Ekspozitë në gjurmimin e rrënjëve të Prishtinës, qytetarët japin kontributin e tyre në memorizimin e pjesëve të vjetra të qytetit

Një Prishtinë me shumë gjelbërim, më pak ndërtesa e njerëz që tregojnë jetën në një kohë ndryshe, u shfaq sot në ekspozitën “Gjurmimi i rrënjëve të Prishtinës” e cila u hap në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky qytet me një histori  e kulturë të vjetër, u prezantua përmes disa fotografive bardh e zi që kishin zënë vend në një hapësirë poashtu të vjetër të kryeqytetit.

Fotografitë tregonin për kohë të ndryshme të këtij qyteti, rrugë që sot as nuk mund të gjinden, ndërtesa të cilat nuk ekzistojnë dhe kanë mbetur vetëm në kujtesën kolektive të banorëve të vjetër të këtij vendi, për të vazhduar me jetën e njerëzve të këtij qyteti në kohën e Jugosllavisë, me banorët që shkojnë në treg, në shkollë, në punë, dhe në aktivitete të tjera sociale.

Kjo ekspozitë zbërthyese erdhi në kuadër të hartimit të projektit për Menaxhimin e Qendrës Historike të Prishtinës, por gjithashtu ishte edhe një gjetje e duhur për takim me qytetarët me synim identifikimin e shënjuesve të rëndësishëm në qytet.

Për këtë ekspozitë e cila erdhi si bashkëpunim në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe UN-Habitatit, për KultPlus foli edhe menaxherja e projektit të UN-Habitat, Zana Sokoli e cila u shpreh se kjo ekspozitë në mënyrë kronologjike e shpjegon zhvillimin e qytetit, mënyrën se si njerëzit kanë jetuar dhe ndërvepruar si dhe shpërndarjen hapësinore të lagjeve, fotografi të një Prishtine shumë ndryshe nga kjo ekzistuese.

“Ne si UN-Habitat që prej vitit të kaluar kemi filluar me një program bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe që është një program për integrimin e trashëgimisë kulturore në procese të planifikimit. Njëri ndër projektet kryesore të këtij bashkëpunimi është edhe studimi i fizibilitetit dhe plani i menaxhimit të Qendrës Historike të Prishtinës. Kjo ekspozitë dhe ky takim me qytetarë është në kuadër, dhe do t’i shërbejë këtij hulumtimi që ne po bëjmë drejt rrugës për të përcaktuar mekanizma mjete për të mbrojtur, por më e rëndësishmja për të zhvilluar atë që do të përcaktohet si Qendra Historike dhe qendra e saj mbrojtëse e Prishtinës”, ka thënë Zana Sokoli.

Menaxherja e këtij projekti tutje ka thënë se sot gjatë gjithë ditës do të presin qytetarë të cilët me bisedat dhe diskutimet e tyre për këto fotografi do të kontribuojnë për të hartëzuar memorien e tyre dhe aspekte të rëndësishme, si shënjues që ka qyteti i Prishtinës e për të cilat nuk ka shumë informacion. Këto të dhëna do të jenë pjesë e hulumtimit dhe do të ndikojnë për të qenë sa më real kur të përcaktohet se cila është pjesa e vjetër e qytetit, si ka qenë, si është dhe si do të zhvillohet edhe më tej.

Ndërsa Merita Augustini-Nrecaj, zëvendësdrejtoreshë e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, ka thënë se ekspozita e sotme është bërë më së shumti për qytetarët e kësaj zone në mënyrë që të vijnë, të shoqërohen, të diskutojnë, si dhe të japin komente të cilat pastaj grupi i UN-Habitatit, Ministrisë së Kulturës dhe Komunës do t’i përfshijnë gjatë procesit të planit të fizibilitetit për Qendrën Historike të Prishtinës.

“Ekspozita është përgatitur prej UN-Habitatit, por procesi i hartimit të planit të fizibilitetit ka filluar në vitin e kaluar me mbështetje financiare të Ministrisë së Kulturës edhe është në proces e sipër. Pas planit të fizibilitetit do të punohet për planin e menaxhimit dhe të konservimit të Qendrës Historike edhe përcaktimit të kufijve definitiv të perimetrit dhe zonës së saj mbrojtëse”, ka thënë Augustini-Nrecaj.

