Mbrëmë në Festivalin “Sunny Hill” performuan shumë të famshëm, ndër ta edhe Action Bronson.
Por as mbrëmë nuk mungoi e famshmja kosovare Dua Lipa, e cila natën e parë të festivalit bëri spektakël të paharruar. Mbrëmë Lipa ka qëndruar në një skenë ku është parë me flamurin kombëtar.
Ajo ka qëndruar në zonën VIP dhe ka përcjellë performancën e yjeve tjera shqiptare.
Festivali “Sunny Hill” vazhdon edhe sonte, ku ndër yjet e njohur që do të performoj është Martin Garrix.
Kryetari Shpend Ahmeti bashkë me nënkryetarin Selim Pacolli, Drejtorin e Arsimit Jonuz Salihaj dhe disa asambleistë vizituan sot përfundimin e punimeve në objektin e shkollës fillore dhe të mesme të ulët në lagjen “Arbëria”.
Shkolla që do të mbajë emrin “Mehmet Gjevori” në përbërje ka gjithsej 12 dhoma mësimi, prej të cilave 2 dhoma mësimi për nivelin e arsimit parafillor, 10 dhoma mësimi për nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët dhe 4 dhoma për kabinete, kuzhinën dhe hapësirat të tjera përcjellëse sipas kërkesave dhe standardeve bashkëkohore.
Drejtoria e Arsimit pas analizës dhe vlerësimit të përgjithshëm mbi demografinë e popullsisë në lagjet apo zonimin ku shtrihen shkollat fillore, si: SHFMU “Meto Bajraktari”, SHFMU “Qamil Batalli” dhe SHFMU “Faik Konica”, konstatoi se numri i nxënësve në këto shkolla është i madh nëpër paralele prandaj rreth 17 paralele nga viti i ri shkollor 2018/19, do të transferohen në shkollën e re në lagjen “Arbëria”.
Për të siguruar një transferim të lehtë i gjithë ky proces do të realizohet në koordinim të plotë me drejtuesit e shkollave dhe organet e brendshme të shkollës.
Poashtu, javën e ardhshme do të bëhet edhe prezantimi i draft projekteve konceptuale i pesë objekteve shkollore që do të ndërtohen me programin PFI në bashkëpunim me Bankën Botërore./KultPlus.com
Reperi i njohur shqiptaro-amerikan, Action Bronson, i cili do të performojë në natën e dytë të festivalit “Sunny Hill” më 11 gusht, ka mbërritur sot në Prishtinë dhe menjëherë ka mbajtur edhe konferencë për media, shkruan KultPlus.
Në këtë konferencë padyshim që ishte i pranishëm edhe organizatori i këtij festivali, Dukagjin Lipa, i cili mori fjalën menjëherë pas Action Bronson.
Ai fillimisht u shpreh që ky festival është më i miri në Evropën Juglindorë dhe se me realizimin e këtij festivali ëndrra e tij po bëhet realitet.
I pyetur nga gazetarët se pse nuk është ftuar edhe Rita Ora që të performojë në këtë festival, Dukagjin Lipa tha: “Shpresojmë që Sunny Hill Festival të ketë jetë të gjatë dhe se vitin tjetër me kënaqësinë më të madhe do të ftojmë edhe Rita Orën, Bebe Rexhën, e shumë artistë të tjerë shqiptarë që po na bëjnë krenarë, e gjithashtu edhe artistë të njohur botërorë”, tha Lipa.
Sunny Hill Festival do të mbahet përgjatë datave 10, 1 dhe 12 gushtë në parkun e Gërmisë në Prishtinë./ KultPlus.com
DJ i mirënjohur holandez Martin Garrix shumë shpejt do të udhëtojë për në Kosovë, kjo pasi ai do të performojë në festivalin Sunny Hill në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Para ardhjes në Prishtinë, Garrix përmes një video shpreh emocionet e tij për performancën në Kosovë.
“Jam shumë i emocionuar që më në fund do ta vizitojë Prishtinën dhe mezi pres të ju shoh në Sunny Hill Festival”, shprehet Garrix në videon e postuar nga faqja zyrtare e Sunny Hill Festival.
Ylli i hitit “Animals” do të jetë njëri nga performuesit në festivalin e organizuar nga Dua Lipa “Sunny Hill Festival”, që do të mbahet më 10. 11 dhe 12 gusht.
Përveç Martin Garrixit në Prishtinë më 10, 11, dhe 12 gusht do të perfomojnë yjet e muzikës Action Bronson, Stanaj, Grace Carter, SG Lewis, Col3 Trane, Dafina Zeqiri e shumë artistë të tjerë vendorë. / KultPlus.com
Në vitin 2001, më 28 nëntor, është vendosur monumenti i Skënderbeut në qendër të Prishtinës. Fjalën e rastit e kishte mbajtur Presidenti Ibrahim Rugova, atëherë ende në cilësinë e kreut të LDK-së.
Në fjalimin e tij Rugova kishte thënë se shumë gjenerata e kishin ëndërruar një ditë të tillë.
“Shumë gjenerata të mëparshme, si dhe gjenerata jonë e kemi ëndërruar këtë ditë. Gjeneratat e reja fëmijët tani, do të rriten me Skënderbeun, do të rriten me heroin e vet. Do të ndihen më të qetë edhe dëshmorët e shumë brezave dhe ata të luftës së fundit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sot Kosova është e lirë, e bën të lirë nipat e tij dhe miqtë e Skënderbeut”, është shprehur Rugova me këtë rast.
