Mos marrja e pagave për dy muaj ka shtyrë 104 punëtorët e Pallatit të Rinisë që të hyjnë në grevë nga data 28 shtator. Ata paralajmërojnë se nuk do t’i japin fund grevës deri në marrjen e pagave, ndërkohë që Agjencia Kosovare e Privatizimit që ka menaxhuar më herët me këtë ndërmarrje dhe Komuna e Prishtinës që tashmë e menaxhon, nuk kanë thënë asnjë fjalë për këtë.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Pallatit të Rinisë, Enver Musiçi, ka thënë për KosovaPress se punëtorët pagën e fundit e kanë marrë në muajin korrik dhe se për këtë çështje kanë komunikuar me zyrtarët e AKP-së dhe Komunës së Prishtinës, por ata, sipas tij, po ia hedhin fajin njëri-tjetrit për mos dhënie pagash.
“Arsyeja pse ne jemi futur në grevë është për shkak të mos marrjes së pagave që nga muaji korrik. Kështu që, po më duket që i kemi shterur të gjitha burimet, siç thotë një fjalë e urtë popullore me fjalë të mira dhe të buta duke kërkuar që të na bëhet pagesa e pagave. Kemi kontaktuar me institucionet e administratës të Agjencisë së Privatizimit, pastaj edhe me të komunës. Kështu që deri me 10 shtator kemi qenë punëtor të Administratës së autoritetit të likuidimit të Agjencisë Kosovar të Privatizimit, një marrëveshje që është arritur mes Komunës dhe AKP-së është bërë që prej datës 10 shtator kemi kaluar nën kompetencat e komunës. Pastaj, jemi drejtuar tek komuna, ku kemi pasur takim edhe me kryetarin edhe nënkryetarin e komunës së Prishtinës dhe kështu na kanë informuar se Komuna akoma nuk i ka përgatitur njerëzit që duhet të caktohen tre aksionar, të marrin vendim për ta regjistruar ndërmarrjen e re publike”, ka thënë ai.
Musiçi thotë se tashmë kanë mbetur në udhëkryq, ku nuk e dinë se nga kush të kërkojnë përgjegjësi për mosmarrjen e pagave. Ai ka treguar se është bërë një marrëveshje verbale në mes AKP-së dhe Komunës së Prishtinës, që AKP të paguajë pagat e punëtorëve meqë mjetet kanë qenë në llogari.
“Kur kërkojmë llogari nga AKP ata thonë se ka një obligim komuna, ata e kanë bërë një marrëveshje me shkrim ku thuhet se të gjitha obligimet të cilat i ka AKP ndaj klientëve ose punëtorëve i ka bartur tek komuna. Komuna e Prishtinës me shkrim i ka pranuar, por në mënyrë verbale e ka bërë një marrëveshje me AKP-në, ku kemi qenë edhe ne prezent aty ku ata i kërkojnë që të paguhen pagat e punëtorëve të muajit gusht, pasi që, mjetet janë në xhirollogari. Kështu që pas asaj marrëveshje verbale AKP e ndërron vendimin dhe nuk i përmbahet asaj marrëveshje, nuk na i paguan pagat dhe për atë kemi qenë të detyruar të hyjmë në grevë”, ka bërë të ditur ai.
Nëse nuk gjendet një zgjidhje, Musiçi thotë se do të marrin masa të tjera, por që ende nuk kanë vendosur të përshkallëzojnë grevën apo të protestojnë.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht punëtorët e sigurimit janë duke e bërë punën e tyre për shkak të sigurisë së objektit.
“Greva është patjetër me kërkesën e punëtorëve sepse pe shohim që nuk po kemi mundësi me i realizua përmes kërkesave tona legjitime me bisedime. Tash jemi futur në grevë, ku kemi filluar një grevë të shkallëzuar, do të thotë nuk i kryejmë shërbimet ndaj aktiviteteve sportive, kulturore, ndaj zejtarëve, afaristët që i kemi në qendër tregtare. Kështu që në të ardhmen të shohim. Në grevë jemi që nga data 28 shtator e të shohim pas të hënës çka do të bëhet. Na kanë premtuar se diçka do të lëvizë për të mirë, por ato premtime siç po duket vetëm po janë premtime e realitet kurrgjë nuk ka”, ka thënë ai.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Pallatit të Rinisë, Enver Musiçi, ka thënë se do të ndërpresin grevën vetëm atëherë kur të marrin pagat, e deri atëherë ai thotë se punëtorët e shërbimit teknik, shërbimi i sigurimit dhe administrata do të vazhdojnë grevën.
KosovaPress gjatë ditës ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të AKP-së dhe të Komunës së Prishtinës, për të kuptuar se kush është përgjegjës për të bërë pagesën e punëtorëve, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur thirrjeve të redaksisë.
Qeveria e Kosovës në dhjetorin e vitit të kaluar kishte marrë vendim që Pallati i Rinisë dhe Sporteve, nga AKP-ja, të kalojë në pronësi të Komunës së Prishtinës. Ndërkohë që zyrtarisht më 12 shtator të këtij vitit AKP kishte bërë dorëzimin e Pallatit të Rinisë te Komuna e Prishtinës./KultPlus.com