Akademia e Shkencave përkujtoi rolin e princit Wilhelm von Wied, në një tryezë shkencore në sallën “Aleks Buda”.
Tryeza u përqëndrua tek përpjekjet e princit Wied për mëkëmbjen e vështirë të shtetit të ri shqiptar, përgjatë periudhës gjashtëmujore të historisë së Shqipërisë nën kurorën e një sovrani europian, mandatuar prej Fuqive të Mëdha.
Akad. Gezim Hoxha tha në fjalën e tij se Akademia e Shkencave ka ndërmarrë dhe po realizon projektin “Histori e shqiptarëve” dhe se sundimi i Wied-it si princ përbën një sekuencë shumë interesante në këtë histori. Kohën gjatë së cilës Wied-i qëndroi në Shqipëri akad. Hoxha e vlerësoi si një periudhë me rëndësi historike, që karakterizohet nga përpjekje shumë të mundimshme për të arritur pavarësinë; përpjekje për shkëputje nga Orienti dhe shikimin nga Perëndimi; për përballimin e synimeve dhe përpjekjeve aneksuese të fqinjëve, kur vendi gjendej në situatë ekonomike, historike dhe politike mbijetese.
Akad. Marenglen Verli mbajti kumtesën “Opinione të Wied-it për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Ai u shpreh se princ Wied-i dhe “Qeveria definitive” e krijuar prej tij, pati detyrimin madhor të ndërtonte shërbimin e jashtëm e të përcaktonte përparësitë politike në marrëdhëniet me botën.
Deri në momentin që do të zgjidhej nga Fuqitë e Mëdha, me propozim të Austo-Hungarisë dhe të Italisë, Wilhelm von Wied ishte kapiten i kavalerisë gjermane dhe shërbente në Potsdam, në një kazermë shumë të njohur, ku mblidheshinbkryesisht aristokratët gjermanë të asaj kohe. Vinte nga një familje relativisht e njohur në historinë gjermane, por që me kalimin e viteve e kishte humbur shkëlqimin e saj dhe u ribë e njohur pikërisht në momentin që po përflitej për t’u zgjedhur si princ i Shqipërisë. Arsyet pse do të zgjidhej princ Weid-i janë interesante. E parë është se ndërmjetësja kryesore në këtë zgjedhje ishte halla e tij, mbretëresha e Rumanisë, që vinte nga familja Wied dhe që ndikoi në këtë zgjedhje.
Në takimin që princ Wied-i kishte pasur me perandorin gjerman para ardhjes në Shqipëri, i kishte pohuar se ai e shikonte këtë detyrë si një sfidë dhe se ishte përzgjedhur të ishte realizuesi i një misioni kulturor për një vend tepër të pacivilizuar. Edhe gruaja e Wied-it ishte shumë entuziaste për këtë projekt dhe mezi priste të vinte në Shqipëri e të fillonte punën për civilizimin e vendit./ atsh / KultPlus.com
Në datën 7 mars përkujtohet ardhja e Princ Vidit në Shqipëri dhe themelimin e Principatës Shqiptare.
Vilhelm Vidi lindi në Noi Vid të Gjermanisë më 26 mars 1876 dhe ishte djali i dytë i princit Adolf Maksimilian Karl Vid. U martua me Sofinë, princeshë e Shënburg-Valdenburgut. Në tetor 1913, Fuqitë e Mëdha i paraqitën Vidit propozimin për të marrë fronin shqiptar. Ai dha pëlqimin për këtë ofertë më 3 nëntor 1913.
Një delegacion shqiptar i kryesuar nga Esat Pashë Toptani shkoi në Gjermani për t’i ofruar atij fronin në emër të shqiptarëve. Më 7 mars 1914, Princ Vidi me oborrin e tij zbriti në Durrës. Ai nuk arriti të qëndronte gjatë në krye të fronit mbretëror shqiptar, për shkak të kryengritjes së shqiptarëve kundër tij si dhe fillimit të Luftës së Parë Botërore.
Më 3 shtator 1914, Princ Vidi u largua nga Shqipëria së bashku me familjen me anijen “Misurata”. Ai u angazhua si oficer i ushtrisë gjermane në këtë luftë. Pas përfundimit të luftës, së bashku me familjen e tij jetoi fillimisht në Tirol e më pas në Mynih. Më 1925 u vendos në Rumani në pronat e princeshës Sofia.
Lidhur me Princ Vidin, Fan Noli ka shkruar: “Princ Vidi mund të kritikohet vetëm pse s’qe në gjendje të bënte mrekullira”.