Ky është fjalimi më rrëqethës i presidentit Ibrahim Rugova i mbajtur më 28 nëntor ditën kur u vendos monumenti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Prishtinë.
Më poshtë po ju sjellim fjalimin e plotë të presidentit Rugova. /KultPlus.com
Galeria e Fakultetit të Arteve organizon ekspozitë kolektive ndërmjet artit konceptual dhe atij tradicional, përcjellë KultPlus.
“EKSPO për mërgatë” është titulluar kjo ekspozitë e cila ka grumbulluar rreth vetës një numër të madh artistësh të artit pamor të cilët do të paraqesin punën e tyre sonte.
Të ftuar nga “Icon Arts Transilvania Festival”, në Rumani, nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” nga Gjakova do të përfaqësojnë Kosovën me kuartet harqesh në këtë festival, shkruan KultPlus.
Ky festival do të mbahet nga data 1 deri më 12 gusht 2018. Kosova do të përfaqësohet me kuartet harqesh në përbërje të tre nxënësve nga shkolla e muzikës ‘Prenk Jakova” Gjakovë (Hana Hana, Alkesta Gllogjani, Endrit Berisha), dhe një nxënës nga Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova” Prishtinë (Arsim Gashi).
Ky kuartet apo siç vendosëm ta quajmë “NEWBORN”, do të interpretojnë në dy koncerte, njëri me datë 2 gushtë në “Dealu Frumos” fortesë e shekullit XIII, dhe koncerti i datës 4 gushtë në “Kështjellën Peles”.
Programi i cili do të interpretohet do të jetë 45 min, ku do të luhet: 1.W.A.Mozart: Divertimento nr.3 në F-Dur(Allegro, Andante, Presto).
2. F.Schubert: Kuartet harqesh nr.13 në a-mol ”Allegro ma non troppo”.
3. Astor Piazzolla S.V.P.
4. “Kënga e Rexhes” , arr.Tomor Berisha.
Pjesëmarrja në këtë festival u mundësua edhe falë mbështetjes së drejtorit të arsimit në Gjakovë, Bernard Frrokaj dhe kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjinit, për mbështetjen financiare për pjesëmarrjen në këtë festival për nxënësin Arsim Gashi, ata falënderojnë edhe Drejtorin e Arsimit në Prishtinë, Jonuz Salihaj dhe Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporti, Kujtim Gashi, ka vizituar Ansamblin e Këngëve dhe Valleve “Shota”. Gjatë kësaj vizite ministri zhvilloi takim me drejtorin e Ansamblit “Shota” Shefqet Gjocaj i cili njoftoi ministrin me gjendjen, kushtet dhe rrethanat e punës në këtë institucion, përcjellë KultPlus.
Ministri Gashi premtoj mbështetje për valltaret dhe i përgëzoi për sukseset që kanë treguar gjatë vitit 2018, po ashtu i inkurajoj që këto rezultate dhe këtë angazhim ta vazhdojnë edhe më tutje.
Qëllimi i kësaj vizitë është për të parë nga afër se cilat janë nevojat financiare të këtij institucioni shumë të rëndësishëm kulturor, pasi që kemi marrë vendim që të gjitha institucioneve të kulturës tua rrisë buxhetin jam shumë i bindur që Ansamblin “Shota” ka qene i anashkaluar në këtë drejtim nuk ka pasur asnjë mbështetje të duhur financiare. Dhe nga sot për shkak të punës edhe rezultateve të mëdha që kanë pasur , ju njoftoj që do të ketë rritje të buxhetit për vitin 2019 varësisht nga programi që do të paraqesin në këshill te në ministri ka thënë ministri Kujtim Gashi.
“Po ashtu ne jemi dakorduar edhe në takimet paraprake që ky institucion ka nevojë për arkivin e vet për ruajtjen e materialeve shumë të rëndësishme dhe sot e konfirmojmë që këtë projekt do ta iniciojmë si procedurë dhe jemi të interesuar që çdo kërkesë të marrim me seriozitet, po ashtu ky ansambël ka nevojë edhe për instrumente sepse një pjesë e tyre janë shumë të vjetra dhe besoj që bashkërisht do të gjejmë zgjedhje dhe mundësi buxhetore që ky institucion të pajiset edhe me instrumente të reja”. ka thënë mes tjerash ministri.
Ndërkaq, Shefqet Gjocaj, drejtor i Ansamblit Shota, tha se nga ministri kanë marrë zotimin edhe për realizimin e projekteve që Shota ka filluar si dhe për projektet e planifikuara.
“Besoj shumë që e kemi pasur mirëkuptimin dhe do ta kemi në vazhdimësi. Unë besoj shumë që projektet që i kemi filluar do të realizohen në një kohë të përshtatshme”./KultPlus.com
Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Yll Rugova, dje përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar për të arriturat e drejtorisë të cilën ai e drejton përgjatë gjashtë muajve të parë, shkruan KultPlus.
Përveç të tjerash Yll Rugova, ka treguar për shumën që ka arritë të siguroi kjo drejtori për sallën e koncerteve dhe teatrin e operas e baletit.
“Në gjashtë muajt e parë në drejtorinë e kulturës Komuna e Prishtinës ka arritë me inicu projekte me ma shumë se 60% të buxhetit (e kemi pjesën e dytë të vitit për pjesë e mbetur). Kemi arritë me siguru 15.4 milionë për sallën e koncerteve dhe teatrin e operas e baletit. Ekipi punues po mirret me detyrën projektuese, këtë vit shpallet konkursi ndërkombëtar për dizajnin”, ka thënë ndër të tjera Rugova.
