Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka bërë apel që qytetarët t’i reduktojnë daljet për shkak të ajrit të pa shëndetshëm.
Lidhur me këtë, IKSHPK u ka bërë thirrje për kujdes në veçanti personave të ndjeshëm dhe atyre me sëmundje kronike.
Gjithashtu nga IKSHPK bëhet apel që të përdoret sa më shumë transporti publik, dhe ecja dhe që mos të digjet thëngjill.
Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos vjen si ngjarja më e madhe sportive në vend.
Kjo ngjarje do të zhvillohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, më 16 dhjetor.
Deri në 50 shtete pjesëmarrëse me mbi 100 xhudistë/e elitarë/e do të garojnë për çmimin e madh prej 300,000 euro në total në të gjitha kategoritë.
Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos, “European Championships Open”, organizohet në kuadër të programit shtetëror, “Kosova, shtet i xhudos” nga Federata e Xhudos e Kosovës, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatës Evropiane të Xhudos.
Federata e Xhudos e Kosovës bëri me dije se hyrja do të jetë falas për të gjithë. / KultPlus.com
“Nëse e fitoj këtë rol, unë shkova”, këto ishin fjalët e Bekim Fehmiut drejtuar vëllait të tij, Arsim Fehmiut, pasi kishte marr në duar skenarin e filmit “Mbledhësi i Puplave”. Ashtu siç e kishte parashikuar edhe vetë Bekimi, ky film ishte drita jeshile për aktorin tonë i cili do ta sillte në krye të skenës së artit botëror.
Madhështia e Bekim Fehmiut dje u rikthye në Kinemanë ABC përmes filmit dokumentar të cilin e punoi me shumë dashni regjisori Valmir Tertini. Ky film ishte një kthim në kohë, një rikthim i emocioneve dhe shpërblim i vogël për punën e jashtëzakonshme të aktorit pasi filmi solli një kujtim të bukur që do të ruhet në historinë e kinematografisë, shkruan KultPlus.
Hyrja për në kinema dje nuk ishte e lehtë, pasi numri i të interesuarve ishte i madh, por megjithatë të gjithë zunë vendin e tyre dhe emocionet ishin në ajër pasi në një mënyrë ose tjetër, Bekimin do ta kishim në sallë.
Por para se të vijë ky moment, fjala ju dha kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës i cili u shpreh se ky film mundohet të hedh dritë mbi figurën e Bekim Fehmiut.
“Në këtë film, arti i shtatë, rrëfimtaria si dhe historia e përbashkët e popujve të Ballkanit, ndërthuren nëpërmjet një emri të përveçshëm, atij të legjendës kinematografike shqiptare, jugosllave e botërore, të madhit, Bekim Fehmiut. Prej hapave të parë artistik që i nisi në kalldrëmin e Prizrenit e deri te reflektorët e ndritshëm të Hollywoodit, Bekim Fehmiu u ngrit si një gjigant që i ka kapërcy barrierat e kufijve dhe për këtë arsye emri i tij do të mbetet i gdhendur përgjithmonë në historinë e kinematografisë botërore”, u shpreh Rama teksa tha se ajo që e bën këtë dokumentar të veçantë është autenciteti i tij si portret real i aktorit.
“Historia e Bekim Fehmiut është më shumë se sa një Odise e suksesshme kinematografike, një dëshmi e fuqisë së artit për t’i kapërcyer hendeqet sado të mëdha që janë ato”, përfundoi Rama.
“Mirëdita” tha në shqip Branka Petric, zonja që ndau dallgët e jetës me aktorin tonë të madh e cila u ngjit në skenë për të thënë disa fjalë rreth këtij dokumentari dhe ndjenjave të saj të përziera në ato momente.
“Jam shumë e lumtur dhe njëkohësisht shumë e shqetësuar që jam e pranishme këtu sepse hapësira e Kinemasë ABC ishte vendi i preferuar i Bekimit”, tha Branka e cila shqetësimin e saj u mundua ta fshehtë me qeshje, një qeshje që dukej si një ironi thurur ndjenjave të saj dhe një barrierë përmes të cilës mundohej t’i mbante lotët.
“Kur erdhëm në Prishtinë ishte duke rënë një shi shumë i madh dhe ja sot dielli ka dal dhe ka zbukuruar këtë ditë”, u shpreh Branka duke na lënë të kuptojmë se Bekimi ishte dielli i Prishtinës në këtë ditë vjeshte.
“Shpresoj që do të ju pëlqej ky projeksion dhe jam e bindur se edhe Bekimit do ti pëlqej ky film sepse unë jam e bindur se është dikush atje lart që na sheh”.
Për të marr përshtypjet e tyre të gjithë të pranishmit, në ekranin e madh të kinemasë filmi nisi me aktin e vdekjes së aktorit, akt përmes të cilit jo vetëm u shua jeta e një ylli të madh por u privua edhe mundësia e dëshira e madhe e shumë njerëzve që ëndërronin ta takonin një ditë. Por ky akt i cili ndodhi më 15 qershor të vitit 2010 në apartamentin e tij në Beograd, kur ai ishte 74 vjeçar, nuk e zbehi asnjëherë madhështinë e tij e cila vazhdon të frymëzojë edhe gjeneratat e reja.
I lindur më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë, në gjirin e një familje gjakovare, Bekim Fehmiu ishte i biri i Ibrahim Fehmiut dhe Hedijes. Pasi i ati i tij ishte internuar në kryeqendrën boshnjake nga autoritetet mbretërore jugosllave. Më 1939 familja u zhvendos në Shkodër, ku kaluan tre vite dhe pas bashkimit të një pjese të Kosovës me Shqipërinë e pushtuar nga Italia, u vendosën në Prizren.
Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, i cili ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ka qenë një nga personalitetet që ka lënë gjurmë në kinematografinë ballkanike, por mbi të gjitha, ai është i madh për kontributin artistik në kinematografinë botërore.
Fëmijëria e tij u rrëfye në këtë film nga vëllai i tij, Arsim Fehmiu, i cili mungoi në shfaqjen e këtij dokumentari, pasi vitin e kaluar u nda nga jeta. Por rrëfimi i tij tashmë ka mbetur i dokumentuar dhe emocionet i përçoi fuqishëm tek publiku.
Ndërsa bashkudhëtarja e aktorit, Branka Petric me të cilën ka edhe dy djem, rrëfimin e saj në këtë dokumentar e nis këndshëm. Pas 10 vitesh, ajo për herë të parë hapë valixhen ku ruante gjithçka që i përkiste bashkëshortit të saj, nga kapela me të cilën u paraqit te filmi “Mbledhësi i Puplave”, një fletore shënimesh, arma me të cilën luajti në një film e shumë gjëra të tera të çmuara të aktorit.
Gjatë rrëfimit të saj, Branka qan, qesh e madje edhe këndon derisa shpalos shumë detaje nga jeta e përbashkët me Bekimin.
