Për herë të parë me kompozime origjinale, “Prishtina Jazz Festival” rrëqeth audiencën e kryeqytetit

Era Berisha

“Prishtina Jazz Festival”, festivali më i madh i xhazit në vendin tonë mbrëmë ka shpalosë natën e parë për këtë edicion të ri. Kjo ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe muzikën në Kosovë ka përhapur mbrëmë një atmosferë të veçantë në kryeqytet dhe padyshim ka qenë një përvojë e paharrueshme për të gjithë ata që patën rastin t’i përjetojnë tingujt e meloditë e larmishme që përqafuan imtësitë e shpirtit të gjithsecilit, shkruan KultPlus.

Gjithsej pesëmbëdhjetë muzikantë kanë shkelur skenën në Teatrin Oda, për të shfaq një program të bukur me plot nëntë vepra që rrëshqitshin ëmbëlsisht një nga një në koncertin e dhënë për gati dy orë të plota. Diversiteti i instrumenteve ka qenë diçka fenomenale, e që ka dalë përtej të imagjinueshmes. Nga momenti në moment, gjithçka ndryshonte dhe të rrëmbente pa pikë mëshire, për të t’dhënë diçka që jo lehtë harrohet nga zemra e njeriut. Interpretuesit në anën tjetër, jepnin gjithçka nga vetja, dhe kjo dallohej sa herë që ata mbyllnin sytë dhe dukeshin sikur muzika po ia pushtonte qenien e tyre. Në disa momente, ata edhe ndërlidheshin nëpërmjet tingujve dhe i buzëqeshnin njëri-tjetrit, asisoj që të krijonte një përshtypje se muzika është ajo fija e mëndafshit që po i ndërlidhte pasionet e tyre në një shpërthim ritmik, sharmant e tejet unik.

Fillimisht, para se gjithçka të gjente fillin, në skenë doli aktori i njohur Alban Ukaj, i cili tha se festivali më i dashur për të, përherë do të mbetet “Prishtina Jazz Festival”.

“Jam një ndër ata aktorët që ka pasur gjithmonë ëndërr të bëhet muzicient, por se kam arrirë dhe jam bërë aktor. Dëshira ime e kamotshme ka qenë që ta bëj hapjen e festivalit të xhazit në Prishtinë dhe Xhaferi ma plotësoi atë. Unë gëzohem pa masë që ky festival e ka një vazhdimësi të vetin dhe gëzohem që festivalin po e organizon Armendi, me të cilin njihemi shumë gjatë. Herën e parë që kam shkuar në Sarajevë, ka qenë pikërisht me të dhe më kujtohet që rruga ka qenë shumë e gjatë, por ai flinte gjithmonë shumë. Ai më thoshte se pavarësisht nervozes, gjithmonë vjen koha për të fjetur. Ashtu është edhe muzika e xhazit. Duhesh me qenë i gjerë në mendime, me e dashtë atë në aspektin shpirtëror, për të bërë diçka të tillë. Unë e kam pasur fatin që shumicën e kohës të shoqërohesha më shumë me muzicientë e me pak me aktorë. Kur në Sarajevë nëpërmjet intervistave më pyesin se cili është festivali më i dashur, gjithmonë i them që është Prishtina Jazz Festival”, thotë ai.

Po ashtu, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se “Prishtina Jazz Festival” ka ndikuar në aftësimin shpirtëror dhe komunikim social, andaj dhe ngjarjet e tilla do të kenë përherë mbështetje nga Republika e Kosovës.

“Është nder për mua që sonte ndodhem këtu bashkë me ju dhe ta vazhdojmë traditën e zhanrit më demokratik në muzikë, në Kosovë, me këtë festival. Ky festival sjell një gjallëri dhe cilësi të shprehjes muzikore për pesë ditë të mbushura me performime dhe aktivitete. Xhazi ka lind në New Orleans dhe atje është zhvilluar përtej kufijve amerikanë duke iu falënderuar pionierit si Louis Armstrong, që ka sjellë një frymë të re. Meqenëse zgjerohesh përtej atje ku lind, nuk mbetesh i njëjti më asnjëherë. Në vitet e 60-ta, figura të ndryshme kanë përdorur xhazin për të drejtat civile për paqe në shtet. Në vitet e 70-ta e 80-ta, është dhënë një kontribut nga artistë të ndryshëm ku xhazin e kanë kthyer në simbol global të kualitetit artistik”, thotë ai.