Augustini-Nrecaj tutje i fton qytetarët që të shkojnë në ekspozitë dhe të japin kontributin e tyre në memorizimin e pjesëve të vjetra të qytetit.

“Janë disa foto të cilat ne nuk i kemi parë më herët dhe po na bëjnë përshtypje se ku mund t’i gjejmë në hartë sepse pamja e Prishtinës edhe ka ndryshuar me vite. I ftoj qytetarët që të vijnë ta vizitojnë sa më shumë dhe të japin kontributin e tyre edhe memorien e tyre ta ndajnë bashkë me ne për Prishtinën e vjetër”, ka përfunduar Ndrecaj.

Ekspozita do të qëndroj e hapur deri në ora 17:00, në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës, në Prishtinë. / Vjollca Duraku / KultPlus.com

Sa lagje e sa shtëpi kishte Prishtina para 545 vitesh, sipas një dokumenti Osman

Sipas një dokumenti Osman, Prishtina në vitin 1477 kishte 9 lagje dhe 351 shtëpi, përcjell KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur asistenti i Universitetit të Prishtinës, Durim Abdullahu, i cili ka publikuar këtë dokument të regjistrit së popullsisë para 545 vitesh.

KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:

9 lagjet e Prishtinës më 1477

Në bazë të një defteri osman (regjistër i popullsisë) të vitit 1477, Prishtina kishte rreth 351 shtëpi, të grumbulluara në gjithsej 9 lagje, pesë më të mëdha dhe katër më të vogla.

Defteri në fjalë (i vitit 1477) sikur edhe shumë defterë të tjerë osmanë, janë botuar dhe ribotuar shumë herë nga historianë dhe veçanërisht osmanologë të cilët kanë shkruar artikuj mbi ta. Andaj për ne historianët, ky defter është i mirënjohur.

Defteri (1477) është transkribuar dhe lexuar nga Kemal Aruçi, arkivist i Arkivit Shtetëror të Shkupit.

Defteri (1477) është transkribuar dhe lexuar po ashtu nga osmanologu i shkëlqyer Selami Pulaha, punonjës shkencor në Instituin e Historisë në Tiranë. Pulaha e ka botuar këtë defter në veprën e tij “Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV-XVI: (Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 1984).

Defteri (1477) është studiuar nga osmanologu boshnjak Adem Handzic në punimin e tij të vitit 1968: “Nekoliko vijesti o Arbanasima na Kosovu i Metohije sredinom XV”.

Defteri (1477) është studiuar imtësisht nga historiani Muhamet Tërrnava në punimin e tij “Popullsia e Prishtinës në gjysmën e dytë të shekullit të XVI në bazë të dhënave antroponomike të një defteri turk”, në Studime për Mesjetën, (Pejë: Dukagjini, 2000).

Defteri (1477) është subjekt edhe në librin e Muhamet Tërrnavës, Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV – XVI, (Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës, 1995).

Defteri (1477) është tematizuar nga Muhamet Tërnava edhe në librin e tij Qytetet e Kosovës gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVI, (Prishtinë: Koha, 2007).

Defteri (1477) është studiuar edhe nga historiani Iljaz Rexha në librin Vendbanimet dhe popullsia albane e Kosovës (sipas defterëve osmanë të shekullit XV), (Prishtinë: Instiuti i Historisë, 2016).

Defteri (1477) është stiduar edhe nga historiani turk Rahman Sahin në punimin

PRİŞTİNE ŞEHRİ MAHALLELERİ (1477-1569)”, ka shkruar Abdullahu në postimin e tij në Facebook.