Gjatë 60 minutave dokumentar i cili erdhi në formë të intervistave ekskluzive nga familjarë, të afërm, miq, artistë e bashkëpunëtorë, u shpalosën më shumë përshtypjet që këta personazh kishin për Bekim Fehmiu, por nuk munguan edhe detaje që zbulonin më shumë për karakterin e aktorit.
“Bekim Fehmiu ishte i madhërishëm dhe shumë modest në të njëjtën kohë”. “Ai ishte Odisea jonë”. “Bekimi ishte aktori më i madh i kohës sonë”. Këto ishin vetëm disa nga fjalët e shumta që u thanë për aktorin Bekim Fehmiu nga personazhet si: Enver Petrovci, Timo Flloko, Roza Agnanosti si dhe regjisorë e bashkëpunëtorë të huaj me të cilët punoi Bekim Fehmiu.
Një pjesë mjaft emocionuese e këtij dokumentari ishte edhe momenti kur Bekim Fehmiu kishte vizituar Shqipërinë në vitin 1972. Momente ku shfaqet malli dhe dashuria e tij për këtë vend. Gjatë kësaj vizite ai kishte shkuar edhe tek shtëpia në Shkodër ku i kaloi tre vite të fëmijërisë së tij.
Ky film dokumentar, është i pari krijim mbi figurën e Bekim Fehmiut i cili u ndërtua nga skenari i gazetarit Fahri Musliut dhe nënë përkujdesjen regjisoriale të Valmir Tertinit.
Padyshim që një film është e pamundur të mbërthejë gjithë jetën dhe karrierën e një ylli të tillë siç është Bekim Fehmiu, këtë e pranoi edhe skenaristi Fahri Musliu i cili u shpreh se nuk ishte i lehtë as vendimi për të pranuar ofertën e bashkëpunimit nga regjisori por gjithsesi për të kjo tashmë është një ëndërr e realizuar.
“Filmi nuk e prezanton Bekimin si figurë në totalin e plotë të tij, por vetëm në disa pjesë”, ka thënë Musliu.
Pas përfundimit të filmit dokumentar i cili u përcoll me duartrokitje të shumta, për KultPlus përshtypjet e saj i ndau edhe drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që tashmë është realizuar një film për figurën e Bekim Fehmiut sepse një i tillë i ka munguar shumë Kosovës.
“Ky film flet shumë për jetën e tij si artist dhe është diçka që i ka munguar Kosovës. Shpresoj që këtë film ta shohin sa më shumë njerëz, sa më shumë të rinjë, që ta dijnë se kush ishte Bekim Fehmiu. I uroj suksese regjisorit për këtë punë të madhe që e ka bërë sepse është shumë e rëndësishme të punosh film për një figurë kaq të madhe. Ky film e ofroj një dritare të vogël për madhështinë e Bekimit sepse shumë njerëz sot nuk e dijnë andaj filmat janë të domosdoshëm që këto të përcillen edhe te gjeneratat e reja”, u shpreh Zeqiri.
Ndërsa, profesoresha dhe shefja e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Beogradit, Naile Imami e cila e njihte Bekim Fehmiun për vite të tëra në Beograd dhe njohu nga afër jetën dhe familjen e tij, në momentin që po e realizonim intervistën ende nuk kishte një mendim të prerë për filmin, por ajo ishte e sigurte për një gjë.
“Ende nuk kam një mendim të prerë për këtë film dokumentar për shkak të faktit se unë e njoha Bekim Fehmiun me vite të tëra në Beograd dhe njoh jetën e familjen e tij, di shumë gjëra të bukura dhe në këto momente i kam të përziera këto emocione. Në film, nuk pash shumë detaje për Bekim Fehmiun dhe për këtë më vjen keq. Gjithashtu përzgjedhja e personazheve që folën në film për Bekim Fehmiun nuk më pëlqeu sepse po të ishte Bekimi gjallë nuk do t’i pëlqente. Por e rëndësishme është që është realizuar ky film, më mirë pak se hiq”, u shpreh Imami ndër të tjera.
Krejt për fund, disa fjalë i ndau për KultPlus edhe personi i cili qëndron pas gjithë këtij filmi, regjisori i cili mori guximin të bëjë një film për një figurë kaq të madhe, Valmir Tertini. Ai shpalosi sfidat gjatë realizimit të këtij dokumentari të cilat nuk ishin të pakta.
“Ka qenë një sfidë e madhe si kohore ashtu edhe financiare për realizimin e këtij filmi. Por megjithatë filmi arriti të finalizohet pas më shumë se 5 viteve punë e peripeci. Unë kam vendos që në këtë dokumentar mos të përdorim asnjë fotografi por vetëm video, kryesisht nga filmat e tij dhe disa video janë ekskluzive”, tha Tertini i cili u shpreh tutje se figura e Bekimit ka qenë e keqkuptuar dhe beson shumë se ky dokumentar tregon shumë për të që nga lindja e deri të kulminacioni i tij.
Krejt për fund, Tertini tregoi se filmi pas premierës në Tiranë, Prizren dhe Prishtinë, do të vazhdoj me premierat e radhës në Beograd dhe Romë e gjithashtu do të udhëtojë edhe nëpër festivale. / KultPlus.com
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) dhe Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” organizon ngjarjen e veçantë kulturore “Mbrëmje artistike me V”, që do të mbahet më 21 nëntor, nga ora 20:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”.
“Mbrëmja Artistike me V” është një festë e letërsisë, artit, aktivizmit feminist dhe avokimit për ndryshime shoqërore. V, një dramaturge, autore, interpretuese, feministë dhe aktiviste amerikane, e njohur më parë si Eve Ensler, ka prekur zemrat dhe mendjet e miliona lexuesve me veprat e saj të fuqishme.
“Shko aq larg sa të mos kesh më frikë të mos kthehesh.” – V
Veprat artistike të V dhe kontributi i saj aktivist kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në botë. Ajo renditet ndër autoret me numrin më të madh të kopjeve të librave të shitura nga lista e New York Times, me dramat dhe librat e saj të botuara në mbi 48 gjuhë dhe të interpretuara në mbi 140 vende. V është vlerësuar edhe me “Çmimin Tony” për arritjet në Teatrin Amerikan Broadway dhe “Çmimin Obie” për arritjet në shfaqjet e luajtura jashtë Broadway. Ajo njihet edhe për themelimin e “V-Day”, lëvizjes globale me bazë në komunitet për t’i dhënë fund dhunës kundër të gjitha grave dhe vajzave (përfshirë personat cis-gjinor, transgjinor, atyre që mbajnë identitet fluid, dhe jo-binar) dhe planetit. Ajo është themeluese e “One Billion Rising”, fushatës më të madhe për t’i dhënë fund dhunës kundër të gjitha grave dhe vajzave në mbi 200 vende, si dhe bashkëthemeluese e “City of Joy”, një qendër revolucionare udhëheqëse për gratë kongoleze të mbijetuara të dhunës në Bukavu të Republikës Demokratike të Kongos.
“Mbrëmja Artistike me V” ofron një mundësi unike që përmes diskutimit të njoftoheni me perspektivat e saj depërtuese mbi letërsinë dhe përkushtimin e V ndaj kauzave aktiviste feministe e ndryshimeve shoqërore.
Diskutimi do të shoqërohet me interpretime artistike të copëzave nga krijimet letrare të V, të interpretuara nga shkrimtaret/ët dhe artistet/ët e Ansamblit të Artpolis. Mbrëmja do të moderohet nga Zana Hoxha, Themeluese dhe Drejtore Ekzekutive e Artpolis. / KultPlus.com
“Komploti” është romani më i ri i autorit Ben Blushi i cili doli këto ditë nga shtypi.
Romani për të cilin autori fillimisht nuk zbuloi shumë, sot na shpaloset deri në një masë përmbajtja e këtij romani, ngjarja e të cilit zhvillohet në vitin 2043 dhe 2044, pra 20 vjet më vonë.
Gjithashtu autori ka bërë me dije se romani do të jetë në të gjitha libraritë e Kosovës duke nisur nga dita e enjte, 9 nëntor kur edhe do të prezantohet pasdite në librarinë Dukagjini në Prishtinë. Ndërsa në Shqipëri do të qarkullojë për herë të parë në datën 15 nëntor në Panairin e Librit.
Ky është njoftimi i plotë i autorit Ben Blushi:
Komploti është romani im i ri që këto ditë del në treg.
Ky roman është shkruar mes muajit shkurt dhe prill të këtij viti. Nuk e mbaj mend datën kur kam nisur ta shkruaj por mbaj mend se e kam përfunduar javën e parë të prillit 2023. Pasi e lashë pothuajse gjashtë muaj pa e prekur, e rilexova në gusht, e shkurtova në shtator dhe ia dorëzova botuesve të mi, Pegi dhe Dukagjini, në tetor.
Ngjarjet e Komplotit zhvillohen në vjeshtën e vitit 2043 dhe në pranverën e vitit 2044, pra 20 vjet më vonë, kur për shkak të ndryshimeve demografike popullsia e Shqipërisë është zvogëluar, ndërkohë që shumë refugjatë kanë ardhur të jetojnë me ne. Ata janë kryesisht afganë, por dhe sirianë e iranianë, të vendosur në qytetin e Shëngjinit, i cili këto ditë u caktua realisht një zonë ku do strehohen refugjatët që nuk e kalojnë dot Adriatikun.
Meqë popullsia e tyre, pra e emigrantëve shtohet me ritme të larta, ndërkohë që shqiptarët lindin më pak dhe emigrojnë më shumë, në vitet 2040, të huajt bëhen shumicë dhe fitojnë bashkinë e Shëngjinit duke zgjedhur Kryetar Bashkije një afgan.
Për shkak të rrethanave dhe ndryshimit të shpeshtë të Qeverive, ky afgan që martohet me një shqiptare, zgjidhet Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.
Këtu fillon Komploti.
Afgani, pra Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë vendos të çlirojë Kosovën e cila për shkak të ndryshimit të konjukturave është pjesërisht e pushtuar nga serbët që janë inkurajuar nga avancimi i Rusisë në Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji.
Për të penguar çlirimin e Kosovës nga afganët, tre çifutë që bëhen bashkë për arsye të ndryshme, thurrin një Komplot. Ata të tre kanë pikëpamjet e tyre sa i takon Amerikës, Rusisë, Shqipërisë dhe sidomos Izraelit dhe konfliktit të tij me Palestinën. Njëri prej tre çifutëve është sionist, tjetri është komunist dhe i treti është një aventurier shqiptar që shpesh krijon kaos pa shkak.
Komploti përfundon me një tentativë të afganëve për grusht shteti, pra një përpjekje për të marrë Qeverinë e Shqipërisë dhe për ta kthyer Shqipërinë në një Afganistan të vogël në mes të Europës. Këtë përpjekje të afganëve, shqiptarët arrijnë ta shmangin me ndihmën e tre çifutëve dhe përmes një veprimi të çuditshëm.
Ky është pak a shumë romani, vazhdimin dhe fundin e të cilit nuk mund ta tregoj pasi botuesit e mi do ma ndalonin.
Si të gjithë shkrimtarët edhe unë nuk jam më pronari i librit tim. Prandaj nuk më lejohet të tregoj më shumë. Edhe sa tregova ishte e ndoshta e tepërt megjithëse e pamjaftueshme.
Për të qetësuar të gjithë ata që mund të gjejnë paralele apo ngjashmëri mes Shqipërisë së vitit 2044 dhe Shqipërisë së sotme, dua të them se ky roman është një fiction, pra fantazi dhe asgjë më shumë.
Si i tillë nuk besoj se bën dëm por kjo nuk është më në dorën time.
Komploti do të jetë në të gjitha libraritë e Kosovës duke nisur nga dita e enjte 9 nëntor kur do të prezantohet pasdite në librarinë Dukagjini të Prishtinës. Ndërsa në Shqipëri do të qarkullojë për herë të parë në datën 15 nëntor në Panairin e Librit, ku ju pres të gjithëve për autografe në stendën e Botimeve Pegi.
Tani për tani kaq për Komplotin tim. / KultPlus.com
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të qëndrojë sot në Kosovë, si pjesë e turit të saj katërditor në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Gjatë kësaj vizite, Von der Leyen do të zhvillojë takime me kryeministrin dhe presidenten e Kosovës.
Pas vizitës në Prishtinë, Von der Leyen pasdite do të udhëtojë për në Beograd. Atje ajo do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe me kryeministren, Ana Brnabiq.
Presidentja e KE-së thuhet se do të mbajë konferenca për shtyp gjatë të gjitha vizitave të saj dhe ato do të transmetohen në EbS .
Gjithashtu, Policia e Kosovës thotë se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizitë do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit në vendin tonë.”
Në njoftim thuhet se gjatë mesditës do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut nga aeroporti në drejtim të kryeqytetit dhe afër objekteve shtetërore, si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës gjatë mesditës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) nga aeroporti ndërkombëtar në drejtim të kryeqytetit dhe afër objekteve shtetërore, si dhe të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.” / KultPlus.com
Me mbështetje të Zyrës së Kryeministrit dhe të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nën organizimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, do të zhvillohet një bashkëbisedim me publicistin e njohur gjerman Erich Rathfelder, autor i librit “Kosova – historia e një konflikti”.
I konceptuar si një takim mes miqsh, në këtë organizim – Erich Rathfelder do të ketë bashkëbisedim me lexuesit dhe do të jetë një rast i veçantë që nëpërmjet pyetjeve dhe diskutimeve të kuptojmë edhe për punën e përvojat e tij si reporter, për përjetimet dhe përkushtimin e tij për Kosovën dhe për çështje të tjera me interes.
Erich Rathfelder ka qenë korrespondent në rajonin e Ballkanit që nga viti 1987 dhe ishte dëshmitar nga afër i ngjarjeve në Kosovë: heqjes së statusit të saj autonom në vitin 1989, protestave paqësore të shqiptarëve, luftës së armatosur të UÇK-së, ndërhyrjes së NATO-s dhe më pas i fazës së administrimit të përkohshëm civil.
Publicisti Erich Rathfelder është i njohur si gazetar dhe redaktor i gazetës së përditshme të Berlinit ‘Taz’, dhe më pas si gazetar i pavarur, i cili ka punuar si reporter në Ballkan dhe ka raportuar për luftëra në ish-Jugosllavi, me përqendrim të veçantë edhe për krizën dhe luftën në Kosovë, duke u shpallur në qershor të vitit 1998, nga qeveria serbe, ‘persona non grata’ dhe duke u dëbuar nga Kosova.
Bashkëbisedimi do të udhëhiqet nga historiani dhe gazetari Durim Abdullahu.
Veprimtaria do të mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës të enjten më 26 tetor, në orën 18:00. / KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka prezantuar mëngjesin e sotëm projektin për Tregun e Gjelbër për të cilin tashmë veç se kanë nisur procedurat, përcjell KultPlus.
“Treg i Ri me kushte shumë më të mira infrastrukturore dhe me pastërti të duhur. Kështu do të duket Tregu i Gjelbër në Kryeqytet, për të cilin tashmë vetëm se kemi nisur procedurat për realizimin e këtij projekti”, shprehet Rama.
Tutje i pari i kryeqytetit ka njoftuar se javë më parë është pastruar e gjithë hapësira ndërsa tash është duke u krijuar një ambient shumë më dinjitoz ku mund të blini fruta e perime. / KultPlus.com
Pas fazës së parë të programit ndër-ministror “Arti në shkolla” që mblodhi qindra nxënës të Komunës së Gjilanit në shumë aktivitete edukative e artistike, faza e dytë po hapet me një koncert të veçantë në atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
Filharmonia e Kosovës, nesër duke filluar nga ora 14:00 do të prezantojë koncertin e parë që iu dedikohet nxënësve të klasave të 6-ta nga katër shkolla të Komunës së Prishtinës, SHFMU “Elena Gjika”, SHFMU “Faik Konica”, SHFMU “Ali Kelmendi” dhe SHFMU “Shkëndija”.
Nesër nxënësit do të kenë mundësi të ndjekin një program i cili prezanton disa etapa të zhvillimit të muzikës klasike në Kosovë, nën dirigjimin e mjeshtrit Gridi Kraja.
Veprat të cilat do të prezantohen nga Filharmonia e Kosovës me dirigjentin Kraja janë nga Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, e deri te Valton Beqiri. / KultPlus.com
Me rastin e Ditës Botërore të Turizmit e cila festohet në mbarë botën me datë 27 Shtator, si dhe Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore e cila festohet me datë 29 Shtator, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se dyert e Sahat Kullës do të jenë të hapura për të gjithë vizitorët nga ora 10:00-18:00.
Nga Komuna e Prishtinës ju bëjnë thirrje që gjatë këtyre ditëve ju mund ta shihni kryeqytetin nga një kënd tjetër. / KultPlus.com
Olimpiada më e madhe e Sporteve dhe Lojërave Tradicionale Shqiptare në Kosovë po vjen më datë 1 tetor.
Ky organizimin shumë i veçantë do të mbahet nga ora 10:00 deri në ora 17:00 në Parkun e Gërmisë dhe Amfiteatrin e Pishinës, në Prishtinë.
Organizatorët kanë bërë thirrje që t’i bashkoheni në këtë eksplorim të trashëgimisë tonë kulturore përmes sporteve dhe lojërave tradicionale shqiptare.
Kjo ngjarje vjen e organizuar nga PR Solutions me mbështetjen e Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com
Filmi “The Land Within” nga regjisori Fisnik Maxville (Maxhuni) pas premierave ndërkombëtare dhe pas shfaqjes së parë vendore në Prishtina Film Festival, do të fillojë rrugëtimin e tij në kinematë e Kosovës duke filluar nga data 21 Shator në “Cineplexx”, Prishtinë dhe Prizren.
Ky film është prodhuar nga produksioni Ikonë-Studio në bashkëpunim me produksionin zviceran Alva Film Production. / KultPlus.com
Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora ka pasur përherë një lidhje të veçantë me Kosovën, shkruan KultPlus.
Ora qyshmoti e kishte bërë me dije dashurinë për vendin prej ku kishte prejardhjen. Këtë ajo e dëshmoi që nga publikimi i këngës ‘Shine Ya Light’ me videoklip nëpër rrugët e Kosovës.
Ndërkaq një moment tejet i veçantë që ka ngelur në memorien e çdo shqiptari mbetet kërcimi fantastik i valles së Shotës nga Rita në koncertin e saj për Pavarësinë e Kosovës.
Përfaqësimi me dinjitet i kulturës dhe traditave shqiptare nga artistët tonë në mërgim na bën të besojmë se ata janë ambasadorët më të mirë. / KultPlus.com
Super ylli Akon u konfirmua dje si mysafiri ndërkombëtar i “Time Capsule II” që zhvillohet të premten në kryeqytet.
Lajmin e dha Capital T i cili bëri të ditur se Akon e ka pranuar ftesën e tij për të qenë me publikun kosovar në atë që po konsiderohet si ngjarja kulturore më e madhe në kryeqytet përgjatë kësaj vere.
E Akon ka pasur edhe një mesazh për shqiptarët.
Përmes një videoje, ai i ka ftuar të gjithë të jenë aty ditën e premte.
“Prishtina do jem aty me 11 gusht, live me Capital T. Do të performoj live dhe do jetë një çmenduri. Merrni biletat dhe shihemi atje”, thotë mes tjerash Akon. / KultPlus.com
Një nga betejat më të rëndësishme për kampionin tonë, Robin Kranisiqi po vjen nesër.
Boksieri Robin Krasniqi do të sjell meqin e radhës në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan KultPlus.
Krasniqi është shprehur se gjithmonë e ka ndjerë obligim të bëj një mbrëmje të madhe boksi në Prishtinë dhe tani ka ardhur koha.
“Si bir i prindërve shqiptarë, si fëmijë i luftës në Kosovë dhe si kampioni i parë botëror, me prejardhje shqiptare, në boksin profesionist, gjithmonë e kam ndjerë obligim të bëj një mbrëmje të madhe të boksit në Prishtinë dhe tani ka ardhur koha, të dashur fansa dhe miq!
Luftën e radhës do ta bëj në stadiumin e futbollit të Prishtinës (Stadiumi Fadil Vokrri) më 5 gusht 2023, duke i ofruar një Event të madh atdheut tim. Unë po e pres me padurim këtë mbrëmje dhe shpresoj që të kem bërë të lumtur edhe shumë prej jush miq të dashur”, pati shkruar Krasniqi në njoftimin e tij për ndeshjen e madhe që pritet të zhvillohet nesër. / KultPlus.com
Vëzhguesit e yjeve në të gjithë botën panë një Hënë të plotë më të madhe dhe më të ndritshme se zakonisht, të martën mbrëma.
Hëna e plotë e këtij muaji, e quajtur Hëna e Sturgeon, ndriçoi qiellin e natës ndërsa u ngrit mbi horizont pak pas perëndimit të diellit, shkruan BBC, transmeton KultPlus.
Është e para nga dy superhënat e këtij muaji – hëna e plotë e ardhshme më 30 gusht do të quhet Hëna Blu pasi është hëna e dytë e plotë që shfaqet në një muaj kalendarik.
Ndërkohë, BBC ka renditur disa nga fotot më të mira të superhënës së të martës nga e gjithë bota dhe në krye të listët qëndron fotografia ku Hëna shkëlqen mbi ndërtesat në Prishtinë, Kosovë. / KultPlus.com
Data 4 gusht do të shënoj hapjen zyrtare të Festivalit të Filmit Doku Fest, po ndërkohë festivali mbrëmë zbriti në kryeqytet për të shpalosur pak nga gjithë magjia e asaj çka pritet të ofrojë festivali përgjatë këtij edicioni të 22-të, shkruan KultPlus.
DokuFesti mbrëmë në kryeqytet prezantoi filmat e metrazhit të shkurtër apo filma eksperimental, me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve duke riaktualizuar problemet shoqërore në vend dhe jashta saj.
Arti filmik, si çdo lloj arti tjetër, është mënyra më e mirë për të vënë në pah çdo lloj problemi duke spikatur ‘të bukurën dhe artistiken’. Në këtë rrugë, zgjidhet labirinti që shpeshherë nuk shihet nga syri i lirë i njeriut të thjeshtë.
Në hapësirën e objektit të CNP-së u prezantuan tetë filma të metrazhit të shkurtër, në versionin shqip dhe anglisht. Secili film, nxirrte nga vetja formën më të mirë, duke gjuajtur mesazhe direkte dhe indirekte për publikun.
Përpara se të tetë filmat të shfaqen përpara ekranit të madh, fjalën e mori Drejtori Artistik i DokuFestit, Veton Nurkollari, i cili shpalosi më shumë rreth programit të filmave të DokuFest-it, për natën e mbrëmshme dhe të netëve në vijim.
“Dy filmat e parë janë filma nga programi trajnues i DokuFestit, të moshave 16-18, të cilët kaluan një kurs të filmbërjes duke e finalizuar me krijimin e filmave të parë të tyre. Ndërkaq, filmat e tjerë janë filma të shpërndarë në disa programe, ku njëri nga ta është nga Kanadaja”, u shpreh Nurkollari.
Nurkollari tha gjithashtu se gati të gjithë filmat që do të shfaqen në këtë edicion të DokuFestit përgjatë ditëve në vijim janë me premierë kosovare, por se nuk mungojnë as ata filma me premierë botërore.
“Gati të gjithë filmat janë me premierë kosovare, dikur rreth 12 filma janë me premierë botërore, dhe një numër i konsiderueshëm janë filma ndërkombëtarë. Kanadaja këtë vit është në fokus të DokuFestit, andaj nga ky shtet do të paraqesim dikur rreth 20 e më shumë filma”, u shpreh Nurkollari.
Përgjatë natës së mbrëmshme nuk u sollën filmat garues që synojnë të fitojnë çmime, por filma të kuruar dhe të përgatitur pikërisht për këtë natë.
“Sot sollëm një program të vogël të asaj se çka do të pritet të shfaqet në Dokufest. Këta filma që janë këtu, janë enkas për këtë edicion. Por ne, nuk sollëm filma që janë më lartë, këtë natë, sepse presim që premierat e tyre të shfaqen në Festival”, përfundoi Nurkullari.
E tërë hapësira gjelbëruese e këtij objekti u gjallërua edhe më shumë me prezencën e njerëzve që donin dhe çmonin filmin. Çdo cep u mbush me pozitivitetin e të pranishmëve e hareja zuri vend edhe më shumë me duartrokitjet e pandalshme të tyre.
Kureshtja e madhe për të parë ekranin e për të dëgjuar zërin thumbues të personazheve të filmave, pamundësonte t’iu ikte dëgjuesve ndonjë copëz filmi.
Që prej vuajtjes së shqiptareve nga populli serb përgjatë viteve të 90-ta me detyrim ndalim-shkollimi e deri tek problemi i sotëm i shkollave shqipe, ku degët e ndryshme të studimit detyrohen të përfundojnë praktikat shkollore në të njëjtin vend, janë disa nga tematikat që u shfaqën mbrëmë.
Filmi i parë i shfaqur para publikut prishtinas, pati të bëjë me vetën tonë sot, duke dashur një rikthim pas në kohën e fëmijërisë. Në kohën, kur problemet nuk ekzistonin dhe kur çdo gjë e bënim pa sherrin më të vogël.
Filmi i parë, i krijuar nga Nea Zeka, ishte një film i shkurtër që në thelb ka të bëjë me vlerësim më të madh ndaj vetes dhe mos ndihmesën e njerëzve që nuk e meritojnë.
Ndërkohë, filmi i dytë nga Hana Krasniqi i cili u shfaq përpara publikut, ishte ai kushtuar vitit 1991. Vit ky, në të cilin pushteti serb po bënte shkatërrime masive tek shqiptarët, duke detyruar ata të ndalojnë studimet dhe të mbyllin shkollat shqipe. Në diku rreth 6 minuta të këtij filmi, u shfaqën fotografi nga rezistenca e shqiptarëve dhe qëndrueshmëria e tyre ndaj armikut serb.
“Rreth 3200 shtëpi, bodrume dhe garazhe private u dhuruan për tu shndërruar në shkolla të improvizuara”.
Ky film i shkurt tregon më së miri ‘mosnënshtrimin’ e shqiptarëve ndaj armikut serb, dhe moslodhjen e tyre për kërkimin e lirisë e ngulmin për shkollim.
Një tjetër film i shfaqur në këtë mbrëmje ishte edhe filmi… i Viti 1949 shënohet me hapjen e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Ndërkohë, sot në 2023, nxënësit e asaj shkolle detyrohen që mësimet t’i mbajnë në ndërveprim me nxënësit e mjekësisë, dy drejtime, komplet të kundërta. Zhurmat që shkaktohen nga muzika tek nxënësit e stomatologjisë, farmacisë e drejtimeve mjekësore dhe sfidat e tjera që hasen në këtë shkollë, ishin disa nga pikat kyçe të paraqitura në filmin në vijim.
Një problem serioz, i cili shfaqet më së miri përmes punës artistike të nxënësve shfaq ato problemet që gjinden mes nesh, e nuk merren ‘fort’ përbazë nga askush.
Përgjatë filmit disa minutor, rishfaqen edhe probleme të tjera me të cilat përballet kjo shkollë. Që prej detyrimit të ndërrimit të disa shkollave deri më tani, e deri tek profesorët e njëjtë që detyrohen të japin mësim në të gjitha degët.
Këto ishin disa nga premierat e shfaqura natën e mbrëmshme, me qëllim të vetëdijesimit e të kuptimit të realitetit në të cilin ndodhemi si shoqëri.
Kujtojmë që, DokuFest do të shfaq falas para publikut me më shumë se 230 filma, nga 3500 aplikime të bëra gjithsej. / KultPlus.com
Mbrëmë, me 80 fëmijë të moshës 7 deri 14 vjeç u mbajt koncerti i parë, e njëkohësisht edhe inaugurues i Orkestrës së Fëmijëve të Prishtinës, të cilin e mundësoi shkolla e parë fillore jo-publike e muzikës në Kosovë, ‘Amadeus’, shkruan KultPlus.
Ky projekt i shkollës së muzikës ka ardhur si konkludim i profesionistëve të kësaj shkolle, të cilët mendojnë se edukimi muzikor luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e hershëm të fëmijëve, dhe kjo orkestër që për analogji të shkollës mund të quhet qershia mbi tortë , duke bërë që fëmijët qysh në mosha të hershme të kenë mundësi të performojnë me orkestër, të njihen me skenën dhe të krijojnë bazë të qëndrueshme për karrierën e tyre.
Një sallë, enterieri i së cilës ishte me plotë shije, elegancë dhe finesë, tashmë ishte mbushur përplot me prindër dhe me familjarë të fëmijëve të cilët pas pak pritej të perfomonin. Me një nur që u shëndrriste, shumica e të pranishmëve kishin zënë vendet e tyre, edhe pse një pjesë mjaft e madhe qëndruan në këmbë pasi nuk pati ulëse në sallë, aq sa pati pjesëmarrës.
Koncertin e hapi përfaqësuesja e shkollës ‘Amadeus’, Hana Petrovci-Fetahu, e cila me një fjalë rasti i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe tregoi për procesin e punës në përgjithësi, për t’i lënë radhë pastaj grupit të kitaristëve ‘Amadeus’, me veprën e Zequinha De Abreu- ‘Tico Tico’, në të cilën performuan Allegra Bajrami, Dastid Ymeri, dhe Reina Zejnullahu.
Pika e dytë e performanës u shënua me grupin e solokëndimit, të cilët interpretuan Këngë Arbëreshe, të cilat krahas tingëllimës së tyre të bukur, shfaqnin edhe emocione mallëngjyese, pasi vinin nga një trevë në të cilën jetonin shqiptarë të mërguar.
Interpretues të kësaj pike ishin: Era Latifi, Morea Fetahu, Noa Basha, Viktoria Ibrahimi, Rea Curri dhe Eta Svarça. Kënga ‘Lule, lule-mace, mace’ ishte ajo e cila shndërroi ngjyrën e emocioneve duke dhënë entuziazëm dhe duartrokitje me takt në sallë gjatë gjithë kohës derisa interpretohej kjo këngë, në fund të së cilës pati duartrokitje edhe më të fuqishme për të dhënë falënderimin për këtë interpretim kaq të bukur.
Pikat tjera interpretuese qenë ‘Për ty atdhe’ e Pjetër Gacit me soliste Leona Ferati, ‘Central Park’ e James Newton Howard me soliste Arjona Ramadani (piano), ‘Pse jemi të ndarë’ e Selami Kolonjës nga kori i shkollës dhe solistja Leona Ferati, ‘Swan Lake’ e Pyotr Ilyich Tchaikovsky, ku interpretuan edhe blerinat e shkollës, Era Bajrami, Hana Bajrami dhe Ajla Talla, të cilat me vallëzimin e tyre prej fluturash e bënë mbrëmjen mjaft të bukur. Në këtë pikë orkestra u kompletua në tërësi dhe po ndiqej një mbrëmje pothuajse profesionale pasi publiku tashmë para vetes kishte orkestrën, korin dhe solistët dhe balerinët, duke dëshmuar kapacitetin e tyre.
Ndërsa interpretimi i fundit ishte ‘O vendi im’, e Rashid Krasniqit, nga Kori i shkollës dhe solistët Arjona Ramadani dhe Art Grajçevci. Në këtë pikë dukej sikur edhe vetë fëmijët u përmbushën nga perfomanca e tyre. Të koncentruar te programi i tyre, me shumë kujdes përcillnin edhe dirigjentin e tyre Vehbi Shosholli, i cili me mjaft elegancë dhe butësi arrinte të shpaloste punën e tij me sukses.
Në këtë pikë në të cilën të pranishëm qenë pothuajse më shumë se 80 fëmijë, violinistët qenë ata që për t’i dhënë një ton pak më ndryshe perfomancës filluan që të prodhoin tinguj me gishtrinjtë e tyre të vegjël. Lëvizja e gishtinjëve të tyre të vegjël, si dhe një pozitë trupore duke u munduar për të qenë profesional dhe elegant në skenë dhuronte një pamje vërtetë simpatike, të cilën familjarët e tyre dhe të gjithë të panishmit, e shijuan vërtetë shumë.
Pas koncertit të gjithë pjestarët e orkestrës, korit, solistët dhe balerinat u shpërblyen me mirënjohje nga shkolla e muzikës ‘Amadeus’, në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për suksesin dhe gatishmërinë e treguar për të realizuar një koncert të tillë, i cili me plotë bindje do të mbetet i paharruar në mendjet e secilit prind që ishte i pranishëm në sallë.
Me rezultatet e koncertit ishte e kënaqur edhe njëra nga organizatoret Hana Petrovci-Fetahu e cila në një prononcim për KultPlus, tha se pritshmëritë e tyre për koncertin janë arritur në maksimum pasi sipas saj fëmijët kanë treguar pjekuri në lojën e instrumenteve edhe pse janë shumë të vegjël në moshë.
“Koncerti ka shkuar shumë mirë. Jemi shumë të kënaqur me performancën e fëmijëve. Kanë treguar një pjekuri në lojën e instrumenteve edhe pse janë shumë të vegjël. Fëmijët janë në këtë orkestër prej moshës shtatë vjeçare deri në 14. Mirëpo kanë mbajtur shumë gjatë prova. Që nga muaji mars, e kanë treguar vlerën e tyre, kanë tingëlluar shumë bukur dhe jemi të gjithë shumë të kënaqur me perfomancën të cilën na dhuruan”, ka thënë Petrovci.
Petrovci për KultPlus ka treguar edhe anën tjetër të medaljes, pasi për të arritur një perfomancë të tillë nuk ka qenë shumë e lehtë, pasi në këtë orkestër kishin të bënin me fëmijë, të cilët për të ndjekur ushtrimet ishin të varur nga prindërit e tyre të cilët kanë edhe angazhimet e tyre profesionale.
Ndërsa dirigjenti Vehbi Shosholli në një prononcim për KultPlus, tha se është shumë i lumtur për performancën dhe se pritshmëritë e tij janë arritur ne maximum
“Koncerti ka qenë jashtëzakonisht mirë. Jam shumë i këënaqur me nivelin interpretues të fëmijëve. Pritshmëritë e mija janë arritur dhe besoj që edhe publiku janë ndarë të kënaqur”, ka thënë Shosholli.