Vilhelm Vidi vdiq në Predeal të Rumanisë më 18 prill 1945./atsh/KultPlus.com
Princi Vilhelm Vidi arriti në Durrës më 7 mars 1914 në orën 3 pasdite.
Rrethet patriotike si dhe përkrahësit e tjerë të Vidit nga radhët e çifligarëve e pritën me entuziazëm ardhjen e tij në Shqipëri, me bindjen se ai do të realizonte aspiratat e tyre nacionale e shoqërore. Për kryeqytet të Shqipërisë Princ Vidi zgjodhi pikërisht Durrësin, ku edhe kishte ndikim të fortë Esat Pashë Toptan. Princi Vid ishte princ i Shqipërisë për 6 muaj, që nga viti 1914 deri më 3 shtator të vitit 1914
KultPlus, sot ju sjell një fotografi pikërisht nga viti i ardhjes së Princit Vid në Durrës, ndërsa Isa Boletini me plisin në kokë e me hijen e një patrioti ndan një përshëndetje me princin./ KultPlus.com
Vilhelm Vidi lindi në Noi Vid të Gjermanisë më 26 mars 1876 dhe ishte djali i dytë i princit Adolf Maksimilian Karl Vid. U martua me Sofinë, princeshë e Shënburg-Valdenburgut.
Në tetor 1913, Fuqitë e Mëdha i paraqitën Vidit propozimin për të marrë fronin shqiptar. Ai dha pëlqimin për këtë ofertë më 3 nëntor 1913. Një delegacion shqiptar i kryesuar nga Esad Pashë Toptani shkoi në Gjermani për t’i ofruar atij fronin në emër të shqiptarëve.
Më 7 mars 1914, Princ Vidi me oborrin e tij zbriti në Durrës. Ai nuk arriti të qëndronte gjatë në krye të fronit mbretëror shqiptar, për shkak të kryengritjes së shqiptarëve kundër tij si dhe fillimit të Luftës së Parë Botërore.
Më 3 shtator 1914, Princ Vidi u largua nga Shqipëria së bashku me familjen me anijen “Misurata”. Ai u angazhua si oficer i ushtrisë gjermane në këtë luftë. Pas përfundimit të luftës, së bashku me familjen e tij jetoi fillimisht në Tirol e më pas në Mynih. Më 1925 u vendos në Rumani në pronat e princeshës Sofia. Lidhur me Princ Vidin, Fan Noli ka shkruar: “Princ Vidi mund të kritikohet vetëm pse s’qe në gjendje të bënte mrekullira”.
Vilhelm Vid vdiq në Predeal të Rumanisë më 18 prill 1945. / KultPlus.com
“Le Matin” ka botuar, të mërkurën e 3 qershorit 1914, në ballinë dhe faqe n°2, intervistën ekskluzive të korrespondentit të saj me Turhan Pashën (kryeministër) dhe Filip Nogën (Ministër financash) në lidhje me kryengritjen asokohe kundër Princ Vidit, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Shtatëqind malësorë zbarkojnë në Durrës
Durrës, 1 qershor. — Shkresë nga korrespondenti special i “Le Matin”. — Sot zbarkuan këtu 700 malësorë, të marrë nga 10.000 burrat që Prenk Bib Doda mblodhi në Lezhë.
Kontigjenti përfshin myslimanë dhe të krishterë, por këta të fundit përbëjnë shumicën dërrmuese.Fillimisht, ky kontigjent duhej të përbëhej nga 250 të krishterë dhe 250 myslimanë, por për shkak të numrit të kërkesave, ishte e nevojshme të rritej përmasa dhe të modifikohej proporcioni i elementëve të tij përbërës.
Ardhja e kësaj force të armatosur këtu bën mjaft bujë, sepse nëse nga njëra anë shton garnizonin dhe kontribuon në sigurimin e mbrojtjes së qytetit, nga ana tjetër ka frikë se do të rrisë rrëmujën midis kryengritësve.
Efekti i parë i këtij zbarkimi ishte rikthimi i besimit te partia nacionaliste, e cila prej disa ditësh ishte mjaft e demoralizuar.
Doja të mësoja nga goja e vetë kryetarit të këshillit (kryeministrit) arsyen dhe shtrirjen e kësaj thirrjeje ndaj kontingjenteve të Prenk Bib Dodës.Unë arrita të takoj Turhan Pashën në fund të Këshillit të Ministrave.Me dashamirësinë e tij të zakonshme, ai më shpjegoi pikëpamjet e tij dhe synimet e qeverisë si më poshtë.
