Avokatët dhe organizatat jofitimprurëse, të cilat po punojnë për ribashkimin e familjeve që janë ndarë në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës nga administrata e presidentit Trump, ende nuk kanë arritur t’i gjejnë prindërit e 545 fëmijëve.
Një gjykatës federal kishte dhënë urdhër që mijëra familje të ndahen në kufi në vitet 2017 dhe 2018, por që më pas kishin të drejtë të bashkoheshin si rezultat i ankesës ligjore të paraqitur nga Unioni Amerikan për të Drejta Civile.
Në një dokument të gjykatës, të publikuar këtë javë, thuhet se disa prindërve që janë dëbuar pa fëmijët e tyre nuk u është gjetur lokacioni, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Aty thyhet se kërkimet për vendndodhjen e prindërve të dëbuar në vendet e prejardhjes, shumë prej të cilëve janë nga Amerika Qendrore, janë ndërlikuar nga përhapja e pandemisë.
Në maj të vitit 2018, presidenti amerikan e filloi zbatimin e një politike kundërthënëse të tolerancës zero ndaj familjeve që kapen duke e kaluar ilegalisht kufirin me Meksikën, me ç’rast fëmijët ndaheshin nga prindërit. Pas reagimeve të shumta ndërkombëtare, Trumpi e kishte ndërprerë këtë praktikë vetëm disa muaj pas fillimit të zbatimit.
Autoritetet kishin formuar një komision për gjetjen e anëtarëve të familjeve të fëmijëve, por deri më 20 tetor, ende nuk ka kontakte me prindërit e 545 fëmijëve, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Qarkut në San Diego.
Brian Morgenstern, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, pretendoi se disa familje nuk kanë dashur t’i pranojnë fëmijët, pa e përmendur vlerësimin e gjykatës se nuk është vendosur kontakti me qindra prindër. “I kemi kontaktuar këto familje dhe e vërteta pikëlluese është se shumë prej tyre kanë refuzuar t’i marrin fëmijët”, tha ai.
Kandidati demokrat për president të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se ky lajm është mjerim.
Shumica e fëmijëve të ndarë nga prindërit në kufi janë liruar nga qendrat qeveritare të ndalimit dhe u janë dorëzuar personave vullnetarë që kanë dashur t’i strehojnë, në mesin e të cilëve ka të afërm që jetojnë në Shtetet e Bashkuara. / KultPlus.com