Ai po ashtu tregoi edhe për procesin e punës, i cili fillimisht nuk kishte qenë aspak i lehtë, por se me punë dhe përkushtim tanimë kishin arritur rezultatet e dëshiruara, gjë që e bënte të ndihej mjaft i lumtur.
“Realisht kjo gjeneratë është pak e vështirë për të performuar në grup kaq masiv, sepse nuk kanë përvojë të madhe që të luajnë me orkestër. Fillimi ka qenë goxha i vështirë mirëpo gradualisht duke punuar kemi arritur që të përgatitemi për performancë”, ka thënë Shosholli.
Dirigjenti Shosholli më tej tha se në të ardhmen do të tentojnë që të rrisin numrin e fëmijëve pjesëmarrës dhe numrin e perfomancave.
“Mendojmë jo vetëm me vazhdu por edhe me rrit numrin e fëmijëve për të të qenë pjesë e orkestrës edhe pa dyshim ta rrisim edhe numrin e performancave. Totali i fëmijëve që marrin pjesë në orkestër është rreth 30 që varion në bazë të veprave p.sh pjesa e fundit ka qenë ‘O vendi im’ ka qenë një vepër ku kanë performuar më shumë se 30 instrumentistë dhe një kor prej 50 personave”, ka thënë Shosholli.
Një koncert i tillë i radhës, pritet të mbahet për festat e fundvitit, pasi pas kësaj pune të madhe, fëmijët presin t’i shijojnë pushimet verore . Organizatorja e koncertit Hana Petrovci- Fetahu ka thënë që planifikojnë që të zgjerojnë aktivitetin e tyre, duke zhvilluar turne nëpër qytete të ndryshme të Kosovës./KultPlus.com
Venera Mustafa dhe IMG Models organizojnë Open Model Casting për herë të parë në Kosovë për të gjetur fytyra të reja për përfaqësim global.
Më date 8 korrik, nga ora 10:30 deri në ora 18:30, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ‘Pjeter Bogdani’ në Prishtina do të mbahet ngjarja ku ftohen të marrin pjesë modele dhe modelë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, dhe Mali i Zi.
Thirrja e hapur për casting organizohet nga agjentja amë dhe dizajnerja Venera Mustafa bashkë me agjencionin ndërkombëtar IMG Models.
IMG Models do ta vizitojë Kosovën për herë të parë për të zbuluar fytyra të reja nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Krahas Venera Mustafës dhe skautëve nga IMG Models, prezente në casting do të jetë edhe modelja nga Kosova Sihana Shalaj e cila është nën menaxhimin ndërkombëtar të IMG Models.
Që nga kontrata me IMG Models, Sihana ka korrur sukses të madh ndërkombëtar dhe ka sfiluar për shtëpitë më të mëdha të modës botërore përfshirë Prada, Miu Miu, Yves Saint Laurent, Versace, Balenciaga, Givenchy dhe Raf Simons mes shumë tjerash.
Suksesi i pakontestueshëm i Sihanës po e sjell IMG Models për herë të parë në rajon për të identifikuar fytyra të reja mashkullore dhe femërore për tu bërë pjesë e këtij agjencioni prestigjioz.
IMG Models është lider ndërkombëtar në identifikimin e talentëve dhe në menaxhimin e modeleve e njohur gjerësisht për portfolion e saj diverse të klientëve. Agjencioni ka zyra në gjashtë kryeqendra botërore: New York, Los Angeles, Londër, Paris, Milano dhe Sidnej. Në mesin e modeleve të menaxhuara nga IMG Models janë edhe Gigi dhe Bella Hadid, Ashley Graham, Hailey Bieber, Paloma Elsesser, Alton Mason, Precious Lee, dhe shumë të tjerë. / KultPlus.com
CineStar, kinemaja më e madhe rajonale, hapi sot dyert për herë të parë në Prishtina Mall.
Për të përjetuar të parët pamjet ekskluzive të kinemasë brenda, ishin ftuar mediat ku secili i pranishëm qysh në hyrje mahnitej nga kjo prurje e re në vendin tonë.
Në hapat e parë të hyrjes në kinema, fryma artistike e CineStar vjen me një shfaqje ndryshe. Dritat e buta po na ndriçonin rrugën për të na përcjell në një botë tjetër të imagjinatës. Dizajnet e jashtme moderne që ishin punuar me shumë mjeshtëri, ndihmonin të ndizet interesi dhe kureshtja për të zbuluar mrekullitë e fshehura brenda mureve të kësaj kinemaje e cila qysh në korridor dukej magjike, shkruan KultPlus.
Në këtë rrugëtim po na shoqëronte menaxheri i kinemasë CineStar për Kosovë, Arben Shabani, i cili kujdesej që në detaje të na njoftonte për specifikat e secilës sallë ku asnjëra nuk ngjasonte me tjetrën.
Kur hynim në sallat e brendshme, mahnitja artistike arrinte kulmin. Në këto salla, kufizimet e realitetit humbasin kuptimin dhe spektatori vendoset përballë imazheve të bukura dhe emocionuese që shfaqen në ekranin gjigand. Dyshemetë e mbarëvajtjes ishin një tjetër pikë tërheqëse, duke ofruar një ambient të ngrohtë dhe mikpritës për të shijuar çdo moment të eksperiencës kinematografike.
Kur flasim për të rejat teknologjike të kinemasë CineStar ato sjellin një përjetim të pakrahasueshëm për publikun. Sallat janë pajisur me teknologji të fundit në fushën e kinemasë, me ekrane të gjera dhe cilësi imazhi të jashtëzakonshme. Sistemi i tingullit dhe zërit ofrojnë një efekt tërheqës duke përmirësuar ndjeshëm eksperiencën e shikuesit.
Por mbi të gjitha, është programi i filmave të ofruar nga CineStar që bën hapjen e tij ende më të ndjeshme, ku disa nga trailerat e këtyre filmave patën rastin t’i shohin sot gazetarët e pranishëm.
Duke sjell filma të pasur në përmbajtje dhe vizionarë në kinematografi, CineStar ka krijuar një vend të veçantë për magjinë e kinemasë në një vend ku diçka e tillë kishte munguar dukshëm.
Ky megapleks ishte i përbërë nga hiq më pak se 15 salla.
Po e nisim me konceptin “Destination Cinema”, i cili është një trend absolut në industrinë e kinemasë botërore, nga sot është në dispozicion në Prishtinë për të gjithë ata që dëshirojnë filma dhe argëtim pa fund në ekranin e madh, si dhe shumë përmbajtje dhe formate kinemaje të papara deri më tani.
CineStar Megaplex Prishtina Mall sjell formate ekskluzive të kinemasë premium, dhe pikërisht sot u zbulua një lajm i madh: kjo është kinemaja e parë në rajon me sallën SCREEN X.
