë vendin e tyre në ulëset në sallën e Kino Armatës. Me një sallë pothuajse të mbushur, errësira qe shoqëruesi i publikut për gjatë gjithë pesëmbëdhjetë minutave.
Me një mënyrë unike, regjisori Ugzmajli ka hedhur dritë mbi shumë faktorë negativ të shoqërisë. Ai nëpërmjet simboleve të ndryshme, artit filmik dhe mënyrës së trajtimit të ngjarjeve, na sjell historinë e Arsa Nolit, një 13 vjeçare e cila është një person me aftësi të kufizuara dhe pasi që ajo nuk mund të flas, ndeshet me sfida të shumta që i hedhen rrugëtimit të saj artistik për të interpretuar lirshëm në një skenë teatri.
Arsa, një vogëlushe e shurdhër dhe nëna e saj Dodona, ish-aktore, duan të jenë pjesë e “Festivalit të Performancës”. Arsa nuk është në listën e pjesëmarrësve por ajo dhe mamaja e saj janë gati të bëjnë gjithçka.
“Ditë e Kuqe” simbolizon një ditë alarmi për shoqërinë, duke sjell në vëmendje gruan si vlerë kulminante. Çështjet sociale krejt lehtazi tregohen nëpërmjet rrëfimeve që ndërtohen në rrafshin psikologjik të situatave dhe personazheve. Imazhet komunikuese janë ato që të shtyjnë drejt njohjes së secilit karakter dhe secilës ndodhi.
Është i realizuar vetëm në “One-Shoot”, dhe xhirimet e filmit kanë përfunduar brenda vetëm një dite, mirëpo në realizimin e tij janë përfshirë afro 150 persona të cilët kanë sjell një pikëpamje ndryshe nga e zakonshmja. Sinkronizimi dhe harmonia përbrenda ekipit, dukshëm kanë rezultuar që filmi të arrijë perfeksionimin. Kjo vërehet më së miri edhe nga puna e mahnitshme e aktorëve si: Teuta Krasniqi, Agron Shala, Orgesa Mehmeti, Bin Sylejmani, Gresa Gashi, Sherif Bega, Egzona Salihu, Milot Salihu e të tjerë.
Ndërsa, përgjatë gjithë filmit në sekuenca të ndryshme vërejmë edhe këndimin njëzëri të korit tashmë të suksesshëm “Siparantum” të cilët qëndrojnë në prapaskenë tërë kohën, me ç’rast këtij filmi ia kanë shtuar edhe një plus tjetër.
Nëpërmjet “Ditë e Kuqe” shpalosen mesazhe shumështresore, andaj edhe perceptimi i tyre mëton të jetë ndryshe për çdokënd. Diskriminimi, pabarazia gjinore, ngacmimet seksuale, shtypja ndaj grave, paragjykimi, egoizmi e nënçmimi, shtjellohen në mënyrë të duhur dhe shumë reale. E gjitha ndodh në prapaskenë, aty dhe ku këto raste ndodhin më së shpeshti në realitet.
Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet në publik ato që dukshëm dëgjoheshin në mesin e audiencës. Ndërsa, para shfaqjes së tij ishte ekipi i filmit “Ditë e Kuqe”, anëtarët e të cilit dolën në skenë për një fjalë rasti.
“Faleminderit që sonte jeni këtu me neve. Filmi ka pasur një udhëtim të gjatë, mirëpo asnjëherë ne nuk jemi ndjerë të plotësuar përderisa nuk e kemi shfaqur premierën vendore këtu. Ky film është bërë me shumë pak para por tepër shumë dashuri. Janë mbi 150 persona që kanë marrë pjesë në këtë film dhe ndjej një nevojë të veçantë për t’i falënderuar për gjithë angazhimin e tyre, për shkak se kemi punuar në kushte jo më të mirat të mundshme, mirëpo dashuria i ka tejkaluar krejt ato telashe dhe sot pas këtij viti relativisht të suksesshëm të filmit, kemi fatin që ta shfaqim para jush me shumë kënaqësi”, ka thënë regjisori Ugzmajli.
Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Ditë e Kuqe’, i pranishëm ishte vetëm regjisori Besim Ugzmajlit.
“Shpeshherë perceptimi i audiencës për të famshmit apo për njerëzit që merren me industrinë e filmit, konsideroj që është komplet një lloj stigmatizimi. Ideja jonë ka qenë për të prezantuar atë se shpeshherë ajo që ndodh prapa perdeve është shumë herë më interesant sesa ato që ne i prezantojmë publikut dhe për të treguar se sa e vështirë është ajo rrugë, në jo vetëm shoqërinë ballkanike por edhe në botë”, thotë ai.
Sipas tij, para së gjithash, për të, procesi është ‘imazhet’ dhe atmosfera, andaj ai këto i vendos në një situatë të caktuar duke i inkuadruar edhe personazhet që ai i konsideron që janë interesant për t’i parë mes vete.
“Filmi ka qenë pjesë e më shumë se tridhjetë festivale, deri tash ka marrë dy çmime dhe momentalisht është i nominuar për ‘filmin më të mirë’ në Gjeorgjia të Amerikës dhe së shpejti do t’i marrim edhe rezultatet. Dje ishte premiera kombëtare e filmit dhe sigurisht që ky nuk është fundi i tij”, përfundon ai.
