Prishtina është qyteti me më së shumti raste aktive me koronavirus në Kosovë. 1 mijë e 192 persona në kryeqytet po përballen me COVID-19. Që nga fillimi i pandemisë, në Prishtinë janë shënuar 1 mijë e 629 raste.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka shkruar në Facebook se përhapja e shpejtë e virusit dhe numri i rasteve të reja me koronavirus, është shqetësuese.
Gashi ka bërë të ditur se nga 20 marsi, në Prishtinë janë shënuar gjithsej 1629 raste pozitive me koronavirus, nga të cilat 1192 janë ende aktive, 416 persona janë shëruar, ndërkaq 21 kanë vdekur.
“Bazuar në të dhënat e marra nga IKShP dhe raportin e konsoliduar nga Shtabi Emergjent në Prishtinë del se momentalisht, që nga data 20 Mars deri sot kemi 1629 raste me #covid19 prej të cilave 1192 raste janë ende aktive. Kemi 416 raste të shëruara dhe zyrtarisht të konfirmuara 21 raste që kanë përfunduar me fatalitet”, ka shkruar Gashi.
Gashi ka apeluar te qytetarët që t’’i përfillin masat për mbrojtje nga koronavirusi.
“Mbajtja e maskës është një prej tri rregullave kryesore dhe masave mbrojëse për parandalimin e përhapjes së virusit dhe rëndimin e situatës edhe më shumë. Të gjithë e kemi obligim që të ruajmë veten dhe të tjerët rreth nesh e të jemi të ndërgjegjshëm. Vazhdoni t’i mbani maskat, dezinfektoni duart dhe mbani distancë”, ka shkruar Gashi. / KultPlus.com