Në Prishtinë u zhvillua takimi i redaksive të fushës “komunikim dhe mjete të komunikimit” për hartimin e fjalësit të njësuar.
Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeredaktori i “Enciklopedisë shqiptare” akad. Mehmet Kraja. Ai vlerësoi punën e bërë nga dy redaksitë dhe paraqiti disa sugjerime për të përmbyllur me sukses fazën e parë të hartimit të kësaj vepre të madhe.
Akademik Kraja theksoi se “Enciklopedia” jonë do të jetë enciklopedi kombëtare për vlerat më të mira që kanë dhe kanë krijuar shqiptarët në historinë e tyre.
Përgjegjësi i redaksisë së Kosovës, Binak Kelmendi dhe përgjegjësi i redaksisë së Tiranës, Naim Zoto, si dhe prof. dr. Valbona Toska (nga redaksia e posaçme për trashëgiminë shqiptare në Maqedoninë e Veriut) informuan për punën e redaksive dhe problematikat e evidentuara. Anëtarët e këtyre redaksive dhanë mendime sidomos në lidhje me kriteret për përfshirje dhe proporcionet strukturore mes artikujve.
U konkludua që koha deri në fund të shtatorit duhet të shfrytëzohet që lista e përbashkët e artikujve të rishihet edhe një herë për të reflektuar vërejtjet e apo sugjerimet gjatë kësaj konsulte ballafaquese.
Ky projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës mbështetet dhe bashkëfinancohet nga qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës./atsh/KultPlus.com
Pas një sërë koncertesh të mbajtura gjithandej nëpër botë, Kori Siparantum mbrëmë në Kishën “Shën Ndou” solli një frymë artistike me vepra të renesancës e deri te ato bashkëkohoret, të cilën frymë për muaj me radhë e kishte dhuruar në koncerte dhe gara të ndryshme ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Tashmë është bërë e zakonshme që shfaqjet e këtij kori me nam të cilat dirigjohen nga Memli Kelmendi, të mbledhin publik të shumtë në numër, të cilët me shumë ëndje e vëmendje përcjellin secilën vepër interpretuese, të sjellur në mënyrë mjaft unike përmes koreografisë dhe repertorit mjaft të larmishëm, i cili pashmangshmërisht bëhet një me audiencën. Mbrëmë u dhanë gjithsej 13 vepra nga kompozitorë vendorë e të huaj.
Ishte vepra “Ex alpess” e Memli Kelmendit e cila u dha në hapje të këtij koncerti. Elemente nga tradita shqiptare rugovase u vunë re fillimisht nga krijimi i tingujve të veçantë përmes rrotullimit të “tepsisë në sofër” nga një vajzë me kostume karakteristike të zonës, duke u pasuar me këngë majekrahu që po ashtu janë specifike për këtë anë. Një ngjyrë zëri e mrekullueshme e vokalistes Arbana Lushaj e plotësoi performancën, përderisa përfshirja e tupanit nga Fidan Stumcaku i jepte ngjarjes shumë ritëm duke e kompletuar në plotni.
Vepra “Pakëz në ëndërr pakëz në zhgjëndërr” nga Baki Jashari e cila u interpretua nga kori dhe Aurora Hyseni në një ambient të errët e të ftohtë siç është kisha “Shën Ndou” krijonte vërtetë ndjesi sikurse vetë titulli i veprës, duke e hipnotizuar publikun në sallë në një gjendje mes gjumit dhe zgjimit.
Ndërsa vepra “Rrjedh në këngë e ligjërime” e interpretuar edhe nga baritoni Shaban Behramaj dhe pianistja Denita Dedushaj sikur i dha ëmbëlsi koncertit përmes një teksti aq të dashur dhe të pranuar nga gjithë të pjesëmarrësit e sallës, pjesë e së cilit ishin edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz.
