Platforma PRISHTINA.PHOTOS në bashkëpunim me artistë, dizajnerë dhe fotografë të qytetit, kanë hapur garën e fotografisë PRISHTINA N’FESTË, ku përmes fotografisë qytetarët kanë ndarë momentet nga festat e tyre. Përmes shkrepjeve kanë ndarë momente nga festa në shtëpi, në rrugë, në bare, kafene, punë, familje e natyrë.
Juria profesionale e përbërë nga Nita Deda, Rina Abazi dhe Blerta Basholli, kanë bërë përzgjedhjen e fotografive fituese të garës PRISHTINA N’FESTË.
Vendi i parë i është ndarë fotografisë së Linda Mustafa, e cila përveç se ka një kompozicion dhe dritë shumë të mirë, kap një moment të sinqertë e spontan të një feste që feston lirinë e të qenit vetvetja!
Vendi i dytë ndahet për fotografinë e Tesa Krasniqi, për kombinim të ngjyrave, të cilat janë plotë jetë e rrezatojnë energji festive, të cilat bashkë të japin emocion të veçantë e festiv.
Ndërsa vendi tretë ndahet për fotografinë e shkrepur nga Edona Murseli, për çasje të sinqertë, reale e dokumentare të një momenti të bukur të fëmijëve,buzëqeshja e të cilëve të merr me vete për të
festuar borën bashkë me personazhet.
Kujtojmë se platforma PRISHTINA.PHOTOS ka organizuar gara të ndryshme të fotografisë si Prishtina n’Shpi e cila ka grumbulluar fotografitë e qytetarëve të Prishtinës, duke mbledhur kështu momentet më të bukura të përditshmërisë sonë gjatë karantinimit. Platforma PRISHTINA.PHOTOS mbështetet nga Komuna e Prishtinës dhe ICK dhe do të vazhdojë të sjellë gara të reja të fotografisë./KultPlus.com