Po sjellim statusin e plotë të drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës:
“Është ajo thënia dita e mirë shihet në mëngjes. Shpresojmë se do të vlejë edhe për kulturën në Prishtinê.
Në gjashtë muajt e parë në drejtorinë e kulturës Komuna e Prishtinës ka arritë me inicu projekte me ma shumë se 60% të buxhetit (e kemi pjesën e dytë të vitit për pjesë e mbetur). Kemi arritë me siguru 15.4 milionë për sallën e koncerteve dhe teatrin e operas e baletit. Ekipi punues po mirret me detyrën projektuese, këtë vit shpallet konkursi ndërkombëtar për dizajnin.
E kemi rikthyer kino Armatën në hapësirë publike kulturore, me program të rregullt. I kemi nisur projektet për rehabilitimin e qendrës historike, përfshirë ndërtesat si Shkolla e Parë Shqipe. Punët kanë filluar për herë të parë pas sa dekadash në këtë pjesë, me idenë që të kthehet në zemër të vërtetë të qytetit.
Për herë të parë Prishtina do të ketë muze komunal. Jemi në proces të punës me themelimin e muzeut Ibrahim Kodra dhe Shtëpive Shkolla dhe dy muzeumeve tjera që do të shpallen ndërkohë. Prishtina e ka gati strategjinë e turizmit, kurse edhe info qendra turistike është në punim e sipër së bashku me panelet informuese.
Po mbahen orët mësimore me Akademinë e Animacionit, si program i ri për të rinjt. Ndërkohë, institucionet vartëse do të kenë të hyrat e tyre vetanake për të rritur buxhetin e kulturës në komunë. Gjithashtu jemi në proces të themelimit të orkestrës komunale, dhe teatrit të valles dhe muzikës tradicionale. Prishtina është në garë me kryeqytetet tjera evropiane për organizimin e bienales së artit Manifesta.
Shumë projekte janë nisur sivjet. Për kulturën në kryeqytet ditë të mira po na presin përpara. Veç na duhet shumë punë bashkë, kjo është maratonë e jo sprint. #prishtina”, ka shkruar ai./ KultPlus.com
Tashmë kanë përfunduar të gjitha punimet, dhe sheshi “Adem Jashari” ka pamje të re. Ka më shumë hapësirë të gjelbër, dhe më shumë ulëse për pushim, përcjellë KultPlus.
Nesër, më 2 gusht, në ora 19:00, do ta bëhet edhe hapja e këtij sheshi, me disa aktivitete të organizuara nga Komuna.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinë, Shpend Ahmeti.
Ky shesh i cili ka gjendet në mes të objektit të Kuvendit të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës, për vite të tëra ka qenë në gjendje shumë të keqe./KultPlus.com
Festivali “Beerfest Kosova”, do te vazhdojë të mbahet më 30 dhe 31 korrik dhe më 1 gusht.
Sipas kompanisë MODUS (organizator i Beerfest), adhuruesit e Beerfest do të kenë mundësinë të vazhdojnë festën për tri ditë tjera pas tri dite të shtyrjes shkaku i tri ditë zie që ishin në Kosovë dhe të cilën organizatorët e kanë respektuar.
“I njoftojmë të gjithë adhuruesit e Beerfest që sikurse filloi me një spektakël, njësoj do të vazhdojë edhe gjatë ditëve tjera në vijim të Beerfest ku do të kemi muzike të të gjitha zhanreve që do të kujdesen për një argëtim unik të pjesëmarrësve të Beerfest”, thuhet në njoftim.
Sipas këtij njoftimi të gjithë artistët që ishin paraparë të performojnë, do të jenë pjesë edhe në ditët e ardhshme si NR, Genc Prelvukaj, Genta Ismajli, Ilirët, Grupi NA, Vala Mulliqi, Dj James, Dj Ostflux, Nani, Malik dhe artistë tjerë.
“Përveç muzikës e birrave të ndryshme, këndit të ushqimit e pijeve jo-alkoolike, vizitorët do të kenë rastin të jenë pjesë e lojërave të ndryshme, të cilat ndihmojnë në realizimin e atmosferës festive dhe verore”, thuhet në njoftim.
Ky festival ka për qellim që qytetarëve të izoluar të Kosovës, t’iu ofrojë argëtim madhështor me një kosto shume të ulët dhe të përballueshme për qytetarët./KultPlus.com
Dua Lipa ka qëndruar për disa ditë në New York, ndërsa e ka shijuar mjaft shumë udhëtimi e saj atje, shkruan KultPlus.
Për këngëtaren nga Kosova, ky udhëtim ka qenë edhe më i veçantë për shkak të pranisë së motrës së saj, Rina Lipa. Ajo sapo ka postuar një fotografi ku shihet së bashku me motrën e saj.
“Do të mungoj shumë motra ime, Rina Lipa. Jemi kënaqur në këtë udhëtim të shkurtër së bashku, shihemi së shpejti në Prishtinë”, ka shkruar Dua Lipa.
Dua Lipa do të jetë e pranishme në Prishtinë, në natën e parë të festivalit ndërkombëtar “Sunny Hill Prishtina”, që do të hapet më 10 gusht në Germi./ KultPlus.com
Kampi veror “ARTivizmi edukativ” ka mbledhur rreth vetës 100 fëmijë të kategorive të ndjeshme sociale me ç’rast u zhvilluan dhjetëra aktivitete me karakter edukativ, socializues dhe argëtues, përcjellë KultPlus.
Organizata joqeveritare “ETEA” me përkrahje financiare të “Terre des hommes” po e implementon projektin Kampin veror “ARTivizmi edukativ” në Komunën e Prishtinës, projekt ky që synon ndërgjegjësimin e fëmijëve përfitues rreth rëndësisë së arsimimit dhe të drejtave të fëmijëve, duke ndikuar kështu në parandalimin e braktisjes së shkollimit dhe fuqizimin e të drejtave të fëmijëve.
Në kuadër të kampit veror po marrin pjesë 100 fëmijë, përzgjedhja e të cilëve është bërë duke bashkëpunuar me SOS Fshatrat e Fëmijëve, Qendrën për Punë Sociale, SHFMU-të Asim Vokshi, Emin Duraku, Qamil Batalli, Zenel Hajdini, etj.
Kampi ka filluar me datë 19 korrik, dhe do të mbyllet më datë 24 korrik 2018 kur edhe do të shfaqet për publikun programi artistik i fëmijëve, përgatitur nga këta të fundit me përkrahjen e stafit të ETEA-s.
Ky program do të zhvillohet në Qendrën e Komunitetit “Termokiss” duke filluar nga ora 15:00, dhe do të përmbajë ekspozitë, dramë, tregime dhe poezi, vallëzime moderne, balet, këngë, punë-dore, video-storie, dhe storie qe do të tregohen aty për aty nga fëmijët e që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e fëmijëve brenda institucioneve edukativo-arsimore, etj.
Të gjitha këto janë përgatitur përgjatë ditëve të kampit, përmes punëtorive të organizuara brenda kampit, siç janë: punëtoria për letërsi, punëtoria për pikturë, punëtoria për aktrim, punëtoria e aktivizmit dhe ajo e avokimit.
Gjithsesi, kampi që po zhvillohet tash e disa ditë, përveç punëtorive dedikuar programit artistik, ka përmbajtur edhe aktivitete tjera psiko-sociale për të cilat animatorët e kampit mbajtën trajnime specifike të organizuara nga “Terre des hommes”. Në anën tjetër, kuptohet se nuk munguan as aktivitetet argëtuese, përkatësisht lojërat si: futbolli, volejbolli, topi i dëshirave, pantonima, telefoni i prishur, etj. / KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Animacionit ‘Anibar’ ka filluar sërish tourin e tij rreth Kosovës.
‘Anibar’ prej datës 19 Korrik ka filluar turin e saj në Kosovë, i cili synon informimin e publikut të gjerë lidhur me temën, programin dhe filmat të cilët këtë vit do të shfaqen në festival. ‘Anibar on tour’, ka përzgjedhur kryeqytetin, Prishtinën për të filluar programin e tij, për të vazhduar më pas në Gjakovë, Prizren e deri në Tiranë.
Gjatë ‘Anibar on tour’, Para dhe pas shfaqjes së filmave të pranishmit kanë mundësinë të marrin direkt informata prej stafit dhe vullnetarëve të ‘Anibar’, sikurse fletushkat me informata për programin, transportin dhe akomodimin nga qyteti i tyre përkatës për në Pejë gjatë datave të festivalit.
Gjithashtu entuziastët e filmit të animuar do të kenë mundësinë e informimit për punëtoritë, prezantimet, masterklaset dhe takimet me animatorët gjatë festivalit.
Tema e edicionit të nëntë të festivalit, është ‘5050’, e cila synon inkurajimin e grave të angazhohen në fushën e industrisë së filmit të animuar. Këtë edicion Anibar ka vendosur të nxjerrë në pah problemin botëror të pabarazisë gjinore në fushën e animacioneve.
Pjesëmarrja e grave në animacion është rritur, por gjithashtu ka ekspozuar shumë pabarazi. Sipas organizatës “Ëoman in Animation, “Gratë përbëjnë 60% të studentëve të animacionit, por vetëm 20% e animatoreve janë gra.”
Kjo ka bërë që gratë të jenë të nënpërfaqësuara në industrinë e animacionit veçanërisht si skenariste, regjisore dhe producente.
Prandaj, Anibar përmes edicionit të nëntë të festivalit do të bëjë një ndryshim duke inspiruar gratë dhe burrat në botën e animacionit për ti adresuar çështjet gjinore tani.
Festivali Ndërkombëtarë i Animacionit Anibar, edicionin e tij të 9-të e fillon më datën 13 Gusht dhe zgjatë plotë 7 ditë, afro 300 filma, 11 programe speciale, 6 punëtori, coffee and talks, prezantime, dhe afterparty çdo natë.
Në vijim gjeni oraret e prezantimeve dhe shfaqjes së filmave në disa qytete:
19/07 – Prishtinë, Miqt Pub – 20:30
22/07 – Gjakovē, Parkukultur – 21:00
24/07 – Prishtina në Kino Armata – 20:00
28/07 – Tirana ne Reja – 20:15 dhe në Qendrën kulturore Tulla – 21:30
1/08 – Prizren në Lumbardh- 20:30
Reperi shqiptar me famë botërore Gashi përmes rrjeteve sociale ka shprehur gëzimin e tij se do të mbajë koncert në Kosovë për herë të parë, kurse kthehet pas disa vitesh.
Gashi do të peformojë në Sunny Hill Festival më 11 gusht, transmeton Koha.net. Festival ky tre ditorë që do të zë vend në Prishtinë, e në të cilin do të perfomojnë shumë yje me famë botërore.
“Nuk mund të besoj se po kthehem në Kosovë pas kaq shumë vitesh. Më 11 gusht performanca ime e parë në Kosovë në Sunny Hill Festival. Shqipet e mia po kthehem në shtëpi”, ka shkruar Gashi në disa postime të ndryshme në Instagram./KultPlus.com
Sunny Hill Festival sot ka zbuluar edhe një emër të madh të skenës muzikore që do të performojë në Prishtinë.
Pas yjeve si Action Bronson, Martin Garrix e të tjerë është konfirmuar se në Prishtinë do të performojë edhe reperi shqiptar me famë botërore, Labinot Gashi i njohur me emrin artistik G4shi, transmeton Koha.net.
“Gashi nga New Yorku në Prishtinë për të ndezur skenën”, thuhet në postimin e festivalit që organizohet nga babai i Dua Lipës, Dukagjin Lipa./KultPlus.com
Mbrëmë në kuadër të PriFilm Fest në Teatrin Kombëtar të Kosovës është shfaqur filmi “Forgive Me” i regjisorit Besim Ugzamajli, shkruan KultPlus.
PriFilm Fest ka pushtuar mbrëmë skenën e madhe të Teatrit Kombëtar për të sjellë një seri filmash, të cilët erdhën një pas një. Në mesin e tyre ishte edhe premiera kosovare e filmit “Forgive Me”.
Filmi në qendër të tij ka një dramë sa familjare aq dhe shoqërore. Në fokus të tij janë dy vëllezër. Një djalë i ri, i quajtur Bujar, manipulohet nga një imam kosovar që t’u bashkohet grupeve terroriste që luftojnë në Siri. Ai i bashkohet luftës tinëzisht dhe pastaj i kërkon ndihmë vëllait të tij t’ia dërgojë në Siri edhe gruan. Por vëllai tmerrohet nga veprimet e Bujarit dhe i kërkon të kthehet në Kosovë. Në anën tjetër Bujari nuk e mendon kthimin madje e kërcënon gruan e tij se nëse nuk i bashkohet në Siri do të martohet me një grua që ka mbetur e ve nga lufta.
Mirëpo rrugëtimi për të ardhur deri të premiera nuk ka qenë i lehtë as për personazhet dhe as për ekipin, tregoi regjisori i filmit Besim Ugzmajli, i cili me të përfunduar filmi mori fjalë para publikut që ishte i pranishëm.
Regjisori Ugzmajli falënderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm, për nderimin që i kanë bërë me pjesëmarrjen e tyre ekipit të filmit por edhe festivalit.
“Kam qenë pjesë e PriFilm Fest edhe më përpara dhe tani po rikthehem përsëri në edicionin e tij të dhjetë dhe ju uroj edhe shumë edicione të tjera këtij festivalit”, u shpreh regjisori.
Filmi Forgive me (Më fal), është realizuar me vetëfinancimin e producentëve Besim Ugzmajli dhe Agron Shala dhe më përkrahje të ekipit i cili ka besuar në film dhe në idenë e filmit.
“Kemi dashur që t’i tregojmë audiencën botërore por edhe audiencën në Kosovë një histori e cila ka kaluar vazhdimisht nëpër ne vitet e fundit”, u shpreh regjisori.
“Forgive me” deri më tani është prezantuar në disa festivale shumë të rëndësishme në botë, siç janë: Manchester Film Festival, Semana de Cine Internacional de Medina del Campo, Atlanta Film Festival e të tjerë.
“Pa dashur që ta bëjë shumë dramatike, mirëpo më duhet të them se nuk ka qenë e lehtë të merremi më këtë temë, ta dërgojmë deri në fund por as t’i qëndrojmë mbrapa pas publikimit të tij. Filmi është në mesin e rrugës së tij dhe ky është edhe festivali i 13-të që po prezantohet. Është kënaqësi që u shfaq edhe para publikut kosovar”, u shpreh ai duke theksuar se ky film i metrazhit të shkurtë e ka një rrugë të gjatë para tij.
Aktorët në këtë film janë: Agron Shala, Semira Latifi, Igballe Qena, Kushtrim Asllani, Ekrem Sopi, Sherif Bega, Orik Berani, Adrian Obertinca.
“Forgive me”, në PriFilm Fest ka ardhur në kategorinë “IN ALBANIAN” si shfaqje speciale në kuadër të festivalit dhe nuk është në garë./KultPlus.com
Përveç programeve tradicionale filmike të PriFest-it, edicioni i dhjetë ka sjellë edhe dy programe të reja duke përfshirë këtu Programin Garues të filmave Studentorë.
Pjesë e kësaj kategori është edhe filmi “Dielli”, premiera e të cilit u dha mbrëmë në kuadër të festivalit, shkruan KultPlus.
Filmi “Dielli” me regji të Mjellma Istrefit, studente e Filmit dhe Mediave Dixhitale në Universitetin Amerikan në Romë, është një projekt studentor i cili përshkruan një situatë të caktuar politike në Kosovë, parë nga këndvështrimi i regjisores.
Profesori i tregon studentëve të tij për mitin, dielli djegë gjithçka që prek, megjithatë qyteti jonë është i mbuluar nga retë, pra qytetarët ende jetojnë. Një studente është mjaft e guximshme, ja shpjegon profesorit se kjo teori nuk është e vërtetë, pasi që ajo ka parë diellin dhe është prekur nga rrezet e tij.
Profesori bindet që ajo ka të drejtë dhe vendosë t’i bashkohet për të dëshmuar se bota e ka gabim. Mirëpo kur ajo konsiderohet e çmendur dhe izolohet, a do vazhdojë ta përkrah profesori këtë kauzë?