Tinguj mjaft unik, me pëshpërima, zëra misterioz, lëvizje ta pa parashikuara, strikte, të shoqëruara me errësirë, piano, tupanë, klarinet, pastaj duke përdorur edhe letrat e bardha si pjesë unike të performancës e deri te shtrirja e komplet anëtarëve të korit në tokë u dhuruan pafund emocione në pikat tjera interpretuese në këtë mbrëmje plot magji.
Veprat tjera të cilat publiku i shijoi ishin : “Media vita” të Michael McGlyn (Leon Shehu- vocal dhe Fidan Strumcakut- shaman drum), “Të Falemi o dhe” nga Rauf Dhomi, “Earth Song” nga Frank Ticheli, “Kopile moj Kopile- arr nga Memli Kelmendi (Donika Rushiti-vocal, Dior Morina- clarinet, Denita Dedushaj- piano), “Fire” nga Katerina Gimon, “Sometimes, I feel Iike a motherless child” arr. Carsten Gerlitz (Erletë Regjepi-vocal dhe Denita Dedushaj-piano), “En ‘s Avonds” arr. Memli Kelmendi (Aurora Hyseni- tambourine), “Pax” nga Memli Kelmendi (Skender Hyseni-tenor), “Dies Irae” nga Ryan Main ( Agron Shujaku-piano), “Ta na solbici” nga Samo Vovk.
Përveq publikut mbrëmjen e sjellur në atdhe e kishte shijuar edhe vetë anëtarja e korit “Siparantum”, Natyra Mehmeti.
“Ndjenja për të performuar në vendin tënd, në vendin ku jemi shkolluar, ku kemi marrë gjithë këtë kulturë është një ndjenjë komplet ndryshe pavarësisht eksperiencave tona ndërkombëtare. Kur të kthehmi në shtëpi besoj që e japim gjithë zemrën në skenë. Po besoj që kjo është reflektuar jashtëzakonisht shumë te publiku, ku përmes këti kori kemi mundur të tregojmë që Kosova ka një potencial jashtëzakonisht të madh talentesh duke i përfshirë këtu edhe talentët e muzikës korale.
Ndërsa baritoni Shaban Behrami rikthimin e Korit Siparantum me koncert në Prishtinë e cilësoi si një mbrëmje me ndjesi tejet të veçanta.
“Ky koncert ishte njëri prej koncerteve më të veçantë sepse pas një kohe goxha të gjatë jemi rikthyer në Prishtinë me Korin Siparantum pas shumë udhëtimeve, sukeseve, garave, e festivaleve të ndryshme nëpër botë. Ka qenë një moment shumë i veçantë, shumë emocionues të paktën për mua, sepse në mesin e publikut ka pasur shumë njerëz, të afërm, kolegë, shokë me të cilët punoj çdo ditë, edhe për mua pa diskutim është një ndjenjë e veçantë kur i sheh këta kolegë duke të përkrahur në rrugën dhe suksesin tënd. Për mua ka qenë një mbrëmje jashtëzakonisht e mirë, të cilën e kam shijuar po ashtu shumë”, ka thënë Behrami.
Po ashtu edhe vetë dirigjenti Memli Kelmendi u shpreh i emocionuar për rikthimin e Siparantumit në Kosovë, pas koncerteve të shumta nëpër botë.
“Çdo herë kur performon para publikut vendas, për mua dhe besoj secilin prej nesh është një emocion tjetër dhe ndryshe prej të gjitha paraqitjeve tona nëpër botë sepse njerëzit të cilët të përkrahin në këtë rrugëtim sonte kanë qenë këtu me ne, gjë e cila është diçka shumë e rëndësishme dhe është pjesë e rrugëtimit dhe misionit tonë”, ka thënë Kelmendi.
Dirigjenti Kelmendi më tej ka bërë të ditur se programi i cili u dhurua mbrëmë në koncert ishte një pjesë e asaj çka është interpretuar nëpër botë, e me të cilin program kanë korrur shumë suksese.