Sipas tij, edhe në Kosovë, në vitet e 60-ta, elementet e xhazit janë interpretuar nga artistë si Abdurrahman Shala dhe këngëtarë të tjerë të njohur. Ai ka thënë se ky zhanër ka filluar të rritet dukshëm, duke iu falënderuar pionierëve si Sheki Hoxha dhe artistëve nga gjenerata e parë, ndërkaq intensiteti i xhazit në Kosovë është shumë zhvilluar pas luftës, veçanërisht në dekadën e parë me kontributin e “Prishtina Jazz Festival “që tashmë është bërë një vlerë identifikuese e muzikës në vend.

“Në këto edicione të këtij festivali, duhet të theksojmë se improvizimi xhaz na mëson të provojmë të jemi të rehatshëm në mos-rehati sepse rehatia na largon prej dëgjimit. Pjesëmarrja e orkestrës në ditën e parë të festivalit është një dëshmi e rëndësisë së xhazit për kulturën tonë. Ky festival ka ndikuar në aftësimin shpirtëror dhe komunikim social dhe ngjarjet e tilla do të kenë përherë mbështetje nga Republika e Kosovës. Ftoj që qytetarët që për këto ditë të vijnë në këtë festival dhe të takojnë artistë nga Kosova dhe të huaj e të marrin pjesë në punëtoritë e festivalit. Urimet më të përzemërta për organizatorët e festivalit që mundësojnë bashkimin nëpërmjet muzikës”, përfundon Kurti.

Tutje, pas disa falënderimeve ndaj të pranishmëve dhe artistëve pjesëmarrës e po ashtu edhe shakave të cilat janë të njohura nga kitaristi dhe drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Armend Xhaferi, nisi koncerti fiks në orën 20:35.

Terri mbuloi vendin për disa sekonda, më pastaj reflektorët në ngjyrë vjollcë ishin ato që shoqëruan të pranishmit brenda hapësirës gjatë gjithë koncertit. Të vendosura në vende të përshtatshme pos njërës në qendër, ato ndihmuan që ne të shihnim nga afër gishtërinjtë që lëviznin si krahë të fluturës, frymëmarrjet e shumta, lëvizjet e kokave që ndjenin emocion e shumëçka tjetër.

“Albinox” (swing) dhe “Lanugo” për violinë me kompozim nga Visar Kuçi, “As Indikalastros”, “Ni sendviq t’shpise” për xhaz orkestër kompozuar nga Librun Jupolli, “Mantija” kompozuar nga Taulant Mehmeti, “Nji Lule”, “Winds of Suxhuk”, “Sharllabuzllat” e “Çaji rus”, ishin veprat që u shpalosën e që arritën të krijojnë tinguj që u duartrokitën vazhdimisht në publik, me ç’rast atmosfera sa vinte dhe bëhej akoma më e ngrohtë, më e gjallëruar dhe krejt madhështore.

Veprat vinin në një kontrast të dukshëm me njëra-tjetrën, por ato njëra pas tjetrës vazhdonin të tejkalonin perfeksionin e dhuruar. Pothuajse të gjitha veprave iu bashkëngjitej instrumenti i parë elektrik në botë, teremin, e që kontrollohej nga kompozitori Librun Jupolli, i cili kishte një fokus të vazhdueshëm ndaj qasjes që e dhuronte dhe kjo e bënte koncertin akoma më të mrekullueshëm. Më pastaj, fronin e merrte vazhdimisht instrumenti i violinës që luhej nga violinisti Visar Kuçi, i cili me një qetësi të paparë dhuronte spektakël mahnitës. Është evidente se violina për të është hyjni në të cilën ai beson plotësisht. Tutje, kitarat elektronike në krye me Armend Xhaferin e Taulant Mehmetin, po elektrizoheshin nga çasti në çast dhe kjo pasonte nga dashuria e dëlirë që ata kanë për muzikën. Sytë e tyre shndritnin vazhdimisht teksa muzika përçonte emocione të llojllojshme.

Përgjatë gjithë koncertit, instrumentistët thuajse ia pasonin “topin” secilit me radhë. Në secilën vepër, mbi secilin instrumentist vihej një “dritë” që i bënte ata fokusin kryesor përgjatë disa minutave.

Armend Xhaferi, Raynald Colom, Daniel Nosig, Dukagjin Muhaxheri, Jure Pukl, John Cushing, Philip Yaeger, Visar Kuçi, Ilir Bajri, Librun Jupolli, Taulant Mehmeti, Driton Bejta, Enver Maxhuni, Nesim Maxhuni, Enes Beu dhe Sam Levin, mbështollën natën e mbrëmshme si një strofull lirike ku secila notë të bënte të çmendeshe por edhe të qonte në “qiellin e shtatë”. Boritë e instrumentistëve lëshoheshin këndshëm në atmosferë duke krijuar shpërthime e kthesa të vazhdueshme me ç’rast rrahjet e zemrave sa vinin e shtoheshin. Çdo notë e saksofonit, sintit, trumbetës, baterive të hynte në brendësi dhe krijonte shtëpinë e vetë.

Nën fishkëllima, brohoritje të kohëpaskohshme dhe duartrokitje të shumta, përfundoi koncerti i parë i “Prishtina Jazz Festival”, e që do të vazhdojë deri më 18 nëntor.

Ndërkaq, për të treguar më shumë rreth emocioneve pas një koncerti të tillë, për KultPlus foli drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Armend Xhaferi.

“Koncerti erdhi nën një kombinim të muzikantëve të Prishtinës dhe muzikantëve të huaj xhaz. Koncerti ka qenë një ide e jona për të krijuar një ansambël me veprat tona. Kësaj here vendosëm që kompozimet tona të jenë pjesë e këtij viti brenda orkestrës dhe ne kemi kontaktuar të gjithë shoqërinë tonë për këtë festival. Ka qenë një xhaz i kombinuar me folklorin tonë në një farë mënyre, pra kemi prezantuar atë se çfarë ne e kemi dëgjuar si fëmijë. Kryesisht, veprat tona janë ndryshe nga to, por ka elemente ngjashmërie. Këto vepra kanë fjetur shumë mirë në konceptin e bendit dhe në repertor. Është hera e parë që e kemi bërë këtë dhe po shpresoj që nuk është hera e fundit. Veprat vijnë të kompozuara nga unë, Taulant Mehmeti, Librun Jupolli dhe Visar Kuçi”, thotë ai.

Sipas tij, ka pasur akoma shumë vepra të tjera të kompozitorëve të tjerë që ishin dashur të luhen, mirëpo tani drejtimi i festivalit parashihet të eci në këtë frymë për të prezantuar muzikën shqiptare.

Po ashtu, violinisti Visar Kuçi për KultPlus ka shprehur emocionet e tij lidhur me paraqitjen e dy kompozimeve të tij.

“Në një farë mënyre më shumë përdoret violina elektrike në muzikën xhaz në këso lloj formacioni. Unë personalisht nuk luaj shumë shpesh në violinë në këto lloj projekte përveç nëse është diçka shumë e veçantë si sonte kur orkestra dhe të gjithë muzikantët i përkasin një niveli të jashtëzakonshëm, andaj edhe ka qenë shumë e përshtatshme me e përdorë violinën sonte. Mendoj që violina i ka dhënë një ngjyrë të veçantë komplet programit, momente-momente. Kur muzikantët i ke të mirë përreth atëherë krijohet një platformë ku edhe ti vetë personalisht shkëlqen, prandaj ishin edhe disa momente shumë të bukura gjatë koncertit. Komplet programi ka qenë me muzikë origjinale, ku dy nga to ishin kompozime të mia. Njëra ka qenë me ritme tradicionale shqiptare/ballkanike, dhe në një moment e kam cituar edhe një temë të njohur popullore, ndërsa tjetra ka qenë e vetmja vepër që erdhi si pardoi e xhazit swing”, thotë Kuçi.

Kujtojmë që nesër (16 nëntor), vjen koncerti i radhës me Erkand Morinën, Xavier Nikçin, Hugo Rehman Langemarnin duke filluar nga ora 20:00, pastaj pason bendi i Raynald Colomit duke filluar nga ora 21:30./ KultPlus.com