— Princi dhe kryeqyteti i tij u gjetën prej disa ditësh në mëshirën e një lëvizjeje sulmuese të kryengritësve. Mbrojtësit u reduktuan në rreth 200 burra. Unë nuk përfshij në këtë numër marinarët që ruajnë legatat dhe pallatin, sepse ata janë të destinuar ekskluzivisht për mbrojtjen e jetës së princit.
Kjo situatë nuk mund të vazhdonte. Prandaj ne duhej të ishim në gjendje sa më shpejt të ishte e mundur për të ndërtuar një garnizon të mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e Durrësit. Mirëpo, duke qenë se trupat nuk krijohen brenda një dite, ne u detyruam të merrnim ata që kishim në dorë dhe morëm 700 burra nga kontingjentet e ngritura në Lezhë nga Prenk Bib Doda.
—A nuk keni frikë, Shkëlqesi, se ardhja e tyre do të interpretohet nga kryengritësit si një masë agresive që vërteton dëshirën tuaj për t’i sulmuar ata?Bisedimet po vazhdojnë dhe ngazëllimi që zbarkimi i kësaj force do të shkaktojë te kryengritësit mund të dëmtojë rezultatin e këtyre negociatave.
—Ne sollëm vetëm 700 burra, por mund të thërrisnim disa mijëra. A nuk është ky vëzhgim i thjeshtë provë se ne po ndjekim një qëllim mbrojtës dhe jo sulmues ? Çdo qeveri ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën të sigurojë sigurinë e saj dhe mbrojtjen e atyre që i janë besnikë. Për më tepër, nesër ose pasnesër, anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit do të diskutojnë me krerët e kryengritësve për përgjigjen që do t’i jepet ankesave të këtyre të fundit dhe mund t’ju them se të gjitha kërkesat e tyre të arsyeshme do të plotësohen.
—Por nëse ata nuk janë të kënaqur me këtë, do të ketë një luftë civile ?
— Ju mund të jeni të sigurt dhe mund të pohoni se çdo gjë që mund të bëhet nëpërmjet rrugës së pajtimit, ne do ta bëjmë. Unë jam mysliman, ashtu si dy kolegë të mi të kabinetit, ndërsa tre të tjerë janë të krishterë.Z. Noga, Ministër i Financave, mund t’ju tregojë se sa të vendosur jemi për të shmangur çdo konflikt fetar në Shqipëri dhe për të garantuar lirinë e plotë të adhurimit (besimit) për të gjithë.
Z. Noga, i cili ishte i pranishëm në takimin tonë, më dha këtë siguri, duke shtuar :
—Unë isha ai që shkoi në Lezhë për të negociuar ardhjen e këtyre shtatëqind burrave. Unë u thashë atyre :
“Disa nga vëllezërit tuaj kanë dalë jashtë rrugës. Në një moment lajthitjeje dhe nën ndikimin e këshillave të këqija, ata sulmuan princin. Ai duhet mbrojtur, por ne dëshirojmë të shmangim një luftë vëllavrasëse dhe shpresojmë që së shpejti të gjithë të jeni të bashkuar.”
Ju siguroj se ata i kuptuan ndjenjat e mia dhe nuk ushqejnë armiqësi kundër kryengritësve.
— Por nëse përpjekjet tuaja dështojnë, nëse i gjithë pajtimi është i pamundur, çfarë do të bëni ?
—Atë që do të bënte çdo qeveri, u përgjigj Turhan Pasha.Nuk mund të lejojmë që pesë apo gjashtë mijë të pakënaqur, dhe të pakënaqur pa motiv, të pengojnë zhvillimin e të gjithë vendit.Shkodra dhe Vlora janë duke vuajtur nga situata aktuale, madje edhe disa rajone thjesht myslimane po protestojnë kundër qëndrimit të kryengritësve.
E kuptova, megjithëse ministri nuk ma tha zyrtarisht, se në pamundësi të një marrëveshjeje, rebelët do të ndaloheshin nëpërmjet forcës.
Prandaj, ne jemi ndoshta në prag të një lufte civile. Më shumë se kurrë është e dëshirueshme që fuqitë të bien dakord dhe të dërgojnë kontigjente ndërkombëtare në Durrës;Princi, Turhan pasha, kreu i qeverisë dhe anëtarët e komisionit të kontrollit kërkojnë këtë dërgesë.Edhe Italia është në favor të saj.Vetëm një masë e tillë mund t’i sigurojë princit dhe qeverisë pavarësinë e dëshiruar, sepse nëse dy ditë më parë princi ishte në mëshirën e kryengritësve, sot ai e gjen veten në fakt rob të mbrojtësve të tij.