Kjo është diçka prej punës tonë, fatkeqësisht jo të gjitha kemi mundur t’i prezantojmë për shkak të festivaleve nuk lejohet që të shpalosen veprat, kemi konsideruar që duhet të jenë disa prej tyre të paktën të ju japim një dhuratë si shenjë mirënjohjeje për të gjithë ata që qëndrojnë në mbështetje të Korit. Ne sonte jemi paraqitur me vepra të ndryshme të formacionit vokal, me vepra që nga periudha e renesancës e deri tek muzika bashkëkohore duke mos anashkaluar edhe veprat e kompozitorëve shqiptar qoftë vepra të adaptuara apo vepra origjinale” ka thënë më tej Kelmendi.
Ndërsa për pianistin Agron Shujaku koncerti i mbrëmshëm i Siparantumit kishte sjellë freski te publiku i vendor.
“Unë pas një pauze të konsiderueshme nga interpretimi në Korin Siparantum, sonte u riktheva me një pikë performuese. Për mua ka qenë një ndjenjë e veçantë sepse sonte kam mundur të përjetoj koncertin edhe duke qenë pjesë e publikut, edhe pjesë e performancës. Ka kohë që kori Siparantum nuk ka mbajtur koncert në Prishtinë, mendoj që ka sjellë një freski te publiku vendor”, është shprehur pianisti Shujaku./ KultPlus.com
Po kërkohet hapja e një qendre multikulturore në Prishtinës.
Kjo kërkesë vie nga organizata, Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.
Përmes një adresimi VoRAE kërkon nga pushteti lokal në kryeqytet, për ndarjen e një hapësire për ndërtimin e kësaj qendre.
Sipas kësaj shoqate, krijimi i një qendre kulturore në Prishtinë do të ishte një hap vendimtar drejt përmirësimit të imazhit të komuniteteve të margjinalizuara, siç janë romët, ashkalinjt dhe egjiptianët.
” Një qendër e tillë mund të shërbejë si një platformë për të shfaqur pasurinë kulturore, historinë dhe traditat e këtyre komuniteteve, duke kontribuar në ndryshimin e perceptimeve negative dhe promovimin e diversitetit kulturor. Kultura dhe mentaliteti i një kombi pasqyrohen në mendimet dhe imagjina e njerëzve të tij. Përmes aktiviteteve kulturore, ekspozitave artistike, pë rformancave muzikore dhe teatrale, një qendër kulturore mund të ndihmojë në ndërtimin e një narrative pozitive për këto komunitete. Kjo jo vetëm që do të rrisë ndërgjegjësimin dhe respektin për diversitetin kulturor, por gjithashtu do të forcojë ndjenjën e identitetit dhe krenarisë mes anëtarëve të komunitetit”, thuhet në kërkesën e VoRAE transmeton Klankosova.tv
Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, thekson se kjo qendër do të krijonte hapësira për dialog dhe bashkëpunim midis komuniteteve të ndryshme, duke reduktuar diskriminimin dhe paragjykimet.
“Ajo do të ofronte mundësi për edukim dhe zhvillim personal, duke fuqizuar individët dhe duke kontribuar në një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë. Përmes këtij angazhimi, qendra kulturore do të luajë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës harmonike ndërmjet të gjithë qytetarëve”, thuhet ndër të tjera.
VoRAE kërkon hapjen e qendres multikulturore në Prishtinë: Hap vendimtar drejt përmirësimit të imazhit të komuniteteve të margjinalizuara
Çka synohet me hapjen e Qendres Multikulturore?
“Qendra Multikulturore – për të promovuar gjithëpërfshirjen dhe unitetin brenda qytetit tonë”.
Themelimi i një qendre të përkushtuar kulturore për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe festimit të identitetit të tyre kulturor, duke promovuar gjithëpërfshirjen dhe unitetin brenda qytetit tonë. Kjo qendër do të ofrojë një sërë programesh që pasqyrojnë pasurinë kulturore dhe historike të këtyre komuniteteve dhe do të shërbejë si një pikë takimi për të gjithë qytetarët.
Komponentët kryesorë të qendrës:
1. Muzeu i Arteve
– Organizimi i ngjarjeve të rregullta kulturore, festivaleve dhe ekspozitave për të shfaqur traditat, muzikën, vallëzimin, artet dhe folklorin e komuniteteve.
