Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Dhjetor 2024
Revista australiane “The Australian Women’s Weekly” ka botuar, të mërkurën e 30 qershorit 1982, në faqen n°16, intervistën ekskluzive asokohe me mbretëreshën Susan (nënën e Princ Leka II) në Afrikë të Jugut, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Një ish-australiane, tani një mbretëreshë që jeton në ekzil…
Susan Cullen-Ward, 41 vjeç, tashmë mbretëresha e Shqipërisë në mërgim, flet për shpresat e saj për Princin e Kurorës Leka në një intervistë ekskluzive.
Pavarësisht se çfarë thonë, mbretëria ka magjinë e vet, edhe nëse je i internuar, duke jetuar në një pronë të vogël modeste në periferi të Johanesburgut, Afrikën e Jugut, me një suitë të vogël dhe pak para. Që nga takimi im i parë me Mbretin Leka të Shqipërisë dhe gruan e tij me origjinë australiane, Mbretëreshën Suzani (ish Susan Cullen Ward të Uellsit të Ri Jugor), ndjeva një atmosferë madhështie që kapërcente këto rrethana të reduktuara.
Kohët kanë qenë vërtet të vështira, duke filluar kur Leka u nxor nga atdheu i tij kur ishte vetëm dy ditësh, pasi Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë të Musolinit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por nga të gjitha vështirësitë me të cilat ballafaqoheshin, kishte një problem dërrmues. Nuk kishte asnjë trashëgimtar mbretëror dhe Mbretëresha kishte pasur tashmë katër aborte. Pastaj, marsin e kaluar, ndodhi mrekullia. Pas një shtatzënie të gjatë dhe të vështirë, Princi i Kurorës Leka II lindi në një klinikë të vogël të Johanesburgut. Linja mbretërore mundi të vazhdojë.
Gjëra marramendëse, por realiteti është më pak idilik. Familja mbretërore shqiptare në ekzil jeton në një shtëpi me qira, të mobiluar në stilin e fermës, në fund të një rruge të gjatë dhe me pluhur, e mbuluar me shkurre dhe gjemba. Dy hektarët e tokës janë të çrregullta; pulat, lopët dhe palloi i çuditshëm vërshojnë lirshëm rreth lëndinave të thata, shkurreve të shpërndara dhe shtëpive të shkatërruara.
Teksa po luftoj me copën e telit që mban derën të mbyllur, shfaqet një truprojë me një armë në këllëf. Ai vjen për të më ndihmuar, i gjithi i buzëqeshur dhe me mirësjelljen e dikurshme. Ai është 60 vjeç dhe ende e kujton Shqipërinë e monarkisë.
Na çojnë në një tarracë të shtruar ku një shërbëtore shërben limonë, duke na bërë nderimet mbretërore. Mbreti hyn. Me një gjatësi prej 206 cm, ai është një burrë shtatlartë dhe i thinjur, i cili duket më i vjetër se 43 vjeç. Mbretëresha është e veshur thjesht : fustan leshi ngjyrë blu të kaltër, këpucë blu të kaltër, shall pambuku indian. Flokët e saj janë të gjatë, të krehur mbrapa dhe me vija bionde; grimi i saj është i patëmetë. Ajo nuk mban asnjë bizhuteri përveç unazave të bukura prej diamanti të fejesës dhe martesës së saj.
Fytyra e saj është klasike, silueta e saj e hollë, prania e saj e qetë dhe serioze. Nuk ka asgjë për të thënë në lidhje me vajzën e një fermeri të shndërruar në Mbretëreshë. Ajo thjesht i tregon gjërat ashtu siç i duken, duke i artikuluar mendimet me lehtësi, pa u shqetësuar qartë për të lënë ndonjë përshtypje.
Motra Adelaide, dadoja e tyre lokale afrikane, sjell foshnjën mbretërore të mbështjellë me një shall të bardhë me grep dhe ia dorëzon me kujdes nënës së tij. Mbretëresha Suzani pranon se është në një gjendje të lumtur për djalin e saj të porsalindur, duke fjetur i qetë në krahët e saj. “A nuk mendoni se ai i ngjan babait të tij? Ai është kaq i ëmbël, kaq gazmor nganjëherë,” thotë ajo.
Mbretëresha Suzani është e vendosur që Princi i Kurorës të mos relegohet (rritet), sipas stilit viktorian, në çerdhe dhe nga dadot. “Ai nuk është i ndryshëm nga çdo fëmijë tjetër, dhe unë jam thjesht një nënë e zakonshme”, thotë ajo. “Edhe pse ai do të stërvitet për të zënë vendin e tij mbretëror kur të jetë më i madh, unë thjesht dua të shijoj kohën me të ndërsa është i vogël.”
Ajo ka besim të madh në vlerën e shtëpisë dhe familjes. “Unë jam një person shumë familjar. Plus, çdo mbretëror që unë njoh është kujdesur për fëmijët e tij. Kjo është shumë e rëndësishme. Sigurisht që kemi dado që të na ndihmojnë, sepse edhe ne kemi angazhime, por ne jemi vetëm nëna punëtore, si gjithë të tjerët.”