Kujtojmë se filmi “Ditë e Kuqe” i metrazhit të shkurtër me regji të Besim Ugzmajlit, është shpallur filmi më i mirë në “KO:SH FILM FEST / National Competition”.
Po ashtu, filmi me regji të Besim Ugzmajlit “Ditë e Kuqe” është shpërblyer edhe me çmim në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit “Cerdanya” në Spanjë, konkretisht me “Kinematografia më e mirë”. / KultPlus.com
Regjisori Besim Sahatçiu është padyshim emër i madh i artit shqiptar, i cili arriti të krijoi karrierë të bujshme e të jashtëzakonshme. Për këtë personalitet me influencë në shoqërinë shqiptare, mbrëmë në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘, u shpalos premiera e dokumentarit “Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra” skenarin dhe regjinë e të cilit e krijoi Burbuqe Berisha por që fatkeqësisht e la pa përfunduar, shkruan KultPlus.
Filmbërësja shqiptare vdiq më 27 tetor të këtij viti në ambientet e Ministrisë së Kulturës. Burbuqe Berisha ishte regjisore e një numri të konsiderueshëm të filmave të shkurtër, të gjatë, dokumentarë, serive televizive, shfaqjeve teatrore dhe fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar.
Berisha në vitin 2019 mori çmimin kombëtar për kinematografi. Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”. Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të “Operës së Kosovës”.
Andaj, mbrëmë në nderim dhe kujtim të saj, është shfaqur dokumentari ‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’, një vepër që regjisorja Berisha na e la si kujtim të fundit.
Ndonëse, salla në Kino Armatë nuk u mbush plot, ishin kujtimet e shumta të personave në dokumentar, ato që sollën një ngrohtësi të papërshkrueshme. Rrëfimet nga Besa Sahatçiu, Besnik Sahatçiu, regjisori Isa Qosja, profesori i dizajnit grafik, Shyqri Nimani, aktorja Shirine Morina, aktorja Safete Rogova dhe aktori Enver Petrovci, jetësuan figurën e regjisorit Besim Sahatçiut, si dhe njëkohësisht shfaqën dashurinë, nderin dhe respektin që e kishin rrënjësisht për të.
Besim Sahatçiu, ishte drejtor i teatrit, filmit dhe televizionit. U lind më 2 tetor 1935, në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesmen, Besim Sahatçiu i kreu në qytetin ku u lind. Më tej ndoqi dy vjet letërsi botërore në Universitetin e Beogradit. Pas ndërprerjes së studimeve, për shkak të shërbimit ushtarak të detyrueshëm, punoi katër vjet si përkthyes në “Rilindje”. Më pas u regjistrua në degën e regjisurës pranë Akademisë së Teatrit e të Filmit në Zagreb, të cilën e përfundoi më 1972. Besim Sahatçiu ka qenë regjisor i dhjetëra filmave, regjisor i teatrit, regjisor i dhjetëra e dhjetëra emisioneve televizive dhe laureat i dhjetëra çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Si drejtor skenik, ai punoi në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Ishte një regjisor e skenarist i njohur i filmave “Përroi vërshues”, “Nabujala reka”, “Trimi”, “Pasqyra”, “Lulepjeshkat e dashurisë” dhe projekteve tjera filmike ndër vite.
“Era dhe lisi” ishte njëri nga super-filmat shqiptar i prodhuar nga Kosovafilmi në vitin 1979 me regji të Besim Sahatçiut. Ndërsa në rolet kryesore ishin dy nga aktorët e mirënjohur, Faruk Begolli dhe Abdurrahman Shala.
Filmi i tij “117” morri çmimin kryesor në Festivalin e Dokumentarit në Beograd në vitin 1978.
Përveç informacioneve që treguan e shtjelluan jetën e tij, ca kujtime interesante si dhe vlerësime të duhura, zunë vend në këtë dokumentar që nisi fiks në orën 21:06.
Ishte regjisori Isa Qosja që kujtonte se “117” ishte një film i jashtëzakonshëm. Një film që sipas tij, solli diçka të re në kinematografinë e Ballkanit. Reagimet e publikut serb në Beograd, ishin të mëdha. Gjatësia e kuadrit, atmosfera e natës dhe para-mëngjesi, cilësohen nga Qosja si diçka e paparë deri atëherë e që pati një ndikim të jashtëzakonshëm.
Po ashtu, ai thoshte se Besimi qe një njeri i urtë i filmit kosovar dhe se komunikimi me aktorët, ishte pika e tij më e fortë. E kujtonte kohën kur Besimi e përtëriti konkursin tradicional “Katarina Josipi” e në juri përfshiu emra të njohur, si: Anton Pashku, Rexhep Ismajli, Ibrahim Rugova, Muharrem Qena.
“Unë tek ‘Era dhe Lisi’ e konsideroj që ka qenë një grimcë e vogël e mundësisë sime për ta parë atë si regjisor. Por kur i kam shikuar veprat e tij dhe duke u rikthyer në kujtesën time se çfarë kam parë, e shoh që Besimi ka vendos themelet e kinematografisë kosovare. Pra, me dy krijimet e tij; ‘117’ dhe ‘Era dhe Lisi’.”