– Bashkëpunimi me artistët e komuniteteve për të organizuar shfaqje dhe ekspozita, si brenda qendrës ashtu edhe në ambiente të jashtme.
– Inkurajimi i anëtarëve të komunitetit dhe artistëve që të ndërveprojnë me vizitorët dhe të ndajnë historitë dhe përvojat e tyre.
2. Hapësirat Interaktive Mësimore
– Ofrojnë punëtori dhe aktivitete të dizajnuara për të zhytur pjesëmarrësit në kulturën e romëve, të ashkalinjve dhe egjiptianëve.
– Përfshijnë klasa gjuhësore, zanate, punëtori tradicionale të gatimit dhe mundësi për të mësuar instrumente muzikore tradicionale.
3. Ndërgjegjësimi dhe Avokimi
– Angazhimi aktiv në rritjen e ndërgjegjësimit për historinë dhe kulturën rome dhe sfidat me të cilat përballen këto komunitete.
– Përpjekjet e avokimit që synojnë luftimin e diskriminimit dhe promovimin e mundësive të barabarta për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptianëve.
4. Edukimi dhe Ndërgjegjësimi
– Organizimi i seminareve, leksioneve dhe paneleve diskutimi për publikun e gjerë për t’i edukuar ata rreth historisë, kulturës dhe kontributit të komuniteteve.
– Organizimi i shfaqjeve filmike dhe diskutimeve mbi tema që lidhen me çështjet e komuniteteve, diskriminimin dhe të drejtat e njeriut.
– Një bibliotekë me libra, materiale audio-vizuale dhe burime mbi historinë dhe kulturën e komuniteteve në dispozicion për qëllime edukative dhe kërkimore.
– Bashkëpunimi me institucionet arsimore për të integruar historinë dhe kulturën e komuniteteve në kurrikulën e tyre.
5. Shkëmbimi Gjuhësor dhe Ndërkulturor
– Ofrojnë kurse gjuhësore për individët romë dhe jo-romë, me fokus në mësimin e gjuhës rome dhe shprehjeve kulturore.
– Lehtësimi i programeve të shkëmbimit ndërkulturor ndërmjet komuniteteve rome dhe jo-rome për të nxitur mirëkuptimin dhe për të kapërcyer boshllëqet.
– Organizimi i programeve shkëmbimi gjuhësor ku individët romë ndajnë gjuhën dhe kulturën e tyre me nxënësit e interesuar.
6. Hulumtimi dhe Dokumentacioni
– Kryerja e kërkimeve mbi historinë, kulturën dhe çështjet bashkëkohore rome dhe publikimi i gjetjeve në revista akademike dhe platforma të tjera.
– Mbledhja dhe ruajtja e historive gojore, fotografive, artefakteve dhe dokumenteve rome për të siguruar që kontributi i romëve në shoqëri të njihet dhe ruhet.
– Bashkëpunimi me studiues, studiues dhe arkivistë për të dokumentuar dhe ndarë informacion të saktë rreth komuniteteve.
7. Partneriteti dhe Bashkëpunimi
– Krijimi i partneriteteve me institucionet kryesore kulturore, shkollat dhe universitetet për të nxitur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.
– Bashkëpunimi me OJQ-të dhe grupet e avokimit që punojnë për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale për të zgjeruar përpjekjet kundër anticiganizmit.
– Angazhimi me politikëbërësit dhe organet qeveritare për të ndikuar në politikat dhe programet që promovojnë përfshirjen sociale dhe luftojnë diskriminimin.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se testimi i sistemit të Alarmit Publik do të bëhet gjatë ditës së shtunë, në ora 12:05.
Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës në facebook.