Malësorët, duke u konsideruar si një forcë e thjeshtë policie, u vendosën nën urdhrat e kolonelit holandez Tomson, komandant i vendit.Zgjedhja e kolonelit është e shkëlqyer, por prania këtu e gjeneralit De Veer, eprorit të tij hierarkik, paraqet një shqetësim të madh,sepse gjenerali e ka të vështirë të heqë dorë për të mos ndërhyrë në aktet e kolonelit Tomson, fryma e iniciativës së të cilit pengohet, nëse jo asgjësohet.
Prania e njëkohshme e gjeneralit dhe kolonelit është bërë e pamundur, por princi nuk ka marrë ende një vendim në lidhje me këtë, dhe kjo është për të ardhur keq.
Komisioni i Kontrollit ka porositur mëngjesin e sotëm një xhandar që të shkonte dhe t’u kërkonte kryengritësve që të vendosnin për vendin e mbledhjes së radhës.Këta e kanë vendosur në Shijak për nesër ose pasnesër në mëngjes.
Komisioni, pasi protestoi kundër pranisë në xhandarmëri të një ish-oficeri gjerman, baronit Gunpenberg, ky i fundit aplikoi menjëherë për nënshtetësinë shqiptare.
Qyteti i dytë më i madh në Shqipëri, është një nga më të lashtët e më të rëndësishmit për ekonominë. Durrësi është i vendosur në bregdetin qendror shqiptar, rreth 33 km (21 milje), në perëndim të kryeqytetit, Tiranës. Ai ndodhet në një nga pikat më të ngushta të detit Adriatik, përballë porteve italiane të Barit (300 km/186 mi larg) dhe Brindisit (200 km/124 mi larg).
Qyteti bregdetar mbahet mend edhe si kryeqyteti i shtetit shqiptar, nga 7 marsi 1914 deri më 11 shkurt 1920. Durrësi u bë kryeqytet i mbretërisë së Shqipërisë, nga Princ Vidi, kur ai zbarkoi më 7 mars 1914 e deri në vendimin e Kongresit të Lushnjës, të datës 11 shkurt 1920, për shpalljen e Tiranës si kryqytetin e ri të shtetit shqiptar.
Përfundimisht, Durrësi humbi rëndësinë që kishte si kryeqytet, kur qeveria e atjeshme dorëzoi të gjitha dokumentet pranë qeverisë së Tiranës. Qeveria e Durrësit, që kryesohej nga Turhan Përmeti, nuk bëri kurrfarë qëndrese, pranoi dorëzimin e pushtetit.
Me vendimin nr.23, datë 21.2.1920 Këshilli i Ministrave vendosi që në Durrës, të shkonte një komision për të marrë në dorëzim aktet e qeverisë, që përfaqësohej nga:
– Ndoc Çoba-ministër i Financave
– Sulejman Starova-këshilltar i Ministrisë së Financave
– Rauf Fico-këshilltar i Ministrisë së Punëve të Brendshme
– Abdurrahman Gur-këshilltar i Ministrisë së Drejtësisë
– Idhomen Kosturi-drejtori i përgjithshëm i Postë-Telegrafëve
– Ali Fehmi Kostuti-prefekt i Durrësit
– Xhemal efendiu (mundet “Rruga” sepse figuron në akte të tjera)-sekretar
Gjeneralit italian të Durrësit, iu drejtua edhe një letër nga qeveria, ku njoftohej veprimi i urdhëruar për marrjen në dorëzim të dokumenteve. Mbledhja u drejtua nga zëvendëskryeministri Eshref Frashëri, me pjesëmarrjen e ministrave: Hoxha Kadri, Ndoc Çoba, Ahmet Zogu, Sotir Peci./ KultPlus.com
Gazeta franceze “Excelsior” e ka ndjekur nga afër ngritjen dhe rënien nga froni shqiptar të Princ Vidit. Fotografitë e saj historike dhe ekskluzive Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :
Mbretëresha e ardhshme e Shqipërisë (e martë, 11 nëntor 1913, f.5)
Princesha Vilhelm Vid, e lindur princeshë Sofia e Schoenbourg-Waldenbourg-ut, gruaja e princit Vilhelm Vid, i cili sapo ka aplikuar për fronin e Shqipërisë.