“Ideja e filmit ka ardhur prej gjendjes në Kosovë ku ka pasur shumë protesta gjatë asaj kohe dhe askush nuk diskutonte me askënd. Ka qenë mënyra sesi unë e kam pa këtë situatë pasi që nuk merrem shumë me politikë. Pra ka qenë sesi unë e kam pa situatën, apo unë në vend të një njeriut që nuk po kupton shumë se çfarë po ndodh, mirëpo që po e dinë që po shkojmë herë në një anë e herë në tjetrën po nuk po shohim dritë në asnjërën anë”, u shpreh regjisorja.
Në film rolin e studentes e luan aktorja Trina Ukmata ndërsa profesorin aktori Shkumbin Istrefi. Regjisorja pas shfaqjes së premierës, falënderoi të dy aktorët por edhe gjithë ekipin për punën e bërë.
“E gjithë kjo punë është realizuar falë ekipit i cili ka punuar shumë dhe i jam shumë falënderues. Sigurisht një falënderim shumë i madh shkon për Shkumbin Istrefin pasi që ky skenar është shkruar dhe rishkruar 100 herë me të vetmen arsye, e kam dashur atë si aktorë në këtë film. Mirëpo, kur e ka lexuar herën e parë ai ka thonë që unë nuk aktroj në këtë film kështu që unë është dashtë ta shkruaj e rishkruaj derisa kemi arritur në këtë që e patë edhe ju sonte”, përfundoi regjisorja e re Mjellma Istrefi.
Edicioni i 10-të i PriFilm Fest po vazhdon akoma. Të gjithë të interesuarit mund të klikojnë këtu për të mësuar më shumë se cilët filma do të shfaqen sonte në kuadër të festivalit./KultPlus.com
http://prifest.org/program-2018/
PriFilm Fest solli mbrëmë premierën e filmit “Klithma” me regji të Korab Lecaj. Filmi trajton përdhunimin seksual të meshkujve shqiptarë nga serbët gjatë luftës në Kosovë, si dhe kërkon që për këto tema të bisedohet duke i ofruar përkrahje njëri-tjetrin, shkruan KultPlus.
Kanë kaluar 19-të vite pas luftës së fundit në Kosovë mirëpo, gjurmët që ka lënë pas kjo luftë janë akoma prezente. Pikërisht kjo luftë ka shërbyer si material për të realizuar edhe filmin “Klithma”, një klithmë e brendshme e shoqërisë sonë.
Sipas regjisorit të filmit, Korab Lecaj, “Klithma” shfaq një plagë që vazhdimisht ka kulluar pas lufte, por që ne si shoqëri jemi munduar ta kamuflojmë. Filmi trajton përdhunimin seksual të meshkujve shqiptarë nga serbët gjatë luftës në Kosovë.
Dini, është personazhi kryesor në këtë dramë familjare. Ai ka pasur fatin e keq që në mesin e shumë të tjerëve, është përdhunuar seksualisht gjatë luftës. E vërteta tashmë ka filluar të dalë dhe kjo gjendje e përkeqëson emocionalisht atë, duke e pasur të vështirë të përballet me gruan dhe opinionin përballë këtij realiteti tragjik.
“Ideja e filmit “Klithma” ka të bëjë me atë që ka përjetuar shoqëria jonë gjatë luftës duke pasur parasysh atë që kam dëgjuar për herë të parë, që përveç grave ka të dhunuar edhe burra gjatë luftës në Kosovë”, tregoi regjisori.
Temë kjo e cila e ka sfiduar regjisorin Lecaj artistikisht, mund të konsiderohet edhe një mal i pashkelur në kontekstin artistik prej artistëve.
“Kam provuar që në një formë t’i tregoj botës një të vërtetë që i ka ndodhur shoqërisë sonë. Dilema kam pasur në fillim mbi mënyrën sesi do të perceptohet mirëpo asnjëherë nuk kam menduar që ta ndalojë procesin. Sigurisht tema që trajtojmë në film është një temë e ndjeshme dhe e rrezikshme për ta trajtuar pasi që është edhe një temë tabu në shoqërinë tonë”, tregon tutje regjisori Korab Lecaj.
Pikërisht fakti që filmi është motivuar nga ngjarje të vërteta dhe dialogjet janë të ndërtuara nga rrëfimet e burrave që janë dhunuar seksualisht, e ka bërë këtë film edhe më shumë sfidues për regjisorin.
Mirëpo 2 vite e gjysmë punë kanë qenë të vlefshme pas premierës së filmit e cila u dha mbrëmë në Teatrin Kombëtar në kuadër të PriFilm Fest. Filmi solli personazhe të stërmbushura me emocione të cilat kërkonin që këto emocione të dilnin në pah.
Detajet e zgjedhura nga ekipi i filmit dhe regjisori silleshin përqark këtyre emocioneve. Filmi i xhiruar me kamerë në dorë dhe jo me kamerë statike, përcjelltë përmes lëvizjes së kamerës gjendjen emocionale të personazheve, njëlloj si ambienti rrethues i tyre.
“Në fillim kemi ngjyra më të ngrohta mirëpo pastaj ato zbehen dhe vijnë ngjyra më të errët, pra fillon të rëndohet raporti. Pra përveç aktrimit dhe emocionit të aktorëve jemi munduar që t’i kushtojmë rendësi çdo detaji”, thekson regjisori Lecaj.
Mirëpo regjisori Korba Lecaj i cili njoftoi se përsëri do i përvishet punës për të sjellë edhe filma të tjerë, nuk e mohoi as mundësin që këtë film ta kthej në një film të metrazhit të gjatë.