“Ju njoftojmë se testimi i radhës i sistemit të Alarmit Publik do të bëhet me datë 02.12.2023 (e shtunë) ora 12:05 më zë të njëtrajtshëm dy here nga 30 sek”, ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës në llogarinë e saj në Facebook./KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka bërë të ditur se edhe këtë vit nuk do të ketë ndryshim të tarifës për ngrohje nga Termokosi, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në Facebook, kryetari Rama ka bërë të ditur se vendimi për mos ndryshimin etarifave erdh pas vendimit të bordit të ZRRE.
“Edhe këtë sezon ngrohës faturimi për konsumatorët banesor dhe afarist/institucional të Termokos do të bëhet me tarifa të pandryshuara nga sezoni i kaluar,
pas vendimit të bordit të ZRRE”, ka shkruar Rama në Facebook./KultPlus.com
Autobusi ngjyrë rozë ka filluar qarkullimin të hënën në kryeqytet.
Nisja është bërë në rrugën “Luan Haradinaj”, konkretisht te New Born e gjithë kjo në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit.
Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku bëri të ditur se shërbimi i mamografisë do të ofrohet falas në tri Qendrat e Mjekësisë Familjare: në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, atë të lagjes “Dardania” dhe në QMF “Veternik”.
Ai ka falënderuar ekipet e basketbollit të Trepçës e Pejës, lojtarët e së cilave do të veshin bluzat “Race for the Cure Prishtina 2023” në shenjë mbështetje për fushatën e vetëdijësimit kundër kancerit të gjirit.
Kryeshefi ekzekutiv i “Trafikut Urban”, Burim Maraj tha se ë gjithë që bëjnë mamografinë në tetor udhëtojnë falas me “Trafikun Urban”. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në kuadër të agjendës shtetërore të Muajit të Rinisë 2023, organizon Panairin e Rinisë 2023 në bashkëpunim me UNICEF në Kosovë.
Panairi do të jetë i hapur në Pallatin e Rinisë (përballë Sallës së Kuqe) në Prishtinë, sot, me datë 25 gusht (e premte) nga ora 11:00 deri 15:00. / KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se është hapur thirrja për pjesëmarrje në Panairin e Rinisë i cili do të mbahet në Prishtinë më datë 25 gusht, përcjell KultPlus.
Ky panair i cili pritet të mbahet më datë 25 gusht nga ora 11:00, ofron hapësirë për të rinjtë që të paraqesin veprimtarinë e tyre dhe të rrjetëzohen me institucionet publike, sektorin privat dhe organizatat.
Nëse jeni artistë, artizanë, ndërmarrës apo krijues të rinj (15 – 24 vjeç), inkurajoheni të aplikoni për të siguruar hapësirë.
Shembuj që mund të ekspozohen janë krijimtaritë në fushën e artit, artizanate të ndryshme, punëdore, gastronomi, teknologji informative, prodhimtari, si dhe fusha të tjera që reflektojnë punën dhe angazhimin tuaj.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati ka bërë të ditur se nga sot të gjitha çerdhet dhe shkollat e Prishtinës do të kenë në dispozicion ‘Mjeshtrin e Shkollës’, i cili do të jetë në dispozicion 27/7 për çfarëdo lloj nevoje brenda shkollës, shkruan KultPlus.
Musmurati përmes një postimi në facebook ka thënë se ‘Mjeshtri i Shkollës’, do të reagojë shpejtë dhe me efikasitet për të rregulluar të gjitha shkollat në Komunën e Prishtinës kur është e nevojshme.
“Një ekip mobil me mjeshtër nga Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë ka me qenë në dispozicion 24/7 e që me një telefonatë, shkollat kanë me thirrë për çfarëdo lloj nevoje që e e kanë.
Ka kalu koha kur në shkollat e Prishtinës është prishë diçka e nxënësit kanë pritë me vjet që komuna me reagu. Mjeshtri i shkollës ka me reagu shpejt e me efikasitet që me i ndreqë shkollat tona.
E tash po e dini, bashkë kemi me i ndreqë krejt shkollat e Prishtinës”, ka shkruar Musmurati në facebook./KultPlus.com
Kompozitor e muzikantë, duke përfshirë nacionalitete të huaja dhe në mesin e tyre edhe shqiptarë, u mblodhën mbrëmë në Prishtinë për të performuar veprat e tyre, përpara një publiku të gjerë, shkruan KultPlus.