SOVRANI I ARDHSHËM DHE VAJZA E TIJ (E SHTUNË, 29 NËNTOR 1913, F. 5)
Kjo është fotografia e fundit e princit Vilhelm Vid, kandidimi i të cilit për fronin e Shqipërisë është jashtëzakonisht serioz. Princi është me vajzën e tij.
DURRËSI, KRYEQYTETI I PËRKOHSHËM I PRINCIPATËS SË SHQIPËRISË (E MARTË, 3 SHKURT 1914, F. 5)
Durrësi, pamjet e të cilit i botojmë këtu, do të shërbejë si kryeqytet i përkohshëm i Princit Vid, sovranit të ri të Shqipërisë. Durrësi është tashmë kryeqytet i njërës prej qeverive aktuale. Ky qytet luajti një rol të madh në luftërat e fundit ballkanike.
MBRETI I ARDHSHËM I SHQIPËRISË (E MARTË, 10 SHKURT 1914, BALLINË)
Fotografia e fundit e Princ Vidit (+) në Berlin. Sovrani i ardhshëm i Shqipërisë po pritet në Romë. Ai do të niset me anije nga Trieste për në Durrës.
PRINC VIDI DHE MARKEZI I SAN-GIULIANO-S (E SHTUNË, 14 SHKURT 1914, BALLINË)
Ne e dimë që Princ Vidi sapo ka shkuar në Romë përpara se të niset për në Shqipëri, vend i të cilit ai është sovran. Princi (1) pati një bisedë të rëndësishme me Markezin e San-Giuliano-s (2), ministrin e Punëve të Jashtme.
ARDHJA E PRINC VIDIT (E PREMTE, 20 SHKURT 1914, BALLINË)
Princ Vidi (+), sundimtari i ri i Shqipërisë, mbërriti mëngjesin e djeshëm në Paris, nga Anglia. Princi u nis në mbrëmje për në kështjellën e Neu-Wied-it, ku synon të qëndrojë disa ditë para se të niset për në Durrës. (Central-Excelsior-Foto.)
UNIFORMA E RE E PRINC VIDIT (E SHTUNË, 28 SHKURT 1914, BALLINË)
Princ Vidi është veshur këtu me uniformën e tij të re të gjeneralit shqiptar, të cilën do ta veshë gjatë hyrjes së tij në Durrës.
PRINC VIDI NË SHËN PETERSBURG (E ENJTE, 5 MARS 1914, F. 5)
Princ Vidi, pasi vizitoi carin në Shën Petersburg, u nis për në principatën e tij të Shqipërisë. Për ta mirëpritur atje nevojiteshin disa buçima (jehona), dhe që këto buçima ta nderonin, ishte i nevojshme një top; kështu që po transportojnë një të tillë për në Durrës, ku po përgatiten apartamentet e sovranit të ardhshëm.
ÇFARË PO LË E KU PO SHKON (E PREMTE, 6 MARS 1914, BALLINË)
Princ Vidi la kështjellën e tij të bukur Neuwied-it për të shkuar në Durrës ku, siç e dimë, ai do të ketë një akomodim më pak luksoz. Princi shoqërohet në Shqipëri nga një flotë ndërkombëtare që e dallojmë këtu.
PRINC VIDI DËRGON NJË MJEK NË SHQIPËRI PËR TË VAKSINUAR VENDASIT (E DIELË, 8 MARS 1914, BALLINË)
Princ Vidi mori një masë të mençur paraprake para se të shkonte në Durrës. Ai u parapri nga mjeku i tij, doktor Berghausen (+), i cili ka si mision të vaksinojë shqiptarët. Kjo masë higjienike ishte, siç duket, shumë e nevojshme në një vend mjaft primitiv.
NISJA PËR NË DURRËS. LARGIMI NGA TRIESTE I PRINCIT DHE PRINCESHËS VID (E HËNË, 9 MARS 1914, BALLINË)
Princi dhe princesha Vid, ose për të folur më saktë, princi dhe princesha e Shqipërisë u nisën të enjten e kaluar për në Durrës, ku arritën pardje. Ata u nisën në bordin e « Taurus-it » me festime të mëdha. Ndërsa bateritë e bregdetit, skuadroni austriak dhe anijet e huaja luftarake po qëllonin në drejtim të qiellit, një turmë e madhe shtyhej për të marrë pjesë në këtë nisje (udhëtim) historike.
