Festivali i filmit për sportet malore dhe aventurën në natyrë zbarkon në Prishtinë

Një seri filmash të cilat shfaqin sportet malore, aventurën në natyrë, avanturistët si protagonistë të këtyre ngjarjeve do t’i sjellin emocion e adrenalinë publikut kosovar në KinoArmata në datat 7 dhe 8 tetor, shkruan KultPlus.

Festivali “Banff Kosovo” i cili organizohet nga Banff Centre Mountain Film Festival në Kanada do të vie për herë të parë në Prishtinë.

“Ky program dy-ditor i filmave ka për qëllim të sjellë shpirtin e aventurës në natyrë, t’i familjarizojë prishtinasit me sportet ekstreme në botë dhe t’i inspirojë ata të kalojnë më shumë kohë në natyrë, ta ruajnë atë dhe ta bëjnë pjesë të aventurave të tyre jetësore”, është shprehur drejtori i Banff Kosovo, Besnik Shala.

Edicioni i parë i festivalit për filma do të sjell përpara shikuesve 16 filma të shkurtë, të ndarë në Red dhe Blue Programme.

Dita e parë e festivalit më 7 tetor do të jetë nën formatin e filmave Red Programme, në të cilat trajtohen çiklizmi malor, vrapimi, surfi, skijimi dhe aventura në terrenet më sfiduese në botë.

Ndërkaq dita e dytë dhe e fundit e festivalit, 8 tetori do të jetë në Blue Programme me 8 filmat e mbetur me tematikë në përpjekjet njerëzore për të arritur në fusha të ndryshme të sporteve ekstreme dhe një ndër to edhe filmi “A Nordic Skater” që trajton patinazhin skandinav. Këta 16 filma të cilët do të shfaqen përpara shikuesit kosovar janë produksione nga vende si Kanada, Amerika, vende Skandinave, Letonia, Afrika e Jugut, Franca, Austrina dhe vende tjera nga mbarë bota.

Edicioni i parë në Prishtinë mundësohet nga Komuna e Prishtinës dhe Ambasada Kanadeze në Kroaci, ndërkaq për herë të parë është organizuar në vitin 1976 në Kanada.

Kur festivali në Kanada të përfundojë, një përzgjedhje e filmave më të mirë përgatitet për tu shfaqur në 40 vende të ndryshme, para më shumë se 600 mijë shikuesve në 1200 shfaqje unike filmash në botë. / KultPlus.com

Fotografi italian shpalosi mbrëmë dy periudha të ndryshme të Kosovës, përmes një ekspozite

Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, mbrëmë ka zënë vend ekspozita fotografike e titulluar “Kosovo-thin ice” e fotografit të njohur italian, Riccardo Venturi.

Kjo ekspozitë shpalosi para të pranishmëve situata gjatë luftës në Kosovë, në vitet 98-99 dhe gjithashtu situata e ditëve të sotme, pas njëzet vjetësh. Kjo cilësohet si një mundësi e mirë për të treguar përmes gjuhës së fotografisë historinë e kësaj ekspozite, shkruan KultPlus.

Pasi të pranishmit u njoftuan me punën e artistit, erdhi koha që me një fjalë rasti, hapjen e kësaj ekspozite ta bëjë ambasadori italian në Kosovë Piero Cristoforo Sardi. Ai falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje dhe tha se ndihet shumë i nderuar që e kishin mundësinë të prezantojnë veprat e fotografit Venturi.

Ai ekspozitën “Kosovo-thin ice” e cilësoi si një hap të mirë dhe një evolucion pozitiv që ka ndodhur gjatë këtyre njëzet viteve në Kosovë.

“Kuptimi që gjetëm në këtë ekspozitë është se së pari këtu shohim diferencën e fotografive në dy periudha të ndryshme të Kosovës, periudhën e luftës dhe periudhën e 20 viteve pas saj, që është një evolucion pozitiv për Kosovën. E dyta, konflikti që filloi në vitet ’90 ka prekur njerëz të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, por tash e shohim si të panevojshëm, sepse e ardhmja e popullit dhe gjeneratat e reja nuk duhen të ndikohen nga kjo”, ka thënë ambasadori, Sardi.

Ndërsa fotografi Riccardo Venturi, në hapje të ekspozitës përveç falënderimeve nuk është zgjatur më shumë.

Por, ai për KultPlus ka treguar eksperiencën e tij gjatë këtyre vizitave në vendin tonë.

 “Për herë të parë në Kosovë kam ardhur në vitin 1998, kohë lufte dhe tension i madh dhe ka qenë e vështirë për mua si gazetar atëherë, sepse nuk na lejonin të hynim nëpër fshatra dhe të shkonim në frontin e parë të luftës, sepse çdo rrugë kishte policë dhe kontrolla të mëdha, puna e gazetarëve në atë kohë ka qenë shumë e vështirë”, ka thënë fotografi, duke treguar tutje se një vit më vonë, më 1999, ka qenë vizita e tij e dytë në Kosovë, ku fillimisht ka vizituar refugjatët në Maqedoni dhe Shqipëri, e menjëherë pas përfundimit të luftës, në qershor ka hyrë në Kosovë  së bashku me refugjatët që ktheheshin. 

“Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme dhe e rrallë, të cilën jo shumë njerëz e kanë përjetuar. T’i shohësh katër skena në të njëjtën kohë, trupat serbe duke u larguar, trupat e Natos duke hyrë në Kosovë, refugjatët duke u kthyer në vendlindjet e tyre dhe fshatrat duke u djegur, unë e konsideroj të rrallë, sepse njeriut i ndodh shpesh të jetë prezent në një ndodhi, por  shumë rrallë ose fare në katër.”

Fotografi Venturi e ka organizuar këtë ekspozitë në dy pjesë. Në njërën anë kemi fotografi gjatë kohës së luftës dhe menjëherë pas përfundimit të saj, fotografi të qyteteve e fshatrave dhe fotografi të njerëzve. Në anën tjetër kemi fotografi të ditëve të sotme në Kosovë, që mund t’i marrim si një mesazh i shpresës.

Fotografitë bardh e zi janë fotografitë që autori i ka bërë gjatë luftës, pra janë ngjarje të cilat i ka përjetuar si fotograf dhe gazetar i luftës. Ndërsa fotografitë me ngjyra i takojnë periudhës së kthimit të tij në Kosovë, pas 20 vitesh. / KultPlus.com

‘ReMusica’ ftohet në Holandë, në Festivalin e muzikës klasike ‘Wonderfeel’

Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës ‘ReMusica’, respektivisht drejtoreshës së festivalit, Donika Rudit dhe producentit ekzekutiv Viktor Berishaj i është bërë ftesë nga Festivali Ndërkombëtar i muzikës klasike në Holandë “Wonderfeel”, shkruan KultPlus.

ReMusica do të jetë në mesin e 13 institucioneve/festivaleve ndërkombëtare , ndër to “Gent Festival” Belgjikë, “Concertgebouë” Belgjikë , “Music on Main” Kanada etj që do ta ndjekin nga afër këtë ngjarje të rëndësishme që do të ndodhë gjatë tre ditëve, në datat 20 -22 Korrik në ’s-Graveland.

Në Festivalin Wonderfeel këtë vit do të jenë rreth 125 koncerte pëfshirë edhe dokumentarët muzikor, ligjërata, poezi, aktivitete për fëmijë dhe të tjera. /KultPlus.com