Përpara se të nis koncerti i magjishëm nga këta 12 muzikantë të rinjë, fjalën hyrëse e mori profesoresha e muzikës dhe drejtoresha e Chopin Piano Fest, Besa Luzha e cila foli më tepër për koncertin që pritej të nistë për pak çaste, duke dhënë detaje më të thella se si arriti deri tek realizimi i tij.
“Kompozitorët janë zgjedhur me short se në cilat qytete do ta kenë rezidencën artistike. Dy kompozitorët tanë Ardian Halimi dhe Kreshnik Aliçkaj, kanë pasur rezidencat në dy qendra të ndryshme, njëri në Dubrovnik dhe tjetri në Tiranë. Ndërkaq, tek ne në Prishtinë kanë qenë dy kompozitor të rinjë, Timotej Kosovinc, i cili do të luajë edhe sonte me kitarë dhe Mira Milosavljevicqë e cila vjen nga Beogradi”, u shpreh Luzha.
Ndërkaq, Luzha tregoi që të gjitha këto kompozime janë zhvilluar në gjashtë qytete të ndryshme të botës, duke përfshirë Kotorin, Dubrovnikun, Trebinjën, Tiranën, Prishtinën dhe Lubjanën, dhe se secila qendër ka caktuar se cilat tema do trajtohen brenda koncertit.
“Prej 16 korrikut ky grup ka filluar turneun nëpër të gjitha këto gjashtë qendra. Dhe pas përfundimit të punës së tyre artistike dhe kompozimeve, çdo qytet është dashur të caktojë tema dhe të inspirohet nga to. Në Prishtinë, ne i kemi caktuar dy tema, diversitetin dhe lirinë, mbi të cilat kompozitorët kanë krijuar veprat”, përfundoi Luzha.
Luzha tha se çdo gjë është realizuar me short dhe se në mesin e këtyre muzicientëve janë përzgjedhur për të përformuar katër shqiptarë.
Rezidencën artistike, kompozitorët Timotej Kosovinc dhe Mira Milosavljevicq, e patën në Kosovë. Kosovinc, ishte kompozues i këngës ‘Unheard story’ të cilën e solli mbrëmë në mënyrën më të mirë të mundshme duke u kapur gjer në detajet më të imëta. Ndërsa, vepra e Mira Milosavjevic, do të dalë sot në po të njëjtën skenë, me performim nga po të njëjtit muzikantë.
Mbrëmë, publiku ishte i padurueshëm në aspektin e pritjes, ku çdonjëri priste me ngulm fillimin e kësaj performance. Me të hyrë në skenë grupi i parë i muzicientëve, publiku u çua në këmbë duke dhënë emocione të forta nga vetja, me duartrokitjet më të mëdha dhe me mbështetjen entuziaste karshi tyre.
Kjo ngjalli energjinë më të madhe tek performuesit, duke nxitur ata të japin qoftë edhe copëzën më të vogël prej vetes.
Kënga ‘Air’ e kompozuar nga Milivoje Picuric, nisi të luhet nga katër muzicientët e huaj, Dusan Obrenovic dhe Andrijana Durmisevic me violinë, Marija Bozic me violë dhe Teodora Uskokovic me violonçel.
Edhe pse performimi i këngës së parë nuk zgjati shumë, ajo magjepsi të gjithë të pranishmit me paraqitjen e saj. Ndjenjë qetësie, energji të mirë dhe emocione të forta ishin ato çka u përçuan tek publiku me anë të kësaj kënge.
Kompozitorja e këngës, Milivoje Picuric, foli në për këngën ‘Air’ në detaje.
“Ajri është një përzierje e shumë gazeve dhe grimcave të vogla të pluhurit. Është gazi i pastër në të cilin gjallesat jetojnë dhe marrin frymë. Ka formë dhe vëllim të pacaktuar. Ka masë dhe peshë sepse është materie”, përfundon Picuric.