Lagjet kishin emrat si: Mitropolit e cila kishte 48 shtëpi, Kaqanoviq me 64 shtëpi, Pojasar me 55 shtëpi, Shtitar me 30 shtëpi, Vërlaçka me 56 shtëpi, Kosiriq me 25 shtëpi, Llukar me 28 shtëpi dhe Llatinar me 5 shtëpi. / KultPlus.com

Prishtina e vjetër, këto ishin ‘4 Llullat’ që shuanin etjen e qytetit (VIDEO)

Tani zonë zejtare, 4 Llullat është edhe pika që lidhet me katër anë kyçe të qytetit. Në këtë zonë nuk mungojnë as edhe xhamitë, dhe njëra prej tyre e ka marrë emrin pikërisht nga kjo zonë.

Por a e keni menduar se nga i ka ardhur ky emërim?

Sic tregohet brez pas brezi, në këtë pjesë të qytetit dikur ishte një krua që kishte 4 çezme, në formë të llullave. Ato shërbenin për tu furnizuar me ujë për pije, por jo vetëm. Aty shuanin etjen edhe kafshët që dikur shërbenin për të bërë tregti.

Kjo video e sjellur kohë më parë nga Radio Televizionit te Kosoves e tregon Prishtinën e dikurshme, atë me lum… / KultPlus.com

Prishtina e vjetër, këto ishin ‘4 Llullat’ që shuanin etjen e qytetit (VIDEO)

Tani zonë zejtare, 4 Llullat është edhe pika që lidhet me katër anë kyçe të qytetit. Në këtë zonë nuk mungojnë as edhe xhamitë, dhe njëra prej tyre e ka marrë emrin pikërisht nga kjo zonë.

Por a e keni menduar se nga i ka ardhur ky emërim?

Sic tregohet brez pas brezi, në këtë pjesë të qytetit dikur ishte një krua që kishte 4 çezme, në formë të llullave. Ato shërbenin për tu furnizuar me ujë për pije, por jo vetëm. Aty shuanin etjen edhe kafshët që dikur shërbenin për të bërë tregti.

Kjo video e sjellur nga Radio Televizionit te Kosoves e tregon Prishtinën e dikurshme, atë me lum… / KultPlus.com

https://www.facebook.com/rtklivecom/videos/10155952481408859/

Objekti i vetëm në Prishtinë që ka mbijetuar që nga shekulli XIX (FOTO)

Në një fanpage në Facebook është publikuar një fotografi e vjetër e rrugës ‘Tringë Smajli’ në Prishtinë, ku shihet se si ka qenë më parë kjo rrugë dhe si është sot.

Rruga ‘Tringë Smajli’ është njëra ndër rrugët më të frekuentuara dhe më të njohura në Prishtinë. Kjo pasi në këtë rrugë ka biznese, hotele luksoze dhe bare të njohura.

Në një fanepage të Facebook’ut të quajtur ‘Dreni për Prishtinë’, janë publikuar dy fotografi të rrugës ‘Tringë Smajli’.

Fotografi bardhë e zi është fotografi shumë e vjetër e kësaj rruge, ku shihet se si ka qenë më parë. / KultPlus.com

Kjo ishte pishina e Prishtinës para 50-të viteve

Prishtina përgjatë viteve ka ndryshuar shumë, kur shohim fotografitë e vjetra të saj, ndonjëherë mezi e njohim qytetin, shkruan KultPlus.

Pjesë e këtyre ndryshimeve është edhe Pishina e Qytetit mbrapa hotel Grandit, vendi ku sot ndodhet monumenti ”Heroinat”.

Ishte kjo Pishina e Qytetit, vendi ku ka qenë shumë i frekuentuar nga të rinjtë, duke qenë kështu hapsira kryesore e argëtimit.

Faqja ”Prishtina e Vjetër”, në Facebook, ka publikuar një fotografi të kësaj pishine, e cila thuhet të jetë bërë në vitet e 70-ta. /KultPlus.com

Fotografi të rralla me ngjyra të Prizrenit dhe Prishtinës nga viti 1913

Disa fotografi të rralla me ngjyra të Prishtinës dhe Prizrenit të vitit 1913 janë publikuar në një faqe në Facebook, si pjesë të koleksionit “Shqipëria me ngjyra”.

