Asokohe, Prishtina ishte adalet qyteti për mua, sepse kishte jo më pak së dy lumenj: Vellushën e Prishtevkën, – do ti kem dëgjuar kujtimet e shkrimtarit prishtinas Qamil Batallo, sa herë që po bisedohej për qytetin e fëmijërisë sonë.
– Do të më thonë, e pamundshme, vazhdonte shkrimtari, sepse Prishtina gjithmonë është zënë pisk për ujë! T`ju them, pra, atë që di mosha ime dhe atë që e kanë dëgjuar veshët e mi: Vellusha që rridhte për midis qytetit, kalonte te hapësira ndërmjet Teatrit Popullor (Kombëtar sot), dhe objektit të Unionit, nuk a qenë përrua, sepse në ujët e saj kanë notuar plot rosa e rosakë, pata e patokë. Këta shpendë, siç thuhet, kishin mundësi të zhyteshin e të mbyteshin në thellësitë e ujit, duke kërkuar ushqimin e tyre. Dimrit, ndërkaq, ndodhte të ngrinte i tëri dhe mbi akullin më se 25 centimetra të trashë, rrëshqisnin djelmoshat e qytetit me saja e me syngji. Vellusha, pra, gjallëronte gjatë tërë vitit.
– Ajo shpesh vërshonte pjesën më të madhe të qytetit, bile ku kalonte nën dyqanet e zejtarëve, që ndodheshin karshi teatrit, ndodhte ti “tundte” ato. Pëshpëritej, madje, një gojëdhënë e trishtueshme, se Vellusha ishte një lum i mallkuar, që për çdo 32 vjet përmbyste dhe rrëmbente çdo gjë që gjente para vetes. Mu për këtë, prishtinasit janë kujdesur që në të dy anët e Vellushës të ketë plepa. Gojëdhëna thotë se mbi ata trupa plepash të lartë kanë shpëtuar jetën shumë qytetarë, kur Vellusha kishte gufuar e ishte çmendur fare. Dirsa në anën tjetër të qytetit (prapa Tregut të Gjelbër, sot) ka rrjedha prajshëm lumi Prishtevka. Me këta dy lumenj janë ujitur kopshtet e qytetit, që kanë paraqitur pasurinë më të madhe ekonomike të këtij vendi” rrëfente me mall për të kaluarën shkrimtari Qamil Batalli.
Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime