MSH-ja përmes një njoftimi për media, thotë se nga 94 mostra të testuara sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK, për SARS-Cov-2, 20 prej tyre kanë rezultuar pozitive në Prishtinë. Rastet e tjera nuk janë sqaruar se ku kanë rezultuar pozitive.
“Pas konfirmimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të 27 rasteve të reja pozitive sot në Kosovë me SARS-Cov-2, prej të cilave 20 në Prishtinë, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nxori vendimin për shpalljen e Prishtinës si zonë karantinë”, thuhet në njoftim.
Me këtë vendim, ndalohen hyrje dhe daljet në komunën e Prishtinës.
Edhe kryetari Shpend Ahmeti ka njoftuar për këtë.
“Ditë jo e mirë për Prishtinën. Nga 25 kontaktet e personit të infektuar ditë më herët, 20 janë testuar pozitiv sot. Lajmi i mirë është që të gjitha janë kontakte të personit të infektuar. Lajmi i keq është se tani duhet të shtojmë masat resktriktive në Prishtinë. Të gjithë personat ishin pa simptome. Pas konsultimeve me Ministrin Vitia, Prishtina prej sonte hyn në karantinë. Hyrje/daljet do të jenë të kontrolluara, si dhe do të kemi masa të shtuara policiore në lagjen Mati 1. Policia nuk do të lejojë grumbullimin e më shumë se dy personave dhe po ashtu do të ketë kontrolla më të mëdha. Tri lokacione, një kompleks banesor dhe dy shtëpi shkojnë në mbikqyrje 24 orëshe nga policia. Ditëve në vijim do të ashpërsohen masat. Me ditë të tëra kemi bërë thirrje për mosrelaksim. Po hyjmë në një fazë kritike. Në qoftë se ndonjëherë në jetë më keni dëgjuar për diçka po ju lus me qëndru në shpi”, ka shkruar ai.
Në njoftimin për media theksohet se obligohen të gjithë qytetarët që të respektojnë masat sipas udhëzimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Këtë vendim, MSh e ndërmerr me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë Covid -19 në Republikën e Kosovës.
“Një vendim të ngjashëm, sot Ministri Vitia për shpalljen zonë karantinë e ka marrë edhe për Komunën e Ferizajt, pasi që banorët e kësaj komune dyshohet se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejt me personin e infektuar me Koronavirusin Covid-19”, thuhet në njoftim.
Për rastet e tjera përveç Prishtinës, IKSHPK-ja thotë se do të njoftojë sonte pas testimit të të gjitha mostrave të sotme.
“Nesër, më datë 12 prill 2020, do të mbahet një konferencë e jashtëzakonshme për media ku do të prezantohen masat e reja rigoroze që do të ndërmerren për ndalimin e përhapjes së mëtejme të Covid-19 në Kosovë”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com