Kënga e radhës ishte me kompozim të shqiptarit, Ardian Halimi, këngë, e cila tek publiku ngjalli atë ndjenjën prej shqiptari. Drithërima, entuziazëm, e kënaqësi u panë në fytyrat e secilit pjesëmarrës.
‘On the Edge of Silence’ u luajt në mënyrë profesionale nga Tereza Horakova me të tre muzicientët shqiptarë, Entela Qarkagjija, Egli Prifti, dhe Arian Zherkën.
‘Në buzë të heshtjes’ është përshkruesja më e mirë e tingujve që vijnë nga qetësia e largët të cilat zhduken përsëri në errësirë. Ashtu ndodhi edhe në performimin e kësaj kënge, ku edhe zhurmat më të thella shkonin duke zvogëluar ritmin e tyre, duke u asgjësuar në fund. Në mbarim të këngës, me zhdukjen e tingujve, mbetën vetëm siluetat e tyre të cilat ndjeheshin ende në qetësi.
Jo gjithmonë ka nevojë për fjalë për të shpalosur diçka, e këtë më së miri e vërtetuan mbrëmë ky grup i performuesve, ku e vetmja gjë që bënte zhurmë ishin veglat muzikore në duart e tyre.
Fuqia e botës së artit është e tillë, jep mesazh edhe pa zë, jep forcë edhe pa bërtitur e shpërndanë emocione pa pasur nevojë të prekë zemrat.
Përpos këtyre dy këngëve, përpara publikut të Prishtinës u paraqitën edhe katër këngët e tjera si ‘Encounters’, ‘Big Ship Full of Joy and Crap’, ‘Kuartet pianistic’ dhe ‘Unheard Story’. Secila këngë, me veçantinë e vet dha më të mirën nga vetja.
Me këto gjashtë vepra artistike të kompozuara me profesionalizëm e të performuara magjishëm, u bë edhe përmbyllja e koncertit të parë të ‘Synergy’, ndërsa koncerti i dytë do të mbahet sonte në ora 20:00.
Milivoje Picuric, Ardian Halimi, Nina Perovic, Matija Krecic, Kreshnik Alickaj dhe Timotej Kosovinc, ishin gjashtë kompozuesit e veprave të shfaqura mbrëmë. Ndërkaq, performuesit e natës së mbrëmshme janë: Dusan Obrenovic, Andrijana Durmisevic, Marija Bozic, Teodora Uskokovic, Egli Prifti, Teresa Horakova, Entela Qarkagjija, Arian Zherka, Alenka Bogataj, Leufat Bucuku, Milena Petkovic, Marija Ticl, Andi Duraku, Miljana Nikolic, Cristina Basili, Timtej Kosovinc dhe Tim Jancar.
Kujtojmë që ky rrugëtim me performim të këtyre veprave ka nisur më datë 16 korrik dhe do të zgjasë deri më 2 gusht. Performuesit udhëtuan në gjashtë vende, duke përfshirë, Kotorin, Dubrovnikun, Trebinjen, Beogradin, Ljubljanen dhe Tiranën e Prishtinën. / KultPlus.com
Panairi i 19-të Ndërkombëtar i Turizmit dhe Sportit nis nesër, më 27 prill nga ora 10:00 në sallën 1 tetor në Prishtinë dhe do të jetë vendtakimi i destinacioneve më të bukura rajonale dhe të gjithë e interesuar do të mund të marrin informacione çdo ditë deri me 28 prill.
Panairi Ndërkombëtar i Turizmit dhe Sporteve është një ngjarje promovuese dhe komerciale për sektorin e turizmit dhe sportit. E sipas organizatorëve, edicioni i sivjetshëm shpalos një gamë të gjerë destinacionesh dhe atraksionesh turistike, sportive dhe oferta të ndryshme nga një numër i madh agjencish turistike, subjektesh afariste, institucione të tjera nga vendi, rajoni e më gjerë.