Ndërsa, profesori i dizajnit grafik, Shyqri Nimani kujtoi kohën kur ai dizajnoi posterin e “117”, ku 50% ishte vizuale e pesëdhjetë tipografike. Ai thotë se Besimi qe fëmija i nëntë i familjes, dhe i cili i ka ikur zanatit familjar prej nga dhe vjen mbiemri i tyre.
“Besimi ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm. Ka qenë një njeri meritativ, ka menduar për temën qysh nga ideja e deri në implementim. Në këtë mënyrë, ai me të vërtetë ka arritur që secilin film ta afrojë drejt përsosmërisë.”
Gjithashtu, aktorja Safete Rogova kujton se Besimi punën më të madhe e ka bërë me aktorët. Ajo e cilëson atë si një pedagog shqiptar që dëshironte t’i mësonte studentët. Sipas saj, pjesën e parë të provave e bënte me rolet kryesore, ndërsa krejt klasën e përfshinte në rolet dytësore.
“Ne kishim nevojë për të. Ai ishte vërtetë një njëri shumë i kulturuar, e njihte klasiken ruse, dramaturgjinë angleze dhe amerikane. Na furnizonte me libra dhe literaturë të bollshme. Ai për të na e heq tremën, shpeshherë ulej ku ulet publiku e na vështronte që ne të liroheshim. Besimi na thoshte se çdo shfaqje është provim për ju dhe kur ballafaqoheni me të, ju veçse e keni dhënë provimin. Na thoshte se mos të mësojmë menjëherë rolin por të studiojmë autorin e të mëshirohemi me personazhin.”
Ajo tutje mbante mend se Besimi pati dëshirë të krijonte edhe “Pigmalonin” me Adem Mikullovcin dhe Dibran Tahirin, por që xhirimet e “Era dhe Lisi” e larguan atë nga teatri, kur dhe rrallë më e panë.
Kurse, aktorja Shirine Morina e kujtonte Besimin si një njeri të afërt me të por edhe shumë inteligjent.
“Atëherë mendonim se Besimi e ka lexuar krejt bibliotekën e Pejës.”
Në anën tjetër, aktori Enver Petrovci e vlerëson Besimin si një shembull me të cilin duhet të punohet në një serial.
“I kam thënë Besimit se ai ka qenë për mua jo vetëm regjisor i parë i filmit në Kosovë, por ai ka qenë një shembull se si vërtetë punohet në një serial. Ka qenë një zotëri në punë. Asnjëherë nuk ka përfol. Sado që ka dhënë, ai ka pas dijeni me dhënë edhe shumë më tepër. Besimi ka lënë gjurmë të mëdha.”
Gruaja e Besimit, Besa Sahatçiu tregonte kohën kur ai pati konkurruar në Akademinë e Teatrit e të Filmit në Zagreb, dhe se nga gjithsej treqind persona, ishin pranuar vetëm pesë, njëri ndër ta qe edhe vetë Besimi. Për Rita Orën, mbesën e Besimit, Besa thoshte se Rita gjithmonë e kujton dhe e falënderon gjyshin e saj.
“Rita kujtonte se gjyshi ishte ai që i ka thënë se gjithmonë ajo do të mbërrij lartë dhe Ritës këto fjalë i janë dukur se e kanë shtyrë përpara e se ka arrirë aty ku ajo është. Gjithmonë e kujton dhe e falënderon gjyshin e saj. Besimi ishte shumë i kënaqur e sidomos kur Rita e pati xhiruar filmin e parë, dhe atëherë Besimi më pati thënë mua se Rita do të arrijë shumë.”
Besnik Sahatçiu, djali i Besimit, e kujtonte babin e tij nëpërmjet këshillave të tij.
“Ai ka qenë një idol për mua, na ka dhënë disa këshilla si të gjendemi e të lundrojmë në jetën tonë, në të ardhmen tonë. Na dha atë ndjenjën e drejtë që të mos lakmojmë por të shkollohemi e t’i shikojmë punët e kombit e shtetit. T’i mësojmë gjeneratat e sidomos fëmijët tanë, për të gjitha ato pikëpamje. E shfrytëzoj rastin të them se Rita e donte gjyshin e vetë dhe e përmend shumë. Ajo mburret me prejardhjen e saj dhe veprimtarinë e gjyshit të vetë.”
Përveç këtyre artistëve që shpalosnin kujtime, momente e çaste të ndryshme përbrenda dokumentarit, të futura qenë edhe disa video të vetë Besim Sahatçiut, nga ku edhe po i sjellim disa sekuenca më poshtë.
“Unë i shpëtova zejes së babës dhe katragjyshit, kjo qe për shkak se vëllezërit u rritën e u punësuan në dyqanet e babit. Ky ishte fati im. Në shkollë isha një nxënës i shkëlqyer ndërsa në gjimnaz, merrja pjesë në aktivitete të ndryshme muzikore. Kësisoj, më lindi dashuria ime e pavetëdijshme për teatrin, filmin, e sidomos për librin.”