“Filmi bart mesazhin për viktimat e luftës. Nuk është zgjidhje që ta lëndosh veten dhe rrethin ku jeton, por zgjidhje është që të flasësh, të përballësh. Vet përballja në fund të filmit është mesazhi i përballjes më të vërtetën. Nuk është turp të jesh i/e dhunuar, askush nuk e zgjedh këtë. Të gjithë kemi mundur të jemi në vendin e të dhunuarve pasi që kemi kaluar nëpër një luftë. Në anën tjetër mesazhi për publikun është që nuk duhet të paragjykojnë por t’i përkrahin viktimat e dhunimeve seksuale”, u shpreh regjisori.
Marrëdhënia në mes të një qifti ku gruaja duhet të përballet me traumën që bashkëshorti i saj e ka përjetuar në luftë, vjen më së miri pikërisht përmes punës së aktores Arjola Demiri. Ajo përmes shikimit, përmes lëvizjeve dhe përmbajtjes emocionale vërteton se dhimbja në këtë film është e brendshme.
“Unë nuk e kam përjetuar luftën siç e kanë përjetuar njerëzit në Kosovë, mirëpo e kam përjetuar përmes rrëfimeve që kanë sjellë refugjatë në Shqipëri. Unë jam munduar që të kuptojë se çfarë kanë përjetuar këta njerëz në thelb, në brendësi të tyre”, u shpreh ajo.
Kujtojmë se ky ka qenë roli i parë si protagoniste për aktoren Demiri, në një film.
“Nuk kemi pasur nevojë për skena eksplicite për ta realizuar këtë film, por kemi pasur nevojë për ta shprehur dhimbjen e brendshme e që është si një brejtës që të gërryen pa e pa”, theksoi ajo.
Mirëpo ajo që e ka bërë më të lehtë realizimin e këtij filmi të shkurtër janë provat e shumta, u shpreh aktori Alban Zogaj. Ai në këtë film erdhi si Dani, shoku i ngushtë i Dinit, i cili vendos ta bëjë publike atë se çfarë u kishte ndodhur në luftë.
“Roli ka qenë i vështirë pasi që më është dashtë në një farë formë t’ia bëjë një biografi personazhit. Problemet që ai i ka pasur duke jetuar për më shumë se 15 vite pa u ballafaquar me atë që i ka ndodhur. Roli ka qenë i vështirë edhe për faktin se nuk kam pas informata shumë e as nuk kam pasur mundësin që të diskutoj me dikë që ka qenë i dhunuar, më shumë i kam imagjinuar gjërat. Sigurisht më kanë ndihmuar edhe udhëzimet e Korabit dhe të njerëzve të tjerë që kanë pasur më shumë informacione”, u shpreh ai.
Tashmë kanë mbetur edhe dy ditë nga përmbyllja e edicionit të 10-të të PriFilm Fest, festival ky i cili ka shndërruar Prishtinën në qendër të historive të ndryshme kinematografike./KutlPlus.com
Mbrëmë në Prishtinë u dha premiera e filmit “Zer” ku luan shqiptari Nik Xhelilaj, i cili tashmë i është përveshur punës për të realizuar projekte të tjera filmike. Personazhi i tij i ardhshëm do të jetë një bletar, shkruan KultPlus.
Aktori Nik Xhelilaj është duke bërë xhirimet në Berlin të Gjermanisë për serialin Milk & Honey.
“Për momentin jam duke xhiruar një serial në Gjermani në Berlin, aty luajë një bletar i cili kur nuk i ecën puna me mjaltin u bënë edhe ‘favore’ grave. Është një skenar shumë i mirë, një histori shumë e lezetshme ku jemi katër shok. Dhe unë jam shoku emigrant në këtë film”, u shpreh ai për KultPlus.
Sipas tij pjesëmarrja në këtë serial e bënë të lumtur pasi që do të ketë mundësi që të shoh edhe pjesë të tjera të Berlinit.
Në audicion personazhi i aktorit Xhelilaj kishte kombësi tjetër por pas audicionit është vendosur që ai të jetë shqiptar duke e bërë rolin e tij edhe më origjinal.
“Është hera e parë që është një prodhim jashtë Shqipërisw dhe ku shqiptari nuk paraqitet si mafioz por është një personazh shumë interesant. Shpresoj qw kwtw serial ta blejë ndonjë televizion në Shqipëri apo edhe në Kosovës pwr ta transmetuar sepse wshtw një projekt ku luan një aktor shqiptar dhe besoj do ishte interesantpwr shikuesit shqiptar, pse jo”, u shpreh ai.
Momentalisht aktori Nik Xhelilaj është duke luajtur në një serial në Turqi ku janë xhiruar katër seri dhe do të vazhdojnë xhirimet përsëri. Edhe në këtë serial ai portretizon një shqiptar nga Prizreni i cili është terrorist.
“E mira e serialit është që histori e tij çdo herë ndryshon kështu që do presim sesi do të rrjedhë historia e prizrenasit”, u shpreh ai.
Aktori Nik Xhelilaj po qëndron në Prishtinë në kuadër të Prifilm Fest, ku u paraqit premiera e filmit “Zer” në të cilin rolin kryesor e ka ai. /KultPlus.com
Rritja e vetëdijes mbi migrimin, refugjatët dhe viktimat e konfliktit, si dhe eksplorimi i kulturës dhe identitetit përmes artit publik, bisedave dhe tregimeve, janë karakteristikat kryesore të ngjarjes ‘Arti i Migrimit’ që do të mbahet në Prishtinë këtë premte, shkruan KultPlus.