Faqja “Fotografitë që kanë bërë historinë” ka përditësuar koleksionin e Albert Kahnit që përbëhet me 50 fotografi të qyteteve shqiptare një vit pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Në vitin 1909 bankieri milioner francez dhe filantropisti Albert Kahn ndërmori një projekt ambicioz për të krijuar një koleksion fotografik të popujve, dhe për popujt, e botës. Si idealist dhe internacionalist, Kahn besonte se mund të përdorte procesin e ri të autokromit, sistemi i parë fotografik në botë me përdorim të thjeshtëzuar dhe në ‘true-colur’, për të promuovuar paqen, shkëmbimin kulturor dhe mirëkuptimin ndërmjet popujve”, thuhet në përshkrimin e albumit të fotografive.


“Kahn përdori pasurinë e tij të madhe për të dërguar një grup fotografësh në më shumë se pesëdhjetë vende përreth botës, ndër të cilat edhe Shqipëria, vende të gjendura në një moment kritik të historisë së tyre, ku kulturat shekullore ishin në kohë transformimesh të mëdha e të pakthyeshme nga lufta dhe nga marshimi i globalizimit të shekullit të njëzetë. Ata dokumentuan në “true colour” shembjen e Perandorise Austro-Hungareze dhe asaj Otomane apo ushtarët e Luftës së Parë Botërore në transhe, ndërsa gatuanin apo lanin uniformat prapa vijës së luftës.Misioni i parë i Arkivave të Planetit i planifikuar nga profesori Zhan Bryn (Jean Brunhes, 1869-1930) ishte për në Ballkan”, thuhet në përshkrim.

Rrugëtimi i saktë i misionit nuk është plotësisht i qartë, mirëpo dimë se Zhan Bryn dhe Ogyst Leon ndodheshin në Bosnje menjëherë para shpërthimit të Luftës së Parë Ballkanike në fillim të tetorit 1912 dhe fotografuan Banja Llukën, Jajcën, Mostarin dhe Sarajevën.

“Udhëtimi i tyre në Kosovë u krye në maj të vitit 1913 ku u bënë autokroma në Prishtinë, Graçanicë, Lipjan dhe Prizren. Prej Kosovës ekipi vazhdoi rrugën nga Shkupi për në Selanik, ku Leoni bëri gjashtëdhjetënëntë fotografi me ngjyra të qytetit, dhe prej Selanikut ata udhëtuan për në Bursë në Azinë e Vogël. Misioni në Shqipëri u zhvillua në vjeshtë të atij viti. Bryn dhe Leon erdhën prej Malit të Zi në Durrës më 16 tetor 1913 apo rreth kësaj date”, shkruan koha.net.

“Kjo, të paktën, është data e autokromave të para aty. Nga Durrësi kaluan lumin Erzen, të mbrojtur nga Esad Pashë Toptani (1864-1920) dhe arritën në Tiranë ku qëndruan dy ditë. Nga Tirana, u kthyen në Durrës dhe sigurisht me një anije vazhduan rrugën për në Tivar në Malin e Zi për të përfunduar në Shkodër më 21 tetor 1913. Shkodra, fortesa e fundit e Osmanllinjve në Ballkan, kishte rënë në duart e forcave malazeze më 22 prill 1913 dhe gjatë luftimeve një pjesë e madhe e qytetit të vjetër u shkatërrua. Më 22 tetor 1913, ekipi vazhdoi rrugën drejt veriut për në Rijekë dhe Cetinje, kryeqytetin e vjetër të Malit të Zi. Autokromat e mahnitshme të koleksionit Kan – 97 fotografi të hershme me ngjyra të Shqipërisë dhe 94 fotografi të Kosovës nga të cilat kemi bërë një përzgjedhje e cila paraqitet këtu për herë të parë – janë unikale në historinë e fotografisë shqiptare dhe ballkanike. Ato shkëlqejnë si xhevahirë të paçmueshëm në ëndrrën shumëngjyrëshe të Alber Kanit, në Arkivat e Planetit”, thuhet në përshkrimin e këtyre fotografive.