“Për artin e regjisë, duhet vite të tana, studime të tana dhe praktikë të madhe për të zbatuar atë në mënyrë të suksesshme.”
“Mbaj mend vetëm që shumë kemi vuajtur së bashku. Shumë erëra e stuhi janë përplasur mbi supet tona.”
Pas shfaqjes së dokumentarit ‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’, duartrokitjet e zjarrta zunë vendin e fjalëve dhe kujtimeve që përçoheshin në atmosferë. Ndërsa, producenti Agron Vula, i cili ka përfunduar filmin e fundit të regjisores Burbuqe Berisha, doli në skenë për një fjalë rasti.
“Ky është filmi i fundit i Buqes, të cilin ajo nuk arriti ta përfundojë por më erdh mua si amanet dhe e kam pasur shumë vështirë ta kryej. Montazhi më ka zgjatur afro tre muaj, dhe gjithmonë e dëgjoja zërin e Buqes, andaj edhe ka zgjatur aq shumë. Buqja ia ka kushtuar filmin një regjisori i cili ka kryer shkollën në Zagreb. Besimi ka qenë ai që i ka nënshkruar diplomat e secilit punëtor të Radio Televizionit të Prishtinës, në atë kohë, e që më pas janë bërë regjisorë”, thotë Vula.
Sipas tij, përpos këtij filmi, regjisorja Berisha e ka pasur idenë për një seri prej dhjetë filmave dokumentarë që ajo i ka pas të përgatitura për t’i nisur por që fatkeqësisht nuk mund të realizohen më.
“Filmi nuk është i përfunduar sepse unë nuk kam dashur të ndërroj asgjë prej asaj që e ka bërë Buqja. Nëse kishim hyrë në montazh së bashku, besoj kish pas ende xhirime të shumta për t’i kryer. Por megjithatë jam shumë i lumtur që filmi është kryer”, përfundon Vula.
Kujtojmë se dokumentari ‘Besim Sahatçiu – jeta dhe vepra’ është jashtë konkurrencës në “PriFest”. / KultPlus.com
Një histori e pazakontë, krejtësisht e rrallë por e veçantë në llojin e vetë, ka qenë njëra ndër pikat kryesore që ka kulmuar mbrëmë në hapjen e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’, me rastin e premierës së filmit kosovar, tashmë të suksesshëm “Vera andrron detin” nën regjinë e Kaltrina Krasniqit. ‘PriFest’ sivjet shënon edicionin e katërmbëdhjetë por për herë të parë pa drejtoreshën e festivalit, Vjosa Berisha e cila vdiq më 23 qershor të këtij viti. Andaj, ky edicion do të jetë në kujtim dhe nderim të saj, shkruan KultPlus.
Pak para se ora të shënonte 20:00, ishte pamja para objektit të Kino Armatës ajo që po tërhiqte vëmendjen e të gjithë atyre që kalonin pranë. Tapeti i kuq i shtruar, reflektorët në ngjyra të ndryshme që ngjasonin me ngjyrat e sivjetshme të festivalit, muzika live që buronte lehtazi nëpër atmoferë, ishin vetëm disa nga copëzat e shumta që kryeqytetit po i sjellin një frymë të shumëpritur. Artdashës të shumtë mbushën vendin dalëngadalë, teksa hapësira u mbush pothuajse qosh më qosh. Ndërkaq, premiera e filmit “Vera andrron detin” u bë e mundur që të shijohej në dy hapësira; në Kino Armatë dhe Kino ABC.
Pas shumë përqafimeve, buzëqeshjeve, shkrepjeve të fotografive në ambientin e jashtëm, kishte ardhur koha që filmi të jetësohej në Prishtinë. Salla në Kino Armatë u mbush plot dhe të gjithë zunë vendin e tyre nëpër ulëse. Pas ca momenteve, në skenë doli aktori Armend Smjali i cili në rolin e moderatorit, bëri hapjen zyrtare të këtij edicioni. Ai nuk la pa e përmendur edhe lumturinë që e posedonte për prezencën e drejtoreshës së “Odesa Film Festival”, Anna Machukh, të cilën e përshëndeti dhe i tha në emër të popullit të Kosovës, që “ne qëndrojmë me Ukrainën, jemi me ta dhe njerëzit e tyre, si dhe jemi të lumtur që ajo sonte ndodhet me ne.”
Tutje, një performancë që zuri vend brenda hapësirës, qe pjesa më e ndjeshme që emocioni të pranishmit. Nga reflektorët e llojllojshëm që portretizonin ngjyrat e këtij edicioni të festivalit, dhe që mrekullueshëm binin direkt mbi personazhet në skenë, interpretimi i aktorit Armend Smajli, i cili shoqërohej këndshëm nga violinisti Visar Kuçi dhe kitaristja Tringa Sadiku, solli momente poetike që rezultoi në rrëqethjen e audiencës. Audiencë kjo që tashmë veçse ishte rrethuar me kujtimin për Vjosa Berishën, fotografitë e së cilës përshkonin muret në sallë, teksa buzëqeshja e saj plot rrezatim që ëmbëlsisht portretizohej, ngjalli ndjenja të panumërta. Kujtimi dhe nderimi për të, vazhdonte të rrjedhë njashtu si lumi në shtratin e tij të vrullshëm, plot mallëngjim por asnjëherë në mbarim.