Një artist, një vallëzues, një fotograf dhe një avokat i migrimit kanë nisur në një udhëtim jetësor, mbi 10.000 milje dhe më shumë se 20 vende, si pjesë e Mongol Rally nga Praga në Ulan – Ude në Rusi dhe tashmë po e bëjnë një ndalesë në Prishtinë, përgjatë rrugëtimit të tyre.
A ishit refugjat ose viktimë e një konflikti? A punoni për një organizatë lokale apo ndërkombëtare që ndihmon migrantët, viktimat e konfliktit apo të rinjtë me të drejta të kufizuara? A doni thjesht të takoni njerëz të mëdhenj dhe të zgjeroni perspektivën tuaj? Ju lutemi bashkohuni me ne dhe sillni ushqimin tuaj të preferuar, shoqërinë, tregoni historitë tuaja, ofroni zgjidhje përmes ideve, bëni art, vallëzoni, hani, pini, njihni njerëz fenomenalë dhe argëtohuni.
Nëse jeni të interesuar të mësoni më shumë rreth ‘katërshes fantastike’ (Fabulous Four) (Sheryl Winarick, Bethany Halbreich, Quentin Robinson dhe Yuri Horowitz) dhe udhëtimit të tyre të mrekullueshëm, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e Artit të Migrimit www.artofmigration.com dhe fushatën e tyre për mbledhjen e fondeve në www.gofundme.com/artofmigration.
Ngjarja do të mbahet nesër, më 20 korrik nga ora 17:00 deri në 22:00 në Miqt Pub (pranë Sëiss Diamond Hotel)./ KulttPlus.com
Inspektorati i Arsimit ka vendosur dje, më 17 korrik 2018, ta anulojë rregulloren për avancime në Fakultetin e Arteve dhe pjesërisht konkursin e Universitetit të Prishtinës (pjesën e Fakultetit të Arteve) për zgjedhjen e stafit akademik, njofton kumtesa nga Organizata për rritjen e cilësisë në arsim.
Ky vendim i Inspektoratit vjen pas rekomandimeve të dërguara nga Inspektorati i Arsimit për Universitetin e Prishtinës me datë 22 qershor 2018 ku kërkoheshin ndryshimet e përcaktuara në vendimin e tashëm. Për shkak të mosveprimit të Senatit të UP-së, rekomandimet janë lëshuar tashmë në formën e vendimit të përmendur, transmeton Koha.net.
Më 18 maj 2018, ORCA ka ushtruar kërkesën për inspektim te Inspektorati i Arsimit ku ka kërkuar anulimin e rregullores për avancimin e profesorëve në Fakultetin e Arteve të UP-së dhe rrjedhimisht anulimin e pjesshëm të konkursit për zgjedhjen e stafit akademik të UP-së.
ORCA i ka bërë këto kërkesa për faktin se rregullorja aktuale e Fakultetit të Arteve e miratuar në muajin prill, cënon rëndë cilësinë e mësimdhënies në UP duke mospërfillu ekzistencën e gradës “Doktor i Arteve”, duke e njohur vetëm gradën “Master i Arteve”, kësisoj duke pamundësuar konkurrencën e doktorëve të arteve dhe doktorantëve të arteve në këtë fakultet.
Miratimi i kësaj rregulloreje do ta rrezikonte të ardhmen e Fakultetit të Arteve për sa i përket akreditimit të programeve ku kërkohen doktorë të shkencave apo doktorë të arteve, dhe po ashtu do ta pamundësonte hapjen e programeve të doktoraturës së arteve në të ardhmen e rrjedhimisht prodhimin e kuadrove që do të mund t’i bartnin programet e këtij fakulteti sipas ligjeve në fuqi. /KultPlus.com
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti sot përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka filluar aksioni për largimin e tendave pa leje nëpër të gjithë komunën e Prishtinës.
“Tendat dhe zgjerimet pa leje nuk do të tolerohen”, shkruhet në njoftimin e Ahmetit në Facebook./ KultPlus.com
Të ftuar në emisionin “21 Gradë” të RTV21 ishin rokeri i njohur Dukagjin Lipa, njëherazi edhe babai i këngëtares me famë botërore Dua Lipa si dhe Alban Kastrati nga kompania Republika, të cilët kanë zbuluar detaje rreth festivalit “Sunny Hill” që do të mbahet më datë 10- 11 dhe 12 gusht në Parkun e Gërmisë në Prishtinë.
Nata e parë e festivalit i dedikohet muzikës pop dhe performuese kryesore është Dua Lipa, ndërsa në natën e dytë e cila i kushtohet muzikës hip-hop si performues kryesor i mbrëmjes do të jetë reperi Action Bronson.
Në natën e tretë tashmë është konfirmuar se do të përformojë Dj më i famshëm në botë Martin Garrix.
Organizatori kyç Dukagjin Lipa ndër të tjera ka zbuluar se Dua do të vijë në Kosovë dy ditë para fillimit të festivalit.
“Me datën 8 gusht Dua vjen në Prishtinë…atëherë do t’i kemi aktivitetet e fondacionit ku i ndajmë 100 mijë euro për aktivitetet në Kosovë”, tha Lipa.
Ndryshe, në këtë festival do të performojnë edhe artistë të tjerë si Carter, Bondax ,SG Lewis, Col3trane, Grace, Albert Stanaj si Ledri Vula, Mc Kresha, Buta, Jericho, Shpat Deda e të tjerë.