Përmes slloganit “T’du qashtu qysh je”, vjen edicioni i shtatë i Javës së Krenarisë

Java e Krenarisë, paralelisht me fuqizimin e personave LGBTQI+, synon të ngrisë vetëdijen kolektive dhe dukshmërinë e orientimeve seksuale dhe/ose identiteteve gjinore të ndryshme në shoqërinë kosovare, të adresojë çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+ dhe të luftojë diskriminimin dhe trajtimin e pabarabartë të personave LGBTQI+ në Kosovë.

Sipas organizatorëve të “Prishtina Pride” kjo ngjarje vjen për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm në mënyrë sistematike, mospranimit e përjashtimit nga familja, shoqëria dhe shteti, personat LGBTQI+ përballen me një nivel të lartë të ankthit, stresit e depresionit në baza ditore. Si pasojë e krejt kësaj, mirëqenia emocionale, psikike dhe fizike është në gjendje shqetësuese. Shëndeti mendor është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe mbështetja e përhershme profesionale si dhe dashuria e pakushtëzume është më se e nevojshme për personat LGBTQI+ në Kosovë. Tutje, shteti vazhdon të mos ofrojë mbështetje institucionale adekuate për personat LGBTQI+ duke iu larguar përgjegjësisë që e ka në lidhje me këtë çështje dhe këtë grup shoqëror.

Sipas tyre, për të mbështetur të gjithë që janë duke u përballur me nivele të larta të stresit, ankthit, depresionit dhe problemeve të tjera të shëndetit mendor, edicioni i shtatë i Javës së Krenarisë, do të fokusohet në shëndetin mendor të personave LGBTQI+.

“Përmes slloganit “T’du qashtu qysh je” në këtë edicion duam të përçojmë një mesazh mbështetës për të gjithë që janë duke u përballur me sfidat e stresit, ankthit, dhe depresionit që janë pasojë direkte e homofobisë dhe transfobisë sistematike nga shteti, shoqëria, dhe familja. Me “T’du qashtu qysh je” duam t’ua rikujtojmë të gjithëve se nuk janë të vetëm. Dashuria, pranimi dhe ndërtimi i hapësirave të sigurta, përveç ndihmës profesionale është më se e nevojshme, për të mos thënë thelbësore, për parandalimin dhe kalimin e sfidave të shëndetit mendor. Mirëqenia psikologjike dhe emocionale e personave LGBTQI+ duhet të jetë prioritet i institucioneve dhe politikbërjes tonë. Kjo Javë e Krenarisë na rikujton që jetët e personave LGBTQI+ janë të rëndësishme”, thuhet tutje në njoftim.

Java e Krenarisë nis më datë 10 qershor në ora 17:00. / KultPlus.com

Nesër nis Java e Krenarisë në Kosovë

Nesër në orën 18:00 do të bëhet hapja zyrtare e Javës së Krenarisë, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Sipas një njoftimi nga “Prishtina Pride”, në këtë hapje fjalë rasti do të mbajnë presidentja Osmani, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu,

Personat që do të mbajnë fjalë rasti janë:

Habit Hajredini, Drejtor, Zyra për qeverisje të mirë / Zyra e Kryeministrit.

Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

Albulena Haxhiu, Ministre e Ministrisë së Drejtësisë

Jeffrey Hovenier, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë

Tomas Szunyog, Ambasador i Bashkimit Evropian në Kosovë

Tea Blakaj – Hoxha, Këshilltare e Jashtme Ligjore e Kryeministrit

Arbër Nuhiu, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Zhvillimin e
Grupeve Shoqërore (CSGD) / KultPlus.com

Me sloganin “Edhe n’shtet, edhe n’shpi” do të shënohet edicioni i gjashtë i Javës së Krenarisë

Edicioni i gjashtë i Javës së Krenarisë do të vijë me sloganin “Edhe n’shtet, edhe n’shpi”, dhe sipas organizatorëve “Prishtina Pride” ky edicion do të mbahet nga 6 deri më 9 qershor.

Ky edicion do të shënohet  përmes diskutimeve, ekspozitave artistike, aksioneve rrugore, festave e protestave, do të bëhen bashkë personat queer dhe aleatët.

Sipas organizatorëve, slogani pasqyron praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, edhe në familje.

“Në një vend ku shoqëria dhe familja në thelb janë heteronormative dhe patriarkale, është detyrë e shtetit që të krijojë siguri për personat të cilët nuk ndihen të sigurt nga mendësia shtypëse e cila prodhohet nga këto dy institucione. Partitë politike, qeveria dhe presidenca në anën tjetër nuk i kanë prioritet të drejtat LGBTIQ+, përkundrazi personat queer përdoren nga ta për të arritur në pushtet. Në njërën anë tregohen progresiv në tryeza të mbyllura me ndërkombëtarë e shoqëri civile, në anën tjetër tentojnë t’i largohen sa më shumë temave të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në fushata e komunikim me votuesit.

Këtë vit, Parada e Krenarisë, përveç festimit, duhet të konsiderohet si rezistencë paqësore për të adresuar çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+”, thuhet në njoftim të organizatorëve.

Organizatorët kanë thënë se në këto ditë do të festohet për praninë e tyre e fuqizimin e atyre që ende po e pranojnë veten.

“Do të festojmë për rezistencën që e kemi në baza ditore pa përkrahje të shtetit dhe familjes, do të jemi zëri për të gjithë që nuk kanë siguri dhe jetojnë në dhunë emocionale, mendore dhe fizike. Do të festojmë për familjet që na kanë pranuar dhe ato që i kemi zgjedh, do të protestojmë kundër familjeve që shtypin fëmijët e tyre. Do të festojmë për dashninë që e kemi, do të protestojmë për njohjen ligjore të kësaj dashnie. Bashkë do të festojmë që ekzistojmë dhe i japim botës ngjyra, bashkë do të vazhdojmë të ecim drejt një bote ku jemi të barabartë”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com