Gjithashtu, një pikë tjetër e kësaj nate ishte edhe pjesëmarrja e korit të njohur “Siparantum” që me vokalin e gjithsecilit në skenë, pushtuan atmosferën me një vijë melodike që erdhi aq butësisht por në një mënyrë tejet të veçantë. Të veshur në të zeza, ata arritën që njëzëri të nderojnë figurën e Vjosa Berishës, e cila në ato momente padyshim që do të ishte krenare për punën e palodhshme të secilit pjesëmarrës.
Në anën tjetër, nuk kanë munguar as edhe fjalimet në nderim të saj por edhe në kuadër të hapjes së edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest’.
Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, ka thënë se ‘Prishtina Film Festival’ e shndërron qytetin e Prishtinës në një parajsë të vërtetë.
“Kënaqësi dhe moment shumë emocional me qenë sonte këtu pa Vjosën. Unë jam rrit me Vjosën, afër Vjosës dhe kam lind në një ndërtesë me të. Kam shumë momente që i kujtoj prej vegjëlisë. Vjosa, gruaja e jashtëzakonshme që krijoi e zhvilloi ‘PriFilmFest’, këtë festival të mrekullueshëm të filmit që na e nderon kryeqytetin tash e katërmbëdhjetë edicione. Përgjatë edicioneve të mëparshme, festivali ka pruar filmat më cilësorë nga vende të ndryshme si dhe kineastë, regjisorë e aktorë të famshëm nga vende si Amerika, Australia, Britania, e po ashtu edhe nga rajoni ynë”, thotë Rama.
Sipas tij, sivjet, me nismën e Vjosës, festivali ka shkuar edhe një hap tutje, në kuadër të ‘Odesa Film Festival’ që po e hap edicionin këtu në Prishtinë.
“Sonte jemi të nderuar nga prania e ukrainasve në këtë edicion të përbashkët. Si kryetar, mund të them që këto festivale të mahnitshme po ndihmojnë që të shfaqin imazhin tonë më së miri. Ajo që e bënë këtë festival kaq madhështor është që nuk kufizohet vetëm me projektimin e filmave por ofron edhe trajnime, ligjërata, punëtori. ‘PriFilmFest’ na e kthen qytetin në një parajsë të vërtetë për të gjithë adhuruesit e artit të shtatë”, përfundon ai.
Kurse, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku është shprehur tejet i lumtur që festivali po nis rrëfimin e katërmbëdhjetë me radhë.
“U bënë plot katërmbëdhjetë vite me ‘PriFilmFest’ dhe tre muaj pa Vjosa Berishën. Është një prej festivaleve më të suksesshme nis rrëfimin e katërmbëdhjetë sonte pa personin që e bëri atë një nga ngjarjet më të mira kulturore në vend. ‘PriFest’ është tregimi për energjinë dhe punën e madhe të kineastëve tanë dhe takimin me botën. Është edhe tregimi për aktivisten e palodhshme kulturore. Në momente si këto, fjalët dinë të jenë të varfër andaj nuk do ta zgjasë. Po e mbylli një dedikim për Vjosën por këtë dua ta bëj duke e përgëzuar Fatosin që na mblodhi sonte këtu në hapjen e edicionit të 14-të. Kjo besoj është mënyra më e mirë për ta kujtuar e falënderuar Vjosën, për gjithë kontributin e saj për kulturën e vendit tonë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për jetën dhe veprën e Vjosa Berishës. Qoftë jetëgjatë ‘PriFest’”, ka thënë Çeku.
Figurën e Vjosa Berishës, e nderuan edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj si dhe drejtoresha ekzekutive e bankës ‘Raiffeisen’, Anita Kovacic.
Ndërkaq, fiks kur ora shënoi 21:18, nisi edhe premiera e filmit “Vera andrron detin”. Errësira mbizotëroi vendin, teksa pamja e parë gjeti vendin në ekran. Një peizazh që bashkon detin dhe qiellin në një horizont që duket i pakufishëm, përthekoi të pranishmit brenda një qetësie dhe ndjenjës së paqes.
Personazhi kryesor, Vera, (Teuta Ajdini-Jegeni) është një përkthyese e gjuhës së shenjave, burri i të cilës është një gjykatës i njohur. Ajo është një nënë e një vajze të vetme dhe një gjyshe e dashur për mbesën. Papritmas jeta e saj merr një kahje tjetër kur burri i saj, Fatmir Gashi (Xhevat Qorraj), bën vetëvrasje, akt ky që shoqërohet me pikëpyetje të vazhdueshme. Qysh në fillim, fshehja e veprimit të tillë synohet nga Basria (Refet Abazi), avokati i familjes si dhe mik i ngushtë i Fatmirit. Reputacioni i Fatmirit kësisoj mbetet i palëkundshëm.
Situata të padëshirueshme sa vijnë e shtohen, teksa misteret fusin kokën në sipërfaqe. Krejt çka Vera ka në vlerë tash është veç një shtëpi në fshat, pronësia e së cilës vihet në një pretendim. Familjarët e afërt, në veçanti Ahmeti (Astrit Kabashi) me doemos kërkon që ajo shtëpi të vihet në emër të tij, ngaqë sipas tij dhe gjithë burrave të fshatit, fjala e të ndjerit, Fatmir Gashit, ka qenë se shtëpia i takon Ahmetit dhe se ajo fjalë duhet të respektohet.
