Ansambli i tunxhit Prishtina Brass do të organizoj koncert gjatë ditës së nesërme në komunën e Vitisë. Në këtë koncert, Prishtina Brass ka përzgjedhur një program atraktiv i cili përmbanë vepra shqipe dhe botërore për ansambël tunxhi, shkruan KultPlus.
Këtë e ka bërë të ditur Avni Krasniqi i ciki në një intervistë për KultPlus ka thënë se koncerti do të organizohet në bashkëpunim me Komunën e Vitisë. Gjithashtu ai ka shtuar se Prishtina Bass do të mbajë koncerte edhe në Prishtinë dhe në Klinë.
“Koncerti organizohet në bashkëpunim me komunën e Vitisë duke respektuar gjitha masat në raport me situatën që gjendemi. Koncertet e radhës të Prishtina Brass janë: me 2 nëntor nga ora 12:00 – Sheshi Nëna Terezë, Prishtinë dhe 3 nëntor nga ora 14:00 – Pallati i Kulturës – Klinë”, ka deklaruar Krasniqi
Koncertet mundësohen me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.
Prishtina Brass është kuintet tunxhi i cili përbëhet nga instrumentistë profesionistë të cilët janë gjenerata e parë e tunxhit në Kosovë.
Të gjithë instrumentistët e ansamblit janë pjesë e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa ansambli si i tillë funksionon edhe në kuadër të FSK-së (Forcës së Sigurisë së Kosovës) dhe është mjaft aktiv nëpër ceremoni të ndryshme ushtarake.
Prishtina Brass ka një repertor mjaft të gjerë. Stili muzikor i Prishtina Brass është një kombinim i periudhave te ndryshme muzikore duke mos përjashtuar edhe veprat dhe këngët e ndryshme te ditëve të sotme.
Ansambli rëndësi të veçantë i kushton sidomos muzikës shqipe, duke mos përjashtuar edhe muzikën jazz. Prishtina Brass njihet si promotor i muzikës në hapësira publike. Për disa vite ka realizuar një numër të konsiderueshëm të koncerteve nëpër sheshet e qyteteve të ndryshme të Kosovës.
Ansambli që nga themelimi është mjaft aktiv si me koncerte, ashtu edhe me prezantime të ndryshme. Që nga viti 2012 kur ka filluar së funksionari, ka realizuar një numër të konsiderueshëm koncertesh dhe prezantimesh të ndryshme në Kosovë dhe jashtë sajë. Ka realizuar për 6 vite radhazi turne koncertesh në shumicën e qyteteve të Kosovës si dhe në Tetovë, Gostivar, Ulqin, Tiranë, Bujanoc etj.
Është prezantuar në festivale të ndryshme të cilat janë bartëse të kultivimit dhe zhvillimit të muzikës serioze në Kosovë dhe Shqipëri si: Kamer Fest, International Albanian Brass Festival, Netët e Prishtinës, Festivali HAPU, Kosova Brass Festival.
Ansambli është kuintet standard, mirëpo varësisht nga programi që luan, bashkëpunon dhe me instrumentistë tjerë si të tunxhit, perkusioneve dhe solo këngëtarë./ KultPlus.com