Domethënë, një vend ideal për rrjetëzimin me profesionistë nga industria e turizmit dhe sportit në Ballkan, dhe një epiqendër për bashkëpunim potencial, si dhe një platformë unike në të cilën ofertat turistike dhe sportet promovohen zyrtarisht për vizitorët nga Kosova dhe rajoni. / KultPlus.com
Opre Roma Kosova (ORK) më 8 Prill do të shënojë Ditën Ndërkombëtarë të Romëve në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, përcjell KultPlus.
Ekipi Qendrorë i ORK-së në Prishtinë do të ndajë materialet promovuese të Ditës Ndërkombëtare të Romëve dhe informacionet e Opre Roma Kosovo në rrugën “Nënë Tereza” (Sheshi) në Prishtinë nga ora 14:00.
“Ne jemi të lumtur që ju ftojmë të na bashkëngjiteni në këtë ngjarje të rëndësishme, për të shënuar dhe festuar kulturën Rome dhe për të rritur ndërgjegjësimin për problemin me të cilin përballen Romët në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Opre Roma Kosova (ORK) është një komunitet i zërave Romë, miqve dhe aleatëve të përkushtuar për fuqizimin e komuniteteve Rome.
Gjithashtu, rreth 50 aktivistë lokalë dhe njëmbëdhjetë udhëheqës lokalë të Opre Roma të Kosovës në njëmbëdhjetë komuna në qendrat e qytetit të Lipjanit, Mitrovicës Jugore, Mitrovicës Veriore, Gjilanit, Kamenicës, Prizrenit, Gjakovës, Fushës Kosovës, Peja, Graçanica dhe Obiliq në ora 14:00 do të ndajnë edhe materiale promovuese dhe informative për Ditën Ndërkombëtare të Romëve. / KultPlus.com
ChopinPianoFEST Prishtina, festivali muzikor i vlerësuar shumë nga kritika, media, fansat dhe audienca në rritje si një prezantim i shkëlqyer i mjeshtërisë së pianos po sjell edicionin e 13-të me radhë, përcjell KultPlus.
Organizatorët e festivalit tashmë kanë bërë publike edhe datat e këtij edicioni e që përfshijë një muaj. 9 Maj – 9 Qershor është kohë që është rezervuar për të sjell para jush koncerte të mrekullueshme nga artistë tejet të veçantë.
Festivali që përgjatë gjithë këtyre viteve ka ofruar interpretime si nga pianistë me famë botërore ashtu edhe nga talentet vendore dhe shërben si platformë shkëmbimi kulturor mes artistëve kosovarë dhe artistëve që vijnë nga vende të ndryshme të botës, njejtë do të veprojë edhe këtë vit.
Muzika është gjuha e përbashkët e komunikimit dhe bashkëpunimit dhe festivali ka pritur edhe muzikantë nga vende që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.
Edicioni i 13-të i Chopin Piano FEST Prishtina 2023 do të mbledhë pianistë të shquar vendas dhe ndërkombëtarë që interpretojnë jo vetëm veprat e Chopin-it, por edhe kompozitorë të tjerë të njohur, klasikë dhe bashkëkohorë që interpretojnë ansamble piano solo dhe piano (trio, duo, sekstet) repertor, duke përfshirë koncerti për piano me Filarmoninë e Kosovës.
Festivali promovohet gjithashtu nga EFA (Asociacioni Evropian i Festivaleve) http://www.efa-aef.eu/en/home/ dhe është pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Chopin (IFC) e lidhur me UNESCO-n. / KultPlus.com
Komuna e Prishtinës, konkretisht Drejtoria e Shërbimeve Publike, ka angazhuar një kompani për të vendosur mbishkrimin “Mirë se vini në Prishtinë”, te rrethi kryesor në lagjen Lakërishtë.
Tani e tutje çdo kujt që hyn në kryeqytet do t’i dëshirohet mirëseardhje.
Miku juaj i ri më i mirë në luftën kundër yndyrës në bark
Pamjet që gjatë ditës së shtunë u panë në hapësirat poshtë urës në Lakërishtë./KultPlus.com