Por se çka fshihet pas sekreteve dhe deklaratave pa dëshmi, Vera është e vendosur që ta zbulojë. Një botë krimi është ajo që del nga fshehtësia dhe ndjek pas Verën, rrezikon jetën e vajzës së saj, Sarës, e njëkohësisht ndikon edhe në jetën e mbesës, Hanës. Fati i tyre bie në pëllëmbën e dorës së saj. E vetme dhe e frikësuar, Vera tash duhet të përballet me realitetin e vrazhdë ku pabarazia gjinore i ka futur thellë rrënjët në shoqëri.
Lufta për të siguruar pjesën e trashëgimisë që i takon vajzës së saj, qe e kotë. Duke u përballur me kufijtë e këtij fenomeni, ajo humb të drejtat e pronësisë. Është një histori që prek shumicën e historive të familjeve në shoqërinë tonë dhe besimi se gratë do të mbeten përjetësisht të varura ekonomikisht nga burrat, është tejet i dukshëm edhe në ditët e sotme. Regjisorja Kaltrina Krasniqi vë në pah rrëfimin e një karakteri që nuk shtypet lehtazi, nuk dorëzohet por mban kokën lart e lufton kundër shoqërisë së pasluftës. Një shoqëri ku gratë nuk kanë të drejtë mbi fjalën e burrit, nuk mund të kërkojnë të drejta për diçka që i përket atyre por mbi të gjitha, një shoqëri e cila gruan e sheh si një qenie që në përditshmëri ka vetëm ca detyra të caktuara brenda katër mureve të shtëpisë.
Nënshtrimi i Verës pason kur ajo zbulon se sa thellë ka futur duart korrupsioni dhe se sa e rëndë është pesha e patriarkatit shtypës dhe kërcënues mbi supet e saj. Fuqia e aktores Teuta Ajdini-Jegeni në një ndërlidhje me skenarin nga Doruntina Basha, thjesht është sa magjepsëse aq edhe reale. Midis modernitetit dhe traditës, filmi qëndron në këmbë dhe arrin të shpalos portretin e një gruaje që mundohet të gjejë balancën midis dy qosheve drastike.
Në anën tjetër, përgjatë gjithë situatave të tensionuara në film, meloditë e violinës nga Petrit Çeku janë të mahnitshme. Tingujt janë ato që të shpojnë në shpirt e të rrëmbejnë pas ekranit, si dhe të bëjnë që akoma më shumë të ndjesh sharrimin e Verës drejt një nënshtrimi të detyrueshëm. Ndërkohë, kuadrot e gjera, të ngrohta e herë të ftohta, në të shumtën e rasteve fiksojnë Verën dhe rrethanat e saj. Pavarësisht përballimeve të cilat ajo i has përgjatë rrugëtimit, ajo arrin që me zgjuarsi të zhvillojë një bisedë me avokatin e familjes, në një kafene ku prezentë janë vetëm personat e shurdhër, me ç’rast arrin t’i bëjë ballë gënjeshtrave të vazhdueshme, me vetëm një incizim në dorën e saj që ndërron komplet rrjedhën dhe na ofron një fund ndryshe nga e zakonshmja.
Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet dhe brohoritjet në publik ato që zhurmuan sallën në Kino Armatë. E në mesin e tyre ishte edhe ekipi i filmit ‘Vera andrron detin’, anëtarët e të cilit ngadalë dolën në skenë.
“Ka qenë shumë bukur me pa që qyteti ku unë jam rritë, ka ardhur sonte. Unë jam çik e Prishtinës dhe e kam emrin Kaltrinë. Kjo është kinemaja ku unë e kam pa filmin e parë në jetën time kur isha gjashtë vjeç dhe më ka pruar shkolla ime në atë kohë. Më kujtohet që e kam parë një film rus të animuar dhe ka qenë shumë magjik. E sot i kam katërdhjetë vjet dhe po kthehem në këtë kinema prapë. “Vera andrron detin” e ka pas premierën tash e një vjet në festivalin e Venedikut, dhe jam shumë e lumtur që më në fund po e ndaj me publikun e qytetit tim. Natyrisht që jam shumë e emocionuar. Ne kemi udhëtuar në krejt botën dhe po vazhdojmë të udhëtojmë, por është shumë bukur që e ndaj sonte me ju”, thotë regjisorja Krasniqi.
Ajo tregon se e pranishme në sallë është edhe nëna e saj, Vera, e cila filmin e ka parë për herë të parë.
“Gjëja më e bukur është që me mua është edhe ekipi që ka qenë me mua aq afër meje dhe aq të dashur për shtatë vjet sepse nuk është shumë e popullarizuar që të tregohet një tregim për një grua që i ka gjashtëdhjetë vjet por ata më besuan që ky tregim është shumë me rëndësi dhe më kanë shtyrë për shtatë vjet. Po ashtu, Vjosa Berisha i ka bërë disa gjëra të cilat janë shumë të rëndësishme për skenën tonë. Ajo i ka themeluar disa themele që janë të vlefshme jo vetëm për filmin por për krejt skenën artistike, sepse Vjosa ka qenë gjithmonë një menaxhere shumë e mirë kulturore. Andaj, ne prej këtij viti e tutje ia kemi borxh Vjosës që ky festival të jetojë. Qyteti jonë e meriton me qenë në hartën e qyteteve më të bukura të kinemasë”, përfundon Krasniqi.
Kurse, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth rrugëtimit të filmit ‘Vera andrron detin’, të pranishëm ishin regjisorja Kaltrina Krasniqi, aktorët Teuta Ajdini-Jegeni dhe Refet Abazi, si dhe producenti Shkumbin Istrefi.
“Ka qenë shumë me rëndësi për mua për të parë një rrëfim të treguar nga një person në të gjashtëdhjetat. Nuk është një perspektivë që është shqyrtuar nga shumë regjisorë, andaj dhe ka qenë një nga aspektet kryesore që më ka shtyrë e motivuar që unë të vazhdoj ta bëj.” – Kaltrina Krasniqi
“Ky udhëtim ka qenë sa i lehtë aq edhe i vështirë, dhe anasjelltas. Vera është një personazh nga i cili kam marrë shumë por unë si Teutë edhe Verës i kam dhënë aq njëjtë. Është një personazh e cila ka shumë të përbashkëta me shumë gra në të gjithë botën dhe mund të them se që në fillim kur mu nda roli, e ndjeva shumë të afërt dhe në shumë pjesë të skenarit, e gjeta edhe veten time. Prandaj them se vështirësi nuk kam pasur për ta përjetuar, thjesht e luajta ashtu siç e ndjeva dhe së bashku me Kaltrinën, e gjetëm një gjuhë të përbashkët.” – Teuta Ajdini-Jegeni
“Ky film, është një film i çikave. Ky film është një ndër përvojat më të mira të miat dhe unë jam ndjerë jashtëzakonisht bukur gjatë xhirimit, pikësëpari për arsye se ne aktorët dëshirojmë që të takojmë shpesh regjisorë që e dinë se çfarë kërkojnë dhe duan. Kaltrina është një nga regjisoret që nuk jep urdhra si zakonisht, ajo thjesht magjeps me mënyrën e tregimit që ajo dëshiron të rrëfejë. Ajo të bënë bashkautor në rrëfimin e saj dhe të respekton autonominë krijuese si aktor. Po ashtu, ka pasur edhe një energji të jashtëzakonshme përgjatë xhirimit.” – Refet Abazi
“Është shumë vështirë të prodhohet një film sepse rruga asnjëherë nuk përfundon në prodhimin e tij, por është në distribuimin nëpër shfaqje. Kemi pasur punë intensive në financimin, përgatitjen dhe xhirimin e këtij projekti. Projekti ka filluar në vitin 2014, në vitin 2015 jemi financuar nga QKK-ja, pjesërisht, dhe kam pasur fatin të gjejë ko-producent shumë të mirë që e kanë dashur projektin e kanë dhënë gjithçka nga vetja. Mirëpo, filmi nga momenti që pati premierën në Venedik, ka shëtitur në gjithë botën dhe kemi marrë shumë çmime e që na e japin një kënaqësi për gjithë këtë punë që e kemi bërë.” – Shkumbin Istrefi
Kujtojmë se ”Vera Andrron Detin” pati premierën botërore në Festivalin e Venedikut, ku u bë filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që u paraqit në këtë festival, me ç’rast ka rrëmbyer dy çmime.
Në film luajnë: Teuta Ajdini-Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, Ernest Malazogu, Selman Jusufi, Armend Baloku, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
‘Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. / KultPlus.com
Edicioni i 14-të i Festivalit të Filmit “PriFest” është shumë afër, derisa sot u prezantua edhe juria e programit të filmave dokumentarë, “PriDox”, shkruan KultPlus.
Më poshtë KultPlus ua sjell jurinë e PriDox – programi i filmave dokumentarë:
Jana Wolff studioi Komunikim në Kontekste Sociale dhe Ekonomike (M.A.) në Universitetin e Arteve të Berlinit. Që nga fundi i viteve ’90 ajo punon për Berlinale dhe EFM si dhe shumë festivale të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare të filmit, si Sarajeva FF, Nordic Film Days Lübeck, Duisburg Documentary FF, IDFA, Duhok IFF, Oldenburg IFF, Motovun IF, Pr iFest, Durban FilmMart, Afera e Filmit në Helsinki, Riga IFF, Cinelatino Toulouse, Malaga IFF, BAM, El Gouna IFF dhe JCC Carthage, duke kontribuar me ekspertizën e saj dhe duke ndarë njohuritë e saj për industrinë e filmit. Ajo ishte Drejtuese e PR & Festival Distribution në Akademinë Gjermane të Filmit dhe Televizionit (dffb), Shefe e Acquisition & Shitjeve në Pluton Film dhe tani është përgjegjëse për Marketingun Europian të Filmit, ku është edhe përgjegjëse për Vendin në Foc programi ynë.