Screen X është një teknologji speciale e sallës dhe kinemasë në të cilën ekrani shtrihet majtas dhe djathtas të ekranit qendror, i cili i mundëson shikuesit një përvojë filmi panoramik 270 gradë. Të ashtuquajturit – Kinema Pa Kufi.
Oferta e pasur e formateve premium përfshin Gold Class për ata që pëlqejnë një takim luksoz me darkë në kinema. Pastaj sallën eXtreme me një ekran më të madh dhe teknologji më të fortë, Ultimate nga Dolby Atmos është perfekt për adhuruesit e zërimit më të fundit në botën e teknologjisë. Ka edhe një Gaming sallë për e-sports, një Kids sallë për fëmijë që do të ketë një program dhe tingull të personalizuar për fëmijët e vegjël nga ora 11:00 deri në orën 17:00. Krahas tij ofrohen edhe dy dhoma ditëlindjeje, që e bëjnë këtë lokacion të preferuar për prindër dhe fëmijë. Të gjitha këto formate janë në dispozicion nga sot, ndërsa CineStar njofton se salla 4DX do të hapet më 15 qershor me filmin “The Flash”.
Me 15 salla kinemaje të pajisura në mënyrë modern, të dimensioneve dhe identitetit vizual të ndryshëm, me afërsisht 2000 ulëse, CineStar Megaplex në Prishtina Mall është kinemaja më e madhe, më moderne, por edhe më e bukura në Kosovë dhe më gjerë. Përveç epërsisë teknologjike që përfshin ekranet Harkness nga muri në mur, projektorët lazer Barco 4K RGB, Real D Ultimate 3D, altoparlantët JBL dhe përforcuesit audio Crown, pjesa e brendshme e CineStar të Prishtinës ka një shumëllojshmëri materialesh, ngjyrash dhe stilesh, të nënshkruara nga dizajnerë të njohur që kanë montuar dhe kinema të tjera CineStar të vlerësuara me shumë çmime, përfshirë çmimin për kinemanë më të mirë të sapondërtuar në Evropë 2018 (CineStar Split).
Biletat për CineStar me ofertën me 50% zbritje do të shiten në arkat e kinemasë duke filluar nga dita e sotme, 2 qershor në orën 15:00 kurse online në www.cinestarcinemas-ks.eu janë të disponueshme që tani.
CineStar Cinemas është zinxhiri më i madh i kinemasë në rajon me 28 multiplekse, 182 salla dhe afërsisht 28,000 dhe me këtë megaplex në Prishtinë, CineStar tani hyn fuqishëm edhe në Kosovë.Shoqata Ndërkombëtare e Kinematografëve (UNIC) e shpalli CineStar Cinemas kinemanë më të mirë në Evropë për vitin 2019, pasi përfaqëson një shembull konkret të një kompanie që ngrit nivelin në industri dhe arrin rritje të vazhdueshme. / KultPlus.com
Po vjen edicioni i trembëdhjetë i ngjarjes së përbashkët kulturore, “Ura me tri harqe”, e të tri institucioneve shqipfolëse të arsimit të lartë: Universiteti i Arteve- Tiranë, Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës si dhe Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës, përcjell KultPlus.
Sivjet Universiteti i Prishtinës do të jetë nikoqir i kësaj ngjarje.
Ky Manifestim gjatë këtyre dy ditëve do të shfaqë, ekspozojë e performojë, projektet artistike më me vlerë përgjatë vitit akademik 2022-23, si filma me metrazh te shkurtër, dokumentarë, shfaqje teatrale, ekspozitën e koncertin e përbashkët të tri Universiteteve. Poashtu këtë vit “urës” do t’i bashkohet edhe një shfaqje mysafire nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike në Shkup.
Programi i kësaj veprimtarie artistike do të prezantohen përgjatë dy ditëve 25-26 maj 2023. / KultPlus.com
Zyra Ndërlidhëse Helenike në Prishtinë në bashkëpunim me Institutin e Albanologjisë do të prezantojë përkthimin e librit “Zorba” të shkruar nga Nikos Kazantzakis, i cili konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të shquar grekë në mbarë botën, përcjell KultPlus.
Prezantimi i “Zorba” është bërë nga Stavros Dagios / Stavro Dajo i cili bëri përkthimin e kësaj vepre nga greqishtja në shqip.
Ngjarja do të mbahet të enjten, më 25 maj 2023, në Institutin Albanologjik në Prishtinë, me fillim nga ora 11:00. / KultPlus.com
Një program i ri, ‘Ora e Leximit’ do të filloj të implementohet në të gjitha shkollat fillore, të ciklit të ulët të kryeqytetit, shkruan KultPlus.
‘Ora e Leximit’, është një program i cili është marr si koncept nga shtetet e Suedisë dhe Kanadasë, shtete të cilat kanë korrur rezultate konkrete pas problemeve të shumta që kanë pasur nxënësit në pjesën e leximit dhe kuptimit të teksteve.
Gjatë kësaj ore të leximit nxënësit do të kenë mundësi që të lexojnë libra të cilët u pëlqejnë, e të cilat më pastaj do t’i analizojnë së bashku me shokët e klasës dhe mësimdhënësit.
‘’Në Orën e Leximit, nxënësit e klasëve 1 deri në 5 të Prishtinës do të lexojnë libra që ju pëlqejnë, që i kuptojnë, dhe që do t’i komentojnë e analizojnë në klasë së bashku me shokët e klasës dhe mësimdhënësit.’’, thuhet në njoftim.
Më poshtë gjeni të plotë njoftimin të publikuar nga Besianë Mehmeti:
Ora e Leximit po fillon në shkollat e Prishtinës
Jam e lumtur të ju njoftoj se po e fillojmë Orën e Leximit në të gjitha shkollat fillore të Prishtinës, për të gjitha klasët e para deri në klasën e pestë.
Bashkë me Agon A. Ahmeti nga ETEA, konceptin e kësaj ore të leximit e kemi marrë nga Suedia dhe Kanada, ku të dyja shtetet kanë pasë probleme në lexim-kuptim të nxënësve dhe e kanë nxjerrë si politikë që ka dhënë rezultate konkrete.
Së pari kemi blerë libra të rinj, në vlerë prej mbi 100 mijë euro dhe do ti shpërndajmë në shkolla.
Fëmijët do të lexojnë libra që atyre ju pëlqejnë. Do të lexojnë Utën e Maleve, Piter Panin, Princin e Vogël, Aventurat e Profesor Kantit, Çarlin që transformohet në T-Rex, Ditarin e Djaloshit Nerd, do të mësojnë për Musinë Kokalarin, Greta Thunberg, Nënë Terezën, e shumë e shumë personazhe të tjera.
Në Orën e Leximit, nxënësit e klasëve 1 deri në 5 të Prishtinës do të lexojnë libra që ju pëlqejnë, që i kuptojnë, dhe që do t’i komentojnë e analizojnë në klasë së bashku me shokët e klasës dhe mësimdhënësit./KultPlus.com