MKRS takon përfaqësuesit e QKLL, Bardhyli: Mos të ketë çmime në Tiranë e Prishtinë, të jetë vetëm një çmim kombëtar në letërsi

Ndër takimet që po bëhen në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sot pritën në takim edhe Alda Bardhylin, Drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri dhe shkrimtarin Rigel Rizaj

Ndër të tjera bashkë diskutuam për bashkëpunim ndërshtetëror, përkatësisht ndërinstitucional në divizionin e librit.

Ata u pritën nga zëvendësministri, Sejnur Veshall dhe këshilltari i Ministrit Liburn Jupolli.

KultPlus ka kontaktuar me drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Shqipëri, e cila ka theksuar se ka ardhur në Prishtinë për të takuar përfaëqësues të botës akademike dhe asaj të librit, por njëherit edhe për të parë hapa konkret të cilët këto dy palë duhet ndërmarrur në mënyrë qe konumikimi me gjuhën e librit në mes dy vendeve të bëhet më i lehtë.

”Duke nisur që nga kalendari i marrëveshjeve kulturore që janë bërë mes Prishtinës dhe Tiranës, mendoj që këtë marrëveshje kanë nevojë të rishikohen ku libri të ketë më shumë hapësirë. Mos të jenë thjeshtë formale por të ketë më shumë hapësirë për librin, të cilat më vonë mund të kalojnë edhe në hapa konkret, duke filluar që nga problemi i taksës së librit në kufi, problemi që librat e Prishtinës nuk i kemi në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës, ndryshe nga librat e Tiranës që tashmë i gjen këtu dhe kjo gjë rezulton që lexuesi në Shqipëri ta ketë të vështirë që të komunikojë me librat që botohen në Kosvovë”, ka theksuar Bardhyli për KultPlus.

Në takim poashtu është diskutuar edhe rreth idesë për të krijuar një çmim të përbashkët për karrierën e ndonjë autori shqiptar, një çmim jetësor që do t’i dhurohet një autor nga hapësirat shqipfolëse.

”Gjithmonë saherë ndahen çmimet kombëtare të letërsisë në Tiranë, ka një lloj pakënaqësie nga ana e shkrimtarëve të Prishtinës të cilët nuk ndjehen të përfaqësuar duke qenë se letërsia shqipe përfshin gjithë hapësirat shqipfolëse ka pasur një dëshirë që këto çmime të jenë të unifikuara, mos të ketë çmime kombëtare në Tiranë e në Prishtinë por të jetë vetëm një çmim kombëtar që përfshin të dy vendet”, thekson tutje Bardhyli për KultPlus.

Nga një takim që sipas Bardhylit rezultoi të jetë i frytshëm, poashtu u tentua që të lartpërmenduar të rregullohen në mënyrë që të krijohen sa më shumë ura komunikimi për sa i përket librit në Kosovë e Shqipëri. / KultPlus.com