Alban Nimani, artist, dizajner grafik, kantautor dhe interpretues i njohur, si dhe profesor i intermedias. Mbi një dekadë punon si profesor i Mediave të Reja në Fakultetin e Arteve në Prishtinë ku ishte edhe Shef i Departamentit të Arteve të Aplikuara. Nimani u trajnua në Institutin e Arteve në Bournemouth, Britani e Madhe dhe gjithashtu Herberger Institute of Arts and Design në ASU, SHBA. Ai ka një karrierë të mirënjohur muzikore si udhëheqës i grupit alternativ Asgje Sikur Dielli, i cili publikoi 4 albume muzikore dhe shumë video muzikore. Ai gjithashtu prodhoi një performancë solo ndërmjetmedia e cila u shfaq në Galeritë dhe Institucionet e Artit në Kosovë, Shqipëri, Itali, Meksikë dhe Afrikën e Jugut.
Aktualisht është i përfshirë në menaxhimin e artit dhe promovimin si drejtor i Tulla – Culture Center, në Tiranë, ku drejton artet pamore, programet edukative jo-formale të qendrës. Nimani është edhe anëtar i bordit të Qendrës Kinematografike të Kosovës.
Orhan Kerkezi është filmbërës dokumentarësh me përvojë dhe ka punuar në stacione të ndryshme televizive për prodhimin e dokumentarëve.
Ai është bashkëthemelues i Dokufest dhe PriFest. Ai është gjithashtu ligjërues i regjisë dhe prodhimit.
PriFest “14” do të mbahet nga data 20-25 Shtator 2022 dhe i kushtohet drejtoreshës së ndjerë, Vjosa Berisha. / KultPlus.com
Kategoria garuese e filmave ndërkombëtar të metrazhit të gjatë ‘GLOBAL’ që shfaq filmat e ri, inovativ dhe unik nga gjithë bota, këtë herë vjen me katër filma nga gjashtë shtete, përcjell KultPlus.
Prezenca e kineastëve kosovarë si dhe rajonal nuk do të mungojë edhe në këtë kategori. Filmi DRITA vjen me Arta Dobroshin dhe Genc Jakupin ndërsa filmi GEBORGTES WEISS me Florist Bajgorën.
DARKROOM me kastën e aktorëve boshnjak ndërsa KLONDIKE koproduksioni Ukrainas/Turk vjen me bagazh të çmimeve nga Sundance Film Festival dhe Sarajevo Film Festival.
Si gjithmonë, të gjithë këta filma do të jenë premierë në Kosovë.
Lista e plotë garuese e programit garues të filmave të metrazhit të gjatë – GLOBAL:
KLONDIKE nga Maryna Er Gorbach, Ukrainë/Turqi 100 min;
DRITA nga Daniel Kruglikov, SHBA/Kosovë 83 min;
DARKROOM nga Lukas Maier, Kanadë 95 min;
GEBORGTES WEISS nga Sebastian Ko, Gjermani 100 min.
Edicioni i 14-të i PriFest mbahet nga 20-25 shtator dhe i dedikohet drejtoreshës së ndjerë Vjosa Berisha.
Në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti, PriFest – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë do të jetë nikoqir i OIFF – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Odesa (Ukrainë). Pra, sivjet do të mbahet një edicion të përbashkët, i 14-i i PriFest-it dhe edicioni i 13-të i OIFF-së, në Prishtinë, Kosovë, përcjell KultPlus.
Me moton “Odesa IFF përtej kufijve: Odesa në PriFest”, Prishtina International Film Festival do të mundësoj hapësirën që OIFF të mbajë një pjesë të programit në Prishtinë, gjatë kohës së edicionit të sivjem të PriFest.
Dy festivalet gjithmonë janë përputhur me terminet në fund të korrikut, si dhe shpesh kanë ndarë mysafirët ndërkombëtarë që kanë udhëtuar nga njëri festival në tjetrin. Edhe këtë vit ishte paraparë ashtu, por fatkeqësisht për shkak të luftës në Ukrainë, festivali i Odesës u anulua.
Më poshtë sjellim postimin e plotë të PriFest:
Falënderojmë Kuvendin e Komunës së Prishtinës në përkrahje të PriFest, gjegjësisht projektit të bashkëpunimit mes festivaleve ndërkombëtare të filmit Odesa (Ukrainë) dhe PriFest (Prishtinë, Kosovë).
Falënderojmë të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Prishtinës që njëzëri përkrahën këtë iniciativë.
Gjithashtu, falenderojmë Kryetarin e Prishtinës z.Përparim Rama dhe Drejtoreshën e Kulturës së Prishtinës znj.Arta Balaj.
Iniciativa ‘Odesa përtej kufijve – Odesa në PriFest’ do të jetë e shënuar përgjithmonë si dorë e zgjatur e jona drejtuar miqve në nevojë, dhe Prishtina do të jetë nikoqir i mrekullueshëm i kineastëve Ukrainas.
Krejt në fund, por e rëndësisë së veçantë për PriFest-in dhe komunitetin artistik-filmik të Prishtinës e Kosovës, faleminderit Kuvendit të Kryeqytetit për minutën e heshjtes në nderim të drejtoreshës sonë, Vjosa Berisha. / KultPlus.com