HYRJA NË DURRËS E MBRETIT TË SHQIPËRISË. SOT ËSHTË DITA QË SOVRANI I RI DO TA BËJË SHPALLJEN E NGJITJES SË TIJ NË FRON PARA POPULLIT (E PREMTE, 13 MARS 1914, BALLINË)
Vidi I, mbreti i Shqipërisë, Princ Vidi, do të bëjë sot shpalljen e ngjitjes një fron para popullit të tij. Lexuesit tanë do të lexojnë më tej tekstin e kësaj shpallje. Dje morëm dokumentat e para në lidhje me hyrjen e sovranëve në Durrës. Ata u mirëpritën me një entuziazëm për të cilin kemi folur. Kjo është një faqe historike që botojmë këtu.
MBRETËRESHA E SHQIPËRISË DHE FËMIJËT E SAJ (E MËRKURË, 20 MAJ 1914, F. 5)
Kjo fotografi tregon mbretëreshën e Shqipërisë dhe fëmijët e saj në mes të popullit të tyre të ri, në Durrës. Princat e rinj janë të rrethuar nga ushtarët të cilët kanë kujdestarinë (mbrojtjen) e tyre.
DY FOTOGRAFI TË ESAT PASHËS TË NJË DISTANCE KOHORE NJËVJEÇARE (E PREMTE, 22 MAJ 1914, BALLINË)
Esat Pasha, i cili u arrestua me urdhër të mbretit të Shqipërisë, ka luajtur një rol kryesor në rrjedhën e luftës në Ballkan. Ne botojmë këtu dy fotografi të tijat, të shkrepura gjatë një distance kohore njëvjeçare : njëra e paraqet pas marrjes së Shkodrës, ku ai ishte një mbrojtës i madh ; tjetra ndërsa ai shoqëron Princ Vidin gjatë hyrjes së tij në Durrës.
MBROJTJA E DURRËSIT – PRINC VIDI DHE TRUPAT E TIJ (E MËRKURË, 17 QERSHOR 1914, F. 8)
Ne e dimë se çfarë ngjarjesh të rënda po ndodhin sot në Shqipëri. Durrësi është i rrethuar nga rebelët myslimanë. Princ Vidi ka, për tu mbrojtur në kryeqytetin e tij, kontigjentin e marinarëve austriakë dhe italianë, i përbërë nga trupat malësore dhe mirditore.
LUFTA MIDIS PRINC VIDIT DHE KRYENGRITËSVE RRETH DURRËSIT (E MARTË, 23 QERSHOR 1914, F. 5)
Durrësi, teatër i luftërave historike, ofron në këtë moment aspektin e një qyteti të rrethuar. Princ Vidi, në mes të trupave besnike, ende u bën ballë kryengritësve myslimanë, të cilët dëshirojnë ta detyrojnë atë të heqë dorë nga froni. Luftimet të përgjakshme, për të cilat kemi raportuar, janë zhvilluar në të gjithë qytetin.
DURRËSI, GJATË RRETHIMIT – VARROSJA E VIKTIMAVE (E MARTË, 30 QERSHOR 1914, F. 5)
Durrësi, gjatë këtyre ditëve të fundit të rrethimit, ofroi një spektakël të vajtueshëm. Rrugët ishin plot të plagosur, dhe, fare thjeshtë, u varrosën viktimat e luftimeve të fundit. Ne e dimë se situata e Princ Vidit është bërë shumë kritike dhe se Bib Doda, princi i Mirditës, është mbështetja e tij e vetme në vend.
SHQIPTARËT FURNIZOHEN ME MUNICIONE (E DIELË, 12 KORRIK, 1914, F. 5)
Shqiptarët që kanë mbetur mbrojtës të fronit të prirur nga Princ Vidi u lejuan kohët e fundit të furnizoheshin me municione. Ne i shohim ata të furnizohen, gjë e cila u ka lejuar atyre të rezistojnë deri tani dhe falë furnizimit, Durrësi nuk ka kapitulluar.
NË SHQIPËRI. AI U LARGUA ! U LARGUA ME SIGURI ! (E PREMTE, 4 SHTATOR 1914, F. 7)
Durrës, 3 Shtator. Princ Vidi u largua në orën tetë të mëngjesit në bordin e anijes italiane Misurata, në drejtim të Venecias.
Flamuri kuq e zi valvitet në pallatin e qeverisë në Vlorë, ndërsa flamuri turk valvitet në kazermat e xhandarmëve, ku ndodhen kryengritësit.
Udhëheqësi i kryengritësve u dha konsullatave garanci në lidhje me rendin publik.