Kishte një pritje të gjatë dhe të mundimshme për këtë fëmijë. Dy muajt e fundit të shtatzënisë mbretëresha 41-vjeçare i kaloi duke pushuar në një klinikë, në prani të nënës së saj. Fëmija Princ i Kurorës, i lindur para kohe me prerje cezariane, peshonte vetëm 2.5 kg dhe u fut në një inkubator. Ai duhej të qëndronte në klinikë, pesha e tij vazhdoi të binte.
“Isha plotësisht e dërrmuar. Kisha aq frikë se mos i ndodhte diçka kësaj krijese të kuqe e me rrudha, saqë do të thyhej ose do të binte nga djepi. Por mësova ta laj. Kjo është diçka që ju mësojnë në spital : si të mbani një fëmijë që përpëlitet. Është pak si të mësosh karate për një fëmijë ! — qeshi ajo, duke lënë të kuptohej se sa e shqetësuar ishte kur foshnja u kthye në shtëpi.
Tani, ai pi biberon, kështu që unë mund të fle për disa orë midis mesnatës dhe orës 6 të mëngjesit kur e sjell motra Adelaide. Ai ka pasur dhimbje barku dhe ndonjëherë është tmerrësisht nervoz dhe i plogësht. Nuk di si do të bëja pa motrën Adelaide dhe gjyshen e tij.”
Gjyshja është Madhëria e saj Mbretëresha Geraldinë, e veja e mbretit të ndjerë Zog. “Ajo është një person shumë, shumë i bukur dhe i qetë dhe një nënë gjyshe vërtet e përkushtuar,” thotë Mbretëresha Suzani. Foshnja i ndjen këto gjëra. Ai mund të jetë absolutisht një bishë me mua ndonjëherë, por është gjithmonë i qetë me të.”
Prindërit e Mbretëreshës, zoti dhe zonja Alan Cullen-Ward, jetojnë në Drummope, Sydney, që nga shitja e pronës së tyre, pranë Parkes, Uellsin e Ri Jugor. “Ata nuk e kanë parë ende foshnjën, por janë tmerrësisht të emocionuar”, thotë Mbretëresha Suzani.
“Dua ta dërgoj në një grup lojërash apo në një çerdhe. Të mësosh të shoqërohesh me të tjerët është shumë e rëndësishme. Ai do të rritet në besimin mysliman në pritje të ditës që do të ngjitet në fronin e Shqipërisë. Kur të mbushë 18 vjeç, do t’i prezantohet popullit të tij.”
Kush janë njerëzit e tij ? — e pyes me ndrojtje.
“Të gjithë shqiptarët në botën e lirë, sigurisht”, përgjigjet ajo.
Mbretëresha është edukuar (shkolluar) në traditat më të mira : ajo studioi në një shkollë në Orange, Uellsin e Ri Jugor, ndoqi një kurs për dizajnin e brendshëm dhe industrial në Sydney, më pas një jetë profesionale pa presion, e ndërthurur me kalërim dhe ski të shumtë (sporti i saj i preferuar), më pas u nis për në Spanjë për të studiuar pikturën. “Isha e dëshpëruar, vërtet e dëshpëruar,” tha ajo e trishtuar.
Si mbretëreshë, ajo kishte shumë për të mësuar që kur u takua me mbretin Leka në një darkë të dhënë nga një mik i përbashkët në Sydney 13 vjet më parë. Miqësia e tyre ishte e gjatë dhe në vitin 1975 ata u martuan me gjithë shkëlqimin e një dasme mbretërore. Mbretëresha Geraldinë e njohu atë me rregullat e protokollit dhe njohuritë mbretërore (të ngjashme me Nënën Mbretëreshë dhe Princeshën e Uellsit). “Mësova se nuk mund të them atë që dua, të shkoj ku të dua. Dhe më mungon privatësia ime,” — thotë ajo.
Në vitin 1979, mbreti dhe familja e tij u dëbuan nga Spanja pas akuzave për stokim të paligjshëm të armëve. Pas një qëndrimi të shkurtër në një fermë me qira në Rodezi, atyre iu dha strehim i përkohshëm në Afrikën e Jugut.
Pra, lindja e këtij Princi të Kurorës pa fron, për ta ka një domethënie të madhe. Ai përfaqëson një traditë, shpresën e tyre për të ardhmen.
Unë e pyes se cilin vend e konsideron Mbretëresha si shtëpinë e saj. “Shtëpia ime është Shqipëria”, thotë ajo. “Kjo është një nga gjërat shumë të vështira që duhej të vendosja kur u martova me Mbretin. Ndoshta ishte vendimi më i vështirë i jetës sime. Australia është diçka që e dua, më mungon dhe e ndjej thellë. Rrënjët e mia janë atje, familja ime gjithashtu. Lidhjet janë të forta, por ne nuk mund të jetonim kurrë atje : është shumë e shkëputur për punën politike që bëjmë.”
Ajo flet me zë të ulët, me shumë pasion, për një vend që nuk e ka parë kurrë. “Unë jam angazhuar që një ditë të kthehemi në shtëpi, në shtëpinë tonë në Shqipëri.”
MARGARET GAGANAKIS